(Pashtriku.org, 17. 01. 2013) – Në pranverë të vitit 1975 Jusuf Gërvalla botoi librin e parë poetik me titull “Fluturojnë e bien”. Libri pa dritën në kuadër të Redaksisë së botimeve “Rilindja” të Prishtinës dhe u prit jashtzakonisht mirë nga lexuesit dhe nga kritika letrare. Brenda një kohe të shkurtër botimin e këtij libri e shënuan pjesa dërmuese e gazetave dhe revistave tona. Gjatë atij viti dhe më vonë për këtë libër u botuan mbi dhjetë recensione, ese dhe vështrime letrare, diçka e parëndomtë për librin e parë të një poeti. Në atmosferën letrare të krijuar pas dritësimit të këtij vëllimi poetik, poeti i shkëlqyer preshevar, tashi i ndjerë, Qerim Arifi, me poetin Jusuf Gërvalla zhvillon një intervistë të shkurtër, të cilën, të titulluar “Letërsia ka bërë hapa të mëdhenj…”, e boton në revistën “Zëri i rinisë”, nr.30, 04.10.1975, ku edhe veproi si gazetar i kulturës. Me këtë rast, për lexuesit e gjeneratave të reja, intervistën po e ribotojmë në tërësi:
………………………………………………………..
LETËRSIA KA BËRË HAPA TË MËDHENJ…
JUSUF GËRVALLA është emër i njohur në muzikën kosovare. Ai para disa vjetësh filloi edhe të shkruajë. Tani i doli nga shtypi përmbledhja e vjershave “FLUTUROJNË E BIEN”. Punon si gazetar i kulturës në të përditshmën “Rilindja”.
Q.A: Çka mendoni për rrugët e zhvillimit të letërsisë kosovare?
J.G: Shikuar nga prizmi i traditës skamnore letrare të truallit tonë, letërsia kosovare ka bërë hapa të atillë, që ndoshta e ke vështirë t’i kërkosh gjetkë. Po, në anën tjetër, me përjashtime që nuk sajojnë farë potenciali aq optimal, sot në letërsinë tonë, do të thoja, ende gjurmohet shprehja artistike, estetike e gjuhësore. Mendoj se historianit të letërsisë së sotme do t’i dalë punë, po desh të definojë prerë ecurinë e saj si në pikëpamje të formës, ashtu edhe në pikëpamje të drejtimit dhe të mjeteve shprehëse artistike.
Q.A: Në disa qarqe është aktuale çështja: ka apo nuk ka monopolizëm në kulturën tonë?
J.G: Ka në zhvillimin tonë aso dukurishë, që të bëjnë përshtypje se për një individ është me interes që fjala e bukur, tingulli, ngjyra e bukur të jenë të domosdoshme pjellë e tij dhe kurrsesi jo edhe pjellë e tjetrit. Kam përshtypjen se, në masë bukur të madhe, luan rol edhe momenti material-komercial, prandaj njerëzia e shohin të udhës të mos largohen lehtë nga burimet, nga të cilat “gufojnë”, ku më pak e ku më shumë, ujëra për etjet e tyre të tilla. Së këndejmi, si përfundim, të imponohet, shpeshherë edhe me ilustrime konkrete të maskuara e të pamaskuara sa duhet, edhe dukuria e monopolizmit, e cila, jam i bindur thellë, implikon edhe asgjësimin e vet – në një stad të ardhshëm të zhvillimit të kulturës sonë.
Q.A: Cilat janë preokupimet tuaja letrare?
J. G: “Ajri është përplot klithje, që shprehia na i ka bërë memece”. E di një dhembje, di shumë dhembje, që nuk do t’i dija po të mos distancohesha pak prej tyre; e di gëzimin e jetës, që nuk do ta dija, po të mos e shikoja pak me syrin e atij që nuk e ka bukë të përditshme. Po, kështu, duke u përpjekur që në momente t’i bëj pak të huajat edhe bardhësitë, edhe pezmin e jetës, në mënyrë që më vonë të më kthehen të sheshuara, të ndara – ëmbëlsia nga e amshta – me kohë kanë zënë të më bëhen më të qarta konturat e njeriut me etje për sende të imta dhe për gjakime të shumta, po edhe të njeriut me një shpresë të patundshme të varur për ndërgjegjen e vet e të sojit të vet – tha në fund poeti Jusuf Gërvalla.
(Për portalin “Pashtriku.org”, përgatiti: Kadri Rexha)
……………………………………….
Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla – Do të kthehem Nënë
………………………………………………..