KMDLNJ: MOS I AKUZONI TË VARFËRIT PËR IKJE DHE ‘TRADHTI’!

Prishtinë, 24. 07. 2013 – (Reagim i KMDLNj’së) – Problemi i largimit të qytetarëve të Kosovës është aktualizuar vetëm tani kur ky fenomen është bërë i përmasave shqetësuese dhe kur shtetet perëndimore kanë alarmuar për rritjen e numrit të azilkërkuesve nga Kosova. Në fakt, institucionet e Kosovës asnjëherë nuk i kanë marrë seriozisht raportet dhe alarmimet e OJQ-ve dhe mediave duke i injoruar ato dhe duke bërë përpjekje të zbukurohen gjërat për hir të “proceseve integruese” dhe liberalizimit të vizave.
KMDLNj pati raportuar edhe për vendet nga largohen qytetarët e Kosovës dhe drejtimet që i qojnë drejtë një qëllimi për një jetë më të mirë. Vetëm pas shkrimit në Koha Ditore dhe Zëri dhe pas reportazheve në KTV kjo çështje u sforcua duke kërkuar veprim të shpejtë dhe të vendosur. Reagimet e institucioneve ishin shumë të paarsyeshme të cilat mbështeteshin në argumente politike në radhë të parë ndonëse problemi është dhe mbetet ekskluzivisht i natyrës ekonomike, sociale dhe është çështje e sigurimit të mbijetesës për shtresat e rrezikuara. Është e paarsyeshme dhe joetike që qytetarët që janë të detyruar të ikin nga Kosova për shkak të ndjenjës së paperspektivës dhe varfërisë së skajshme të akuzohen si pengues të realizimit të proceseve integruese të Kosovës, se po e pengojnë liberalizimin e vizave dhe në një mënyrë janë kundër interesave të shtetit të Kosovës. Vetëm sa nuk u akuzuan për tradhti!

Ikja nga kosova e “pavarur dhe sovrane”!

Qytetarët e Kosovës që janë detyruar të ikin e kanë bërë këtë për shkaqe ekonomike e jo pse kanë qenë të rrezikuar politikisht apo për shkak të rrezikimit të jetesës së tyre. Në fakt, pasiguria ekonomike ka refleksion edhe në atë politike dhe të sigurisë. 
Ndërkombëtarët kanë përgjegjësi sepse nuk kanë bërë asgjë për hapjen e vendeve të reja të punës. Madje përmes një privatizimi të kriminalizuar vetëm sa kanë shuar vendet e punës duke e rritur papunësinë dhe varfërinë. Ata kanë mundur të angazhojnë një numër të qytetarëve të Kosovës si punëtorë sezonal por nuk e kanë bërë këtë. Shteti i Kosovës ka buxhet social ndërsa shpenzimet e institucioneve për gjëra të panevojshme dhe luks të shfrenuar nuk kanë të ndalur.
Për KMDLNj është e papranueshme dhe e pamoralshme që të akuzohen ata që për shkak të varfërisë ikin nga Kosova në kohën kur faji për këtë bie ekskluzivisht mbi institucionet dhe bashkësinë ndërkombëtare! Deklarate Universale për të Drejtat e Njeriut e OKB-së, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe Kushtetuta e Kosovës garantojnë për qytetarët një jetë me kushte të dinjitetshme që nënkupton një vend pune, shkollim dhe shërbime mjekësore cilësore si dhe shërbime të tjera publike në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Po të siguronin edhe minimumin e tyre në Kosovë nuk do të kishim ikje të qytetarëve nga Kosova dhe rrjedhimisht edhe politikanët do të liroheshin së përdoruri një retorikë moralizuese siç po e bëjnë kohën e fundit.
Shërbimi për informim i KMDLNJ-së
Prishtinë, 24.07.2013

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura