LULZIM BASHA, NJË NGA NDËSHKUESIT E GJENERALËVE TË UÇK’së

Pashtriku.org, 25. 03. 2014 – (Lulzim Basha shpallet “Qytetar Nderi” i Deçanit) – Dje, (më 24 mars), në 16 vjetorin e Epopesë së UÇK’ës në Dukagjin, dhe në 15 vjetorin e bombardimit të NATO’s kundër forcave serbe në Kosovë – Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, njëkohësisht edhe kryetar i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, është shpallur Qytetar nderi i komunës së Deçanit. Në sallën e Asamblesë Komunale të Deçanit, kryetari i komunës Rasim Selmanaj, gjatë kësaj ceremonie ka vlerësuar lartë personalitetin e liderit të së djathtës në Shqipëri dhe kreun e Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha. Ndërsa Lulzim Basha pasi e ka pranuar titullin “Qytetar Nderi”, Kryetarit të Komunës së Decanit z. Rasim Selmanaj i drejtohhet me këto fjalë: “Unë ju falënderoj për këtë nderë të madh. Ju them se sot po ndjehem njëri prej jush, ndonëse, përherë jam ndjerë pjesë e familjës së madhe të shqiptarëve të Kosovës, si nip Kosove, nip Peje. Ky nder i veçantë përulësisht më zgjon ndjenjën e veçantë të përgjegjësisë, si i zgjedhur i bashkisë së kryeqytetit, si qytetar i Tiranës, si shqiptar, një ndjenjë e madhe përgjegjësie për të merituar plotësisht vlerën, domethënien e nderit të veçantë që më bëni sot”.


Për më tepër shikoni Videomaterialin:

Po kush është në fakt Lulzim Basha?!

Lulzim Xhelal Basha i lindur më 12 qershor 1974 në Tiranë, është politikan shqiptar, ish’Ministër i Brendshëm, ish’Ministër i Jashtëm dhe ish’Ministër i MPPT i Shqipërisë dhe deputet i Legjislaturës XVIII të Kuvendit të Shqipërisë. Në zgjedhjet e 8 majit 2011, ai fiton garën për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Familja e Lulzim Bashës është me prejardhje nga Drenica e Kosovës, pasi gjyshi i tij, në vitet e 40’ta të shekullit të kaluar detyrohet të ikë nga Kosova pas torturave serbe. Ai është jurist i specializuar në të drejtën Euopiane dhe Ndërkombëtare Publike në Universitetin e Utrechtit në Holandë.
Aktiviteti politik i Lulzim Bashës
2007 – 2009 Ministër i Jashtëm.
2005 – 2007 Ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
Gjatë periudhës maj – korrik 2005 vepron si Zëdhënës i Fushatës Zgjedhore 2005.
Nga maji i vitit 2005 dhe në vazhdim është anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Nga prilli i vitit 2005 dhe në vazhdim është anëtar i Këshillit Kombëtarë të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Nga janari i vitit 2005 dhe në vazhdim vepron si Koordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave në Partinë Demokratike në Tiranë. Përgjegjës për koordinimin e punës së ekspertëve dhe komisioneve të KOP në përgatitjen, diskutimin dhe shpalljen e 17 projekt-platformave qeverisëse nga KOP për Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Gjatë periudhës Nëntor 2002 – Janar 2005 veproi si Këshilltar Special për Tranzicionin. Departamenti i Drejtësisë UNMIK, Prishtinë, Kosovë. Përgjegjës për përgatitjen e tranzicionit të Departamentit të Drejtësisë të UNMIK’ut drejt një Ministrie të Drejtësisë të Kosovës. Përfshinte përgjegjësitë për hartimin e plan-veprimit dhe mbikqyrjen e fazave të zbatimit të këtij plani.
Gjatë periudhës Tetor 2001 – Nëntor 2002 vepronte si Zëvendës Shef i Kabinetit të Drejtorit të Departamentit të Drejtësisë UNMIK.
Gjatë periudhës Korrik 2000 – Tetor 2001 ushtronte detyrën – Këshilltar Ligjor në Departamentin e Drejtësisë të UNMIK’ut.
Gjatë periudhës Maj 1998 – Korrik 1999 ishte pjesëtar i skuadrës së hetimit të krimeve të luftës nga forcat serbe në Kosove: Tribunali Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi.
Në prill 2011, Lindita Çela, ka botuar një artikull për përfshirjen e Lulzim Bashës në hetimin për “krime të UÇK’së” të bazuar në librin e ish’kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte.

***********************************************

LULZIM BASHA, NJË NGA NDËSHKUESIT E GJENERALËVE TË UÇK’së


Gazeta “Le Temps”, Baraybar dhe Lulzim Basha.

Disa muaj më parë, mediat i bënë jehonë një interviste të antropologut Jose Pablo Baraybar, të botuar tek gazeta zvicerane “Le Temps”. Baraybar njihet prej publikut si një prej ekspertëve të përfshirë në hetimin e atyre që përfliten si krime të UÇK’së, apo historia e “shtëpisë së verdhë”. Ky hetim famëkeq për shqiptarët, i kryer prej një skuadre ku merrnin pjesë ekspertë ndërkombëtarë të punësuar pranë UNMIK’ut dhe pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në ish’Jugosllavi, edhe pse ende nuk ka prodhuar asnjë përfundim serioz e të besueshëm, ka pasur jehonë në media ndërkombëtare, po edhe në institucione të ndryshme të angazhuara në rajon. Bëhet fjalë pikërisht për hetimin, të cilit iu referua Carla del Ponte, ish’ kryeprokurorja e Hagës, në librin e saj, sipas të cilit në luftën në Kosovë rezulton që shqiptarët të kenë bërë po aq krime sa edhe serbët, edhe pse këta të fundit siç dihet, ishin të organizuar në represionin e tyre e në qëllimin për të spastruar etnikisht atë territor që historikisht ka qenë i banuar prej shqiptarësh. Prej hetimeve të tilla ka marrë spunton dhe raporti kontrovers i zviceranit tjetër, Dick Marty’t, raport që tashmë është bërë shkak për nisjen e hetimeve të reja nga ana e EULEX’it. Për raportin Marty dhe për historinë e “Shtëpisë së Verdhë” është folur gjatë, e palët interpretojnë sipas interesave, mirëpo, sipas Baraybar’it, e jo vetëm sipas tij, në ekipin e hetuesve që ka “zbuluar” atë çka pretendohet se ka ndodhur gjatë luftës, pra vrasje e tortura të kryera nga ana e UÇK’së, ka qenë dhe Lulzim Basha. Sipas Baraybarit, Basha ka qenë me të në veri të Shqipërisë, si përkthyes e si jurist. “Basha e njeh dosjen, ai e ka pasur atë”, – ka thënë antropologu peruan publikisht tek gazeta “Le Temps”. E menjëhershme ka qenë përgjigjja e Lulzim Bashës, që ishte Ministër i Brendshëm në momentet kur u botua intervista e Baraybar’it, e kur sapo kishte nisur diskutimi: Basha mohoi të kishte qenë pjesë e hetimeve, edhe pse në CV’në e tij shkruhet se bash në atë kohë ai ka qenë në shërbim të Gjykatës Ndërkombëtare e të UNMIK’ut, dhe detyra e tij ka qenë pikërisht ajo: të shoqërojë ekipet hetimore, si përkthyes nga shqipja në anglisht dhe anasjelltas, dhe si jurist.

(Lexoni: Baraybar: Lulzim Basha ka qenë me mua në Kukës, por jo si përkthyes!
http://lajmetshqip.com/baraybar-lulzim-basha-ka-qene-me-mua-ne-kukes-por-jo-si-perkthyes/ 

*  *  *

Fred Abrahams: Basha personalisht ka hetuar informacionet për vendet e këtyre burgosjeve në Veri të Shqipërisë!

Fred Abrahams

Pas deklaratës së Bashës, pati dhe një reagim tjetër, nga mjeku nga Kosova, Tefik Gashi, edhe ai pjesëtar i ekipeve që kanë marrë pjesë në hetim. Gashi gjithashtu dëshmon për praninë e Bashës në hetimet në fjalë. Një tjetër konfirmim erdhi dhe nga Human Rights Watch, përmes përfaqësuesit të tyre Fred Abrahams. Në një deklaratë publike të kësaj organizate ndërkombëtare Abrahams pohon se Basha ka qenë në dijeni të hetimit, edhe pse në deklaratat e tij Basha tha se s’ka dëgjuar kurrë për këtë hetim. “Ai ka punuar për Gjykatën dhe Departamentin e Drejtësisë pranë UNMIK’ut pas luftës, dhe personalisht ka hetuar informacionet për vendet e këtyre burgosjeve në Veri të Shqipërisë”, – tha Abrahams në deklaratën e tij publike. Por, për publikun shqiptar mbetet e paqartë situata e përfshirjes së Bashës në hetimin që çoi më vonë deri te deklaratat e Del Pontes e deri te raporti i Dick Martyt, edhe pse një gjë dihet me siguri: Basha nuk ka dëshmuar përmes publikimit të ndonjë dokumenti zyrtar mospërfshirjen e tij. Ai ka refuzuar pohimet e Baraybarit, Gashit dhe Abrahamsit duke thënë se këto janë shpifje, pasi ai ka punuar vetëm si ekspert për tranzicionin e Zyrës Ligjore të UNMIK’ut drejt Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë, edhe pse CV’ja e tij tregon që ka qenë i angazhuar edhe si përkthyes e si oficer ligjor (jurist) pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në Ish’Jugosllavi dhe UNMIK’ut.

Lulzim Basha ka qenë pjesë e grupit të hetuesve, si në rastin e Fatmir Limajt, ashtu dhe në atë të Daut Haradinajt…
Ndërkohë që është duke bërë fushatë për Bashkinë e Tiranës, Basha i detyrohet publikut më shumë transparencë mbi të shkuarën e tij, duke pasur parasysh sensitivitetin që rrethon çështje të tilla. Përfshirja në “çështjet delikate”, Limaj, Haradinaj etj. Njerëz që kanë punuar me Bashën tregojnë se në vitet e para pas luftës ai ka qenë pjesë e ekipit të përkthyesve për Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në ish’Jugosllavi, ndërkohë që punonte edhe për hetuesit e departamentit ligjor të UNMIK. Basha fillimisht ka qenë thjesht përkthyes, po më pas, falë përkushtimit në punë dhe përgatitjes si jurist, ka marrë pjesë edhe në përpilimin e dosjeve, edhe në përgatitjen e padive që hapën disa procese tepër të famshme gjyqësore.
Mes tyre, proceset ndaj disa prej komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së sapodalë nga lufta. Ndër ta, mund të përmendim Fatmir Limajn dhe Daut Haradinajn. Të dy gjeneralët e UÇK’së, që sot janë deputetë në parlamentin e Kosovës, u akuzuan pas lufte për krime, u hetuan nga ndërkombëtarët, e u dënuan, ndërkohë që Lulzim Basha ka qenë pjesë e grupit të hetuesve, si në rastin e Limajt, ashtu dhe në atë të Haradinajt. Në rastin e Fatmir Limajt, historia dihet prej shumëkujt në Prishtinë. Lulzim Basha ka qenë pjesë e grupit që ndërtoi dosjen për të, për Haradin Balën dhe Isak Musliun. Të tre drejtuesit e UÇK’së u transferuan në Hagë në 2003, me kërkesën e Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Ish’Jugosllavi, mbi ta rëndonin akuza që mund t’i mbanin gjatë pas hekurave, akuza të cilat janë renditur edhe nga Lulzim Basha. Fatmirësisht, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës i rrëzoi akuzat, dhe vendosi të lirojë gjeneralët e UÇK’së që qenë dërguar në burg edhe me ndihmën e bashkatdhetarëve të tyre.

Lulzim Basha ka qenë pjesë e grupit që ndërtoi dosjen për Fatmir Limajn, për Haradin Balën dhe Isak Musliun!
Në rastin e Daut Haradinajt çështja është më pak e njohur për publikun shqiptar. Daut Haradinaj, vëllai më i ri i Ramush Haradinajt, ka qenë një prej komandantëve të parë të UÇK’së, i angazhuar në luftë që prej fillimit të organizimit të UÇK’së, bashkë me Adem Jasharin, Rexhep Selimin, Abedin Rexhën etj. Daut Haradinaj ka qenë komandant i UÇK’së për zonën e Dukagjinit, një prej njerëzve më të respektuar për atë që ka bërë gjatë luftës në Kosovë, një prej luftëtarëve më heroikë. Por në 2002, si pasojë e një hetimi të gjatë të Departamentit për Drejtësi të UNMIK’ut, Daut Haradinaj, së bashku me katër luftëtarë të tjerë dërgohen në burg, për krime gjatë luftës. Në përkthimin e dëshmive të tyre, si edhe në përpilimin e dosjes, ka marrë pjesë edhe Lulzim Basha, që po ngjiste shkallët e karrierës në po këtë Departament të UNMIK’ut. Daut Haradinaj, si pasojë e këtij procesi, u dënua dhe bëri tre vjet burg në Kosovë, për të dalë më pas nga burgu edhe më i rehabilituar, duke u bërë kohët e fundit deputet në Kuvendin e Kosovës.
Lulzim Basha ka qenë përkthyes gjatë hetimit të çështjes së “Shtëpisë së Verdhë!
Veç këtyre dy rasteve, në Prishtinë e dinë që Basha, por edhe të tjerë të ardhur prej Republikës së Shqipërisë për të punuar me UNMIK’un e me ndërkombëtarët, kanë marrë pjesë në hetimin e luftës për çlirimin e Kosovës. E trishtueshme është që këto hetime kanë rezultuar në përbaltjen e kësaj lufte, gati-gati duke barazuar serbët me shqiptarët sa i përket krimeve, edhe pse realiteti ka qenë ndryshe, e të gjithë e dimë se shqiptarët kanë luftuar kundër një regjimi kriminal, me të drejtën e plotë për të mbrojtur veten, njerëzit e tyre dhe atdheun. Por sot shumë pak flitet për këtë dimension të pasluftës: për ndihmën e vetë shqiptarëve për të ndëshkuar UÇK’në. Sigurisht, mund të thuhet që Basha ka bërë punën e tij. Ai është sjellë si “profesionist” i ftohtë, ka çuar deri në fund punën që i është besuar nga shefat e tij, pa hezituar të marrë pjesë në proceset që hodhën baltë mbi luftën e shqiptarëve të Kosovës, duke barazuar rezistencën e një populli ndaj shtypjes së organizuar të një ushtrie shtetërore e duke hetuar e gjykuar ata që, të ndodhur në kushte të pazakonta, po bënin çmos për të ruajtur tokat prej të cilëve po shpërnguleshin, e njerëzit e tyre, të cilët po përndiqeshin e po vriteshin.
Nuk ka vend për gjykim moral në rastin e Bashës, profesioni është profesion. Ama edhe transparenca duhet bërë mbi aktivitetin profesional, në mënyrë që publiku të ketë mundësi të vlerësojë sa më plotësisht me votën e vet kandidatin. Një ish’koleg i Bashës na tregon se detyra e tyre ka qenë të merreshin me të gjitha çështjet e hetimit që janë hapur nga gjykata ndërkombëtare e Hagës, sa i përket krimeve të luftës. Madje, për këtë qëllim është krijuar edhe stafi, i drejtuar nga Elizabeth Press, në vartësinë e së cilës ka qenë dhe Lulzim Basha. Elizabet Press ishte shefe e rekrutimit të gjykatës së Hagës dhe nën drejtimin e saj janë punësuar shqiptarët përkthyes të prokurorëve që nisën hetimet e luftës në Kosovë. Nga fundi i vitit 1999 deri në vitin 2002 janë përpiluar të gjitha dosjet e hetimeve për krime luftë, dhe stafi i zyrës së rekrutimit të gjykatës së Hagës ka qenë pjesë e përpilimit të të gjitha akuzave me të cilat përballen edhe sot ish luftëtarët e UÇK’së në Kosovë. “Ishte detyra jonë. E për këtë duhet të lëviznim nga Prishtina, në Pejë dhe Mitrovicë. Këtë punë ka bërë kushdo, edhe Lulzim Basha”, – na tregon ish’përkthyesi që ka punuar për zyrën e Elizabeth Press.

Një nga dokumentet e UNMIK’ut, ku figuron emri i Lulzim Bashës!

Përkthimet për pjestarët e kësaj zyre kanë nisur nga hetimet e Fatmir Limajt e deri tek “Shtëpia e Verdhë” në Kukës. Antropologu Jose Pablo Baraybar, që ka qenë pjesë e ekipeve hetimore, është shprehur publikisht se Basha ka qenë përkthyes gjatë hetimit të çështjes së “Shtëpisë së Verdhë”, që ka rezultuar në deklaratat famëkëqija të Del Pontes dhe tek raporti i fundit i Dick Marty’t, por Lulzim Basha e ka hedhur poshtë këtë pretendim, duke thënë publikisht se nuk ka qenë kurrë përkthyes për këtë çështje. E vërteta sërish qëndron pezull, gjithsesi mbetet i vlefshëm fakti që Lulzim Basha duhet të lejojë shqyrtimin e të kaluarës së tij, madje duhet të ndihmojë dhe vetë për sqarimin e publikut sa i përket përfshirjes së tij në këto çështje kaq sensitive për shqiptarët. Si figurë publike që është, tani që kandidon për një nga postet më të rëndësishme në Shqipëri, ai i detyrohet pak më shumë transparencë votuesve të tij potencial.
Basha nuk ka qejf të shprehet për aktivitetin e tij në Kosovën e pasluftës
Ka një periudhë të jetës së Lulzim Bashës, për të cilën nuk shkruhet shumë. Madje, as vetë ish’ministri që ka mbajtur tre nga portofolat më të rëndësishëm të qeverisë shqiptare, atë të Ministrisë së Transporteve, të Jashtmes dhe të Brendshmes, nuk ka qejf të shprehet për atë periudhë. Bëhet fjalë për periudhën përpara vitit 2005, para se Lulzim Basha të angazhohej zyrtarisht me Komitetin e Orientimit të Politikave, organin elektoral të PD’së në zgjedhjet e atëhershme. Zyrtarisht, në CV’në e ish’ministrit që tashmë kandidon, shkruhet se deri në 1998 ai ka përfunduar studimet në Universitetin e Utrecht’it në Holandë, me gradën Master i së Drejtës (Ligj).Në vitet 1998 – 99, ai deklaron se ka punuar për Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në ish’Jugosllavi, në 2000-2001 ka qenë Këshilltar Ligjor pranë Departamentit të Drejtësisë së UNMIK’ut, në 2001-2002 zëvendësshef i kabinetit të Drejtorit të Departamentit të Drejtësisë, e më pas, deri në 2005, ka punuar si këshilltar special për tranzicionin (ligjor) pranë së njëjtës zyrë, e cila po përgatitej të shndërrohej në Ministri të Drejtësisë në Kosovë. Mirëpo gjatë viteve të fundit, me të marrë përsipër një rol më politik në Shqipëri, mediat kanë filluar të publikojnë edhe disa hipoteza të tjera mbi të shkuarën e Bashës. Disa prej tyre e kanë shqetësuar vërtet ish’ministrin e Berishës, i cili disa herë ka bërë dhe deklarata jo shumë të qarta në lidhje me aktivitetin e tij në Kosovë.
Lulzimi së paku në 6 muajt e parë të qëndrimit në Kosovë është shoqëruar vetëm me ndërkombëtarë, madje i shmangej të folurit shqip!
Po cila ka qenë jeta e Bashës në Kosovën e pasluftës?
A ka ndonjë arsye për mosndriçimin e asaj periudhe të jetës së kandidatit për Bashkinë e Tiranës?
I riu ambicioz që erdhi nga Holanda Lulzim Basha është rekrutuar prej Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Ish’Jugosllavi kur sapo kish përfunduar studimet, ende pa ndonjë eksperiencë pune në profesionin e tij. Miq të tij gjatë periudhës së shkollimit në Holandë, tregojnë që Basha dallohej për ambicien e tij, sidomos në marrëdhëniet me pedagogët. Jo rrallë Bashën e ftonte për darkë dhe vetë dekani i Universitetit, që me sa duket e ka pasur për zemër djalin nga Shqipëria. Ish’kolegë të Bashës tregojnë që Lulzimi së paku në 6 muajt e parë të qëndrimit në Kosovë është shoqëruar vetëm me ndërkombëtarë, madje i shmangej të folurit shqip. Sokol Zogaj aktualisht zyrtar i lartë në Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë, tregon se deri vonë të gjithë mendonin se Lulzim Basha duhet të qe ndonjë i huaj, sepse askush nuk e kishte dëgjuar të fliste shqip.
Një tjetër ish’koleg i Bashës, që ka qenë me të edhe në Utrecht, dhe më vonë në Kosovë, thotë e justifikon mosfoljen e shqipes si një dukuri normale, pasi, sipas tij, duke qenë se si studentë të sapodalë nga shkolla, po përpiqeshin të ndërtonin një karrierë në UNMIK, kjo varej më së shumti prej shefave, që ishin të kombësive të ndryshme, por asnjëherë shqiptarë. Por, duke qenë se ishte punësuar për hetimet e krimeve të luftës, Basha nuk mund t’i shmangej çdo kontakti me vendasit. Puna e tij nënkuptonte midis të tjerash edhe përkthimin nga shqipja në anglisht të hetimeve të deponuara nga dëshmitarët, si dhe dëshmitë e të paditurve, kështu që “ndërkombëtari” Basha, pas disa muajve u mor vesh se qe shqiptar. Gjithsesi, djali i shkolluar në Holandë vijoi të kalonte pjesën më të madhe të kohës me ndërkombëtarë. Në rrethin e tij shoqëror gjatë 5 vjetëve të kaluar në Kosovë hynë shumë pak shqiptarë, dhe ata kryesisht nga Shqipëria.
Në këtë grup miqsh bënin pjesë edhe mikesha e tij Argita Berisha-Malltezi (vajza e kryeministrit Sali Berisha), i shoqi, Jamarbër Malltezi, Edit Harxhi, Albana Vokshi, Florion Mima, si edhe kunati i vetë Bashës, Erion Isufi. Ky grup, si edhe disa shqiptarë të tjerë që punonin pranë UNMIK’ut asokohe, vijojnë të jenë dhe sot një rrjet individësh, të cilët gjatë vjetëve kanë dëshmuar që kanë ditur të bëjë shumë punë, në favor e në të mirë të njëri-tjetrit. Pak janë ish’kolegët e Bashës që ende vijojnë të punojnë në Kosovë, e ata që kanë mbetur hezitojnë të flasin. Ndoshta pse është fushatë elektorale. Po ç’të keqe mund të ketë vallë të tregosh për publikun historitë rinore të një nëpunësi të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK)? Për më tepër që të gjithë miqtë e tij, në anonimitetin e tyre imponues, tregojnë se Basha i ri ka qenë një djalë elegant, gjithnjë i kujdesshëm për pamjen e tij, e nga buza e tij nuk shqitej kurrë buzëqeshja. Por s’besojmë se arsyeja pse Basha i fshihet të shkuarës së vet është thjesht buzëqeshja e tij.

Basha lëvizte i shoqëruar e i siguruar prej rojeve ndërkombëtare!
Sot në Prishtinë, një pjesë e mirë e miqve të tij që punonin me të janë tashmë pjesë e administratës së shtetit shqiptar, ose janë përfshirë në sipërmarrje biznesesh përkëtej kufirit. Ata të paktë që kanë mbetur në Prishtinë, ende i ruajnë lidhjet e forta me Lulzim Bashën. Sokoli që sipërcituam, funksionar i lartë i ministrisë së Drejtësisë së qeverisë së Kosovës, që për disa vite ka punuar në departamentin e drejtësisë në të njëjtin institucion me Lulzim Bashën. “Njihej si një djalë i bukur, që hynte dhe dilte në zyrën e UNMIK’ut si në pasarelë, e grave aty u mbahej fryma sa herë djaloshi kalonte nëpër korridore”, – tregon. Një tjetër shtetas shqiptar që ka punuar si përkthyes në zyrën e drejtuar nga Elizabet Press, e që sot ka një karrierë të suksesshme në Kosovë, nuk ruan ndonjë shije të mirë për djaloshin nga Shqipëria.
Arbeni na thotë se Basha që prej asaj kohe shoqërohej vetëm me miqtë që e kanë ndihmuar fort për të qenë në krye të politikës shqiptare. Sipas tij, orët e lira në Prishtinë Basha i shpenzonte kryesisht me Argita Berishën, Jamarbër Malltezin, Edit Harxhin dhe Linda Baletën, si edhe me disa ndërkombëtarë. Asokohe, edhe pse Kosova ishte e shkatërruar prej luftës, jeta e natës në Prishtinë ofronte shumëçka. Një ekonomi e tërë e zbavitjes e ngritur rreth parave që shpenzonin ndërkombëtarët e punësuar në UNMIK e në KFOR, një oaz luksi në mes të një shkretëtire mjerimi. Në këtë qytet ku bashkëjetonin dy standarde krejt të ndryshme jetese, Lulzim Basha natyrisht që ka preferuar jetën e rehatshme. I akomoduar në një banesë të marrë me qira në një prej zonave më të shtrenjta në Prishtinë, menjëherë përballë hotel “Grand”, Basha lëvizte gjithnjë brenda një zone të kufizuar, aty ku jetonin ndërkombëtarët. Edhe kur lëvizte, për të shoqëruar ekspeditat hetimore, si përkthyes e më pas si nëpunës i UNMIK, Basha lëvizte i shoqëruar e i siguruar prej rojeve ndërkombëtare.
Në një deklarim publik të pasurisë së vet Basha ka argumentuar se nga puna e bërë nga vitit 1999-2004 në UNMIK ka pasur të ardhura rreth 80.000 euro në vit (diku tek 6800 euro në muaj). E në fakt, me këtë rrogë ia dilte të justifikonte një jetë krejtësisht të shpenguar në Kosovë. Vetëm për banesën e marrë me qira, një pallat përballë hotel “Grandit”, në Prishtinë, ka paguar rreth një mijë euro në muaj. Edhe sot e kësaj dite apartamentet e pallatit në fjalë vazhdojnë të jepen me qira, kryesisht për të huajt, por e zonja e apartamenteve, si shumë të tjerë, heziton të flasë për Lulin kur mëson se ne jemi gazetarë. Ajo justifikohet e thotë se nuk i mban mend ish’klientët e saj, që kanë qenë kryesisht të huaj. “Këtu kanë hyrë dhe kanë dalë shumë njerëz, ndër ta mund të ketë qenë dhe Basha, por përveç dhënies së apartamentit me qira, ne nuk kemi pasur marrëdhënie të tjera”, – tregon pronarja e shoqërisë “City Berry” që menaxhon pallatet përballë hotel “Grandit”, në zemër të Prishtinës. Por Bashën e mban mend berberi i lagjes që e ka dyqanin shumë pranë hyrjes së pallatit. Si të gjithë berberët, ai nuk heziton të mburret me faktin që ka qethur e ka rruar djalin simpatik që ngjiti papritur me një kërcim të vetëm shkallët e karrierës në Shqipërinë mëmë. Pak metra më andej ndodhen ndërtesat ku kanë qenë zyrat e UNMIK’ut, aty ku Basha ka shërbyer për rreth katër vjet. (Lindita Çela, Tiranë, 20. 04. 2011)

==========================================

(Përgatiti: Kryeredaktori i pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura