Kanuni i Lekë Dukagjinit në fokus të një debati akademik në Gjenevë

Sot, në një nga amfiteatrot e Fakultetit Juridik dhe Ekonomik të Universitetit të Gjenevës, u mbajt një ligjëratë me interes të veçantë mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe fillesat e tij historike.
Ligjërues i kësaj teme ishte MA. Leonard Ferati, ekspert i shkencave sociale dhe këshilltar në Grand Conseil të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës. Ai paraqiti një analizë të thelluar mbi origjinën, strukturën dhe funksionimin e Kanunit si një sistem i hershëm i rregullimit shoqëror ndër shqiptarë.
Tema zgjoi interes të madh te studentët shqiptarë dhe të huaj, të cilët ndoqën me vëmendje shpjegimet mbi këtë trashëgimi juridike dhe kulturore, e cila për shekuj me radhë ka ndikuar në organizimin e jetës shoqërore në hapësirat shqiptare.
Gjatë ligjëratës u theksua se Kanuni duhet kuptuar në kontekstin historik të kohës kur ai ka vepruar, si një mekanizëm vetërregullues në mungesë të institucioneve shtetërore.
Megjithatë, u nënvizua gjithashtu se interpretimi dhe përdorimi i tij në kohët moderne mbetet një çështje e ndjeshme dhe shpesh problematike.
Në këtë kuadër të diskutimit u potencua se situata ndërlikohet dukshëm nga fakti se, në disa raste, Kanuni vazhdon të perceptohet dhe të përdoret paralelisht me sistemin e drejtësisë moderne.
Kjo bashkëjetesë e heshtur mes ligjit dhe zakonit, me të mirat dhe të metat e saj, krijon paqartësi dhe tension, sidomos kur normat tradicionale përdoren në mënyrë selektive — herë si vlerë kulturore, e herë si mjet për të anashkaluar institucionet ligjore.
Pas ligjëratës, zoti Ferati iu përgjigj me përkushtim pyetjeve të shumta të të pranishmëve, duke ofruar sqarime të mbështetura në burime të shkruara dhe në qasje bashkëkohore studimore.
Diskutimi u karakterizua nga një frymë akademike dhe reflektuese, duke dëshmuar interesin e vazhdueshëm për të kuptuar drejt raportin mes traditës dhe ligjit në shoqërinë moderne.
Në fund, u bë e ditur se këtë sesion debatues e organizoi Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Gjenevë, e cila vazhdon të japë një kontribut të çmuar në promovimin e temave me rëndësi kombëtare dhe akademike në mesin e studentëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë në Republikën dhe Kantonin e Gjenevës.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 25 mars 2026
————–
Derë e Pavdekësisë

Derë e mikpritjes dhe e bujarisë,
derë burrash të besës e të qëndresës,
derë që s’ia njeh frikën flakës as barotit,
derë stërnipësh të Gjergj Kastriotit.
Derë e Jasharajve,
nderi i kombit.
Me shpirt e zemër,
ushtarë të lirisë,
yje të Dardanisë.
Djem petritë,
fëmijë engjëllorë,
vasha trimëresha,
nëna zemërguri.
Madhërishëm mbi varre u valon
flamuri.
Prehuni të qetë,
jeni burim
i krenarisë dhe i nderit,
jeni rreze dielli.
Me gjakun tuaj shkruat historinë
dhe rrënuat murin ndarës
Kosovë–Shqipëri.
—
Arif Ejupi
Gjenevë, mars 2026
—————-
RREZET E DIELLIT
Rrezet e para të diellit,
përkëdhelën Berlinin,
shoqëruar me kaltërsi qiellore
pa fund.
Unë, me sa kënaqësi,
larg hedh shikimin
drejt pafundësisë,
në horizont.
Shoh gjithçka
e nuk vërej gati asgjë,
përpos një pulëbardhe
që, aq shkujdesur,
fluturonte mbi Spree,
derisa një gjeraqinë,
herë fluturon,
e herë rri si e mpiksur
në një të njëjtin vend,
aq lart nën re.
Bekim I. Blaku
Berlin, 28 mars 2026