KADRI REXHA: PAVARËSIA KOMBËTARE DHE KËNGA E POPULLIT

(Pashtriku.org, 25. 11. 2012) – Pas shuarjes me gjak të veprimtarisë dhe të luftës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit populli shqiptar, jo që nuk u dorëzua, por vazhdoi rezistencën aty ku ajo ishte ndërprerë. Lidhja, me veprimtarinë e saj të gjithanshme, tashmë e kishte ngritur në nivel të lakmueshëm vetëdijesimin, vetëbesimin dhe krenarinë kombëtare. Kryengritësit po e mbanin barutin thatë dhe po përgatitshin për kryengritjet e ardhshme të një niveli më të gjerë dhe më të lartë. Atdhetarët e palodhshëm e shtuan aktivitetin propagandistik në shumë drejtime. Imperativi i kohës kërkonte bashkimin e popullit pa dallim feje dhe krahine, shuarjen e ngatërresave, faljen e gjaqeve si dhe intensifikimin e veprimtarisë diplomatike në arenën ndërkombëtare. Moto e kohës u bë porosia e madhe e Vaso Pashë Shkodranit: feja e shqiptarit është shqiptaria. Moralisht populli po e merrte vetën. Kënga epike flakë për flakë po i përjetësonte betejat, heronjtë dhe aktet e tyre të larta. Këngëtari popullor me shembull konkret dëshmonte se ai që bie duke luftuar për atdhe nuk vdes, por fiton përjetësinë. Në këtë atmosferë të madhe të Rilindjes Kombëtare populli shqiptar po punonte dhe po ecte përpara me synime të qarta drejt shkëputjes nga Turqia, nga e sëmura e Bosforit, po marshonte me aspirata legjitime drejt Pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë drejtim as Porta e lartë nuk flinte. Të “shtatë krajlat”, Evropa, Turqinë e kishin mbështetur për muri me kërcënim të qartë: ”a po e shtron, a lëshoma mue”, siç e thotë një këngë e këtij cikli. Ndaj, Turqia po përgatitej që me tërë forcën t’i sulej Shqipërisë me qëllim që çështjen shqiptare ta hiqte nga rendi i ditës. Ekspedita të shumta turke marshuan me zjarr e hekur drejt Shqipërisë. Ekspedita të shumta dogjën e poqën veriun e Shqipërisë e në mënyrë të veçantë Kosovën, djepin e kryengritjeve dhe të luftërave masive shqiptare për liri dhe bashkim kombëtar. Në krye të ushtrisë turke Perandoria vazhdimisht emëroi udhëheqësit më të rryer, më të sprovuar dhe më gjakatar, si Shemsi Pashën, Xhavit Pashën, Turgut Pashën… Luftë në Kaçanik. Luftë në Carralevë. Luftë në Karadak e luftë në Dukagjin. Luftë në Shkup e luftë në Shkodër. Luftë në Boletin e luftë në Himarë. E tërë Shqipëria në kryengritje e në luftë. E tërë Shqipëria në tym e në flakë. Dhe, më në fund, dhe, më në fund, pas pesëqind vjet luftërash të përgjakshme, pas pesëqind vjet qëndrese të pareshtur të shqiptarëve, në vitin 1912, Perandoria Turke ra dhe u tërhoq zvarrë nga trojet tona, duke lënë prapa një popull të përgjakur, një popull të rënë ekonomikisht, por një popull të fortë në shpirt dhe të fortë në aspiratat e lirisë dhe të bashkimit të kombit dhe të trojeve shqiptare.
Luftën mbinjerëzore të popullit tonë, që e çoi gjysmën e Shqipërisë deri te pavarësia, të dokumentuar e gjejmë në faqet e historisë. Ndërkaq, gjëmën, klithmën, entuziazmin, dashurinë, vullnetin, optimizmin, shpresën dhe vullnetin e pamposhtur të kombit të atyre viteve të mëdha i gjejmë vetëm në këngën e popullit, në prodhimin e tij spontan, ashtu të thjeshtë, ashtu njerëzor dhe tejet të natyrshëm. Nga kjo prodhimtari artistike e shpirtit të kombit që i bën jehonë luftës për pavarësi e bashkim kombëtar, për këtë vështrimim të shkurtër, zgjodhëm këngët: “Bini djem, se mbaroi Juniku”, “Kush asht shqiptar nuk do hurriet”, “S’i kondisim këtij hyrrjeti”, “Për vend tonë jem tue luftue”, “Asllan Pasha mbledh vergjinë”,”Na u nis lufta në Kaçanik”, “Në Kaçanik deri n’Boletin”, “Ah, Shqypni mos thuej mbarova”, etj.
1.
Me këngën “Bini djem, se mbaroj Juniku” muza popullore evokon rezistencën dhe luftën e Junikut të vitit 1904, vit gjatë të cilit thuaja të gjitha viset e Shqipërisë veriore i kishte përfshirë flaka e kryengritjeve. Ndonëse kryengritjet e atij viti ende nuk kishin një qendër të vetme udhëheqëse, megjithatë ato i bashkonte objektivi i përbashkët: lufta kundër robërisë turke, lirimi i të burgosurve, kundërshtimi i ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha në aplikimin e reformave të reja, si dhe kërkesa për formimin e një Shqipërie autonome nëpërmjet të bashkimit të vilajeteve të Kosovës, të Manastirit, të Shkodrës dhe të Janinës. Në fillim të vitit 1904 qendër e kryengritjes u bë Gjakova, por flakët e saj u zgjeruan në Rekë, në Lumë e deri në Pejë. Rreth 6000 kryengritës të udhëhequr nga Sulejman Batusha sulmojë garnizonin turk dhe marshojnë drejt qytetit. Kryengritësit u ndihmuan nga popullata e Dukagjinit dhe më gjerë.1) Në rastin konkret kënga epike historike pasqyron artistikisht kryengritjen dhe luftën e Junikut, në të cilën këngëtari popullor e angazhon drejtpërsëdrejti edhe vetë Sulltanin. Analiza e mëtejme e këngës është e tepërt. Ajo me mjeshtërinë e artit flet vetë:
Po pëvet Sulltan Hamiti
Zo çka ka qi s’po bjen dielli
Ti Sulltan koke habitë
Dielli a ra sytë nuk po t’bajnë dritë
Na u ka nisë lufta n’Junik
Sylejmani t’madhe briti
Bini djem, se maroj Juniku
Kush e nisi luftën ma i pari
Avdyl Shala, Nezir Hajdari
Ramë Neziri, Beq Hasani
Hasan Tahiri, Haxhi Bajrami
Kush o kanë sokol drangoni
Mbet shehit para tabori
Kush e hoq prej Rogopeqi
Shaq Avdija Kajtaz Ahmeti
Iki Pasha koka hip në Sukë
Koka mbet pa ujë pa bukë
Pa shejshane pa barut
Për të shuar kryengritjen, vetëm në Gjakovë, u dërguan 10 batalione të komanduara nga Shemsi Pasha, i njohur për reprezalje kundër shqiptarëve, të cilat, në shenjë hakmarrje, bënë kërdi duke plaçkitur dhe duke djegur fshatrat e Dukagjinit.
2.
Këngët “Kush asht shqiptar nuk do hurriet” dhe “S’i kondisim këtij hyrrjeti” u bënë jehonë ngjarjeve historike që rrodhën pas riorganizimit të Turqisë dhe shpalljes së Kushtetutës nga Turqit e rinj. Kushtetuta, në fillim, premtoj lëshime dhe të drejta më të mëdha për të gjitha kombet e Perandorisë, premtime këto që qenë afatshkurta dhe që tërheqja e tyre nxiti revolta hala më të madha sidomos në Shqipëri. Dihet se ligjet për më shumë të drejta sidomos në lëmin e kulturës populli ynë i shfrytëzoi me një mençuri të madhe. Aktiviteti i atdhetarëve shqiptarë u manifestua me hapjen e klubeve patriotike, me hapjen e shkollave, me nxjerrjen e gazetave, me unifikimin e alfabetit, e kështu me radhë. Mirëpo klima e këtyre lëshimeve nuk zgjati shumë dhe Turqit e rinj me veprimet e tyre brutale i tejkaluan para ardhësit. Për sjelljet dhe veprimet e tyre Isa Boletini shprehej: “Çka len prej mace, han mi”. Kënga “Kush asht shqiptar nuk do hyrrjet” evokon organizimin shqiptar për revolta antireforma, faljen e gjaqeve si dhe unitetin e popullit në prag të kryengritjeve:
N’Selanik u mblodh xhemjeti
Dul kanuni e dul hyrrjeti
Padishah s’po t’don mileti
Qet kanu s’ta don Shqipnia
N’Manastir a vra Shemsia
Shemsi Pashën e paskan gri
U mblodh Shqipnia bytevi
Ç’merr prej Shkupi deri n’Gusi
Dhe prej Bosnje në Toskni
Në Kosovë kanë ba mbledhi
Isa Begu ja ka mbrri
Kish manxerren me gjithë allti
Kish manxerren me gjithë fyshekë
N’kambë ish çue sa mirë po flet
Kush a shqiptar nuk don hyrrjet
Lidhim besë si e kem adet
Me fitu ose me dekë
Mashtrimit dhe egërsisë së Turqve të ri populli ynë iu përgjigj me revolta të organizuara dhe me kryengritje të njëpasnjëshme. Për një organizim të këtillë dhe për një reagim violent të Stambollit dëshmon edhe prologu i këngës“S’i kondisim këtij hyrjeti”:
Idriz Beka, Halil Mehmeti
Kanë lidhë besën nërmje veti
S’i konisim këti hyrjeti
Tel Stambolli në Pejë ka çue
Pashabegut i ka kallxue
Shpejt asqerin me i shtërngue
Se n’Beleg për me i çue
Halil Mehmetin me rrethue…
Kënga është e gjatë dhe plot aksion, organizime nga të dyja palët kundërshtare, rrethim, mbrojtje, sulm e kundërsulm, ndihma vullnetare nga fshatrat për rreth… Poenta e këngës lidhur me sulmin e Haki Bgut me tri tabore mbi kryengritësit shqiptar në fshatin Beleg të Deçanit jepet përmes përgjigjes dhe vendosmërisë së kryengritësve: “S’i kondisim këtij hyrrjeti”. Ky është argument i mjaftueshëm që e arsyeton ndërmarrjen spektakulare të rrethimit dhe sulmit të ushtrisë turke mbi fshatarët kryengritës. Kënga popullore rezultatin e fitores e sheh në bashkimin dhe në besën e lidhur të kryengritësve:
Besë të madhe kishin pas n’mes veti
U tha kush, a e kanë ba prej veti
Jem shqiptar qysh prej fetit
S’i kondisim këti hyrijeti
Për këtë luftë si e bamë ksi shteki.
3.
Ngjarjeve historike të kësaj kohe u bëjnë jehonë edhe këngët e shkëlqyeshme “Për vend tonë jem tuj luftue” dhe “Asllan Pasha mbledh vergjinë”. Ngjarja e këngës së parë zhvillohet në fshatrat e Rekës. Mytesarifi, zyrtar i lartë turk, prefekti i Pejës, me suitën e tij del në vizitë zyrtare në fshatrat e Rekës. Qëllimi i vizitës është nënshtrimi i fshatrave kryengritëse si dhe kërcënimi kundër krerëve kryengritës. Me të shkelë në Rekë i kërcet pushka. Është koha kur Turqisë në tërë Shqipërinë po i digjej toka nën këmbë. Kishin kaluar kohërat kur pashallarët dilnin në vizitë fshatrave dhe krahinave për t’ua shtrënguar hala më shumë prangat e robërisë. I tmerruar nga ngjarja e papritur Pasha ndalet në fshatin Vranoc, në odë të Sylë Rexhës. Qon e i mbledh të parët e Rekës dhe i qorton për pabesinë që iu bë me rastin e vizitës së tij si dhe për pushkët e drejtuara kundër Sulltanit, Turqisë. Paria, përmes fjalës së Kadri Currit, përgjigjet:
Na shqiptarë jemi qillue
Për vend tonë jem’ tuj luftue
Në përgjigjen e parisë ka vetëdijesim kombëtar, ka revolucionarizëm, ka guxim dhe ka vendosmëri. Pashai, i vetëdijshëm se sahatit të tij allaturka po i ikën koha, del dhe niset andej prej nga kishte ardhur. Por, për fatin e tij të keq, me të hyrë në fshatin Behoc, e presin pushkët tjera:
Te Behoci pushka i krsi
E rrxoi kali e desh e mbyti
E rrxoi kali e mbet te vorri
Për zyrtarët e lartë situata bëhet shumë serioze. Mytesarifi e kupton se pushtetit të tij mbi fshatrat e Rekës dhe më gjerë po i afrohet fundi. E kupton se fjala e autoriteti i tij e kanë humbur peshën që e ka pasur. Ndaj fillon dhe i zbutë fjalët. Nga pozita e pushtetarit kërcënues kthehet e kërkon mëshirë nga Paria:
Ndore tande Mehmet Gjoni
Ndore tande n’mujsh me m’pshtue
Gjallë në Pejë s’po muj me shkue
Krejt ushtrinë ma kanë farue
Urrejtja kundër pushtuesit e ka bërë të vetën. Vegjëlia është e pa kompromis. Organizimi i luftëtarëve të lirisë del në shesh. Pushkëve të fshatrave të parë u bashkohen edhe pushkët e fshatrave të tjera të Rekës:
Paska vetë mytesarifi
Ç’janë kto pushkë prej Kodradiqi
Krejt ushtrinë ma kërdisi…
Në këtë situatë tragjike për miqtë e paftuar të Rekës gradacionin e rrjedhës së ngjarjes e shpejton e trimi Isuf Musa:
Del Isufi midis livadhit
Po i bërtet Xhafer Tajarit
Ç’dreqi t’pruni n’Lugë t’Baranit
N’Lugë t’Baranit ç’dreqi t’ka prue
Pse s’ rrin n’Pejë me sundue
Del në rrethe me tregtue
Kraht me i pasë me fluturue
T’gjallë në Pejë s’të lshoj me shkue
Myteserifi dhe suita e tij harrojnë misionin për çka kanë dalë në Rekë. Tashti qëllimi i vetëm i tyre është shpëtimi i kokës si dhe kthimi gjallë në Pejë. Për t’u kthyer në Pejë i ka mbetur vetëm edhe një rrugë, premtimi i shumave të mëdha të myhematit, pasurisë:
Xhafrer Begu i vllai i Hakisë
Po i çon fjalë Hazir Alisë
N’mujsh mem pshtue prej komitës
Prej komitës n’mujsh me m’pshtue
Myhemat shumë kam me t’çue

Ngjarja e këngës “Asllan Pasha mbledh vergjinë” zhvillohet në fshatin Isniq të Deçanit. Asllan Pasha, sundimtar i lartë turk nga Peja, i shoqëruar me pesë bajraktarë, shkon në Isniq për të mbledhur vergjinë, tatimin. Vetëkuptohet se për fshatarët tatimet ishin të rënda dhe të papërballueshme. Tatime mblidhte qeveria turke. Tatime mblidhnin bejlerët. Tatim paguhej për shtëpi, tatim paguhej për tokë, tatim paguhej për bagëti, për djerrina, për kullota, për mal… Procesi i mbledhjes së tatimeve shpesh herë përfundonte me konflikte spontane në mes të fshatarëve dhe tagrambledhësve, por ndodhte që procesi i mbledhjes së tatimeve pritej edhe me rezistencë të organizuar. Për një organizim të tillë rrëfen edhe kënga. Asllan Pasha me bajraktarët hyn në fshatin Isniq. Dhe, ndërmarrja e një pashai në rolin e tagrambledhësit nuk ishte proces i thjeshtë. Në fshat nuk po hynin tagrambledhësit e rëndomtë, as përfaqësuesit e bejlerëve. Në Isniq kishte urdhëruar vetë Pashai i rrethuar me bajraktarë. Pra, vetë lartmadhëria. Pushteti. Në raste të këtilla organizoheshin pritje të nivelit të lartë. Përkulje deri në tokë. Pije dhe ushqim. Dajre dhe festë… Por, kësaj radhe, Isniqi organizon një festë tjetër, një pritje të merituar për rangun e armikut gjakpirës:
Kanë krisë pushkët përskej ziti
Bajraktartë i ka mblu timi
Kanë krisë tjerat prej çardaki
Bajraktartë i ka mblu gjaki
I ka mblu gjaki i kanë gri tanë
Asllan Pashën rob p’e nxanë…
Në vazhdim kënga popullore pikturon një portet tjetër të Pashait. Krekosja dhe forca e pushtetit në personin e tij kanë rënë. Nuk është më pashai që vranë e kthjellë. Para pezmit, mllefit dhe urrejtjes së fshatarëve ai ndjehet i vogël, i mjerë dhe i pafuqishëm. Tashti është në gjendje t’i dëgjojë me durim ankimet, qortimet dhe akuzat e fshatarëve të zemëruar deri në kulm. Në një moment provon të zbutë zemërimin e fshatarëve duke e paraqitur ndërmarrjen e tij zyrtare si një vizitë miqësore dashamirëse:
Ndore t’juve, more Shalë
Se s’jam ardhë vergjinë me marrë
Për ziaret n’kët anë jam dalë…
Por, një gënjeshtër aq e kulluar e bën situatën dramatike dhe shpërthyese. Kënga me plasticitet të hollë jep figurën e papërmbajtur të Tahir Dervishit. Me pak fjalë kënga jep kundërshtitë, mllefin dhe urrejtjen shekullore të fshatarit kundër pushtetit të huaj:
Të madhe briti Tahir Dervishi
Asllan Pashës për gjyks ja ngjiti
Pshtymë e jargë në ftyrë ja çiti
Pshtymë e jargë në ftyrë ja pshteti
Mos me m’ardhë Pashë keq prej veti
Tana trutë celinë t’i treti…
Mbyllja e këngës është shumë e logjikshme. Epiteteve Asllan Pasha, Asllan gusha (grykës) kënga popullore ua vë përballë antitezën: “Shtat sahat iu dok Lëbusha”, një rrugë që kalohet për pak minuta. Kthimi i tij në Pejë është i mjerë, kthim i një komandanti që ka pësuar disfatë katastrofale. Qytetarët paraprakisht të njoftuar për pësimin e tij në Isniq, të gëzuar për ndodhinë, si zakonisht i dalin përpara për ta pritur dhe për t’i uruar mirëseardhjen. Asllan Pasha, i turpëruar dhe i dëshpëruar, pritjes madhështore të pejanëve i përgjigjet me këto fjalë:
Sot nuk muj selam m’u dhanë
Kesh n’Isniq edhe rob jam nxanë
S’e kanë lanë kurgja pa m’thanë
Bajraktartë m’i kanë gri të tanë…
Këngët “Për vend tonë jem tue luftue” dhe “Asllan Pasha mbledh vergjinë” janë drama të vërteta. Ndonëse në to pasqyrohen ngjarje lokale, përmes plasticitetit të artit këngëtari popullor arrin ta sintetizojë për bukuri situatën e kohës, gjendjen revolucionare dhe rezistencën e popullit që sa vinte e shtohej.
4.
Dhuna e egër e turqve të rinj, fushatat represive të Xhavit Pashës, tatimet e papërballueshme, rekrutimi ushtarak, çarmatimi i popullit, ndjekja e patriotëve dhe masat kundër shkrimit shqip e ngritën Kosovën në revoltë të hapur, e cila në pranverë të vitit 1910 mori përmasat e një lufte të armatosur. Revoltat e para antiqeveritare të filluara në Junik, në mars të këtij viti, nga forcat e Halil Mehmetit u masivizuan me një ritëm të shpejtuar në mbarë Kosovën. E shqetësuar nga situata e krijuar, në fillim të prillit, qeveria turke merr vendim që kundër kryengritjes së Kosovës të merren masa të rrepta ushtarake. Fillimit të kryengritjes i parapriu Kuvendi i Verrave të Llukës i mbajtur në prill të vitit 1910, në të cilin u lidh besa ndërmjet pjesëmarrësve që të gjitha viset e përfaqësuara prej tyre të bashkoheshin në kryengritje, u falën gjaqet dhe hasmëritë, u përcaktuan masat organizative për përballimin ekspeditës së Turgut Pashës si dhe masat ndëshkuese për ata që do ta thyejnë besën:
U mblodh Shqynija bytevi
N’Mitrovicë deri n’Guci
N’Kaçanik deri n’Malësi
N’Verra t’Llukës kanë ba mbledhi
N’Verra t’Llukës janë mbledhë të tanë
E kanë lidhë nji besë të tanë…
Në mesin e muajit prill Turgut Pasha, në krye të 40 mijë forcave, filloi sulmin e përgjithshëm kundër forcave kryengritëse. Mbrojtja e kryengritësve shqiptarë u zhvillua në tri zona. Isa Boletini, në krye të luftëtarëve të Shalës, Llapit dhe Drenicës, u përqendrua në Grykën e Carralevës, Hasan Budakova, me luftëtarët e tij, mbronte vijën Ferizaj deri në Carralevë, ndërsa Idriz Seferi, në krye të luftëtarëve të Karadakut, mori në mbrojtje Grykën e Kaçanikut. Beteja e Kaçanikut është beteja e parë dhe një nga betejat më të rëndësishme të kryengritjes antiosmane të vitit 1910, e cila do ta përgatitë truallin shqiptar për shpalljen e pavarësisë kombëtare me 28 Nëntor të vitit 1912. Beteja u zhvillua ndërmjet kryengritësve shqiptarë të trevave juglindore të Kosovës, Gjilanit dhe Preshevës, nën udhëheqjen e Idriz Seferit dhe forcave të ushtrisë osmane të komanduara nga gjenerali Shefqet Turgut pasha. Forcat turke të nisura nga dy drejtime, nga Ferizaj dhe nga Shkupi, iu afruan pozicioneve mbrojtëse të kryengritësve dhe u hodhën në sulm. Beteja zgjati dy ditë rresht. Luftimet qenë të ashpra, sidomos ato tek Guri i Shpuar. Ato kalojnë edhe në përleshje trup më trup e thikë me thikë. Dita e fundit e betejës shndërrohet në një kasaphanë nga më të mëdhatë. Përroi i Cucës dhe uji i Lepencit skuqën nga gjaku i derdhur. Atmosfera e përgjakshme e luftimeve u përjetësua në disa këngë popullore dhe në mënyrë të veçantë në këngën “Na u nis lufta në Kaçanik”. Kjo këngë është ndër më të bukurat e epikës sonë historike. Si këngë epike, me një frymë të këngëve legjendare, ajo fillon me përshkrimin e natyrës, të një natyre të tjetërsuar, surealiste, në një atmosfere të rëndë të luftës si dhe me fillimin e betejës reale, zbrazjen e pushkëve të para:

Çka ka dielli që s’ban dritë
Na u nis pushka n’Kaçanik…
Kulminacioni i këngës arrin në pasqyrimin e betejës së ashpër, në guximin dhe trimërinë e luftëtarëve të lirisë. Përshkrimi i betejës merr përmasa homerike. Kaçaniku, si dikur Troja, qëndron i pa epur deri në forcat e fundit. Beteja fillon me pushkë. Në luftë të përgjakshme distanca shkurtohet, për të vazhduar nga afër fyt me fyt e thikë me thikë:
Kaçanikut i raftë pika
Nuk po din se çka asht frika
U vra me pushkë u therë me thika
U therë me thika nan sahat
Po shkon kali not në gjak…
Më 1 maj 1910, pas një qëndrese mbinjerëzore, kryengritësit detyrohen ta lënë Grykën e Kaçanikut, por qëndresa do të vazhdojë deri më 6 maj. Ata të ndarë në grupe do të kalojnë në malësinë e Karadakut, në Moravë, në Preshevë, në Gjilan, në Bujanovc, etj. Lidhur me zhvillimin e Betejës konsujt serbë nga Prishtina, Shkupi e Selaniku përhapnin gënjeshtra mbi thyerjen e qëndresës shqiptare që në hovin e parë, mbi vrasjen e Idriz Seferit, mbi marrjen fund të çdo gjëje, ndërsa shtypi i Beogradit, pa fijen e turpit, deklaronte gatishmërinë e Serbisë për t’i dhënë ndihmë Turqisë në shtypjen e kryengritjes shqiptare. Humbjet në këtë betejë ishin të mëdha për të dyja palët. Nga forcat kryengritëse në fushën e nderit mbetën rreth 800 të vrarë dhe 200 të plagosur, ndërsa nga forcat e armikut mbetën mbi 8.000 të vrarë, prej të cilëve 90 oficer të ushtrisë, 2.000 të plagosur dhe mbi 2.000 të tjerë dezertuan. Jehona e Betejës së Kaçanikut, e qëndresës dhe e heroizmit masiv shqiptar, në Shqipërinë e robëruar forcoi shpresën e lirisë dhe të pavarësisë, ndërsa në Perandorinë Osmane gjëmoi si tërmet ogurzi. Vetëm pak ditë më vonë, më 8 maj 1910, njësitë e forcave turke në krye me Shefqet Turgut pashën u hodhën në sulme masive mbi forcat e kryengritësve në rajonin Shtimje-Jezercë-Carralevë të udhëhequra nga Isa Boletini. Humbjet e mëdha të forcave osmane në Kaçanik, në Karadak e në Moravë e kishin shtuar së tepërmi shqetësimin e Perandorisë, prandaj për në Shqipëri detyrohet të niset edhe vetë ministri i luftës, Mahmut Shefqet Pasha. Epërsia numerike në forca dhe në armatime e ushtrisë osmane në krahasim me forcat kryengritëse shqiptare ishte e madhe: 20.000 ushtarë turq kundër 8.000 shqiptarëve. Forcat turke hasën në qëndresën e fuqishme dhe të vendosur shqiptare. Luftimet zhvillohen të rrepta. Predhat dhe zjarri i artilerisë rrënon dhe shkatërron çdo gjë. Toka gjëmon si nga tërmeti. Fshatra të tëra rrafshohen nga flaka që ngrihet deri në qiell:
Në Kaçanik deri në Boletin
Tanë Kosova a mblu’ me tym
Mblue me tym na i ka dalë flaka
E dogj me topa Dërgut Pasha
Dhuna me zjarr e me hekur nuk ndalet. Qëndresa e kryengritësve shqiptarë vazhdon, nuk tundet. Mahmut Shefqet pasha po vinte në Kosovë me taborre të tjera. Kryengritja e Kosovës me çdo kusht duhej të shuhej. Në këtë drejtim veprojnë pa kursim edhe agjentët serbë. Kështu, sulmet e njëpasnjëshme të artilerisë turke dhe dora shoviniste serbe me 9-10 maj arritën ta çajnë sektorin e mbrojtjes së kryengritësve në Jezercë. Më 11 maj forcat osmane, si dhe dy grupe të tjera të ndihmuara nga disa batalione të reja të cilat do të arrijnë nga Prizreni dhe Mitrovica, rrethojnë forcat e udhëhequra nga Isa Boletini. Në orët e pasdites kryengritësit ia dalin të çajnë rrethimin, t’i përcjellin të plagosurit dhe të tërhiqen nga territori i Dulës në drejtim të Drenicës, ndërsa në anën e kundërt, në drejtim të Opojës. Një tërheqje e këtillë ishte e pashmangshme sepse e kushtëzuan këta faktorë: epërsia e armikut në forca dhe në armatime, diverzioni serb dhe mos hedhja e rezervave kryengritëse të Rrafshit të Dukagjinit. Nga të dy palët pati humbje të mëdha. Megjithatë, lëvizja kombëtare shqiptare jo vetëm nuk shuhet, por nga dita në ditë merr përmasa të reja. Çetat e lirisë veprojnë në çdo pëllëmbë të tokës shqiptare. Epiqendra e betejave të reja është përherë Kosova kryengritëse.
Beteja e Carralevës pati jehonë të madhe kudo në trojet shqiptare. Jehona e gjallë e saj u ndie edhe në Evropë.Qëndresa shqiptare dhe heroizmi i trimave, i prijësve Isa Boletinit, Hasan Budakovës, Idriz Seferit, e në mënyrë të veçantë Beteja e Kaçanikut dhe ajo e Carralevës, kundër forcave barbare turke të udhëhequra nga Shefqet Turgut Pasha gjetën pasqyrim të denjë në epikën tonë historike, sidomos në këngët “Na u nis lufta në Kaçanik”, “Tanë Kosova a mblue n’tym” dhe “Ah, Shqypni, mos thuej mbarova” përmes të cilave këngëtari popullor artistikisht arriti t’i japi dimensionet e kryengritjes masive, idealin liridashës të popullit si dhe shpresën për bashkimin e sigurt të kombit dhe të trojeve shqiptare. Deri sa në këngën “Na u nis lufta në Kaçanik” pasqyrohet lufta me tërë brutalitetin dhe tragjiken e saj në një ambient lokal, në këngën “Tanë Kosova a mblue n’tym” lufta pasqyrohet në përmasa tjera gjeografike. Tashti lufta zhvillohet në të gjithë hapësirën territoriale të Kosovës. Tragjikja e luftës në të dy këngët është e njëjtë. Në këngën e parë lufta zhvillohet pushkë me pushkë e thikë me thikë sa në detin e krijuar prej gjaku notojnë edhe kuajt, ndërsa në të dytën lufta merr dimensione të reja. Ushtria turke pos pushkëve dhe thikave përdorë edhe topat. Nga lufta e ashpër Kosovën e mbulon tymi dhe flaka. Toka digjet nga zjarri i luftës, ndërsa qielli përflakët nga vetëtimat. Këtu kënga huazon elemente poetike nga këngët legjendare mitologjike për t’i pasqyruar dy botë kundërshtare: përmes dragonjve simbolizon dritën, të mirën dhe pozitiven, ndërsa përmes Turgut Pashës lë të parakuptohet kuçedra, simboli i territ, i të keqes, negativja. Zakonisht, si në legjenda ashtu edhe në jetë, e keqja është më e madhe, më e fuqishme, por në saje të gjakimit për të drejtën, ndonëse më flijime të mëdha, e mira vazhdimisht triumfon, të paktën si ideal. Kjo dëshmohet sidomos me vargun e fundit të këngës, i cili, larg çdo fataliteti, simbolizon triumfin e të mirës mbi të ligën, të lirisë mbi robërinë. Ta shohim në tërësi tekstin e këngës dhe të bindemi për aq sa u tha më sipër:
Në Kaçanik deri në Boletin
Tanë Kosova a mblu’ me tym
Mblue me tym na i ka dalë flaka
E dogj me topa Dërgut Pasha
Çka kanë retë qe po vetojnë
Dy drangoj more po luftojnë
Në Kaçanik deri n’Carralevë
Isa Begu e Idriz Seferi
Dërgut Pasha me njiqind mi’
Isa Begu me shqiptari
Kadal Pashë se s’je n’Rumeli
Kadal Pashë se s’je n’Rumeli
Tash po sheh more burrë me sy
Që djeg vetën e t’përvlon ty
5.
Teksti i këngës “Ah, Shqypni, mos thuej mbarova” është i shkruar nga poeti dhe atdhetari i shquar Hilë Mosi. I shqetësuar tej mase për situatën aktuale mbarëshqiptare dhe i mbështetur drejtpërdrejt në frymën luftarake të kryengritjeve të Kosovës, autori i tekstit, me tone optimiste e siguron Shqipërinë që të qëndrojë e patundur në rrugën e luftës për liri dhe bashkim kombëtar, në rrugën e flijimeve sublime për pavarësinë e atdheut…
Shqipëria është para sprovave të reja. E sëmura e Bosforit edhe para se të vdes i shtrëngon dhëmbët për të kafshuar aq sa mundët. Dhe bisha e plagosur është shumë rrezikshme. Para se të ikën nga kjo botë provon ta marrë me vete edhe armikun. Në të njëjtën kohë në skenën e Gadishullit Ilirik fillojnë të dalin bajlozë të ri, shtete mishngrënëse edhe më të rrezikshme se armiku që ishte në ikje. Po rrezikoheshin trojet shqiptare. Po rrezikohej ekzistenca e Kombit. Ndaj kënga e fton Shqipërinë për qëndresë. U jep shqiptarëve zemër të mos dorëzohet para situatave të rënda. Kosova e tëra është në këmbë. Djemtë e Atdheut janë në luftë ballë për ballë me armikun:
Ah, Shypni, mos thuj mbarova,
Se djemtë tu edhe jan’ gjallë
N’kamb asht çu e rrebt Kosova
E ban luftën ballë për ballë.
Kënga përkujton sfidat e mëdha të shqiptarëve gjatë historisë. Përkujton vitin e kryengritjeve dhe të luftërave të famshme shqiptare kundër barbarive të egërsirave aziatike:
Ish nji vit o ndër ma të vshtirët
Me nji mijë e nandqind e dhjetë
Kur Kosovën mbloj egërsira
Për me zhbi çdo bimë mbi dhe
Kënga përmbyllet me një konstatim real dhe njëherit me një mesazh optimist. Forca e armikut, sado e madhe dhe e egër qoftë, para qëndresës së popullit që lufton për liri, është e destinuar të pësojë disfatë. Topat e armikut para pushkës së lirisë janë të pafuqishëm. Aspirata e popullit është më e fuqishme se çdo armë në duart e armikut. Ideali i lirisë është si fara e bimës se shëndetshme që bie në tokë, mbinë dhe rritet e harlisur në zemrat e rinisë brez pas brezi:
E n’Prishtinë atje pikë s’parit
Krisi topi oh me duhi,
Atje gjaku i shqyptarit
Ra në tok’ me bi përsri.
Kënga e luajti rolin e saj në kohën kur u ngrit. Kjo këngë ruajti aktualitetin e saj edhe pas Pavarësisë së Shqipërisë, sidomos në trojet shqiptarë që mbetën nën zgjedhën e robërisë serbomalazeze. Si rrallë në ndonjë rast tjetër, kjo këngë është aktuale edhe sot. Me këtë këngë në gojë marshuan studentët në demonstratat e viteve 1968, 1981… Me këtë këngë në gojë u mbushën forcë dhe qëndruan mijëra e mijëra të burgosur politikë dekada me radhë. Me këtë këngë në gojë ushtarët e UÇK-së sulmuan mbi gjithë pancirin e soldateskës serbe…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura