VIZITË TEK VARREZAT E JUSUF E BARDHOSH GËRVALLËS DHE KADRI ZEKËS NË SHTUTGART TË GJERMANISË

VIZITË TEK VARREZAT E JUSUF E BARDHOSH GËRVALLËS DHE KADRI ZEKËS NË SHTUTGART TË GJERMANISË

Nga Sheradin Berisha

Bad Canstadt (Shtutgart), verë 2001: një vizitë me bashkëveprimtarët e Kadri Zekës dhe të Jusuf e Bardhosh Gërvallës: Mehmet Hajrizin, Gani Sylajn (tashmë i ndjerë), Jashar Alijajn, Idriz Mehmetin, Faridin Tafallarin … Në shkurt të vitit 2002 eshtrat e tyre kthehen në  Kosovë 🤝

­­

KTHEHEN NË VENDLINDJE ESHTRAT E DËSHMORËVE JUSUF E BARDHOSH GËRVALLA DHE KADRI ZEKA

Prishtinë, 18 shkurt 2002

Nga agjencitë informative dhe mediat shqiptare bëhet me dije se 24 shkurti i këtij vitit (2002) do të jetë dita e atdhesimit të eshtrave të vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës.

Në një njoftim për Kosovapressin, në emë të familjes, djali i atdhetarit Jusuf Gërvalla, Premtoni, ka bërë të ditur se 24 shkurti i këtij viti do të jetë dita kur në vendlindjen e tyre, në Dubovik të Deçanit, do të bëhet rivarrimi apo atdhesimi i eshtrave të vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla.“Kanë kaluar njëzet vjet, që nga nata e 17 Janarit 1982, kur në pabesi të plotë, u vranë këta tre dëshmorë të kombit shqiptar nga dora e zezë e UDB-së jugosllave dhe po aq vite, që kur familja dhe shokët e tyre u detyruan që ata t’i varrosin në Shtutgart të Gjermanisë, pasi që trupat e tyre nuk u lejuan të ktheheshin në vendlindje, në Kosovë”, thuhet në fillim të njoftimit të Premton Gërvallës drejtuar Kosovapressit.

Pas njëzet vitesh nën dhe të huaj dhe larg vendlindjes së tyre të dashur, sot, ka ardhur dita që Kosovës t’i kthehen bijtë e saj më të devotshëm, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Me këtë rast, Familja Gërvalla njofton të gjithë të interesuarit se varrimi i Jusuf Gërvallës dhe Bardhosh Gërvallës do të bëhet më 24 shkurt 2002, në varrezat e fshatit Dubovik (komuna e Deçanit), pra në vendlindjen e tyre, aty ku me zemër të hapur nga plagët e njëzet viteve të shkuara do t’i presë nëna Ajshe, në fund të njoftimit.

Ndërkohë, në një njoftim të lëshuar nga Familja e Kadri Zekës, bëhet e ditur se po më datën 24 shkurt, por në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan, do të bëhet rivarrimi i eshtrave të Kadri Zekës. “Ne, familja e Kadri Zekës, kishim dëshirë dhe u angazhuam që Jusuf e Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka të rivarroseshin bashkë, por për shkaqe që nuk vareshin nga ne, kjo nuk u bë e mundur. Shpresojmë se ata një ditë, megjithatë do të prehen bashkë në varrezat e dëshmorëve të lirisë, ashtu siç vepruan dhe ashtu siç duan shumë e shumë bashkëveprimtarë të tyre.

Me këtë rast dëshirojmë ta shprehim respektin tonë për të gjithë ata qindra e mijëra njerëz, të cilët për njëzet vjet me radhë bënë homazhe tek varrezat e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës dhe të për të gjithë ata të cilët ishin pranë nesh në kohë shumë të vështira. Duke shprehur po ashtu bindjen tonë se çështja e rivarrimit të tyre nuk do të duhej t’i takonte familjes, shfrytëzojmë rastin t’i falënderojmë të gjitha subjektet dhe asociacionet e ndryshme, të cilat u interesuan dhe po angazhohen për organizimin e këtij rivarrimi”, thuhet në fund të njoftimit të familjes së atdhetarit Kadri Zeka.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura