KMDLNJ: NË KOSOVË MULTIETNICITETI PO FORCOHET DUKE U NDARË ETNIKISHT!

Prishtinë, 16. 12. 2013 – (Reagim i KMDLNJ’së) – Kosova nga ndërkombëtarët por edhe nomenklatura politike vendore cilësohet si vend multietnik dhe multikulturor. Mirëpo, me ndarje të brendshme të Kosovës, ndarje të dhunshme të Mitrovicës në dy komuna, formimin e komunave etnikisht të pastra me shumicë serbe, formimi i subjektit: ‘Lista Srbska – Ivica Daçiq’, formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe po krijohet një presedan ku të drejtat etnike janë mbi të drejtat universale! Një presedan i rrezikshëm që legalizon përkufizimin etnik dhe gjendjen e krijuar me mosbindje ndaj institucioneve dhe me dhunë.
Të gjithë ata që trajtojnë të drejtat e njeriut dhe që kanë njohuri elementare për to, aktivitetin e tyre e mbështesin në parimin e universalitetit të këtyre të drejtave dhe jo ndarjes së tyre në bazë të përkatësisë politike, etnike, racore, gjendjes materiale, bindjeve fetare dhe nivelit të arsimimit. Deklarata Universale e Kombeve të Bashkuara e miratuar më 10 dhjetor 1948 e që është Kushtetutë botërore për të drejtat e njeriut shprehimisht e përjashton parcializimin e këtyre të drejtave dhe si e tillë është nënshkruar dhe ratifikuar nga shumica e vendeve të botës. Përkundër kësaj, një numër i madh i vendeve nuk e zbaton në praktikë këtë Deklaratë për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe mjeteve financiare që edhe janë parakushte elementare për zbatimin e saj. Prandaj edhe kemi shkelje masive të drejtave të njeriut deri në përmasa të gjenocidit. Bota sot përballet me konflikte të armatosura që për pasojë ka një numër të madh të personave të vrarë, të zhdukur, të arrestuar dhe dhjetra milion të shpërngulur me dhunë. Bota po përballet me krizën e refugjatëve politik dhe ekonomik. Bota po përballet me varfëri të madhe dhe uri shkatërruese si dhe shkatërrim të madh të sistemit ekologjik.

 * * *
Kosova, si një vend në transicion dhe e cila ende përballet me pasoja të luftës me një pavarësi të mbikëqyrur, sovranitet të mohuar dhe mospyetje për vendimmarrje që e përcaktojnë të sotmen dhe e cila e vë në dyshim të ardhmen e saj, i ka inkorporuar në Kushtetutën e saj të gjitha dokumentet relevante ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe i ka miratuar ligjet që janë në përputhje të plotë me standardet e BE-së. Për kundër kësaj Kosova po përballet me shkelje të rënda të drejtave të njeriut për shkak të korrupsionit shkatërrues, krimit të organizuar, trafikimit me qenie njerëzore, dhunën ndaj gruas, shkelje të drejtave të fëmijëve, mungesë përkujdesjeje për personat me aftësi të kufizuar, shkelje drastike të drejtave të pensionistëve, mohim i së drejtës së familjeve për informata për personat e pagjetur, papunësi e madhe, varfëri e skajshme dhe mungesë të perspektivës.
Në Kosovë ka barazi vetëm në varfëri!
Në Kosovë shkelen të drejtat e njeriut sidomos për anëtarët e komunitetit Romë, Ashkali dhe Egjiptas. Jo në kuptimin e kufizimit të lirisë së lëvizjes apo sigurisë por për shkak të papunësisë së madhe të tyre, mos përfshirje në arsimim dhe qasje të kufizuar në shërbimet e tjera publike. Në situatë të rëndë janë në veçanti anëtarët e këtij komuniteti që për vite me radhë kanë jetuar si azil kërkues dhe të cilët pastaj, kundër vullnetit të tyre, të kthehen në Kosovë!
Sipas një hulumtimi të mbështetur nga KFOS del se 87% të të riatdhesuarve të këtij komuniteti kthehen dhunshëm dhe mbesin të paintegruar, në mungesë të resurseve financiare dhe për këtë arsye ata përsëri kthehen nga janë dëbuar. Prandaj edhe nuk po zvogëlohet numri i azilkërkuesve.
Kosova nga ndërkombëtarët por edhe nomenklatura politike vendore cilësohet si vend multietnik dhe multikulturor.
Mirëpo, me ndarje të brendshme të Kosovës, ndarje të dhunshme të Mitrovicës në dy komuna, formimin e komunave etnikisht të pastra me shumicë serbe, formimi i subjektit: ‘Lista Srbska – Ivica Daçiq’, formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe po krijohet një presedan ku të drejtat etnike janë mbi të drejtat universale! Një presedan i rrezikshëm që legalizon përkufizimin etnik dhe gjendjen e krijuar me mosbindje ndaj institucioneve dhe me dhunë. Tash, është formuar edhe Grupi i deputetëve joshqiptarë të Kuvendit të Kosovës i cili në takimin e 11 dhjetorit me autoritetet më të larta vendore dhe ndërkombëtare do të kërkojnë vazhdimin e vendeve të rezervuara dhe të garantuar edhe për dy mandate. Që edhe më shumë e thellon ndarjen ndëretnike dhe e vë në pikëpyetje organizimin e zgjedhjeve lokale dhe të përgjithshme. Ku do ta shpie Kosovën një ndarje e tillë në baza ekskluzivisht etnike dhe për çfarë integrimi të pakicave mund të flasim?! Kush është shumicë jovendimmarrëse e kush pakicë vendimmarrëse në Kosovë.
Përkufizimi dhe përjashtimi në baza ekskluzivisht etnike është e kundërta e përmbajtjes së Deklaratës Universale e KB për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Behxhet Sh.Shala, Drejtor Ekzekutiv i KMDLNj-së
Prishtinë, 10. 12. 2013

==========================
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
PAKOJA E AHTISAARIT BURIM I NDARJES NË BAZA ETNIKE!

Plani i Serbisë për ndarjen e Kosovës në dy etnitete (shqiptare dhe atë serbe) nuk është risi. Ky plan i projektuar nga Ak. Dobrica Qosiç (1993), ndonëse gjatë periudhave të caktuara është përdorur si planë rezervë për realizimin e synimeve serbe, po ta lexosh me kujdes PAKON E AHTISAARIT do të spikasësh me lehtësi shumë elemente të modifikuara, të cilat reflektojnë qartë këtë ndarje. Dihet mirëfilli se substrati i ndarjes së Kosovës ngjashëm me Bosnjen dhe Hercegovinën (BiH), është hedhur përmes krijimit të enklavave serbe, dhe veçanërisht shkëputjes së plotë të pjesës veriore të Kosovës (Leposaviçit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, duke përfshirë këtu edhe Mitrovicën verore deri në urë të lumit Ibër), nga tërësia e ushtrimit të pushtetit prej institucioneve të Kosovës, që dolën nga rezoluta 1244 e OKB-së. Kjo ndarje e vijëzuar tashmë në pakon e Ahtisaarit, u legalizua edhe me miratimin e zemërgjerëve të ashtuquajtur “Grupi i Unitetit”, si rezultat i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit (me ndërmjetësimin e ekipit të Ahtisaarit) që u zhvilluan gjatë vitit 2005 – 2007 në Vjenë.
* * *
Partitë politike PDK-LDK-AAK-AKR dhe institucionet e Kosovës, duke e pranuar PAKON E AHTISAARIT, (e bazuar në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, e cila definon qartë sovranitetin e pjesërishëm të Republikës së Serbisë në Kosovë!)… kanë pranuar ndarjen e Kosovës në dy ETNITETE. Ndërkaq negociatat politike që u zhvilluan në Bruksel (Thaçi-Daçiq), ku u arrit marrëveshja e 19 prillit 2013, kanë çimentuar konceptin e ETNITETIT SERB, në formë e përmbajte – përmesë njësisë Autonome të sebëve në Kosovë, që po quhet: “ASOCIACIONI I KOMUNAVE SERBE NË KOSOVË”!
Ky “ASOCIACION…”, me zgjedhjet lokale të 3 nëntorit dhe ato të balotazhit që u mbajtën më 1 dhjetor, përmes listës serbe që ka përpiluar Qeveria e Serbisë, përfundimisht u legjitimua pushteti ekzekutiv i Serbisë përmes “republika serbska” dhe ndarja e Kosovës brenda saj! Me këto zgjedhje, përfundimisht është dëmtuar UNITETI TERRITORIAL I KOSOVËS, dhe kështu e ka vështirësuar realizimin e aspiratës sonë për një SHTET TË PËRBASHKËT, që unë e quaj SHQIPËRI E BASHKUAR!!!

 (Sheradin Berisha, kryeredaktor i pashtriku.org – 16. 12. 2013)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura