MYZEJEN MYFTARI: LUFTËRAT BALLKANIKE, RAPORTE KONSULLARE BRITANIKE NGA MAQEDONIA NË VITET E FUNDIT TË PERANDORISË OSMANE

Londër, 11. 01. 2014 – “The BalkanWars, British Consular Reports from Macedonia in the Final Years of the Ottoman Empire” (Luftërat Ballkanike, Raporte Konsullore Britanike nga Maqedonia në Vitet e Fundit të Perandorisë Osmane) është libri më i ri që sjell në duart e lexuesve historiani dhe studiuesi shqiptar Bejtullah Destani në bashkëpunim të ngushtë me albanologun Robert Elsie.
Pjesërisht histori e pjesërisht diplomaci “The BalkanWars, British Consular Reports from Macedonia in the Final Years of the Ottoman Empire” është libër mjaft interesant, i cili na fut në analet e historisë dhe të fakteve reale, njëqind vjet të shkuara. Libri, i promovuar në Tetovë me rastin e 101 vjetorit të Pavarësisë dhe 100 vjetorit të Luftërave Ballkanike, vjen në duart e lexuesit njëkohësisht në tri gjuhë; anglisht, shqip dhe maqedonisht. Ky fakt ndihmon në plotësimin e mangësive burimore në studimin e historisë në një vend multietnik siç është Maqedonia, duke ju ndihmuar kështu të gjitha kombësive që jetojnë aty. “The Balkan Wars” për nxjerrjen dhe selektimin e materialeve të të cilit, autorët kanë punuar për shumë vite, sjell mbi 50 raporte politike të diplomatëve britanikë, dërguar Ministrisë së Jashtme Britanike, nga Manastiri dhe Shkupi në periudhën 1912-1914. Varianti original i librit është në gjuhën Angleze. Ai ka rreth 300 faqe dhe është botuar nga shtëpia botuese prestigjioze, tashmë e njohur edhe për publikun shqiptar “I.B.Tauris & Co. Ltd London-New York”. Libri i përkthyer në gjuhët shqipe dhe maqedonase, është botuar nga shtëpia botuese LOGOS-A në Shkup.

Editorët e librit: Historiani dhe studiuesi Bejtullah Destani me albanologun Robert Elsie

Çfarë e bën më të rëndësishëm këtë libër është fakti se më shumë se një libër analize dhe mendimi personal, “The BalkanWars” është një libër që përmban raporte sekrete diplomatike, për ngjarjet që kanë ndodhur gjatë viteve 1912-1914 dhe masakrat, ndaj popullsisë, kryesisht myslimane, por edhe ndaj popullsisë së krishterë maqedono-bullgare dhe asaj hebreje, duke u bërë kështu një burim i padiskutueshëm të dhënash për historianët dhe studiuesit e asaj periudhe të historisë Ballkanike.
Jo pa qëllim editorët e librit i sjellin lexuesve dhe studiuesve dërgesa duke filluar nga viti 1912. Është pikërisht ky vit që shënon fillimin e Luftës së Parë Ballkanike. Shkaku ishte përzënia e Perandorisë Osmane nga shtetet e Ballkanit. Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi bënë një aleancë ndërmjet tyre, duke bërë sulme të rrufeshme ndaj Perandorisë Osmane, tashmë në rënie dhe, arritën t’a përzënë atë nga trevat e tyre. Me largimin e Perandorisë Osmane u bë plani për ndarjen e Maqedonisë dhe Shqipërisë.
Lufta e Dytë Ballkanike filloi kur Serbia, Greqia dhe Rumania patën mosmarrveshje me Bullgarinë për ndarjen e rajonit pas pushtimit të përbashkët të Maqedonisë. Më 1 Qershor 1913, Serbia dhe Greqia bënë aleancë kundër Bullgarisë gjë e cila, çoi në fillimin e luftës në fund të qershorit të vitit 1913, kur mbreti Ferdinand i Bullgarisë urdhëroi trupat e tij, të sulmonin forcat greko-serbe në Maqedoni. Sidoqoftë bullgarët humbën, dhe mes palëve luftuese u nënshkrua një traktat paqeje (Traktati i Bukureshtit) më 10 Gusht të vitit 1913. Nën kushtet e këtij traktati, Greqia dhe Serbia e ndanë pjesën më të madhe të Maqedonisë mes tyre, duke i lënë Bullgarisë vetëm një pjesë të vogël.

– Kopertina e librit – 

Të gjitha këto ngjarje u shoqëruan me masakra të përmasave të paimagjinueshme. Në emër të çlirimit të teritoreve nga Perandoria Osmane u kryen masakra të tmerrëshme mbi popullsinë vendase. Dërgesat e diplomatëve të huaj tregojnë qartë se, Luftrat Ballkanike ishin larg të qenit “Çlirimtare”.
“The BalkanWars” sjell pikërisht skena nga këto masakra të bëra nga grekët, bullgarët dhe në mënyrë të konsideruaeshme nga serbët, të cilët të etur për gjak dhe pasuri nuk mëshiruan as pleqtë, gratë dhe fëmijët, në ofensivat e tyre spastruese etnike dhe fetare, veçanërisht ndaj popullsisë myslimane. Popullsia civile e pambrojtur dhe e paarmatosur u gjend nën stuhinë e sulmeve të barbarëve të cilët, pa mëshirë, vranë, përdhunuan, masakruan dhe dogjën në mënyrat më çnjërëzore këdo që i dilte përpara.
Duke qene se i gjithë rajoni ishte përfshirë nga kaosi dhe anarkia që sillte mungesa e ligjit, jo vetëm të huajt por edhe vetë banorët e zonës, kryesisht ato katolikë u përfshinë në vrasje, plaçkitje, djegie dhe përvetësim të pasurisë së fqinjëve të tyre myslimanë.
Harri Lamb, Konsull i Përgjithshëm, në dërgesën me numër [FO 95/2438] Nr. 166, drejtuar Konsullatës së Përgjithshme të Madhërisë së tij Britanike në Selanik më datë 3 dhjetor 1912, ndër të tjera citon:
… shfarosja e elementit mysliman në Maqedoni është sistematike dhe është pjesë e një politike të qëllimshme dhe të miratuar.
Libri nuk përmban materiale që trajtojnë politikën apo ngjarjet ushtarake të Luftrave Ballkanike, por paraqet raporte që përqëndrohen në ngjarjet reale, të perceptuara personalisht nga diplomatët e huaj, nga ajo që ata vetë kanë parë apo kanë dëgjuar prej dëshmitarëve okularë apo të mbijetuarve të masakrave të ushtruara mbi popullsinë e atyre trevave.
“The BalkanWars” paraqet harta, fotografi dhe dërgesa të mbushura dhe statistika të shumta për humbjet në njerëz dhe të vlerave në natyrë, madje shpesh të detajuara, duke përshkruar mënyrën e masakrimit dhe duke dhënë emrat e viktimave. Jo vetëm kaq por, siç citon Robert Elsie, njëri prej dy editorëve të librit, të hartuara në pjesën më të madhe nga Çarls Grej, zv. Konsulli i Britanisë në Manastir, ndonëse disa prej dërgesave mund të tingëllojnë si të ftohta dhe indiferente… Grej u orvat të vinte në dukje padrejtësitë që i bëheshin popullatës myslimane nga fitimtarët, forcat dhe grupet e popullatës së krishterë. Raportet e tij – vazhdon Elsie – si dhe ato të përfaqësuesve të tjerë diplomatikë britanikë, na vijnë mjaft në ndihmë për të kuptuar të vërtetat e zjarreve të luftrave ballkanike në prag të Luftës së Parë Botërore.
Të bie në sy qëndrimi i paanshëm që kanë mbajtur hartuesit e këtyre dërgesave, kur i kanë shkruar ato. Jo vetëm kaq, por saktësia me të cilën diplomatët britanikë i përshkruajnë masakrat, e bën lexuesin të kthehet prapa në kohë dhe t’a ndiejë se po i përjeton ato masakra barbare të bëra mbi njerëz krejtësisht të pafajshëm dhe të pambrojtur.
Ja disa shembuj të shkëputur nga disa prej disa prej dërgesave të paraqitura në libër;
Nr. 166.1
Shtojcë e Dërgesës nr. 166 të Konsullit të Përgjithshëm Lamb, 3 dhjetor 1912
Memorandum
Për masakra të ndryshme dhe akte të tjera dhune që janë raportuar se janë kryer kundër popullatës myslimane nga forcat e rregullta dhe jo të rregullta ushtarake bullgare në pjesët lindore të vilajetit të Selanikut pas pushtimit të tij nga trupat bullgare.
Një nga zonat nga është marrë informacion më i hollësishëm në lidhje me barbarizmat bullgare është ajo mu në veri të Selanikut, që përfshin kazatë e Avret-Hisarit dhe të Dojranit.
Thuhet me siguri, për shembull, se në nahijen e Rajanovës nuk ka mbetur gjallë pothuaj as edhe një mysliman i vetëm. Vetë fshati Rajanovë përbëhej nga rreth 80 shtëpi turke. Shumë prej tyre, si dhe kazermat e xhandarmërisë, janë djegur, ndërsa të gjithë banorët meshkuj janë vrarë dhe kufomat e tyre janë hedhur nëpër puse. Nga e gjithë popullata e këtij fshati tani thuhet se kanë mbetur gjallë vetëm 60 gra dhe fëmijë që gjenden në fshatin fqinjë, Dolni-Todorak. Në fshatin fqinjë të Planinicës rreth 30 myslimanë u masakruan në një shtëpi ngjitur me xhaminë. Në të dy këto raste, Popi i krishterë (prifti i fshatit) thuhet se ka marrë pjesë aktive në këto akte, por rolin kryesor e ka luajtur një maqedono-bullgar i ri, rreth 27 apo 30 vjeç, që deri para pak kohësh thuhet se studionte “belles lettres” në Paris. – Në Kërkut, ose Korkidovë, një fshat i madh rreth 10 kilometra në lindje të Avret-Hisarit, thuhet se të gjithë meshkujt, së bashku me një numër të konsiderueshëm grash e vajzash, i kanë grumbulluar në xhami dhe në disa stalla aty afër. Në fillim mbi ta u hodhën tri bomba, por meqë ato nuk shpërthyen, ndërtesave iu vu zjarri dhe të gjithë sa ishin brenda u dogjën të gjallë. Thuhet se të vetmit persona që kanë mbetur gjallë nga ky fshat janë nja gjashtëdhjetë vajza, nga të cilat dhjetë janë rreth 15 vjeçe, kurse pjesa tjetër janë fëmijë të vegjël 18 muajsh e lart, që janë mbledhur në Mutlovë, një fshat fqinjë i krishterë, banorët e të cilit kanë marrë për vete pjesën më të madhe të sendeve të vjedhura prej viktimave të tyre… Pak më në lindje të kësaj zone, fshatarë bullgarë nga Vurlani ose Virlandja sulmuan fqinjët e tyre myslimanë në mëhallën Vakëf dhe ua morën të gjitha bagëtitë e ua plaçkitën depot e drithit… Më në afërsi të Selanikut, një fshat mysliman me 50 shtëpi u plaçkit tërësisht nga ushtarët bullgarë të ndihmuar prej fshatarëve greko-bullgarë nga Kapuxhillari, Kireç-Koj dhe Hortiaku, që rrëmbyen të gjitha bagëtitë e fshatit, 230 kokë gjedhë, 5000 dhi dhe 3000 dele.

Ndërsa raporti i datës 5 shkurt 1914 [FO 294/53] i dërguar nga Nën-Konsullata e Madhërisë së Tij Britanike në Manastir, ndërmjet të tjerave citon:
… Autoritetet serbe nuk u kanë shpërndarë asnjë armë myslimanëve, në asnjë kohë dhe në asnjë pjesë të kësaj prefekture. Kjo është më se e sigurt dhe më është konfirmuar plotësisht nga inspektori i përgjithshëm i prefekturës, të cilit pak ditë më parë arrita t’i nxjerr një deklaratë për këtë çështje, pa i treguar se cili ishte qëllimi im. Po të kishin qenë me të vërtetë të armatosur, myslimanët nuk do të kishin përfunduar të therur e të vrarë aq lehtë. Fakti që, me sa kemi dijeni, asnjë zyrtar i vetëm serb, asnjë vojvodë e asnjë komitaxhi serb, nuk është lënduar gjatë këtyre masakrave pa bujë, tregon shumë.
… Po bashkëngjis këtu tre shënime…
… Banda që sulmoi fshatin Sop përbëhej nga të krishterë të armatosur nga fshatrat fqinje, me në krye një vojvodë serb nga Krusheva me emrin Gjorgje, si dhe nga zyrtarët e komunës së Cerskos, Belicës, dhe Cerit. Gjithashtu mori pjesë dhe luajti rol të rëndësishëm edhe një ish prift bullgar i Cerit me emrin Jovan. Ata filluan duke rrahur me kamxhik tetë burra të fshatit, dhe pasi iu zhvatën atyre ato pak para që kishin si çmim për t’i përjashtuar nga ndëshkime të mëtejshme, i vendosën në një qerre, sepse ishin tejet të gjymtuar dhe nuk ecnin dot, dhe i dërguan në xhami, ku i lidhën dhe i kyçën brenda. Pastaj ata arrestuan të gjithë burrat e fshatit që ishin të pranishëm, rreth 50 në numër, të cilët gjithashtu i lidhën dhe i kyçën brenda në xhami. Pas kësaj, njëzet fëmijë i mbyllën në një dhomë të vogël në pjesën e sipërme të xhamisë. Pas kësaj ata filluan të shtinin me breshëri armësh përmes dritareve të ndërtesës, duke vrarë dhe plagosur shumë nga të burgosurit. Pastaj xhaminë e mbushën me lëndë djegëse nga të gjitha anët, kryesisht me dru, dhe i vunë zjarrin. Disa burra që u përpoqën të shpëtonin duke dalë nga dera, i vranë ose i therën me bajoneta. Shumë u dogjën të gjallë, përfshirë edhe të gjithë fëmijët të cilët, ngaqë ishin në katin e sipërm, nuk i kishin kapur plumbat e breshërive të armëve që vranë dhe plagosën viktimat poshtë. Britmat e tyre vazhduan të dëgjoheshin për gjysmë ore.
Ndërkohë që po ndodhte kjo, gjetkë nëpër fshat u vranë shtatë gra.
Mua më futën në xhami së bashku me burrat e tjerë, por më shpëtoi prifti Jovan, me të cilin kisha pasur marrëdhënie të mira.
Kur ikën të krishterët, unë thirra të mblidheshin ata pak vetë që kishin mbetur gjallë në fshat, dhe kemi shkuar bashkë me ta drejt Kërçovës. Gjatë rrugës hasëm në një vojvodë tjetër serb me emrin Bogoja, nga Kurshina, me një bandë me 60 komitaxhinj. Ata na i morën edhe ato pak gjëra që kishim dhe ma vranë djalin, Adem Osmanin, ‘për qejf’, duke ia prerë kokën.
(2) Dëshmia e Zelije Demisit ishte që në xhami humbën jetën këta anëtarë të familjes së saj.
Burri – Hasani.
Vëllai – Aliu.
Axha – Rifati, Ibrahimi, Mefaili.
Axhat e burrit – Zeqiri, Sejfedini, Hebiu, Xhabiri, Rashidi.
Tezja e burrit – Fatime.
Kushërinjtë e burrit – Mehmeti (18 vjeç), Halimi (19 vjeç), Ismaili (15 vjeç ), Vehibi (10 vjeç), dhe Hazmiu (10 vjeç).
(3)Dëshmia e Esma Damirit, e cila ka shenjat e një plage plumbi që i ka përshkruar kraharorin, shkaktuar gjatë kësaj masakre, ishte se djali i saj Xhelili, 12 vjeç, humbi jetën në xhami.
(4)Dëshmia e Bedrije Hasanit ishte se djali i saj Ademi humbi jetën në xhami.
(5)Dëshmia e Shefike Hasanit ishte se në xhami humbën jetën anëtarët e mëposhtëm të familjes së saj.
Burri – Hasani.
Djali – Xhelili (10 vjeç).
Vëllezërit – Emini dhe Halidi.
Djali i vëllait të burrit – Rexheb.
Djali i këtij të fundit – Mustafai (17 vjeç).
Një anëtare e familjes së saj me ermin Hatixhe u vra brenda në shtëpinë e saj.
(5)Dëshmia e Shahsime Zehmanit ishte se djali i saj, Zyhdiu (16 vjeç), humbi jetën në xhami.
(6)Dëshmia e Ismet Rashidit ishte se anëtarët e mëposhtëm të familjes së saj humbën jetën në xhami. Burri – Rashidi.
Djali- Hazmiu (8 vjeç), të cilin e futi në xhami vetë prift Jovani.
Vëllezërit e burrit – Zeqiri dhe Nebiu.
Nipat e burrit – Mehmeti (17 vjeç) dhe Vehibi (13 vjeç), të cilin e futi në xhami sekretari i komunës së Belicës, një serb.
Nëna e burrit, Aishja, dhe gruaja e vëllait të saj, Fatimja, u vranë brenda në shtëpitë e tyre.
Këto dëshmi të dhëna më lart përmbajnë vetëm një pjesë shumë të vogël të personave të vrarë, por ato kanë rëndësi kryesisht sepse tregojnë që masakra është kryer nga banorët e krishterë të zonës dhe nga komitaxhinjtë e udhëhequr nga zyrtarët dhe vojvodët serbë; që kjo masakër u krye në një mënyrë tejet barbare; dhe se gratë e fëmijët ishin ndër viktimat e zgjedhura enkas.
Shënimi 2
Masakra në Pllashnicë (Kërçovë)
Rreth dy javë pas ngjarjeve të Sopit, që ndodhën nga 17 deri 20 shtator, fshati mysliman i Pllashnicës në të njëjtën zonë u vizitua nga një bandë prej 40 fshatarët të armatosur të krishterë, nën udhëheqjen e një vojvode serb të quajtur Arso, nga fshati Llokvicë, (komuna e Brodit). Ata arrestuan nja pesëdhjetë burra e djem të fshatit dhe u thanë se kishin urdhër nga nën-prefekti i Brodit për t’i çuar atje. Për një farë kohë nuk u mor vesh asgjë për ta, por më vonë, rreth dy muaj pas zhdukjes së tyre, shokët e tyre i gjetën trupat e bërë shoshë nga plagë të shkaktuara me bajoneta, tyre në një bregore të vogël afër një vendi të quajtur Ledovë, midis Pllashnicës dhe Brodit.
Emrat e viktimave janë si vijon. –
Ahmed Ismaili me dy djemtë e tij, Ali Hasani me djalë, Rahman Mustafa me djalin (13 vjeç), Bahtiar Ymeri (80 vjeç), Dalip Mahmudi, Zejnel Dajri, Hamid Hasani, Jusufi, Said Ahmet, Rexheb Hajrullahu, Abedin Rahmani, Mexhid Tahiri, Rasim Moharremi, Abdullah Jusufi (19 vjeç), Ferad Hajredini (62 vjeç), Maliq Feradi, Abdullah Osmani (90 vjeç), Iljaz Abdullahi, Rakib Miftahu, Ali Hasani me dy djemtë e tij, Rushid Mustafa me djalin e tij Qamilin (15 vjeç), Fetah Ymeri me djalin e tij Rakibin (14 vjeç), Bajram Seferi, Mifail Ristemi, Zejnel Taifi, Salihu, Mustafa Ramadani me djalin Nuredinin, Belul Hajrullahu, Mehmed Rahmani, Hasan Rahmani, Esad Ramadani, Rasim, Zulfiqar Nasufi, Abaz Beqiri, Miftahu (72 vjeç), Bejeb Iljazi (60 vjeç), Abaz Sadiku, Salih Dalipi, Mehmet Ahmedi, Xhafer Halimi, Shefki Dauti (18 vjeç).
Pas kësaj, edhe shumë myslimanë të tjerë nga e njëjta komunë u thirrën në Brod dhe u zhdukën në mënyrë të mistershme.
Shënimi i mësipërm ka interes më tepër sepse tregon për kasaphanën pa kriter që u bë kundër myslimanëve pas trazirave në kufirin shqiptar, në një kohë kur, sipas autoriteteve serbe, në Maqedoninë serbe nuk ka pasur rebelim dhe nuk ekzistonte asnjë fije mundësie që myslimanët e Maqedonisë të bashkëpunonin me shqiptarët. Ai tregon se masakrat u kryen nga fshatarë të armatosur të udhëhequr nga vojvodë serbë, dhe se ndër viktimat ishin edhe pleq të moshuar e të pafuqishëm dhe fëmijë.
Shënimi 3.
Hetimi serb për masakrat e kryera nga vojvodët dhe bandat serbe
Nga fundi i dhjetorit, qeveria serbe duket se e kuptoi që teprimet e vojvodëve dhe të bandave të tyre, të cilat deri në atë kohë ishin nxitur në heshtje, nuk mund të fshiheshin më dhe po u shkaktonin kritika të dëmshme nga të gjitha anët, ndaj edhe nisi një farë hetimi për keqbërjet e tyre. Ky hetim, sipas një pohimi që më bëri zoti Alimpiq, inspektori i prefekturës, çoi në heqjen nga puna të nën-prefektit të Kërçovës, pushimin nga punësimi zyrtar i nën-prefektit të Krushevës, dhe dëbimin nga Maqedonia serbe të vojvodëve të përfshirë në to. Heqja i nën-prefektëve është konfirmuar nga informacione të marra nga burime të tjera, dhe disa nga vojvodët thuhet se nuk shihen më në ato vende që i frekuentonin zakonisht më parë.
Nga dëshmitarët okularë myslimanë kam mësuar se gjatë kryerjes së hetimeve të bëra nga një oficer ushtarak, u zhvarrosën kufomat e 26 myslimanëve, të cilët i kishte marrë një bandë serbe nga Llezhani në komunën e Prilepit dhe i kishte vrarë me bajoneta afër Turskos. Aty u zbulua se atyre ua kishin prerë kokat pas vdekjes, sigurisht për të penguar identifikimin në rast se do të bëheshin hetime. Të gjitha kufomat ishin të lidhura.
Nuk kam ndonjë informacion që të jenë ekzaminuar kufomat e shumta që janë varrosur ose hedhur nëpër bunarë në fshatrat e tjera.

Por barbaritë serbe nuk mënuan të binin edhe mbi maqedono-bullgarët. Qëllimi ishte që t’i imponohej kësaj popullsie të njihte kryepeshkopatin e Beogradit dhe të braktisin kishat e tyre të vjetra.
Një dërgesë e datës 9 shtator 1913 ndër të tjera citon:
… Ilino (Në jug-perëndim të Demir Hisarit)
Ky fshat u vizitua nga banda e Bogojas më 15 gusht. Dymbëdhjetë vajza u përdhunuan. Personat e mëposhtëm u lënduan: Jovan Gjorgjev, (u rrah pothuaj për vdekje), një grua me emrin Mitrisca (u rrah dhe plagos me bajonetë), Jovan Iliev (u rrah pothuaj për vdekje). Përveç kësaj, 30 burra u morën dhe u çuan në Krushevë, dhe që prej asaj kohe nuk dihet asgjë më për ta. Banda, kur u largua, i paralajmëroi fshatarët se do t’ua shkatërronte shtëpitë nëse do të ankoheshin tek autoritetet për çka kishte ndodhur.
Mramorec (Në jug-perëndim të Kërçovës)
Rreth datës 12 gusht, gratë e mëposhtme janë dhunuar nga një bandë serbe e komanduar nga një me emrin Mirkoviq. Cveta Cvetanova, Krista Spasova (u dhunua nga shtatë ushtarë ose komitaxhi në praninë e të shoqit, të cilin e kishin lidhur), Grosda Petrova, Parashqeva Trenkova, Veljana Gavrilova, Hristica Gavrilova (që u lëndua rëndë).
Belica (në jugperëndim të Kërçovës)
Një prift me emrin Boris dhe një fshatar me emrin Jovançe u rrahën për vdekje nga komitaxhinjtë serbë. Gratë u përdhunuan.
… Gorno Divjak (në perëndim të Krushevës)
Gjergj Shaqiri u rrah dhe u lëndua rëndë sepse i biri kishte dezertuar nga xhandarmëria serbe.
Sloeshtica (Në jugperëndim të Pribilcit)
Ish vojvodët bullgarë, Bale dhe Daniel u vranë nga një bandë serbe. Siljan Ivanov u plagos në kokë, duar dhe këmbë me bajonetë. Shtatë fshatarë u rrahën egërsisht.
Zhvan (në perëndim të Priblicit)
Kryeplakun e fshatit e torturuan dhe e tërhoqën zvarrë në rrugë me një litar të lidhur rreth qafës.
Breshani (Jugperëndim të Demir Hisarit)
Burra dhe gra të rrahur. Gra të përdhunuara…

(…)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura