ILJASA SALIHU: GUMËZHIME FESTE!

(Shkup, 20. 11. 2012) – Gjyshin tim haxhi, askush nuk mund ta bindë se të gjithë shqiptarët duhet ta festojnë 100 vjetorin e mëvetësisë. Ai në heshtje do t’i kujtojë vuajtjet që i përjetojë për 95 vjet radhazi si i pushtuar dhe krejt këtë gumëzhimë ai do ta përthithë si një farsë, ku do të tentohej të mbulohet turpi i kësaj Shqipërie, e cila as për 100 vjet radhazi nuk mbërriti ta dëshmojë se Ismail Qemali me shokë nuk e shpalli vetëm pavarësinë e kësaj Shqipërie që sot e shohim, por rrezet e asaj mëvetësie përfshinin katër vilajetet shqiptare!
Bleta, miza, flutura dhe gjithë perandoria e thneglave këto ditë është ndalur së punuari, me këtë, edhe së zhurmuari. Martesat, shkurorëzimet, vjedhjet, dhuratat dhe vaji do t’i kushtohen 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Në çdo anë valëvitet flamuri shqiptar. Përurohen libra që kanë në spikamë historinë 100 vjeçare që rrodhi në këto troje. Shohim shpalosje të shtatorëve, pastaj krekosje të atyre që duan t’i shpalosin të bëmat e tyre vetjake përmes këtyre shpalosjeve. E gjithë kjo rrëmujë e mirë bëhet me qëllim rehatimi dhe pushimi të atyre që vetëm dinë të kritikojnë!

Edhe ata që gamën e veprimtarisë e kanë mbushur duke kritikuar, jo pse kishin dëshirë një gjë të tillë ta bënin, porse vetë lapsi që nuk pranonte fare shtrembërime dhe nënshtrim iu rrekë një rrugëtimi të këtillë, me gjasë në këtë përvjetor do të heshtin, në mos të qeshin, vetëm të sodisin dhe të llokoçisin nëpër kokat e tyre përsiatje të ndryshme, heshtje kjo derisa të kalon kjo natë e mbushur me harlisje të ndryshme. Në rregull, ata vetëm do të sodisin, nuk do të kritikojnë, por me kusht që edhe ata që njihen më shumë si kriminel se sa vepërmirë, të mos llomotisin që pastaj përmes kësaj llomotitjeje të pandehin në pastrimin e borxheve që ia kanë Zotit, pastaj popullit. Kjo nuk është e mundur, – thotë realiteti i sotëm! Meqë kjo nuk është e mundur, atëherë nuk mund të jetë e mundur as kundrimi në heshtje i këtij përvjetori.
Gjyshi im haxhi, me emrin e Zotit, në fillim të vitit 2013 do t’i mbushë 95 vjet. Nga një përllogaritje sipërfaqësore i bie që atij vetëm pesë vjet i paskan ikur së shijuari pavarësi dhe liri. Lumë ai që nëntë dekada e gjysëm i paska jetuar në liri dhe nën udhëheqjen e vëllait të tij! Shqipëria vetëm pesë vjet është më e vjetër se ai, ndaj shoh se gjyshi im ka një respekt të veçant për Shqipërinë. Pas pak kuptoj se ai gjithhere i kishte nderuar më të vjetrit! Tani, sipas një përllogaritjeje më të thellë, del se dallimi ndërmjet gjyshit tim dhe Shqipërisë nuk qenka vetëm mosha, por diçka shumë më e rëndësishme. Dallimi qëndron në atë se Shqipëria në fund të këtij viti do ta festojë 100 vjetorin e mëvetësisë së saj dhe gjyshi im në fillim të vitit 2013 do ta kujton 95 vjetorin e përjetimit të pushtimit sllav. Edhe pse ai luftoi disa herë, për ta bërë, siç thotë ai, “këtë vend Allbani” në jetën e përditshme një gjë të tillë asnjëherë nuk e mbërriti. Ai u detyrua që përpara mësimit të leximit shqip ta mësojë leximin serbo-kroatisht. Ai pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, pas fitores së shumë betejave dhe pamundësisë së rrumbullakimit të saj për të cilën kishte luftuar, me zemër të thyer i kishte përveshur llërat dhe ia kishte mësyrë punës fizike, për të siguruar kështu hidaren e shtëpisë, duke shpresuar kështu se do të vinin breza më të fortë dhe më të mençur që mundin e atij dhe bashkëluftëtarëve të tij do ta përvijonin.
Pas shumë sfilitjeve, edhe në trojet e pushtuara prej sllavëve, filloi të frymojë arsimi në gjuhën shqipe. Kjo ishte një e arritur e madhe, por jo edhe e mjaftueshme, sa për ta hequr qafe pushtuesin e këtyre trevave dhe vargun e lajkave të tyre, mbase disa të mençur të këtij kombi vetëm sa e ndihmuan zgjatjen e këtij pushtimi, edhe atë, përmes kultivimit të konceptit të bashkim vëllazërimit. Puna shkojë deri aty sa me të mençur u mbërthyem në çdo anë, por tmerret e pushtuesve vetëm sa u shumëzuan. Kështu të mençurit tanë kopila nuk e lanë kopshtin e tyre thatë. Ata përmes shumësisë së flamujve, poezive dhe këngëve patriotike e mashtruan lehtas shqiptarin e Preshevës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe të Çamërisë, se ata edhe pse shkilen si hardhucë çdo ditë, ata janë Shqipëri. Jo, jo, jemi këndelluar aq, sa të mund të bëjmë dallimin se nuk jemi Shqipëri edhe pse jemi me Shqipërinë këtë e dinë vetë ata, se ju që bëni kësi lloj propagandash jeni basdart që përmes gënjeshtrave dhe krimit ekonomik, vajin tonë e paraqisni si lumturi përpara të tjerëve dhe njëkohësisht e kultivoni zgjatjen e kësaj thundre shpuese për shoqërinë që dergjet edhe nga mjerimi ekonomik.
Gjyshin tim haxhi, askush nuk mund ta bindë se të gjithë shqiptarët duhet ta festojnë 100 vjetorin e mëvetësisë. Ai në heshtje do t’i kujtojë vuajtjet që i përjetojë për 95 vjet radhazi si i pushtuar dhe krejt këtë gumëzhimë ai do ta përthithë si një farsë, ku do të tentohej të mbulohet turpi i kësaj Shqipërie, e cila as për 100 vjet radhazi nuk mbërriti ta dëshmojë se Ismail Qemali me shokë nuk e shpalli vetëm pavarësinë e kësaj Shqipërie që sot e shohim, por rrezet e asaj mëvetësie përfshinin katër vilajetet shqiptare!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura