PËRBALLJA ME TË KEQEN!

Pashtriku.org, 27. 11. 2014 (Reagim qytetar) – Pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, lojërat partiake rreth formimit të institucioneve të Kosovës, arritën kulmin e turpit dhe amoralitetit politik të klasës aktuale politike të Kosovës. Sjelljet jo serioze e të papërgjegjshme të pushtetarëve dhe pafuqia e subjekteve aktuale politike për ta ndryshuar dhe përmirësuar gjendjen, janë edhe dëshmi për anomalitë e sistemit aktual politik, kushtetues dhe zgjedhor të Kosovës, i cili prodhon dhe sjell në pushtet klane politike uzurpuese dhe abuzuese me shtetin. Shteti edhe ashtu i brishtë i Kosovës, nuk po ndërtohet e zhvillohet, por po degradon gjithnjë e më shumë. Pasojat e kësaj gjendje pa perspektivë po i vuajnë shumica e qytetarëve të Kosovës, sidomos rinia e cila kërkon shpëtim duke emigruar jashtë vendit. Në këto rrethana, në të cilat qeverisja dhe partitë politike janë bërë kërcënim ekzistencial për shtetin dhe qytetarët e saj, shprehja e shqetësimeve qytetare në formë të organizuar, për ndryshime dhe vendosjen e një sistemi demokratik të qeverisjes, është jo vetëm një e drejtë demokratike, por edhe obligim qytetar.
PËRBALLJA, si grupim qytetar jashtë partiak, apelon për reagim të organizuar qytetar kundër abuzimeve me pushtetin aktual, pseudo demokratik, të korruptuar dhe uzurpues. Shpresojmë që edhe anëtarësia e ndërgjegjshme e partive politike do të distancohet nga veprimet abuzuese të drejtuesve të tyre, dhe do t’i bashkohet mobilizimit qytetar për PËRBALLJE, në mbrojtje të interesit të përgjithshëm nacional dhe shtetëror. Gjendja komprometuese dhe turpëruese, e krijuar në Kosovën e pasluftës, duhet të ndryshohet, nga vetë qytetarët e saj, si një e drejtë dhe detyrë qytetare, në mbrojtje të vlerave të shenjta të interesit nacional dhe zhvillimit të demokracisë. Ky është njëkohësisht edhe një reagim i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm qytetar karshi faktorit mbështetës ndërkombëtar, në radhë të parë SHBA, që dha kontribut madhor për çlirimin e Kosovës.

PËRBALLJA përkujton Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Amerikës, në të cilën ndër të tjera thuhet: “Kur një formë e qeverisjes bëhet destruktive, e drejtë e popullit është që ta ndryshojë ose ta shfuqizojë atë, dhe të formojë qeveri të re, ta organizojë në ato principe dhe në atë formë, që atyre ju duket më e mira për sigurinë dhe lumturinë e tyre. Kur qeveria nuk ndalon me abuzime dhe uzurpim të pushtetit, që shpie në despotizëm absolut tij, është e drejtë dhe detyrë e popullit, që ta rrënojë një qeveri të tillë, dhe të sigurojë mbrojtje të re për sigurinë e tij.”
Kosova ka nevojë jetike për një klasë të re, të emancipuar politike, e cila për prioritet ka zhvillimin e demokracisë, shtetin ligjor dhe zhvillimin ekonomik, për mirëqenien qytetare, dhe jo thjesht interesat e veçanta klanore-partiake, në kurriz të qytetarëve dhe në dëm të vendit. Klasa e sotme politike ka humbur çdo kredibilitet politik dhe nacional, si një klasë e komprometuar politike, ekonomike dhe shoqërore.
Aktivitetet e saj me moton “Për ndryshime – jo ndërrime”, PËRBALLJA planifikon t’i fillojë me peticion qytetar dhe t’i zhvillojë më konkretisht, varësisht nga mbështetja qytetare dhe nga rrethanat që do të krijohen.
BASHKOHUNI RRETH PËRBALLJES PËR PËRBALLJE!
Këshilli organizativ i PËRBALLJES, Prishtinë, nëntor 2014

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura