ISMET MAHMUTI: UKSHIN HOTI KOLOS I MENDIMIT POLITIK SHQIPTARË

Pashtriku.org, 16. 05. 2013 – (“Okupatorët provojnë që përmes individit të kontrollojnë masat e gjera…” thotë Ukshin Hoti) – Duke e analizuar në rrethana të lirisë mendimin e Ukshin Hotit, të cilin arrinte t’ua shfaqte bashkëvuajtësve shqiptarë në rrethana burgimi të një okupatori më çnjerëzor, mund të përfundosh esëll: Ai ishte kolos i mendimit politik i pashfrytëzuar nga shoqëria shqiptare në periudhën përgatitore për Luftën Çlirimtare të Kosovës. Ishte fat, edhe në burg, të ishe pranë Ukshin Hotit. Fjala e fundit për bashkëvuajtësit për liri, më 16 maj 1999, kur po e nxirrnin nga pavijoni për ta humbur pa nishan: “Djema, mbahuni të fortë, shumë shpejt do të shihemi…!” – ishte mesazh që dilte nga mendimi politik i tij, i kultivuar në Burgun e Dubravës, në pjesën e dytë të viteve të 90-ta.
Kish kohë që në burgjet serbe kishte depërtuar informata se Ukshin Hoti është ridënuar në Gjykatën e Qarkut të Prizrenit dhe të burgosurit politikë në Burgun e Dubravës e prisnin transferimin e tij në mesin e tyre. Në pritje të tij akëcili i burgosur politik në imagjinatën e vet kishte konceptuar një model njeriu që do t’i ngjante Ukshin Hotit. Ishte viti 1995, kur nga Burgu i Prizrenit e sollën në atë të Dubravës, i dënuar me 5 vjet burg. Ishte dënuar me Akuzën se kishte cenuar tërësinë territoriale të shtetit jugosllav, duke dashur ta bënte “Shqipërinë e Madhe”!?! Gjithashtu, i vihej në barrë edhe akuza se kishte ndihmuar dhe kishte bashkëpunuar me Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK). Akuzohej edhe për “faje” të tjera politike, por siç thoshte edhe vetë Ukshini, këto dyja ishin “fajet” më të rënda.
Viti 1995 ishte njëri ndër vitet e deklarimeve të shumta verbale për zgjidhjen e çështjes së lirisë së Kosovës me dialog me Serbinë. Këto deklarime në fund të fundit s’ishin gjë tjetër veç një dëshirë, e cila kishte marrë kah krejtësisht tjetër ndaj qëllimit. Shërbimi sekret i Serbisë dhe policia e okupatorit, në këto rrethana, ishin fokusuar në ndjekjen e atyre që tregonin gatishmëri për veprim politik e ushtarak kundër Serbisë.

– UKSHIN HOTI –

Pushtuesi serb në veçanti donte të eliminonte ndikimin e atyre, të cilët në një moment të caktuar do të mund të bëheshin udhëheqës politikë për të gjitha shtresat. Serbia nuhaste kohë dhe rrethana të tjera, andaj nuk dëshironte që asgjë t’ia linte rastit.
Arrestimet e mëhershme, e në veçanti arrestimi i Ukshin Hotit, ishin në funksion të asaj që, edhe po të ndodhnin rrethana, të mbetej rast i humbur për shqiptarët. Sido që të jetë, koha tregoi se llogaritë e Serbisë për rastet e humbura ishin dështim për të, por edhe me pasoja shumë të mëdha për shqiptarët.
Shkakun e arrestimeve serbe të veprimtarëve politikë shqiptarë e dinte profesor Ukshin Hoti më mirë se askush tjetër. Madje, ai i dinte dhe i sqaronte faktet historike se okupatorët me së lehti arrijnë të ushtrojnë okupimin mbi popuj në rastet kur atyre u vihen në ballë udhëheqës të pakontrollueshëm si produkt i rrethanave të caktuara politike. Profesor Ukshin Hoti në qelitë e burgut, ose në kolektiv, ishte një mësues politik me ndikim të madh. Nuk hezitonte të saktësonte: ,”Okupatorët provojnë që përmes individit të kontrollojnë masat e gjera…”
Thellësia e mendimit politik që kishte Ukshin Hoti vihet në spikamë edhe në një rast tjetër në Burgun e Dubravës. Ndodhi që për shkak të deklarimit të tij në Gjykatë se arrestimi i tij ishte mirëpritur apo stimuluar nga disa qarqe të alternativës politike shqiptare në Kosovës, bëri që disa nga të burgosurit ta shikonin pak si hijas. Mirëpo, pas kontakteve dhe bisedave me Ukshinin, në qeli ose në ambiente të hapura ata do të kuptojnë se janë viktimë e karakterit të tyre që ua keqpërdorte dikush tjetër.
Në ato kontakte e biseda me të burgosur Ukshin Hoti përpiqej që bashkëbisedave t’ua sqarojë faktin se për ta nuk duhet të ekzistojë motivi i rrejshëm për t’u përballur me sfidat në burg, por motivi real duhej të ishte fakti se tek ata të ekzistojë dëshira reale për bërjen e shtetit dhe gatishmëria e të vepruarit konkret.
Bindja politike e shumë të burgosurve se për bërjen e shtetit mjafton të vuajnë atë që vuanin dhe besimi në atë se, sa më e madhe të jetë akuza, aq më e madhe do të jetë fama, ishte një vetëmashtrim për akëcilin të burgosur. Në këtë drejtim profesor Ukshin Hoti mbronte tezën se ushtria dhe shteti lindin në luftë, se ushtria dhe shteti nuk janë pjellë e pacifizmit.
Mësimet politike të Ukshin Hotit gradualisht, për rrugët që mund të sillnin në liri, do të përvetësohen edhe nga ithtarët e alternativës pacifiste. Sipas Ukshinit, vrapimi pas famës mund të shpjerë në donkishotizëm, kurse veprimet politike kanë kuptim në vete, vetëm atëherë kur një njeri apo shumë sish me veprimet e tyre bëjnë që fama t’u vijë pas.
Mendimi politik i Ukshin Hotit në përgjithësi është i njohur për opinionin shkencor dhe politik. Në burg ato ishin vlerë me vete. Mund të themi se shumë nga mendimet e tij edhe sot funksionojnë si mesazh i qartë për zgjidhjen e problemeve më madhore që kemi si popull dhe si komb.
Të vë këtu në spikamë mendimin e Profesor Ukshinit përreth idesë së bashkimit kombëtar shqiptar: “Bashkimi kombëtar duhet bërë, ky bashkim imponohet si domosdoshmëri për zhvillimin normal, stabilizues dhe të sigurisë që i takon kombit. Mirëpo, për ta bërë këtë, shqiptarët duhet kuptuar se Piemont i idesë së bashkimit duhet të jetë Tirana. Çdo përpjekje që bëhet pa u kuptuar kjo, është vetëm në funksion të asaj që ideja të ekzistojë…!”
S’do mend se mendimi politik i Ukshin Hotit në Burgun e Dubravës nuk ishte në harmoni me mendimet e atyre që kishin botëkuptim poetik e letrar për bërjen e shtetit e të bashkimit kombëtar. Dhe, për faktin se Ukshini aktualisht konsiderohet i zhdukur, nuk është aspak e dobishme, e mbi të gjitha nuk është e njerëzishme, që mendimi i tij politik të përshtatet me mendimet devijante të akëcilit sot. Shembull tipik për këtë tendencë është, Naser Hysaj, me “Dubrava – Rruga drejt vdekjes” (!?!).
Duke e analizuar në rrethana të lirisë mendimin e Ukshin Hotin, të cilin arrinte t’ua shfaqte bashkëvuajtësve shqiptarë në rrethana burgimi të një okupatori më çnjerëzor, mund të përfundosh esëll: Ai ishte kolos i mendimit politik i pashfrytëzuar nga shoqëria shqiptare në periudhën përgatitore për Luftën Çlirimtare të Kosovës. Ishte fat, edhe në burg, të ishe pranë Ukshin Hotit. Fjala e fundit për bashkëvuajtësit për liri, më 16 maj 1999, kur po e nxirrnin nga pavijoni për ta humbur pa nishan: “Djema, mbahuni të fortë, shumë shpejt do të shihemi…!” – ishte mesazh që dilte nga mendimi politik i tij, i kultivuar në Burgun e Dubravës, në pjesën e dytë të viteve të 90-ta.

– Autori ishte bashkëvuajtës i Ukshin Hotit në Burgun e Dubravës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura