LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS, Janar 1980 – Janar 1982 (X)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

17. Letër Sabri Novosellës, 16 qershor 1981

 Untergrupenbach, RFGJ

  16 qershor 1981

  I dashur vëlla Mërgim!

      Po të vë në dijeni se vonesa e letrave nga ana ime nuk është, as çështje harrese e as çështje e neglizhencës. Po prirem nga dëshira që kur të të shkruaj, të kem së paku diçka të rëndësishme për të të thënë.

1.   Përmes shtypit jugosllav ke mundur të informohesh për një demonstratë të fuqishme të punëtorëve tanë në Gjenevë, në të cilën qenë mbledhur më 30 maj më se 1000 punëtorë nga Zvicra e Gjermania dhe, të penguar për t’iu afruar ambasadës jugosllave, shkuan dhe demonstruan para selisë së Kombeve të Bashkuara. Kjo demonstratë i tërboi jugosllavët, të cilët këmbyen edhe replika bukur të ashpra të nivelit shtetëror me organet zvicërane, që kishin dhënë leje për mbajtjen e demonstratës. Pastaj, kur panë se s’ka gjë prej asaj pune, u kthyen në të shara e britma të egra kundër demonstrantëve gjoja se këta ishin gjysma ekstremistë (lexo: komunistë) dhe gjysma tjetër, ata të ardhur nga RFGJ, fashistë etj. Por, sido që të jetë, gjithë atë që kanë thënë deri më sot jugosllavët lidhur me demonstratat e punëtorëve kosovarë në mërgim, s’janë gjë tjetër pos klithma e përçarje të të dëshpëruarve.

2.   Një demonstratë tjetër e rëndësishme u mbajt në 13 qershor në Bruksel  të Belgjikës. E rëndësishme për këto arsye:

-e para, pas demonstratës në Gjenevë, jugosllavët kishin mundësi të ndërmerrnin ndonjë masë konkrete qoftë duke intervenuar te organet e Belgjikës, qoftë duke organizuar vetë ndonjë antidemonstratë, siç ishin kërcënuar më parë përmes Radio Beogradit (por s’e bënë dot njërën as tjetrën);

-e dyta, në Bruksel është çerdhja e emigracionit reaksionar shqiptar, i cili u përpoq, gjatë tërë kohës sa bëheshin përgatitjet për demonstratën, të ushtronte presione e shantazhe, duke kërkuar të merrnin edhe vetë pjesë në manifestimin tonë. Megjithatë, të gjitha u shkuan kot dhe demonstrata u zhvillua si është më mirë dhe në rrugën më të mbarë, edhe

-e treta, më e rëndësishmja, kjo demonstratë ndihmoi në bashkimin e mërgimtarëve të dyfishtë kosovarë, të ardhur këtu së fundi nga Turqia, të cilët më parë jetonin keq në kërcënime e shantazhe nga emigracioni i vjetër i Shqipërisë dhe me presione, që këta shqiptarë të ndershëm e patriotë të rreshtoheshin në radhët e armiqve të Shqipërisë socialiste. Jemi të bindur se të tria këto qëllime demonstrata i realizoi në një shkallë të caktuar.

3.   Teksti për traktin më pëlqeu dhe e përshkrova e po ta dërgoj. Tjetër herë për trakte të tilla më trego a është më mirë t’i shumëzoj unë këtu, sepse i fotokopjojmë mirë dhe kushton relativisht pak, apo të duket më mirë t’i fotokopjosh atje. Kësaj radhe po i shumëzoj këtu. Nëse të duken pak kopje, trego sa kërkohen dhe i bëjmë kopjet e tjera dhe sipas nevojës i shumëzojmë edhe traktet e ardhshme.

4.   Me shokun Sh. në Mynih  nuk kemi biseduar gojarisht, po vetëm në telefon. Ai tha se do të më përgjigjet brenda një kohe të shkurtër, por ende nuk është përgjigjur.

Sh.= Shaban Yldrim, Bayerstr. 5, 8000 München

5.Ndërkaq te shoku I. në Visloh ishim. Na priti mirë. Por kohën e bisedës e kishim të kufizuar, se i erdhën mysafirë të tjerë. Paske marrë vesh për një bisedë të nxehtë, që u zhvillua në banesën e tij me atë rast me disa kopukë projugosllavë. E di që nuk kam bërë aq mirë që kam folur, por, unë e pata paralajmëruar shokun I. të mos më ndalte, sepse nuk mund të durohen kur fliten  muhalife.. Pos kësaj, ja lëshova frenin vetes pak më shlirshëm, duke ditur se shoku I. nuk është aspak i varur nga Jugosllavia.

Ndërkaq te shoku I. në Visloh; Me shokun I. Jusufi e ka fjalën për

   Isa Bulan shok i Jusufit dhe Bardhoshit, me të cilin u vu në kontakt përmes lidhjeve të Jusufit në Turqi. Person që ka ndihmuar shumë, por nuk ka dashtë të paraqitet haptas dhe ka kërkuar nga Jusufi që të tjerët të mos dinë për te. Në vitet 1981-1983 ka banuar në këtë adresë:

Isa Bulan, Karl-Theodorstr. 4 D-6908 Wiesloch.

6.Përveç kësaj, unë mendoj se kjo gjë duhet të ketë pasur një efekt të mirë te shoku I. Ai e pati rastin të njihet me disa pikëpamje dhe me shkallën time të informimit; lidhur me realitetin kosovar. Po të bëj me dije se këto ditë arriti prej tij edhe shuma e të hollave që kërkoheshin prej tij.

   Shuma e të hollave=në një letër më vonë do të mësojmë se kjo shumë ka qenë

      3000 DM (tremijë marka gjermane)

   Këtë shumë nuk ia cakton Jusufi duke u nisur nga vetja, por është shumë që i është caktuar nga lidhjet farefisnore të Isës në Turqi. Këtu dua të shtoj se Isën e kam njohur edhe unë. Ka qenë person me përgatitje akademike, e ka pasur një punë shumë të mirë në Heidelberg, dhe kushte shumë të mira ekonomike. Me një fjalë, po ta përdorim një shprehje moderne, ka qenë person i rahatuem, por që, për hir të popullit, e ka mirëpritë prishjen e rahatisë nga Jusufi.

7.Ke bërë shumë mirë që më dërgove emrat e të burgosurve, ata të veteranëve të luftës sonë. Do t’ua bëjmë vendin në ndonjë material adekuat.

Skënder Blakaj, për të cilin  shtypi shkruan se e kanë larguar nga puna, është në burg që nga data 12 maj. Kjo duhet të na japë të kuptojmë se në mos të gjithë, atëhere shumica e atyre për të cilët flitet se janë larguar nga puna, në realitet janë të burgosur.

8.   Tani më lejo

-të dalim te një nga çështjet më të rëndësishme për momentin aktual, pra,

te çështja e bashkimit të vërtetë

-të të gjitha forcave të mbara revolucionare.

9.Unë,

-kohën e fundit,

-me qëllim të mirë,

-i kam  dhënë vetes të drejtë të të dekonspiroj ty tek një person,

te ai shoku i “Lirisë”, me të cilin kemi bashkëpunuar qe disa kohë.

    Jusufi me precizitetin më të madh shkruan se ia ka tregua Kadri Zekës emrin e Sabriut. Kjo do të thotë se nuk ia ka treguar personave tjerë shpifës e gënjeshtar si Ibrahim Kelmendi.

   Pas prishjes së bisedimeve në Stamboll në mes Kadri Zekës e Sabri Novosellës në mesin e tetorit 1981 e kthimit të Kadri Zekës në Duseldorf më 16 tetor 1981, Kadriu i tregon Ibrahim Kelmendit se Jusufi e ka një shok të rëndësishëm në Turqi. Pas këtij takimi Kadri Zeka dhe Ibrahim Kelmendi zhvillojnë fushatë kundër Jusufit e Sabri Novosellës. Si përgjigje në këtë fushatë shpifëse është pos tjerash letra që Jusuf Gërvalla ia dërgon Ibrahim Kelmendit më 15 janar 1982. Këtu nuk kemi nevojë të shkojmë më tutje. Kur t’i vjen radha letrës së 15 janarit 1982 do të ndalem në hollësi në këtë çështje.

10.Ai, duke nxjerrë konkludime nga puna e

-Organizatës së tij dhe nga ajo e

-LNÇK, sidomos nga organi ynë “Zëri i Kosovës”,

ka ardhur në këtë përfundim:

-sipas të gjitha gjasëve, edhe

LNÇKVSH edhe Marksistë-leninistët e Kosovës

janë dy degë të të njëjtit trung.

   Hydajet Hyseni:Qysh në bisedën e parë që kishte zgjatur gjithë natën deri në mëngjes, ata jo vetëm kishin gjetur te njëri tjetri shokun e ardhshëm të kauzës e idealit, por edhe kishin konstatuar se në të vërtetë organizatat që përfaqësonin ata vepronin mbi bazë të së njëjtës platformë politike, dhe se ishin degë të shkëputura të të njejtës rrënjë.“) (“Therror në themelet e Bashkimit”; Rasim Selmanaj, Heroi me Kitarë, Prishtinë 2007, f. 28)

11.Një patriot revolucionar,

-i cili prej kohësh qenka në burg

(ai thotë se nuk është fjala për Ademin, por për dikë tjetër),

qenka përgjegjës për ndërprerjen e kontakteve mes anëtarëve të vjetër të organizatës së hershme me anëtarët e krahut të ri të kësaj organizate.

12.Kështu që,

-pjesa e vjetër e asaj organizate (të përbashkët)

-ka ndjekur një rrugë të caktuar dhe

-sot ka arritur deri te emri Marksistë-leninistët e Kosovës,

-kurse krahu i ri, duke mos marrë kontakt me kohë me anëtarët e vjetër,

-qenka zhvilluar në Lëvizjen e sotme Nacionalçlirimtare të Kosovës.

-Për këto konkludime ai merr për bazë pikërisht organin “Zëri i Kosovës”,

-të cilin Marksistë-leninistët e paskan pasur gjithashtu organ të vetin për një kohë të gjatë (sidomos që nga viti 1974, thotë ai,

-paskan dalë disa numra të këtij organi).

13.Në rast të tillë,

-sipas mendimit të tij,

bashkimi i organizatave tona jo vetëm që nuk është i vështirë,

por është puna më e natyrshme.

14.Lidhur me këtë,

-ai ka një propozim konkret,

-të cilin ia kam aprovuar edhe unë,

-nëse pranon ti:

-të vijmë së bashku ai e unë te ti dhe

-ta ndriçojmë po qe e mundur këtë çështje.

-Fitimi, besoj, do të kish qenë i madh.

Ai është një shok i mirë dhe mjaft i pjekur.

-Por, në qoftë se ti ngul këmbë që nuk duhet t’i hymë fare kësaj  pune,

-atëhere ashtu edhe do të bëhet.

   Kur Jusufi flet, në njëjës, për shokun e revistës Liria apo të OMLK-së duhet pasur parasysh gjithmonë se e ka fjalën vetëm për Kadri Zekën dhe asnjë tjetër.

  Edhe një çështje tjetër me shumë rëndësi. Po ky shoku i “Lirisë”, i cili lidhjet me shokët në Kosovë i mban rregullisht, tash së fundi na njofton sesi nga Kosova i paska ardhur porosia që tash e tutje të mos ngulim më këmbë në kërkesën për përfshirjen e tokave shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi brenda republikës së Kosovës, por të kufizohemi vetëm me statusin e republikës për territorin e sotëm të Krahinës Autonome të Kosovës, sepse gjoja, po të paraqitet kështu çështja, paska njëfarë mangësie për realizimin e kësaj kërkese. Ai shton se gjoja sugjerime të tilla u paskan arritur nga instanca të rëndësishme të atdheut.

   Unë paraqita kundërshtimin tim kategorik. Në mos qe tradhti e hapët, një lëshim i tillë, thashë unë, atëhere është një politikë e ligë konjukturale, të cilën vështirë se do të na e falte populli i pezmatuar, sidomos shqiptarët e viseve jashtë Krahinës, që janë në rrezik edhe nga asimilimi i madh.

    Ndarja me pika (1-14) e mësipërme në këtë letër është bërë nga unë. Ndarja me pika (1-4) e pjesës së mëposhtme është bërë nga Jusufi.

      Tani  prej  teje pres përgjigje të prerë për sa vijon:

  1. A e aprovon ardhjen time bashkë me atë shokun,

-lidhur me sqarimin e çështjes së përmendur,

-apo se lejon.

  • Pas “pështjellimeve” rreth titullit të organit “Zëri i Kosovës”,

-a të duket e udhës që organit tonë të ardhshëm t’i vëmë një titull tjetër?

Unë mendoj se titulli duhet ndërruar.

3) A duhet të pranojmë edhe ne, sikundër ata të  “Lirisë”, solucionin e republikës vetëm për territorin e sotëm të Krahinës së Kosovës?

  • -A mendon se duhet edhe më tutje,

-pas këtyre njoftimeve,

-ta vazhdoj bashkëpunimin me shokun në fjalë (Kadri Zekën-shën. i Xh.D.),

-apo të punoj vetëm,

-duke iu kushtuar kryekëput punëve të LNÇKVSH  dhe të organit të saj të ardhshëm?

   Të lutem t’i analizoni hollësisht këto çështje me shokë dhe

-të më përgjigjeni sa më parë që të jetë e mundshme.

      Të fala vëllazërore Sokoli

(VIJON)

© Pashtriku.org

______________________________

LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS

Janar 1980 – Janar 1982 (XI)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

Total
0
Shares
1 comments
  1. кворк прогон хрумером
    Если Вы хотите, чтоб Ваш сайт привлекал как можно больше посетителей,
    то нужно, чтоб он был не только полезным и удобным, но и хорошо оптимизированным для поисковиков.

    то потребует немало усилий и затрат,однако если хотите
    здорово ускорить процесс и ощутимо
    поднять сайт в результате выдачи,
    то можно использовать.
    Таким образом Вы можете не
    только быстрей получить желаемый результат, но и даже сэкономить время
    и деньги.

    ДЛЯ СВЯЗИ С НАМИ ПИШИТЕ В СКАЙП
    ЛОГИН POKRAS7777
    ЛИБО В логин @pokras777 НАША ГРУППА В ТЕЛЕГРАММ

    b5JjiwV5-3

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura