KMDLNj: QEVERIA E KOSOVËS, BABADIMËR PËR SERBËT, ZHVATËS PËR SHQIPTARËT DHE TË TJERËT!

Ndonëse kanë kaluar 24 vite që ka përfunduar lufta, qytetarët serbë të veriut të Kosovës, deri vonë edhe në komunat tjera ku jetojnë, janë të liruar nga pagesa e çdo kontributi që është detyrues për qytetarët e Kosovës sikur edhe për shërbimet e tjera. Në fakt ata kanë refuzuar t’i shlyejnë detyrimet ndaj shtetit ndërsa shteti nuk ka pasur guxim të ndërmarrë veprime detyruese siç ka vepruar me qytetarët tjerë, duke ua dërguar lëndët te përmbaruesi edhe për një borxh 40 – 50 euro. Për më keq dhe për turp, përmes përmbaruesve ua kanë ndalur paratë edhe nga pensionet dhe ndihmat sociale. Në top listën e lëshimeve që i ka bërë shteti ndaj serbëve në mesin e të cilëve kishte  rebelues dhe struktura kriminale që kanë keqtrajtuar dhe vrarë qytetarë të Kosovës është pagesa e faturave të rrymës për të cilën të gjitha qeveritë kanë ndarë qindra miliona euro ndërkaq që qeveria Kurti 2 vetëm për dy vitet e fundit ka ndarë 113 milionë euro. Fillimisht faturat janë mbuluar me mjetet e plaçkitura nga konsumatorët tjerë, pagues të rregulltë përmes fryerjes së faturave dhe pasi janë zënë duke vjedhur dhe pasi Gjykata ka marrë vendim të ndërpritet kjo plaçkitje dhe, në të njëjtën kohë ka urdhëruar të kompensohen konsumatorët e dëmtuar, ndonëse patën premtuar se më nuk i paguajnë këto fatura, po e vazhdojnë me të njëjtin vullnet këtë veprim diskriminues dhe të kundërligjshëm. Nuk ka rast të ngjashëm në botë ku haptazi bëhet diskriminimi në baza etnike siç po ndodhë në Kosovë. Qytetarët e Kosovës po përballen me probleme të mbijetesës ku rryma shtrenjtohet kur të duan dhe në atë mënyrë që qytetarët nuk informohen kurse serbët (edhe të tjerët) në veri të Kosovës shpenzojnë pa asnjë kufizim dhe sa të duan, pa e dhënë as edhe një cent të vetëm.

Serbët dhe të tjerët në veri të Kosovës nuk paguajnë as faturat e ujit, mbeturinave dhe as për shërbime të tjera.

Serbët dhe të tjerët në veri të Kosovës nuk paguajnë as faturat e tatimit në pronë në ndërkohë që qytetarët e tjerë të Kosovës, me mashtrimin e ministrit mashtrues Hekuran Murati, në bashkëpunim me kryetarët grabitçarë të komunave detyrohen të paguajnë dyfishin apo edhe më shumë shumën e faturave krahasuar me vitin paraprak. Pa pasur bazë ligjore ministri mashtrues premtoi uljen e faturave në mënyrë lineare në shumën prej 100 eurove ndërsa kryetarët e komunave, të pandjeshëm për gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarëve–votuesve e dërguan lëndën në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës që e hudhi poshtë vendimin e ministrit mashtrues, Hekuran Murati. Qytetarët u dëmtuan dy herë; e para se paguan fatura të kripura dhe, e dyta se paguan dënime (kamata) për vonesë të pagesave ndonëse kishte paqartësi për shkak të manipulimit të ministrit Murati.

Qytetarët e Kosovës, përmes sms –ve bombardohen me ofertën për regjistrim falas të veturave me targa RKS duke mos treguar se kjo ofertë është e vlefshme vetëm për serbët që paraqet diskriminim flagrant në bazë të përkatësisë etnike.

Me qindra serbë marrin paga të rregullta mujore pa e bërë as një minutë punë e që nuk e dinë as ku e kanë vendin e punës kurse, në anën tjetër ndonëse kemi ngritje të konsiderueshme të çmimeve të artikujve elementarë, nuk ka asnjë lëvizje për përmirësimin e kushteve të jetës për kategoritë më të cenueshme siç janë pensionistët, kategoritë e përfituesve të skemave sociale, ish të burgosurit politikë, veteranët e luftës së UÇK-së etj. Është paradoks fakti se të gjitha vendet e rajonit kohëve të fundit kanë rritur pensionet disa herë  ndërsa në Kosovë për tre vitet e qeverisë Kurti 2 pensionet janë të pandryshuara, nuk janë rritur as edhe për një cent të vetëm. Madje, ministri arrogant dhe i padijshëm i financave fyenë rëndë përfaqësuesit e pensionistëve të Kosovës duke refuzuar t’i takojë.

Pohimet se ka zhvillim të paparë ekonomik në Kosovë në kohën kur ky zhvillim nuk prekë pjesën dërrmuese të qytetarëve të saj është manipulim, kur çmimet rriten dita – ditës, kur inflacioni rritet, kur nuk ka projekte zhvillimore dhe kur rritja e numrit të vendeve të punës, janë lajme për datën 1 prill dhe jashtë çdo realiteti.

KMDLNj –ë kërkon nga qeveria e Kosovës të ndëprejë praktikën e mbrapshtë të diskriminimit të qytetarëve në baza etnike dhe t’i përmabahet detyrimit ndaj Kushtetutës së Kosovës e cila garanton trajtim të barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë qytetarët e Kosovës pavarësisht përkatësisë nacionale, bindjeve fetare, moshës, gjinisë apo statusit në shoqëri. Këtë që po e bënë qeveria aktuale e Kosovës dhe ato para saj, është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut, madje paraqet edhe vepër penale për të cilën Prokuroria e Shtetit duhet te reagojë sipas detyrës zyrtare. Trajtimi degradues dhe diskriminimi në baza etnike është vepër penale dhe i dënueshëm dhe kjo nuk mund të mbulohet me fatura politike.

Qytetarët e  Kosovës duhet të padisin ZRRE –në për plaçkitje disavjeçare përmes fryerjes së faturave dhe moskompensim të këtyre dëmeve.

Për KMDLNj–ë, i vetmi kriter i pranueshëm për lirim nga ndonjë detyrim është gjendja ekonomike dhe pamundësia për t’i mbuluar shpenzimet e faturave ndërkaq diskriminimi në baza etnike është i papranueshëm i cili duhet të kundërshtohet me protesta qytetare ngase është interes i përgjithshëm.

22 nëntor 2023 Prishtinë  Shërbimi për Informim

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura