KAH PO SHKON DIPLOMACIA JONË?

Kah po shkon diplomacia jonë?

Një vështrim librit “Kah po shkon diplomacia jonë” e autores Elife Luzha, botuar nga Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2022

Nga Fitore Rubovci, Prishtinë 10. 09. 2022

Kush është Elife Luzha?

Elife Luzha është një grua e shquar, dhe atë në shumë aspekte. Ajo, që në rini të hershme, nuk qëndroi duarkryq përballë lirisë së privuar të popullit shqiptar dhe u përfshi në organizimin atdhetar, për çka edhe u dënua me burg të diktuar nga politika serbokomuniste. Ky nuk qe epilogu, në fakt – qe vetëm fillimi. Pas dënimit më burg, pasuan dënimet tjetra zinxhirore: privimi nga e drejta për t’u shkolluar, për të punuar dhe për botuar. E pra, Elife Luzha sikur kishte lindur për t’u sfiduar dhe kurrë për mos t’u dorëzuar: ajo nuk iu nënshtrua asnjëherë fatit të diktuar nga pushtuesit që po e ngulfasnin popullin shqiptar. Rezistenca e saj mori forma të ndryshme. E para dhe tejet e fuqishme, qe poezia. Ajo botoi tri përmbledhje poetike: “Vdes me trëndafilin”, “Vdekja e ditëlindjes” dhe “Mos ma vrisni lotin”. Në poezi, poetja Elife Luzha shkëlqen. Vargjet e saja të ngjiten për zemre krejt natyrshëm dhe duke të krijuar një ndjenjë përjetimi, që të bën të reflektosh. Pastaj, rruga intelektuale e ndërprerë: studimet ishin një peng nga rinia, peng që si gravigtacioni e tërhiqnin. Mbaroi studimet e shkencave politike – drejtimi Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci. Vazhdoi studimet në nivelin master në Administratë Publike dhe Diplomaci. Ndërkohë, Elife Luzha botoi një studim të titulluar “Dhuna seksuale nga forcat ushtarake e policore serbe ndaj grave shqiptare gjatë luftës në Kosovë” dhe një përmbledhje me artikuj publicistikë “Falë i qofshim Kosovës”. Për një bashkëshorte, një nënë dhe një grua më shumë sfida në jetë, këto vepra paraqesin një arritje të madhe të njeriut, veprimtares dhe intelektualës Elife Luzha. Mbi të gjitha, sepse Elife Luzha nuk është një intelektuale e stisur. Ajo është një intelektuale e brumosur mirë e mirë. Është një femër me natyrë studioze, e cila lexon shumë, analizon, reflekton dhe frymëzohet. Është një femër që gjithçka në fushën intelektuale e ka arritur me punën e vet, përkushtimin dhe pasionin për lexim e talentin për të shkruar. Një kuadër i këtillë e nderon kombin dhe atdheun.

Një kontribut teorik mbi diplomacinë

Për ata që nuk e njohin, Elife Luzha mund të ju duket një emër që nuk lidhet me diplomacinë. Dhe e vërtetë, ajo edhe pse do të duhej të ishte diplomate në MPJ e Kosovës, nuk është në këtë institucion. Por ajo, megjithatë, jep kontribut për diplomacinë e atdheut. Deri më tash, kryesisht në aspektin e trajtimeve teorike. Dhe një dëshmi e përkushtimit të saj për politikën e jashtme është edhe libri i saj “Kah po shkon diplomacia jonë”.

Për diplomacinë, viteve të fundit, është shkruar mjaft, kjo nga se në fokus të zhvillimeve në Kosovë politika e jashtme po luan një rol shumë të madh e të rëndësishëm. Por autorja Luzha, në këtë libër, diplomacisë i qaset pak më ndryshe. Konceptualisht, ajo është studiuese e lirë, e lirë nga vargonjtë koniukturalë. Kjo e bën atë që në pjesën e parë të librit të bëjë një vështrim të diplomacisë në shtrirjen kombëtare përgjatë historisë. E fillon nga mbretëresha Teuta e Ilirisë, vazhdon me Skënderbeun – Gjergj Kastriotin, Ali Pashë Tepelenën, Avdyl Frashërin dhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Ismail Qemalin dhe Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, Hasan Prishtinën, Fan Stilian Nolin, Faik Konicën, Enver Hoxhën dhe diplomacinë shqiptare në demokraci. Një vështrim i këtillë, sikur ia kujton lexuesit historinë e përbashkët shqiptare, edhe në sferën e politikës së jashtme.
Një pyetje, që duhet t’i bëjë të mendojnë vazhdimisht krerët e shtetit

Pjesa ë dytë e librit ka një titull paksa provokativ: “Kah po shkon diplomacia jonë”. Kjo pjesë i kushtohet konkretisht Kosovës, shpalljes së pavarësisë së saj dhe themelimit të politikës së jashtme të saj. Autorja Elife Luzha nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj “ngritjeve dhe rënieve” të diplomacisë kosovare, ku ajo kap disa aspekte të sukseseve por edhe të mossukseseve, përkundër përpjekjeve. Asaj nuk i shpëton as fenomeni i çnjohjes, përkatësisht i tërheqjes së njohjeve nga disa shtete që e kishin njohur shtetin e Kosovës, si pasojë e fushatës serbe kundër njohjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Kështu, me guximin e saj intelektual, autorja Luzha ka prekur fenomenin e ri në politikën e jashtme, së cilës, studiuesi shqiptar, Gëzim Visoka i ka kushtuar së fundmi një libër “The Derecognition of States” që pritet të botohet nga Shtypi i Universitit të Michiganit.

Dhe, autorja Luzha shkon edhe më tej, duke shtruar pyetjen “Ku gabuam?”. Autorja liston një sërë gabimesh, disa prej tyre edhe themelore, si mospjesëmarrja e Kosovës në mbledhjen (11.12.2000) të guvernatorëve të Bankave Qendrore ku u diskutua për ndarjen e pasurive të ish-RSFJ; mos përfshirja e raportit të Kai Eides në raportin e Marti Ahtisarit dhe në Kushtetutën e Kosovës; moskundërshtimi i 6 pikave të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB Ban Ki Mun (2008), etj.

Përkundër këtij listimi me aspekte te veçanta, autorja Luzha nënvizon një aspekt të përgjithshëm, i cili është aktual dhe madje është përkeqësuar. Ndonëse nga disa politikanë ishte synuar uniteti në politikën e jashtme, autorja Luzha shkruan se “në realitet, ishte pikërisht mungesa e unitetit dhe e frymës bashkëpunuese mes krerëve të lartë të institucioneve shtetërorë, e profesionizmit dhe e transparencës, që e karakterizon institucionin  e diplomacisë kosovare që nga themelimi i saj” (f. 61). Ky konstatim i autores, duket se është kaq i vlefshëm edhe sot e kësaj dite, kur MPJD e Kosovës duket sikur është ngulfatur nga mungesa e transparencës, skandaleve, politikave eliminuese me motive partiake dhe kur ka më shumë se një vit që ende ka ambasada e konsullata që nuk janë në krye të detyrës. Kjo është një politikë e gabuar, që i ka kushtuar vendit dhe po vazhdon t’i kushtojë, në kohën kur diplomacia sot është ajo që po determinon edhe zhvillimet e brendshme.

Ku qëndron fuqia diplomatike e shteteve të vogla

Një tematikë tjetër interesante e librit të autores Elife Luzha është edhe ajo e diplomacive të shteteve të vogla “Shtetet e vogla dhe diplomacia e tyre”. E ka kapur këtë problem interesant dhe nga një këndvështrim i veçantë. Cfarë diplomacie mund të bëjnë shtetet e vogla? Në çka duhet të mbështeten ato? Autorja, në mënyrë të përmbledhur, jep këtë përgjigje: “fuqia e diplomacisë së butë dhe asaj të zgjuar është ‘arma’ e vetme, që shtetet e vogla kanë në dispozicion për të realizuar qëllimet e politikës së tyre të jashtme”. Dhe e kundërta: “zbatimi i diplomacisë imponuese apo i instrumenteve të dhunshme mund të cojë në izolim, përjashtimin apo dështimin e tyre të plotë” (f. 82). Shtjellimi i autores Elife Luzha për diplomacinë e shteteve të vogla duhet lexuar si një mesazh nga krerët e shtetit, ashtu që Kosova të shfrytëzojë pozicionin e vet dhe të luajë rol konstruktiv “për të mbrojtur interesin kombëtar”, “për kultivimin e vlerave demokratike dhe ruajtjen e paqes në botë” (f. 94), sigurisht në atë pjesë gjeografike të globit ku ai ndodhet.

Komunikimi politik duhet të mbështetet në argumente

Pjesa e katër e librit ka të bëjë me “Artin e komunikimit dhe të komunikimit politik në Kosovë”. Autorja Elife Luzha, pasi shtjellon disa aspekte teorike të komunikimit, ndalet konkretisht të komunikimi politik në Kosovë. Ajo shquan, ndër të tjera, gjuhën e gabuar politike dhe me këtë edhe të komunikimit politik në Kosovë. Duke qenë ky komunikim publik, ai reflekton në opinion, te qytetarët dhe te atmosfera politike midis njerëzve që mendojnë “pro” dhe “contra”, ata që e mbështesin pushtetin dhe ata që e kritikojnë. E para e punës, si për ata që e mbrojnë edhe për ata që e kritikojnë pushtetin, duhet të kuptohet se fyerjet, sharjet, etiketime, zhvlerësimet dhe akuzat vetëm shprehin mllef, por nuk janë fakte, nuk janë argumente dhe vetëm shkaktojnë tensione, por jo nuk ndikojnë në të kuptuarit e problematikës për të cilën bëhet fjalë. Për më tepër, ato vetëm shkaktojnë mjegull, dhe urrejtje, turbullira kuptimore, keqkuptime dhe vetëm sa e bëjnë edhe më të pakuptueshëm thelbin për të cilin është fjala. Autorja, tërthorazi, sikur apelon që të hiqet dorë nga kjo qasje, të kihet kujdes për dinjitetin njerëzor, për edukimin që u bëhet qytetarëve dhe sidomos të rinjve që dëgjojnë debate të tilla, dhe në vend të saj, të parashtrohen argumente, të dhëna, fakte, mbështetje e qëndrueshme.

Të drejtat e njeriut në diplomaci

Pjesa e pestë, dhe njëherit e fundit, e librit titullohet “Njohja dhe respektimi i të drejtave të njeriut, kusht për siguri dhe zhvillim shoqëror”. Në shikim të parë, tema e “të drejtave të njeriut” duket krejt e palidhur me çështjen e diplomacisë dhe të politikës së jashtme. Por, kjo nuk është ashtu. Aspak. Madje, është e gabueshme të mendohet se nuk bëhen shkelje të të drejtave të njeriut edhe në Diplomaci. Sigurisht, nuk duhej të ishte kështu, Nuk do të duhej të ndodhnin në asnjë mënyrë shkelje të tilla të të drejtave themelore. Por, ato ndodhin. Nga ato pak storie që janë bërë publike, si në të kaluarën ashtu edhe gjatë vitit të shkuar, fare lehtë mund të konstatohet se jo vetëm ka shkelje, por ndonjëherë ato janë shkelje flagrante. Këto shkelje, si të ishte një konsensus i pashkruar dhe i padeklaruar, gjithnjë bëhej dhe bëhet me motive partiake. Vetëkuptohet, për të punësuar njerëz të partive në pushtet. Duke qenë se nuk ka buxhet për hapje të vendeve të reja të punës, krerët e shtetit, kanë zgjedhur dhe zgjedhin edhe sot, të veprojnë në kundërshtim me ligjin, për të shkarkuar ata që janë të punësuar dhe ende kanë mandate në detyrë, ashtu që të vihen në vend të tyre njerëz të tarafit të vet! Kjo, gjithnjë, e ka dëmtuar dhe e dëmton diplomacinë, sepse është tregues se Kosova nuk është ende e pjekur për të zbatuar ligjet, jo vetëm në Kosovë, por edhe në politikë të jashtme – ku rënia në sy e parregullsive nuk mund të fshihet, dhe mbetet e shënuar në analet e shteteve pritëse. Dhe një fakt tjetër është ai se në shumicën e rasteve, përmes proceseve gjyqësore, është dëshmuar shkelja ligjore – dhe është bërë kthimi në vend të punës I të shkarkuarve. Mbase, ka ardhur koha që ligji për ministrat, kryeministrin dhe presidentin e vendit të ndryshohet, që ata të mbajnë përgjegjësi për shkelje të ligjeve. Sepse, nëse një proces gjyqësor i jep të drejtë një të shkarkuari dhe e kthen në punë, atëherë kushdo që ka bërë një shkelje të tillë të ligjit – duhet të ndëshkohet. Vetëm po qe se do të futet në ligje dhe përgjegjësia personale e ministrave, e zëvendëskryeministrave dhe e kryeministrit – do të evitohen shkeljet e të drejtave ligjore të njeriut, pasi që secili do ta dijë se mund të dënohet nga gjykata.

Libri duhet lexuar si një apel për ta ndalur të keqen

Libri “Kah po shkon diplomacia jonë” duket se ka predikuar më shumë se sa përmban. Ai është një apel që të punohet mbarë. Që politika e jashtme dhe diplomacia të mos bëhet të bazuar në koniuktura dhe në inate. Të punohet jo partiakisht, por institucionalisht. Nëse institucioni i politikës së jashtme, dhe në këtë kuadër diplomacia, nuk etablohen si duhet, të mbështetura në ligj, atëherë jo nga të tjerët, por nga vetë në do të minohet, do të devalorizohet, dhe do të kthehet në një institucion autoritethumbur. Ajo do të jetë pasqyra e shtrembëruar e Kosovës, në vend se të jetë pasqyra korrekte dhe e bukur e Kosovës. Autorja Elife Luzha duket sikur apelon që të vijmë në vete, të mos luajmë me fatin e shtetit sepse “Enough is enough”. A do të dëgjohet, vallë, zëri i sinqertë i saj?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura