Kaloi rinia, po ikën beqaria, pa nuse te shtëpia

Kaloi rinia, po ikën beqaria, pa nuse te shtëpia

Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin 15 tetore 2021

Gjatë një vizite që i bëra kohë më parë një mikut tim më shprehu shqetësimin e tij të madh se nuk po i martohet djali i cili i ka afruar të pesëdhjetat. “Vitet po kalojnë. Unë dhe bashkëshortja po plakemi.  Me pa durim po presim një nuse  në shtëpi. Të  lumturohet djali ynë, por edhe  të ketë kush të kujdeset për ne, sepse na ka rënduar pleqëria. Gëzim më të madh për ne nuk do të kishte sesa djali ynë të martohej e të krijonte  familjen. Por, nuk po bindet edhe pse, për mendimin tim, i ka kushtet  ekonomike për martesë. Është i arsimuar. Ka kryer fakultetin. Është në marrëdhënie pune. Pagat mujore i ka të mira.  I arrirë edhe në karrierë. Dhe, vazhdon të jetë beqar. Kjo pritje e tij kaq e gjatë për të gjetur partneren e jetës na ka goditur fort ne prindërve. Aq sa nuk kemi qetësi e rehati as ditën as natën” më thotë miku im i përlotur.

Jemi në shekullin XXI. Tani, siç po e përjetoni edhe ju vetë, çdo gjë ka ndryshuar. Asgjë nuk është si më parë. Pra, as martesa. Edhe ne shqiptarët kemi vendosur që t’i themi jo traditave të vjetra të kërkimit të dorës për partnerë siç ndodhte tradicionalisht. Martesa pas të 30-tave është bërë  një tendencë gjithnjë e më shumë në rritje edhe tek ne shqiptarët”, iu përgjigja, duke e ngushëlluar atë.

Rrëfime të ngjashme të vonesës së martesës të këtij burri intelektual mund të dëgjosh në shumë  familje shqiptare në Mal të Zi,  në  fshatra e në qytete.   Tani, pas gjysmë shekulli, termi martesë është vjetruar. Çiftet po martohen më pak në ditët e sotme. Për pasojë kemi kaq shumë beqar/e. Ka fshatra shqiptare në Malin e Zi të cilat kanë mbi 70 beqarë/e. Sikurse ka edhe të tilla  fshatra që  nuk ka pasur  asnjë kurorëzim për  më shumë se 40 dekada, sepse ato janë boshatisur plotësisht.

Në një bisedë gojore që kam zhvilluar miqësisht me disa beqarë e beqaresha në Malësi dhe Ulqin për arsyet kryesore të beqarisë së tyre kam fituar përgjigje të ndryshme, si:

  • Jetoj në fshat dhe vajzat më shumë preferojnë qytetin.
  • Jam i papunë. Nuk kam të ardhura të sigurta financiare.
  • Unë thjesht nuk dij të josh palën tjetër.
  • Me të vërtetë do të doja  të gjej një partner, por nuk di si ta bëj atë.
  • Më ka ngjallur frikën pandemia që ka përfshirë  botën.
  • Gëzoj një jetë të lirë dhe nuk kam nevojë për askënd.
  • Nuk di të kuptoj kur dikush më pëlqen, por gjithashtu nuk di të jap një sinjal interesimi.
  • Dua të mbështetem tek forcat e mia.
  • Kam një anëtar të familjes së moshuar për të cilin duhet të kujdesem.
  •  Dua të përqendrohem tek karriera.
  • Kam frikë të lë prapa krahëve emocionet e pasionet e dashurisë, e t’u lë vendin problematikave martesore.
  • Të jetuarit vetëm sjell më shumë përfitime.
  • Jeta martesore është një barrë për mua.
  • Dëshiroj të qëndrojë e fokusuar tek liria dhe puna ime.
  • Ende nuk e takova personin e përafërt me ndjenjat e mia.

Këto dhe arsye të tjera  tregojnë përse çiftet  po martohen më pak dhe më vonë.  Ky fenomen jo vetëm tek shqiptarët, por tashmë global  është lajm i keq, të paktën për ata që ende besojnë se martesat dhe familja e shëndetshme formojnë themelet e një shoqërie të civilizuar. Familjet e lumtura rrisin fëmijë të lumtur.

Edhe Ati i Shenjtë, Papa Fraçesku kohë më parë, përmes një video mesazhit të publikuar nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës, në bashkëpunim me Dikasterin Vatikanas për Laikët, Familjen dhe Jetën, ka thënë se martesa është gjë e bukur, duhet durim, por ia vlen. “Ia vlen të rrezikosh”: pavarësisht se martesa është “udhëtim impenjativ, nganjëherë i vështirë, nganjëherë edhe konfliktual”, “të martohesh e ta ndash jetën me dikë është gjë e bukur”. Papa Françesku përmes  kësaj porosi  dëshiron t’i inkurajojë të rinjtë ta ndërmarrin këtë udhëtim “për gjithë jetën”, në të cilin ka një aspekt qendror: dhëndri dhe nusja nuk janë vetëm, sepse “Jezusi i shoqëron”.  “A është e vërtetë ajo, që thotë dikush, se të rinjtë nuk duan të martohen, veçanërisht në këto kohë të vështira?”, pyet Papa, i vetëdijshëm për problemet dhe ndërlikimet e lidhura edhe me pandeminë. “Martesa – thekson ai – nuk është vetëm akt shoqëror: është thirrje që vjen nga zemra, është vendim i vetëdijshëm për gjithë jetën e kërkon përgatitje të veçantë”. Për këtë arsye, është i rëndësishëm shoqërimi i çiftit nga ana e krejt bashkësisë së krishterë: Ju lutem mos e harroni kurrë! Zoti ka një ëndërr për ne, dashurinë e, na kërkon ta bëjmë tonën. Le ta bëjmë tonën dashurinë, që është ëndrra e Zotit. E, të lutemi për të rinjtë, që përgatiten për martesë me mbështetjen e bashkësisë së krishterë: që ata të rriten në dashuri, me bujari, besnikëri e durim. Sepse për të dashur duhet shumë durim. Por ia vlen”, është shprehur Papa Fraçesku.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura