JOHN BROWN: ROLI I IZRAELIT NË GJENOCIDIN E BOSNJES! SI E FSHEH ATË GJYKATA SUPREME E IZRAELIT?

Pashtriku.org, 11 korrik 2017: Duke përmendur dëmtimin potencial të marrëdhënieve të jashtme të Izraelit, Gjykata Supreme refuzon një peticion që bën thirrje për të zbuluar detajet e eksporteve të armëve të qeverisë për ushtrinë serbe, gjatë gjenocidit në Bosnje.
Gjykata e Lartë e Izraelit hodhi poshtë muajin e kaluar një kërkesë për të zbuluar detajet e eksporteve të armëve izraelite në ish-Jugosllavi gjatë gjenocidit në Bosnje në vitet 1990. Gjykata vendosi se ekspozimi i përfshirjes së Izraelit në gjenocid, do të dëmtonte marrëdhëniet e jashtme të vendit në atë masë sa që do të tejkalonte interesin publik në njohjen e këtij informacioni, si dhe në ndjekjen e mundshme të atyre që janë përfshirë.
Kërkuesit, Prokurori Itay Mack dhe Profesori Yair Oron, u paraqitën në gjykatë me prova konkrete të eksporteve të mbrojtjes izraelite për forcat serbe në atë kohë, duke përfshirë trajnimin, municionet dhe pushkët. Ndër të tjera, ata prezantuan një ditar personal të gjeneralit Ratko Mlladiç, aktualisht në gjyq në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për kryerjen e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocid. Ditari i Mlladiçit, përmend në mënyrë të qartë lidhjet e shumta të armëve mes Serbisë dhe Izraelit në atë kohë.

Eksportet u zhvilluan pasi Këshilli i Sigurimit të OKB-së vendosi një embargo armësh në pjesë të ndryshme të ish-Jugosllavisë, si dhe pas publikimit të një serie dëshmish që ekspozonin gjenocidin dhe krijimin e kampeve të përqendrimit.
Përgjigja e Prokurorit izraelit të Shtetit dhe refuzimi i peticionit nga gjykata, janë një pranim de facto nga Izraeli që ka bashkëpunuar në gjenocidin boshnjak: nëse qeveria nuk do të kishte gjë për të fshehur, dokumentet në diskutim nuk do të përbënin ndonjë kërcënim ndaj marrëdhënieve të jashtme.
Aktet më të tmerrshme të mizorisë që prej Holokaustit
Ish-Jugosllavia u shpartallua ndërmjet viteve 1991 dhe 1995, duke shkuar nga një republikë multi-nacionale në një kuvend kombesh që luftonin njëri-tjetrin në një luftë civile të përgjakshme, që përfshinte masakra dhe gjenocide.
Serbët luftuan kundër Kroacisë në vitet 1991-1992, dhe kundër Bosnjes në vitet 1992-1995. Në të dyja luftërat serbët kryen gjenocid dhe spastrim etnik të muslimanëve në zonat që pushtuan, duke çuar në vdekjen e 250.000 njerëzve. Dhjetëra mijëra të tjerë u plagosën dhe mbetën të uritur, një numër i madh grash u përdhunuan dhe shumë njerëz u burgosën në kampet e përqendrimit. Edhe partitë e tjera në konflikt kryen krime lufte, por peticioni përqendrohet në bashkëpunimin e Izraelit me forcat serbe. Aktet e tmerrshme mizore në Jugosllavi ishin më të këqijat që Evropa kishte parë që prej Holokaustit.
Një nga masakrat më famëkeqe është kryer rreth qytetit të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, nga ushtarët që shërbenin nën gjeneralin serb Ratko Mlladiç. Forcat serbe me urdhër të gjeneralit vranë rreth 8,000 boshnjakë dhe i varrosën në varreza massive, në rrjedhën e një fushate të spastrimit etnik që ata po zhvillonin kundër muslimanëve në atë zonë. Edhe pse qyteti supozohej të ishte nën mbrojtjen e OKB-së, kur filloi masakra trupat e OKB-së nuk ndërhynë. Mlladic u ekstradua në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë në vitin 2012, dhe është ende në gjykim.
Në atë kohë, organizatat e shquara hebreje bënin thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të gjenocidit dhe mbylljen e kampeve të vdekjes. Por jo shteti i Izraelit. Në pamje të jashtme ai e dënoi masakrën, por në prapaskenë ishte ai që furnizoi me armë autorët e krimeve dhe stërviti trupat e tyre.
Prokurori Mack dhe Profesori Oron kanë mbledhur dëshmi të shumta në lidhje me furnizimin e Serbisë me armë izraelite, të cilat i kanë paraqitur në peticionin e tyre. Ata kanë dhënë prova të përhapjes së eksporteve të tilla, pasi embargo e Këshillit të Sigurimit të OKB-së hyri në fuqi në shtator të vitit 1991. Dëshmitë janë vërtetuar dhe janë sjellë këtu, pasi janë paraqitur në peticion, me shkurtime të nevojshme.
Në vitin 1992 një ish-zyrtare e lartë e Ministrisë serbe të Mbrojtjes publikoi një libër, Ushtria serbe, në të cilin ajo shkruante për marrëveshjen e armëve midis Izraelit dhe Serbisë, të nënshkruar rreth një muaj pas embargos: “Një nga marrëveshjet më të mëdha është bërë në tetor 1991. Për arsye të qarta, marrëveshja me çifutët nuk është bërë publike në atë kohë.”
Një vullnetar izraelit në një organizatë humanitare në Bosnje në atë kohë, dëshmoi se në vitin 1994 një oficer i OKB-së i kërkoi atij për të parë pjesën e mbetur nga predha 120 mm – me shkrim hebraisht mbi të – që shpërtheu në pistën e aeroportit të Sarajevës. Ai dëshmoi gjithashtu se i ka parë serbët që lëvizin rreth Bosnjes me armë Uzi të bëra në Izrael.
Në vitin 1995 është raportuar se tregtarët e armëve izraelite në bashkëpunim me francezët, mbyllën një marrëveshje për të furnizuar Serbinë me raketa LAW. Sipas raporteve nga viti 1992, një delegacion i Ministrisë izraelite të Mbrojtjes mbërriti në Beograd dhe nënshkroi një marrëveshje për furnizim me predha.
I njëjti gjeneral Mlladic i cili është tani është duke u ndjekur penalisht për krime lufte dhe gjenocid, shkroi në ditarin e tij “nga Izraeli – ata propozuan luftë të përbashkët kundër ekstremistëve islamikë. Ata u ofruan për të trajnuar njerëzit tanë në Greqi dhe për një furnizim falas me snajperë”. Një raport i përgatitur me kërkesë të qeverisë hollandeze për hetimin e ngjarjeve të Srebrenicës përmban: “Beogradi e konsideronte Izraelin, Rusinë dhe Greqinë si miqtë e tij më të mirë. Në vjeshtë të vitit 1991 Serbia mbylli një marrëveshje të fshehtë armësh me Izraelin.”
Në vitin 1995 është raportuar se tregtarët e armëve izraelite furnizuan me armë VRS-në – ushtrinë e Republikës Srpska, ushtrinë e serbëve të Bosnjës. Ky furnizim duhet të jetë bërë me dijeninë e qeverisë izraelite.
Serbët nuk ishin e vetmja parti në këtë luftë për të cilën tregtarët e armëve izraelite u përpoqën të shisnin armë. Sipas njoftimeve, ka pasur edhe një përpjekje për të bërë një marrëveshje me regjimin kroat anti-semit, e cila dështoi përfundimisht. Peticioni paraqiti gjithashtu raportet e aktivistëve të të drejtave të njeriut në lidhje me izraelitët që trajnonin ushtrinë serbe, dhe se marrëveshja e armëve me serbët u mundësoi hebrenjve të largoheshin nga Sarajeva, e cila ishte nën rrethim.
Ndërsa e gjithë kjo ishte duke u zhvilluar në fshehtësi relative; në nivel publik, në mënyrë jo bindëse qeveria e Izraelit shprehte rezervat e saj në lidhje me situatën, sikur kjo të ishte ndonjë forcë madhore dhe jo një masakër e dorës së njeriut. Në korrik të vitit 1994, Kryetari i Komitetit izraelit të Mbrojtjes dhe Marrëdhënieve të Jashtme, Ori Or, vizitoi Beogradin dhe tha: “Kujtesa jonë është e gjallë. Ne e dimë se çfarë do të thotë të jetosh me bojkote. Çdo rezolutë e OKB-së kundër nesh është marrë me një shumicë prej dy të tretash.” Atë vit, Zv/Presidenti i SHBA-ve, Al Gore, thirri ambasadorin izraelit dhe paralajmëroi Izraelin për të hequr dorë nga ky bashkëpunim.
Meqë ra fjala, në vitin 2013 Izraeli nuk e kishte problem ekstradimin në Bosnje-Hercegovinë të një qytetari i cili emigroi në Izrael shtatë vite më parë, dhe që ishte i kërkuar për dyshimin e përfshirjes në një masakër në Bosnjë në vitin 1995. Me fjalë të tjera, për një moment vetë shteti e njohu ashpërsinë e çështjes.
Gjykata Supreme në shërbim të krimeve të luftës
Seanca për përgjigjen e shtetit ndaj peticionit në Gjykatën e Lartë u mbajt ex parte, që do të thotë se kërkuesit nuk janë lejuar ta dëgjojnë atë. Gjyqtarët Danziger, Mazouz dhe Fogelman e refuzuan peticionin dhe pranuan qëndrimin e shtetit që, zbulimi i detajeve të eksporteve të armëve izraelite në Serbi gjatë gjenocidit, do të dëmtojë sigurinë dhe marrëdhëniet e jashtme të Izraelit, dhe se ky dëmtim potencial tejkalon interesin e publikut për ekspozimin të asaj çfarë ka ndodhur.
Ky vendim është i rrezikshëm për disa arsye. Së pari, pranimi i gjykatës së sigurisë së shtetit për dëmet që do të shkaktohen në marrëdhëniet e jashtme të Izraelit është hutues. Më herët këtë vit, e njëjta Gjykatë Supreme hodhi poshtë një kërkesë të ngjashme në lidhje me eksportet e armëve gjatë gjenocidit të Ruandës, por një muaj më vonë vetë shteti deklaroi se eksportet u ndërprenë gjashtë ditë pasi vrasja filloi. Në qoftë se edhe shteti nuk sheh ndonjë dëm në zbulimin – të paktën pjesërisht – të këtij informacioni në lidhje me Ruandën, pse u imponua një censurë gjithëpërfshirëse mbi këtë temë një muaj përpara? Pse gjykatësit e Gjykatës Supreme dolën me këtë mashtrim, madje edhe duke refuzuar ta pranojnë atë si provë, sic kërkuan kërkuesit? Në fund të fundit, shteti e ka ekzagjeruar padyshim me pretendimin e tij se ky informacion do të ishte i dëmshëm për marrëdhëniet me jashtë.
Së dyti, është shumë në interes të publikut vënia në dukje e përfshirjes së shtetit në gjenocid, veçanërisht si një shtet që u themelua pas shkatërrimit të popullit të tij gjatë Holokaustit. Ishte kjo arsyeja që Izraeli ka qenë i gatshëm, për shembull, për të mosrespektuar sovranitetin e Argjentinës kur rrëmbeu Eichmanin dhe e çoi në gjyq në tokën e tij. Është në interes jo vetëm të izraelitëve, por edhe të atyre që ishin viktima të Holokaustit. Kur gjykata konsideron krime lufte, ata marrin parasysh interesin e tyre, sigurisht.
Kur gjykata vendos për cështjet e gjenocidit që dëmtojnë sigurinë shtetërore – gjë që mbetet krejtësisht e paprovuar – dhe refuzon ndjekjen nga drejtësia për viktimat e krimeve të tilla, atëherë po dërgon një mesazh të qartë: se e drejta e shtetit për sigurinë, qoftë reale apo imagjinare, është absolute, dhe merr përparësi mbi të drejtat e qytetarëve të saj dhe të të tjerëve.
Vendimi i Gjykatës së Lartë mund të çojë në përfundimin se sa më i madh krimi, aq më i lehtë është për t’u fshehur. Sa më shumë armë të shitura dhe sa më shumë autorë gjenocidi të trajnuar, aq më i madh është dëmtimi i sigurisë dhe i marrëdhënieve të jashtme të shtetit nga ekspozimi i krimeve të tilla, dhe se pesha e një dëmi të tillë të supozuar domosdoshmërisht do të tejkalojë interesin publik. Kjo është e papranueshme. Kjo i bën gjyqtarët bashkëfajtorë. Gjykatësit në këtë mënyrë bëhen gjithashu një bashkëpunëtor publik i Izraelit në krimet e luftës, dhe mohojnë të drejtën demokratike për të kryer diskutimin përkatës.
Shteti përballet me një seri kërkesash të ngjashme në lidhje me bashkëpunimin e tij me vrasësit e Juntës argjentinase, me regjimin e Pinochetit në Kili dhe Sri Lanka. Prokurori Mack ka për qëllim të paraqesë raste të tjera deri në fund të këtij viti. Edhe në qoftë se është në interesin e shtetit t’i refuzojë këto peticione, Gjykata Supreme duhet të ndalojë së ndihmuari në fshehjen e këtyre krimeve – nëse jo për hir të ndjekjes penale të autorëve të mizorive të kaluara, të paktën në mënyrë që të vërë një ndalesë për këto mizori në kohën tonë./
*John Brown është pseudonimi i një akademiku izraelit dhe një blogeri në Local Call.
______________
John Brown: Roli i Izraelit në gjenocidin e Bosnjes – si e fsheh atë Gjykata Supreme izraelite
http://epavarura.com/roli-izraelit-ne-gjenocidin-e-bosnjes-si-e-fsheh-ate-gjykata-supreme-izraelite/?utm_source=dlvr.it&utm_medium=facebook

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura