Kush është Millan Radoiçiqi?
Vjedhës veturash, i akuzuar si kidnapues i një biznesmeni nga Shkupi, i pasuruar nga kontrabanda, i lidhur edhe me grupe kriminale shqiptare, përfitues tenderësh në veri, por edhe në autostradën Prishtinë-Tiranë, njeri i besueshëm i Beogradit për ngritjen e barrikadave, pronar i restorantit Grej në Mitrovicë, i një firme në Bullgari dhe i disa firmave në Serbi, i sanksionuar nga SHBA-të. Në vijim disa dëshmi të hulumtuara nga revista serbe “NIN” mbi veprimtarinë e Millan Radoiçiqit. Dhe një analizë mbi atë se me cilët politikanë shqiptarë punoi Beogradi për ndarjen e Kosovës.
■ Millan Radoiçiq u lind më 21 shkurt 1978 në Pejë. Deri më 1999 jetoi në Gjakovë. Sipas informatave të paverifikuara ka qenë pjesëmarrës në konfliktin e Kosovës si shumica e civilëve serbë në Dukagjin, të cilët u pajisën me armë nga magazinat ushtarake.
■ Një burim i NIN potencoi mundësinë që ai në atë kohë të jetë njoftuar me gjeneralin Bozhidar Deliq, i cili vdiq në Moskë në gusht 2022. Deliq akuzohej për krime të luftës në Kosovë.
■ Pas shpërnguljes së shumë serbëve më 1999, Radoiçiqi dhe familja e tij u vendosën në Vërnjaçka Banjë të Serbisë. Aty jetoi disa vite. Para se të kthehej në veri të Kosovës, ai iu shmang arrestimit si anëtar i grupit kriminal të Leskovcit. Ky grup merrej me kontrabandë të veturave të vjedhura në relacionin Maqedoni-Serbi-Kosovë.
■ Fletarresti i parë kundër Radoiçiqit u lëshua më 2003 me zbulimin e rastit të kidnapimit të Sali Mitatit, biznesmen nga Shkupi.
■ Kidnapimi ndodhi në janar të vitit 2001 pak para shpërthimit të kryengritjes së armatosur të shqiptarëve në Maqedoni. Në atë kohë në Maqedoni, sipas mediave lokale, ishin të pranishëm instruktorët e JSO-së, njësisë për operacione speciale të Serbisë. Një e përjavshme botoi një intervistë me Millorad Ulemekun («Legija»), më vonë i dënuar për organizimin e vrasjes së kryeministrit serb Zoran Gjingjiq.
■ Kidnapimet kanë qenë shenjë dalluese e klanit të Zemunit dhe Surçinit si dhe vjedhja e veturave, para se të merrte monopolin në tregtinë me heroinë, me ndihmën e strukturave shtetërore.
■ Pas vitit 2003 në veri të Kosovës fillon të ndryshojë raporti i forcave me rritjen e ndikimit të grupit të Zvonko Veselinoviqit. Ky grup krijoi pasuri me kontrabandë me lëndë djegëse dhe vetura të vjedhura. Radoiçiqi iu bashkua kësaj pune dhe ishte i gatshëm të rrezikonte. Kështu u bë bashkëpunëtor i ngushtë i Veselinoviqit, sidomos në punët në jug të lumit Ibër, falë njohjes solide të gjuhës shqipe.
■ Pas shkatërrimit të klanit të Zemunit, i cili akuzohej për vrasjen e Gjingjiqit, Veselinoviqi u arrestua në qershor 2003 në rrugën për në Rashkë. Në veturën e tij u gjetën tre kilogramë heroinë. Megjithatë, Veselinoviqi u lirua nga akuza.
■ Në vitet në vijim ky grup shumëzoi punët, sidomos pas vitit 2004 dhe heqjes së tatimit për mallrat që shkojnë në Kosovë.
■ Millan Radoiçiqi u arrestua për herë të parë dhe të vetmen deri më tani në shtator të vitit 2009. U arrestua gjatë kontrollit rutinor të policisë rrugës për në Rashkë, bazuar në fletarrestin për kidnapimin e biznesmenit nga Shkupi. Radoiçiqi kishte letërnjoftim të falsifikuar me emrin e qytetarit malazez Jovan Kaleziq. Në deklaratën që ia dha policisë, Radoiçiqi tha se ka shfrytëzuar letërnjoftimin e falsifikuar për shkak të pjesëmarrjes në luftë më 1999. U lirua nga akuzat për shkak se i dëmtuari, i cili gjatë deklaratës së parë e njohu Radoiçiqin para gjyqit, por në ballafaqimin e radhës e ndryshoi deklaratën.
■ Në kohën e arrestimit të Veselinoviqit, Radoiçiq ishte dora e tij e djathtë dhe personi kyç për vendosjen e komunikimit me njerëz kryesorë të krimit të organizuar shqiptar dhe më vonë edhe të botës politike shqiptare.
■ Këto kontakte përveç pasurimit nga kontrabanda me benzinë në jug të Kosovës rezultuan edhe me angazhimin e firmave të Radoiçiqit dhe Veselinoviqit në ndërtimin e autostradës Prishtinë-Tiranë.
■ Gjatë përleshjeve në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë më 2011, krahas Veselinoviqit protestat i drejtoi Radoiçiqi. Pas kësaj ngjarjeve Perëndimi heq dorë nga forcat politike të cilat erdhën në pushtet pas rënies së regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Në pushtet vjen SNS e Aleksandar Vuçiqit. Tani punët Veselinoviqit dhe Radoiçiqit marrin hov në Kosovë dhe në Serbi.
■ Me nënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit dhe themelimin e Listës Serbe fillon sundimi i frikës në Mitrovicë. Në qarqet e informuara gjithnjë e më shumë flitet për njeriun nga Gjakova (Millan Radoiçiqin). Digjen zyrat e partive opozitare dhe veturat e aktivistëve opozitarë. Vrasjet brutale në rrugë mbesin të pasqaruara. Në qytet qarkullojnë informacione se Zvonko Veselinoviqi tani është duke kaluar pak kohë në Kosovë. Në vend të tij tani gjendet Millan Radoiçiqi, i cili pyetet për çdo gjë. Dhuna në rrugë dhe institucione krijon qetësi.
■ Në veri të Mitrovicës hapet restoranti Grej. Emri i Millan Radoiçiqit bëhet i njohur për qytetarët e Mitrovicës. Më 2014 Radoiçiqi themeloi disa firma, ca në emër të tij e të tjera në emër të bashkëpunëtorëve dhe miqve në Kosovë, por edhe jashtë vendit. Një nga këto firma është Garac Inzhenjering në Kjustendil të Bullgarisë, afër kufirit me Maqedoninë, ndërsa në Zveçan themeloi firmën RAD 028, pronar formal i së cilës ishte Radulle Steviq, i cili nisi të marrë tenderë në Mitrovicë dhe në komunat në veri. Kjo u bë nën patronazhin dhe kontrollin e Radoiçiqit.
■ Punohet dhe ndërtohet, por shpërthejnë edhe bomba në kantiere të sipërmarrësve që nuk janë pjesë e “sistemit”. Njëri prej tyre, Ivica Rajçiqi, u vra në Mitrovicë para shumë dëshmitarëve. Sipas dëshmive të familjes, ai para së të vritej mori disa kërcënime të hapura me vrasje.
■ Në rrugët e Mitrovicës veriore, e sidomos në rrugën “Čika Jove Zmaja”, ku gjendet restoranti Grej dhe shtabi i Millan Radoiçiqit, qytetarët gjithnjë e më shpesh shohin njerëz fytyrëvrenjtur me mjekra të gjata, shpesh të veshur me uniforma ushtarake. Ata janë garda trup-mbrojtëse e Radoiçiqit, pamja e tyre të kujton vahabistët (fanatikët islamistë).
■ Burimet e “NIN” tregojnë se Radoiçiqi ishte tepër agresiv ndaj bashkëpunëtorëve. Për këtë dëshmojnë edhe dëshmitarët e raportit të tij me krerët e Listës Serbe. Sipas tyre Radoiçiqi përdorte dhunën verbale dhe fizike ndaj tyre, madje edhe në vende publike. Zhdukja nga hapësira publike e Aleksandar Spiriqit, njërit prej krerëve të Listës Serbe dhe ish-kryetarit të Mitrovicës së Veriut, dhe sekretares së tij, gjatë gushtit të këtij viti (2023), ndërlidhen me “mosmarrëveshjen” e tij me Millan Radoiçiqin, nënkryetarin e Listës Serbe. Deri te “mosmarrëveshja” erdhi pas takimit të tyre në hotelin Grej në Kopaonik.
■ Mes viteve 2014-2017 Lista Serbe, duke përdorur dhunën mediale dhe fizike, eliminoi plotësisht çdo zë disonant në fjalën publike. Pas daljes nga burgu Oliver Ivanoviqi e gjeti qytetin nën sundimin e juntës kriminale ushtarake. Ai shprehu përbuzje ndaj Listës Serbe dhe ndaj vetë Millan Radoiçiqit, të cilin e quajti shef të qendrës joformale të pushtetit që sundon në qytet me përkrahje të Beogradit. Fushata që Lista Serbe zhvilloi kundër Oliver Ivanoviqit kulmoi më 2017 me vrasjen e Millosh Shqepanoviqit, i punësuar në firmën RAD 028. Vrasja brutale e tij u përdor për ta karakterizuar Oliver Ivanoviqin si jo-serb dhe jo-njeri. Sipas informatave jozyrtare, por të besueshme Millan Radoiçiqi do të ishte kumbarë në kurorëzimin e të ndjerit Shqepanoviq.
■ Pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit në janar 2018, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq deklaroi se kurrë nuk ka folur me Radoiçiqin dhe se nuk e njeh; deficit të ngjashëm informatash për padronin e veriut të Kosovës tregoi edhe drejtori i atëhershëm i zyrës së qeverisë serbe për Kosovë, Marko Gjuriq. U demantua nga fjalët e tij, të cilat ia përkujtoi një pjesë e intervistës me Oliver Ivanoviqin, që u botua pas vrasjes së tij.
■ Millan Radoiçiqi u emërua nënkryetar i Listës Serbe në qershor 2018, ndërsa në opinion u shfaqën fotografi të takimeve të tij me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn, i cili e përshkroi si njeri që pyetet për çdo gjë në veri. Nën drejtimin e Radoiçiqit Lista Serbe fitoi disa privilegje nga Prishtina zyrtare, siç janë vendet e punës në ndërmarrjet publike.
■ Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti dyshime se Radoiçiq ka organizuar vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ndërsa në Beograd presidenti i Serbisë Vuçiq kyçet direkt në fushatën për mbrojtjen e Radoiçiqit.
■ Në dhjetor të vitit 2021 Millan Radoiçiqi bashkë me vëllezërit Veselinoviq futet në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku përfshihen firmat nën kontrollin e tij si RAD 028, INKOP, Novi Pazar put dhe të tjera. Akuzat amerikane për krim të organizuar dhe korrupsion nuk mjaftojnë për të dobësuar përkrahjen që Radoiçiqi gëzon nga Aleksandar Vuçiqi. Firmat e Radoiçiqit vazhdojnë të punojnë pa u penguar, ndërsa pozita e tij si luftëtar për të drejtat e serbëve u forcua edhe më shumë.
■ Pas aktakuzës së re që në Prishtinë u ngrit kundër Radoiçiqit për shkak të pjesëmarrjes në punë korruptive në ndërtimin e vilave në Brezovicë, ai përsëri i shmanget arrestimit në pikën kufitare Bërnjak në shkurt 2022 dhe nga atëherë më shumë kohë kalon në Kopaonik se sa në Mitrovicë.
■ Në një analizë mbi zhvillimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, Dragisha Mijaçiqi, drejtor i Institutit për Zhvillim Territorial dhe koordinator i Grupit Punues të Konventës Nacionale (serbe) mbi Bashkimin Europian për Kapitullin 35 shkruan se më 19 shtator 2013 mes Leposaviqit dhe Mitrovicës, afër fshatit Banjskë, u vra doganieri i Eulex-it Audrius Shenaviçius. Vrasësit e Shenaviçiusit nuk janë zbuluar ende. Aleksandar Vuçiqi, atëbotë nënkryetar i qeverisë së Serbisë, deklaroi se “Serbia nuk ka të drejtë të heshtë dhe tolerojë që terroristët dhe ekstremistët të mendojnë se janë ata që mund të drejtojë Serbinë”.
■ Në prill të vitit 2013 u nënshkrua Marrëveshja e Brukselit mes Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit. Qëllimi ishte integrimi i serbëve të veriut në sistemin e Republikës së Kosovës. Meqë më 2011 Millan Radoiçiqi ishte dëshmuar si “i dobishëm” në ngritjen e barrikadave, Vuçiqi tani e shihte atë si person kyç në bindjen e serbëve të veriut për të pranuar Marrëveshjen e Brukselit.
■ Atëbotë parashikohej se Serbia do të hyjë në BE deri në vitin 2020. Për të realizuar qëllimet politike në Kosovë, Beogradi themeloi Listën Serbe. Nga fillimi person kyç i kësaj partie ishte Millan Radoiçiqi. Kur u pa se anëtarësimi në BE më 2020 ishte jorealist, Vuçiqi humbi interesimin për dialogun e Brukselit dhe nisi negociatat mbi statusin duke krijuar rrethanat për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me shqiptarë në kuptim të ndarjes së Kosovës. Për këtë qëllim u punua në ndërtimin e raporteve të mira me Edi Ramën, i cili kishte rol të rëndësishëm në realizimin e planit për ndarjen e Kosovës, pastaj edhe me Hashim Thaçin i cili duhej të përgatiste opinionin e Kosovës për pranimin e kësaj ideje.
■ Plani për ndarje nuk u prit mirë nga Angela Merkel. Kancelarja gjermane reagoi ashpër kundër tij, por edhe disa qarqe kishtare dhe intelektuale në Serbi u deklaruan kundër koketimit me këtë opsion. Refuzimi i idesë së ndarjes çoi në ballafaqimet e para mes Listës Serbe dhe institucioneve të Prishtinës. Dështimi i idesë për ndarjen e Kosovës solli ngecjen e dialogut. Pasi Washingtoni e futi Radoiçiqin në listën e zezë, Lista Serbe insistonte jo vetëm në braktisjen e institucioneve të Kosovës, por edhe në rezistencë të armatosur. Qeveria e re e Kosovës e Albin Kurtit kërkonte që serbët e veriut të pranojnë targat e automjeteve të Republikës së Kosovës. Po ashtu kjo qeveri ndaloi pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme dhe në referendum të Serbisë.
■ Dëshmia e parë e ekzistencës së grupeve të armatosura ishte shfaqja e tyre në barrikada më 31 korrik 2022 kur forcat policore të Kosovës u tërhoqën pas reagimit të ambasadorit amerikan në Kosovë.
■ Aleksandar Vuçiqi disa herë me entuziazëm ka treguar një anekdotë sipas së cilës Radoiçiqi erdhi në Mitrovicë me përcjellësit e tij dhe aty gratë e pritën me lule si çlirimtar dhe ia puthën dorën. Kjo tregonte qartë ekzistimin e grupit me persona të armatosur të cilët i udhëheq Radoiçiqi dhe qëllim i të cilëve është organizimi i rezistencës në veri të Kosovës. Ky ishte sekret që e dinin të gjithë, por pakkush kishte guxim të flasë publikisht për të.
■ Sipas ekspertit Dragisha Mijaçiq, Banjska nuk ndodhi për shkak të bindjes së grupit ekstremist të serbëve të veriut të Kosovës të drejtuar nga Millan Radoiçiqi në kauzën e drejtë të veprimeve të tyre që me fuqinë e armëve të ndryshojnë rrethanat në veri, por për shkak të mendimeve të Vuçiqit se njerëzit e tillë mund të drejtojnë fatet e Serbisë dhe të popullit serb në Kosovë.
■ Në fund të analizës së tij Dragisha Mijaçiq shkruan: “Megjithatë, duhet të jetë e qartë se ky nuk është vetëm faji i Vuçiqit. Fajtorë jemi të gjithë sepse më së lehti e kemi të fajësojmë Vuçiqin dhe Radoiçiqin derisa të gjithë të tjerët i falemi miteve të lahutarëve dhe synimeve jorealiste. Jemi fajtorë që kemi lejuar Vuçiqin dhe Radoiçiqin të luajnë me fatet tona dhe me të ardhmen e fëmijëve tanë”. Përgatiti: E.R. / Koha,net