KUDUSI LAMA: UÇK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (VI)

Pashtriku, 15 gusht 2020: A ekzistojnë e drejta dhe morali?
Kam ndjekur me vëmendje të gjitha reagimet ndaj deklarimeve të zotëri Martyt dhe prej tyre kam mbetur para një pyetjeje në mendjen time: A ekzistojnë e drejta dhe morali te zotëri Marty?
Lexova një ditë një shkrim të një studenti në atë kohë kur ka shkruar shkrimin në John Jay College of Criminal Justice në New York, i quajtur Dimal Basha, i cili rekomandon të kujtojmë:… proverbin e Mark Twainit që e shkroi para 100 vjetësh, “derisa e vërteta i lidhë këpucët, gënjeshtra e shëtitë gjysmën e botës”.

Duke e falënderuar Dimalin për këtë tërheqje vëmendje, bindem edhe një herë se nuk ka as farë ndjenjë të drejte dhe morali në veprën e zotëri Martyt, e shprehur në deklaratën serbe, e i quajtur raport evropian.
“Pas dështimit politik në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, besoj se Vuk Jeremiqi shkon në pushimet festive i relaksuar nga ‘Dick-fitorja’ e fundit diplomatike. Raporti i fundit i Dickut, jo që njollosi politikanët tanë, por arriti ta njollosë gjithë popullin shqiptar që luftoi për t’i mbijetuar një regjimi që tentoi të shfarosë një popull të tërë”, shkruante Dimali.
Po citoj Dimalin sepse nuk di të ketë përcaktim më të qartë se ky për padrejtësinë dhe pamoralësinë e raportit të zotit Marty. Unë, thotë djali, e njoh Kosovën nëpërmjet mediave, ashtu si edhe shumë të tjerë, pasi pak njerëz shkojnë apo kanë mundësi të shkojnë për ta parë gjendjen në vend. E mediat i morët peng ju zoti Marty me shpifjet tuaja. Por ja që edhe atje në Amerikë ka djem që nuk lënë të kalojnë pa sqaruar opinionin mbi vlefshmërinë e të drejtës dhe moralit në raportin tuaj e, për rrjedhojë, në personalitetin tuaj.
Ne e kuptojmë se qëllimi juaj është që të na reklamoni para botës moderne si një komb barbar që nuk njeh tjetër veçse krimin. Dhe të jeni i sigurt që për ata që mendojnë si ju, ia keni arritur qëllimit. Por edhe në opinionin e thjeshtë që nuk ka mundësi të bëjë analizë të logjikës së ftohtë, keni ndikuar. E kjo vërteton plotësisht faktin se ju nuk e keni bërë këtë raport duke vënë para vetes të drejtën dhe moralin, por padrejtësinë dhe amoralitetin. Prandaj edhe mendoj se në opinion na keni dëmtuar.
Të dëmtosh një komb me shpifje të përgjithësuara, do të thotë që mbi moralin ta vësh krimin. A pranoni zoti Marty se jeni kriminel në vlerësimin e kombit shqiptar dhe për dëmin që i keni bërë botërisht? A e kishit menduar që më parë se cili do të ishte roli i këtij raporti në opinionin e gjerë për një komb të tërë? Vërtet a nuk iu duket vetja i padrejtë me shqiptarët dhe i pamoralshëm?
Ju mund të bënit raport ndoshta edhe më të rëndë nëse kishte të vërteta por, thjesht, të deklaroj, nuk mendoj se në një akt të tillë ka të drejtë dhe moral në deklaruesin.
Është e qartë se: “Sado që ne mendojmë se e vërteta qëndron ndryshe, njerëzit në Brazil, Indi, Nepal e kudo tjetër njoftohen për Kosovën nga ajo çfarë shkruhet dhe flitet në media… çfarë ndikimi do të kenë akuzat e Dickut që tërheqin vëmendjen e të gjitha mediumeve botërore?”
Arsyetimi dhe pyetja shtrohen shumë me vend, por ne dimë edhe që pikërisht ky ishte qëllimi i këtij raporti famëkeq. Askush nuk duhet të mendojë se Dik Marty, duke punuar për këtë raport, nuk ka pasur këtë synim dhe se nuk i ka ditur rrjedhojat kundërshqiptare që do të lindnin në këtë rast. Prandaj edhe këtu na kujtohet ajo fabula e famshme, kur ujku i thotë qengjit po ma turbullon ujit në të përpjetë. Po, ky raport na ka dëmtuar në opinion, mediat i kanë dhënë shumë hapësirë. Por jo të gjithë janë mashtruar. Jo zotëri Marty, sado të paguhesh ti, sado të punosh kundër shqiptarëve, identitetit, autoritetit dhe fisnikërisë së tyre, ne nuk jemi nga ata që vdesim nga plagët tinëzare. Jemi plagosur shumë herë kështu, por ja ku jemi dhe do të jemi zotëri Marty, me gjithë lodhjen tënde kundër nesh. Na vjen keq për pronarët e t’u serbë, të cilët, megjithëse kanë paguar, nuk do të mund të na kthejnë edhe një herë prapa në ecjen tonë drejt të ardhmes. Na kanë vonuar mjaft ata dhe të paguarit si ti zotëri, pasi nuk je i pari në këtë rrugë dhe jam i sigurt as i fundit. Le ta vërtetojë raportin tënd Gjykata Speciale dhe do të meritosh një përmendore në mes të Beogradit. Por asgjë nuk do të vërtetohet, sepse asgjë nuk është e vërtetë nga ato që shpifni Ju.
Sot shumëkush dëgjoi të thotë se për shkak të diplomacisë së dobët gjendemi në këtë pozitë të dobët. Ne vërtet kemi shumë dobësi në punën tonë diplomatike, por për këtë çështjen e marrjes dhe trafikimit të organeve unë nuk mendoj se është dobësi e jona dhe për këtë më duket se ka një arsye shumë të qëndrueshme. Në Kosovë serbët kanë vrarë mbi 12 mijë civilë në rrethana krejt të panjohura dhe përgjithësisht jashtë vëzhgimit të të tjerëve. Prej këtyre mbi 2 000 civilë të moshave dhe të sekseve të ndryshme janë vrarë pasi janë grabitur e zhdukur. Rreth 2 000 janë edhe sot të pagjetur. Këtë praktikën e grabitjes dhe të vrasjes serbët e kanë praktikuar periodikisht edhe gjatë gjithë kohës kur Kosova ishte e pushtuar nga Serbia. Por shqiptarët me gjithë ankesat dhe protestat e vazhdueshme dje dhe sot për këto çështje, në asnjë moment nuk janë shprehur se këto shqiptarë të zhdukur janë grabitur për t’u marrë organet jetike për trafikë ose për t’i përdorur për shërimin e serbëve të sëmurë. Dhe kjo nuk është rastësore, por është traditë shqiptare, pasi shqiptarëve nuk u shkon ndërmend se mund të bëhen gjëra të tilla. Por meqenëse u kujtuan serbët, me të paguarit e tyre Karla Del Ponten dhe Dick Martyn, mua më lind një pyetje e natyrshme: Këta që janë kujtuar për një praktikë të tillë, pse i paskan grabitur dhe zhdukur mbi 2 000 civilë shqiptarë gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës në vitet 1997-1999? Natyrisht që përfundimi del vetë, ata paskan ditur t’i shfrytëzojnë këta të grabitur. Tanimë mua nuk më mbushet mendja kurrë se këta shqiptarë të grabitur nuk janë shfrytëzuar për t’u thithur gjakun deri në pikën e fundit dhe për t’u marrë të gjitha organet jetike për interesat e tyre. Dhe ata kanë pasur mundësinë ta bëjnë një gjë të tillë sepse ata kanë pasur në dispozicion policinë, ushtrinë, transportin, ruajtjen, sigurinë, shërbimin shëndetësor, institucionet shkencore, lëvizjen në ajër e në tokë etj. Kjo duket qartë kur ata hedhin idenë se mund të jenë bërë veprime të tilla nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që edhe armët e municionin ishte e detyruar t’i çonte në front me kuaj të marrë me qira, kur luftëtarët e plagosur të saj në vijat e frontit në qoftë se nuk do të shkonin në spitalin e Bajram Currit, të Kukësit ose në Spitalin Ushtarak në Tiranë, as që mund të mendohej të shpëtonin, pasi nuk kishte as mjekë, por edhe pajisjet thuajse mungonin dhe medikamentet ishin shumë të kufizuara.
Të gjithë e dinë se i vetmi vend ku mund të mjekoheshin e kuroheshin luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në atë kohë të luftës ishte Shqipëria. E duke situr situatën e kohës unë e di mirë sa vështirë ishte të sigurohej transporti nga kufiri drejt Tiranës, të mos flasim pastaj për transport të fshehtë, siç pretendohet të arsyetohet e vërtetohet nga zotëri Marty.
Nisur nga sa u tha më sipër, unë shtroj dy pyetje: A do të na japë dot siguri politika dhe shkenca botërore se ku kanë përfunduar gjaku dhe organet jetike të të zhdukurve shqiptarë nga Serbia në vitet 1997-1999? Dhe, së dyti, a do të bëjë një raport të dytë Dick Marty dhe Këshilli i Evropës, pasi të përfundojnë hetimet e Gjykatës Speciale, për të treguar se në raportin e parë kanë mashtruar dhe se asgjë prej tij nuk është vërtetuar e t’i kërkohet falje kombit shqiptar dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? I bëj këto dy pyetje, sepse përgjigjen për ta e konsideroj esenciale dhe me shumë vlerë për historinë e kombit shqiptar.
Por tashmë kohët po ndryshojnë. Ne shqiptarët nuk do të lejojmë më tej që figura si zotëri Marty në bashkëpunim me Serbinë të ndërtojë skenarë për filma mafiozë me portretet e shqiptarëve, siç po tentohet. Do të kërkojmë edhe ne të na tregohet çdo gjë që ka ndodhur me njerëzit tanë, pasi zotëri Marty na mësoi se ndodhka edhe një gjë e tillë, që ata nuk qenkan marrë thjesht për t’u vrarë, por qenkan marrë për t’u shfrytëzuar për interesat e Serbisë e të Serbëve e, ndoshta, më tej me gjak e me organe jetike. Çfarë mostrash.
Studenti Dimal Bashanë John Jay College of Criminal Justice në Nju Jork, në shkrimin e tij shprehet: “… akuzat qesharake që u shpalosen në të përditshmen serbe ‘Novosti’ thonë se ‘organet e nxjerra, shqiptarët i kishin transportuar me helikopter privat në frigorifer special portativë”. Nuk duhet të na vijë turp t’u tregojmë se edhe gjysma e ‘kallashëve’ që posedonin ushtarët nuk funksiononin tamam, por sikur që të kishim helikopterë, siç pretendon ‘dëshmitarja’ për “Novosti”-n, do t’i kishim përdorur për luftë e jo për transport të organeve. Ushtarët tanë kanë vdekur për kujdesin edhe më të vogël mjekësor dhe për mungesë medikamentesh, andaj ushtria jonë nuk ka pasur mjek që të ushtrojnë operacione kaq të sofistikuara.
Një arsyetim që duket se nuk le gjë për të shtuar. Por as nuk duhet menduar se zoti Dick Marty nuk e di këtë. Ai ka informacione të plota, por nuk ka nevojë t’i shfrytëzojë ato, pasi është me shërbim dhe shërbimi i tij duhet të realizohet në interes të padronit që e paguan. Detyra e tij është që ta luftojë imazhin kombëtar shqiptar, ta luftojë imazhin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ta mbush opinionin ndërkombëtar me arsyetime të gënjeshtërta.
Nëse ne do të kishim pasur mundësi ta paguanim zotëri Martyn, ai padyshim se do ta kishte më të lehtë të punonte për interesin e shqiptarëve, pasi faktet janë në dritë të diellit. Por ne nuk e kemi bërë këtë për tri arsye të qëndrueshme: e para, se nuk kemi investuar asnjëherë për shpifje të pavërtetuara; e dyta, se nuk kishim aq para sa të paguanim një njeri të gatshëm për të bërë atë punë që bëri ky zotëri; si dhe e treta, se nuk i njohim ata tipa si i këtij zotërisë, pasi kurrë nuk jemi marrë me të tillët, punët tona gjithnjë jemi përpjekur t’i bëjmë ndershëm. Prandaj edhe nuk hezitojmë të arsyetojmë se për këtë raportin e Dik Martyt: “… është e ditur se qëllimi i tij final është prishja e imazhit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe pengimi i integrimit të saj në Bashkimin Evropian”.
Kjo mendoj se është përgjigjja për pyetjen që bëj në fillim, se a ekzistojnë e drejta dhe morali te zotëri Marty? Pasi shihet se vetëm të drejtë e të vërtetë nuk ka në praktikën e tij për këtë çështje, që është me shumë rëndësi për portretin kombëtar shqiptar, mbi të cilin ai është munduar të hedhë plehra.
Ne në ushtri kemi pasur një parim, sipas të cilit, nëse armët nuk i ke në nivelin e armëve të armikut ose më moderne e të sofistikuara se ai, nuk duhet hyrë në betejë se je i destinuar të humbasësh. Pra, armiku duhet luftuar me ato armë që të lufton. Por a duhet ne kombëtarisht të biem në nivelin e mashtruesit dhe shpifësit, në të cilin ka rënë zotëri Marty për interesat personale, pasi nuk kam dëshirë të besoj se ai ka në gjen urrejtje patologjike për shqiptarët, megjithëse mund të jetë edhe kjo, pasi vetëm gënjeshtra pa mbështetje shpirtërore nuk mund të dalë mbi të drejtën dhe të vërtetën, sepse nuk arrin të krijojë bindje të pranueshme te të tjerët, ndërsa zotëri Marty ia arriti qëllimit të marrë pas vetes gjithë Parlamentin Evropian dhe raporti i tij të bëhet raport i Evropës e të ngrihet kjo Gjykatë Speciale për t’i gjykuar për “krime” luftëtarët e lirisë që luftuan në radhët e UÇK-së, si e vetmja gjykatë në historinë botërore që gjykon mbrojtësit e viktimave. Një eksperiment i Evropës ky mbi një komb që asnjëherë nuk i ka bërë keq, përveçse e ka mbrojtur nga të gjitha invazionet e Lindjes.
Vërtet zotëri Marty, a ekzistojnë e drejta dhe morali tek ju? Sepse me raportin që keni bërë, mua që lexoi edhe literaturë serbe, më duket se nuk ekziston, pasi ju gjithçka e keni marrë prej shpifjeve serbe. Si nuk ia bëre vetes pyetjen: Çfarë ka ndodhur me mbi 2 000 shqiptarët e grabitur dhe të zhdukur nga serbët? Si ta mbushën mendjen se shqiptarët mund të jenë qengja që t’i therësh bashkë me serbët, apo këtë mendje kishe edhe vetë? A nuk e di zotëri se “shqiptarët do të jenë avokatët më të mirë për ta mbrojtur luftën e drejtë të UÇK-së…”?
***
UÇK-ja ishte ushtri që luftën e bëri para syve të të gjithë botës për t’ia dhënë kombit lirinë
Ajo ushtri që mbajti mbi shpatulla atë luftë të lavdishme që përpiqesh të na e njollosësh, nuk ishte ushtri e shfrytëzimit të kufomave. Ajo ishte ushtri që luftën e bëri para syve të të gjithë botës për t’ia dhënë kombit lirinë dhe e realizoi me shumë ndershmëri. Por ju doni t’ia zhvishni lavdinë duke shpikur monstruozitete, duke dhënë goditje të rënda me peshën e opinionit botëror, duke tentuar t’i pastrosh të dashurit e t’u serbë nga krimet që kanë bërë: “… duke viktimizuar atë që ka ushtruar gjenocidin e paparë ndaj një populli të tërë ku ende nuk dihet asgjë dhe askush nuk jep llogari për fatin e mijëra shqiptarëve të zhdukur të Kosovës nga po kjo makineri ushtarake serbe! Duke tentuar që viktima, në këtë rast shqiptarët e Kosovës, në kohën kur ishte në pyetje ekzistenca e tyre fizike në Kosovë dhe mezi arrinin që ta siguronin armatimin e nevojshëm për t’i bërë ballë makinerisë shfrenuese serbe …”, të duket sikur paska qenë ajo një forcë kriminele, që nuk paska menduar gjë tjetër vetëm si të pasurohet, kur realisht unë, duke i njohur djemtë dhe vashat luftëtare të UÇK-së, jam i bindur se në personin e secilit prej tyre nuk ka pasur asgjë tjetër përveç gatishmërisë për ta dhënë jetën në çdo çast përballë makinerisë gjakatare serbe.
Ju vazhdoni të fshiheni pas deklarimit se nuk keni gjë me shqiptarët dhe se nuk keni për qëllim ta njollosni UÇK-në, luftën e saj dhe shqiptarët në tërësi, por vepra juaj flet krejt ndryshe: “… do të duhet shumë punë për të përballuar një strategji të qartë antishqiptare, që së pari synon t’i zhvleftësojë çlirimtarët dhe udhëheqësit e Kosovës, e prej këtej vetë shtetin e ri të Kosovës. Mendoj se duhet thënë më qartë se përpjekjet e Dick Martyt dhe të tjerëve si ai, për t’i ‘institucionalizuar’ këto akuza në organizma politike ndërkombëtare, synojnë për t’iu imponuar organeve të drejtësisë, në mënyrë që këto të fundit t’i vërtetojnë akuzat e tij(?!). Gjithë këto veprime kanë pamjen e një komploti kundër pavarësisë së Kosovës dhe në analizë të fundit nuk kanë të bëjnë thjesht me akuza ndaj individësh, të cilët, po të mos ishin në udhëheqje të këtij shteti të ri, nuk do të rëndoheshin me to”.
Ju zotëri deri tani kryet një detyrë të padenjë për shoqërinë moderne. Ju me veprën tuaj hodhët gurin e rëndë për ta vrarë shtetin e Kosovës. Të jeni i sigurt se edhe gurin tuaj shqiptarët do ta përballojnë, ashtu siç kanë përballuar edhe mjaft gurë të tjerë që u kanë ardhur nëpër histori, që ju si bashkëpunëtor i serbëve dhe megafon e Serbisë e dini mirë. Por shqiptarët dinë se ju ose të tjerë si ju do të vazhdojnë edhe me tej, të tentojnë të hedhin gurë të rëndë mbi ta. Të jesh i sigurt që shqiptarët do ta bëjnë historinë e tyre në interes të tyre, sepse me ta ka qenë, është e do të jetë e drejta dhe e vërteta, ani pse ju ndërtuat një padrejtësi me pamoralësinë tuaj.
Ju me raportin që paraqitet menduat se do ta rrënoni Kosovën; ju bëni akuza duke mos deklaruar asnjë dëshmitar, por nëpërmjet deklarimeve të dëshmitarëve anonimë, që nuk dihet se çfarë janë. Ju keni deklaruar se do t’i gjeni fajtorët, pasi Kosova ta hapë rrugën duke ta miratuar edhe një Gjykatë Speciale për këtë çështje, a do ta arrish atë që ke synuar? Apo synimi yt ka qenë vetëm për të njollosur, pasi ke menduar se shqiptarët nuk do ta kenë guximin ta bëjnë këtë që bënë, ta pranonin pra Gjykatën Speciale që kërkoj Evropa? Shqiptarët dhe në radhë të parë luftëtarët e lirisë, pikërisht ata që akuzoni Ju në raport, e krijuan gjykatën sipas dëshirës suaj, sepse nuk kanë frikë, sepse besojnë në pastërtinë e veprës së tyre, sepse besojnë në drejtësinë juridike. Por ata gabuan vetëm për një shënim të thjeshtë, që pasi të gjykohen e ta marrin pafajësinë luftëtarët e lirisë, kjo gjykatë ta gjykojë e ta dënojë përpiluesin e raportit të rrejshëm dhe ata që kanë kërkuar krijimin e kësaj gjykate, si dhe t’i paguhen Kosovës të gjitha shpenzimet financiare që do të bëjë kjo gjykatë në jetëgjatësinë e saj.
Unë personalisht kam qenë dhe mbetem kundërshtar i këtij veprimi të politikës së Kosovës për miratimin e Gjykatës Speciale për të hetuar sipas deklarimeve të raportit tuaj. Dhe mbetem kundër, se nuk e honeps dot si buzëqesh i kënaqur ti me padronët e tu që të kanë paguar si megafon që të kanë. Kjo botë, zotëri Dick, nuk është vetëm për sensacione të tipit tënd. Kjo është botë moderne, u shkon problemeve deri në fund. Po pas fundit, cili do të jetë morali dhe e drejta në pësonin tënd? Skenari yt më duket se do të ketë fund të turpshëm.
Po pse thonë se: “Dick Marti gjithmonë është dëshmuar si përkrahës i flaktë i Serbisë dhe kundërshtar i hapur dhe i përbetuar i pavarësisë së Kosovës”. A është e vërtetë se pikërisht për këtë ju jeni ftuar nga Serbia, për të bërë këtë që bëtë me raportin tuaj të shfrenuar dhe pa asnjë nivel etike intelektuale, profesionale, politike, diplomatike, mediatike dhe qytetare? A është e vërtetë se ju i hytë “… këtij aksioni të porositur e, pse jo, edhe të mirëpaguar nga padroni me një qëllim të caktuar, që përmes inskenimeve profesionale t’i mbillte bëmat e krimit serb në jetën e padjallëzuar të shqiptarëve, të atyre shqiptarëve që presin mysafirin qëllimkeq Dick Martin, si mik me zemër të hapur dhe në mënyrë të sinqertë në shtëpitë e tyre të varfra por bujare, ende pa e ditur se çfarë problemi do të lindë dhe me çfarë fajesh do të ngarkohet kombi shqiptar në tërësi, nga imagjinata e sëmurë e këtij antishqiptari të përbetuar dhe improvizuesi të pakompromis”.
Unë jam i sigurt se autori i këtyre radhëve ka plotësisht të drejtë dhe na sqaron për moralin dhe të drejtën që e mbisundon raportin tënd.
Por ju, me thënë të drejtën, jeni treguar mjeshtër i përgatitjes së skenarit të këtyre shpifjeve në raportin tuaj. Megjithëse nuk besoj se jeni lodhur të shkruani, ju mendoj vetëm keni firmosur, se raportin ua kanë përgatitur dhe ua kanë dhënë të gatshëm serbët.
Një ditë në Kosovë dëgjova një tregim tronditës. Tregimi ishte kështu:
“Një qytetar serb, në një takim mes tyre, e pyet një qytetar shqiptar:
– A mundesh ti t’ia presësh kokën djalit tënd dhe ta hedhësh në oborrin tim kokën e tij, që të më akuzosh mua se ta kam vrarë djalin?
– Jo – i thotë shqiptari – një gjë të tillë nuk mund ta bëj, se nuk jam i çmendur.
– E po unë e bëj – i thotë serbi – prandaj më mirë rri larg meje”.
Ta tregova këtë episod, o zoti Marty, se realisht e ke ditur apo jo këtë mendësi, unë nuk e di, por ju realisht keni bërë të njëjtën gjë si ai qytetari serb sepse përfaqësuesit e atij janë edhe ata që të paguan për raportin, pasi edhe Ju e hodhët kokën e prerë të djalit në oborrin tonë dhe po na akuzon se ta kemi prerë ne.
Kur kam lexuar si më poshtë, me thënë të drejtën, jam befasuar, pasi nuk kam menduar se mund të arrini deri këtu: “Karakterin e dyshimtë të Dick Martit më së miri na e sqaron Abdulla Katuçi, pronari i shtëpisë së ‘Verdhë’, i cili hedh akuza të rënda ndaj këtij raportuesi të çuditshëm, kur gjatë vizitës së Dick Martit dy vjet më parë në shtëpinë e tij, po të mos e ndalonte i zoti i shtëpisë, ai tentoi me forcë të hidhte eshtra të vdekurish në brendinë e shtëpisë, për çka pronari i asaj shtëpie të instrumentalizuar për qëllime të tilla meskine, me të drejtë edhe kërkon nga shteti që të ngrehë padi kundër raportuesit të KE-së, Dick Martit, si dhe kundër ish-kryeprokurores së Hagës, Carla del Ponte, për shpifje dhe akuza të pabaza kundër viktimave shqiptare”.
Jam edhe i sigurt se shqiptari nuk e akuzon mysafirin. Ai e nderon atë. Vetëm kur e tepron rëndë, siç duket se e keni tepruar Ju në rastin në fjalë, ai reagon, por përsëri me maturi, si ky qytetari shqiptar, që thjesht nuk u ka lënë të bëni çfarë të doni ju në shtëpinë e tij dhe ka kërkuar ndihmën e shtetit. Po vërtet, si nuk ju ka ardhur rëndë ta bëni këtë zoti Marty? Kaq të vështirë qenkan serbët kur të rekrutojnë siç ju kanë rekrutuar Ju dhe ju kanë vënë detyra kaq të vështira? Por prapë mirë e keni, se kur merret një detyrë duhet kryer me çdo mënyrë, siç keni tentuar ta kryeni ju, s’ka rëndësi se kush dëmtohet.
Po ne që nuk të japim dot eshtra njerëzish në thes, si do të bëjmë? Kur do të na tregosh se ku janë eshtrat e të dashurve, të nënave e të baballarëve shqiptarë, të grave, të djemve e të vajzave shqiptare? Të na tregosh, “… për rrethanat, kushtet dhe mënyrën se si u vranë shqiptarët nga Serbia, arsyen e varrosjes dhe zhvarrosjes së disahershme të viktimave shqiptare nga kriminelët serbë, shkakun e bartjes së kufomave nga Kosova në Serbi, qëllimin e kidnapimit të mijëra shqiptarëve, sqarimin çfarë në të vërtetë ndodhi me organet e tyre dhe jetën e shqiptarëve të kidnapuar nga Serbia, pse u zhdukën dhe si humbi çdo gjurmë nga ta, ku mbetën dhe kur do të kthehen, çka ndodhi me ta dhe çfarë u bë me organet njerëzore të viktimave dhe të kidnapuarve shqiptarë, qëllimin dhe shkaqet e veprimeve të tilla, të papara e të padëgjuara në asnjë vend tjetër në botë deri më tani… si u kaluan të gjitha këto në heshtje, kur do të kemi sqarime dhe kush do të japë përgjegjësi për të gjitha këto krime ndaj shqiptarëve, nëse jo Serbia?!” Ne nuk të paguajmë për këto, ne nuk presim nga ti të na gjesh të vërtetën sepse të vërtetën, të drejtën dhe moralin, nuk i njeh. Por ne do t’i gjejmë me kohë të gjitha dhe për të gjitha haku do të shkojë tek i zoti.
Zotëri Marty, ju jeni një tregtar i zoti mostrumesh, pasi kur keni arritur t’i shisni Evropës dhe gjithë opinionit botëror aktet barbare serbe si krime të shqiptarëve, ju mund të bëni edhe shumë lloje tregtish të tjera, Zoti na ruajt, të shpresojmë të mos suleni prapë kundër shqiptarëve, se tani mos po vini e gjeni ndonjë bombë atomike, a mos o Zot ndonjë kombinat të prodhimit të armëve të dëmtimit në masë se ti, po u fute në punë, diçka gjen, pasi t’i lëshon eshtrat në shtëpi po të lanë.
VIJON …
__________________
KUDUSI LAMA: UÒªK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (V)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10377

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura