MAQEDONIA – KRIZA E IDENTITETIT

MAQEDONIA – KRIZA E IDENTITETIT

Nga Xhelal Zejneli, Shkup 13. 07. 2022

Maqedonia e Veriut 16 vjet ndodhet në sallën e pritjes të BE-së, për ta marrë datën e fillimit të bisedimeve. Për t’i filluar Shkupi bisedimet aderuese me BE-në, duhet t’i plotësojë gjashtë kërkesat e Bullgarisë:

– përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut;

– çështja që ka të bëjë me emrin e shkurtër dhe të gjatë të Republikës së Maqedonisë së Veriut;

 – parandalimi i gjuhës së urrejtjes kundër bullgarëve në RMV;

– rehabilitimi i viktimave bullgare në periudhën e komunizmit në Maqedoni, kur kjo ishte pjesë e federatës jugosllave;

– vazhdimi i punës së Komisionit të përbashkët të historisë; dhe

– deklaratë e qartë për mospërzierje në punët e brendshme rë Bullgarisë.

A mund palët të arrijnë kompromis kur çështjet e sipërthëna janë të ngarkuara nga politika dhe nga historia.

1. Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e RMV-së – Në ligjin themelor të vet, RMV-ja i përmend shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit dhe romët, por jo edhe bullgarët. Për t’u realizuar kjo kërkesë bullgare, duhet të ndryshohet kushtetuta. Për t’u ndryshuar kushtetuta, nevojite 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të RMV-së. Partia djathtiste dhe nacionaliste VMRO-DPMNE e cila ka 39 deputetë, e kundërshton fuqimisht çdo lëshim ndaj Bullgarisë, kështu që për t’u ndryshuar kushtetuta, do të duhej të votonin të gjitha partitë e tjera të përfshira në kuvend. Sipas regjistrimit të vitit 2002, rreth 1.500 vetë në Maqedoni janë identifikuar si bullgarë etnikë. Sipas parashikimeve për regjistrimin e vitit 2021, në RMV ka mbi 3.000 bullgarë. Por pala bullgare thotë se në RMV jetojnë rreth 120.000 bullgarë. Në këtë numër janë përfshirë të gjithë qytetarët e RMV-së të cilët vitet e fundit kanë marrë pasaporta bullgare. Disa mund ta kenë bërë këtë për të udhëtuar në mënyrë të lirë në Evropë. Sipas Sofjes, bullgarët në RMV u nënshtrohen maltretimeve, ndaj detyrohen ta fshehin përkatësinë etnike të tyre. 

2. Mospërzierja në punët e brendshme të Bullgarisë – Pala bullgare kërkon nga Shkupi të mos e shtrojë çështjen e njohjes së pakicës maqedonase në Bullgari. Në regjistrimin e popullsisë të vitit 2001, të kryer në Bullgari, si maqedonas etnikë janë identifikuar 5.071 vetë, ndërsa në atë të vitit 2011 vetëm 1.654 vetë. Organizata të ndryshme politike dhe kulturore maqedonase në Bullgari pohojnë se e drejta e tyre për përcaktim etnik është kufizuar në mënyrë sistematike. Sipas tyre, kjo është bërë me qëllim të asimilimit të tyre. Organizatat maqedonase në Bullgari thonë se organet bullgare refuzojnë t’i regjistrojnë. Për 14 raste të tilla Bullgaria është dënuar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas regjistrimit të vitit 1946, në Bullgari 160.541 vetë janë deklaruar si maqedonas. Shtrohet pyetja: Ç’është nënkuptuar me fjalën “maqedonas” në vitin 1946 dhe ç’kuptohet me të sot? Në vitin 2017, Sofja dhe Shkupi nënshkruan Marrëveshje për miqësi dhe fqinjësi. Të dyja palët u morën vesh që të mos përzihen në punët e brendshme të njëra-tjetrës. U dakorduan që çështja e pakicave të zgjidhet sipas standardeve të BE-së dhe të KB-së. A do t’i përmbahet Sofja marrëveshjes së sipërthënë për pakicat apo do të ngulë këmbë që Shkupi të heqë dorë nga ideja se në Bullgari ka pakicë maqedonase.  

3. Forma e shkurtër apo e plotë e emrit Maqedoni e Veriut – Çështje kontradiktore është edhe shkrimi i emrit të Maqedonisë së Veriut. Sofja insiston që në të gjitha dokumentet zyrtare emri i Maqedonisë të shkruhet si Republika e Maqedonisë së Veriut. Sipas Sofjes, me këtë do të saktësohet se nuk është fjala për rajonin gjeografik të Maqedonisë dhe për  pjesën veriore të saj e cila ndodhet në territorin e Bullgarisë, por fjala është shtetin. Kjo çështje përbënte thelbin e mosmarrëveshjes 27-vjeçare midis Maqedonisë dhe Greqisë, gjë që përfundoi me ndryshimin zyrtar të emrit, duke ia shtuar atij fjalën “Veriut”. Për këtë u ndryshua edhe kushtetuta e shtetit. Dikur sipas Athinës, ndërsa sot sipas Sofjes, RMV-ja në një moment të caktuar, me emrin e vet mund të paraqesë kërkesa territoriale ndaj vendeve ku shtrihen pjesë gjeografike dhe historike të rajonit të Maqedonisë. Shkupi pohon se është i gatshëm të ofrojë  garanci me shkrim se emri nuk implikon kurrfarë pretendimesh territoriale ndaj Bullgarisë.

4. Rehabilitimi i viktimave të komunizmit në periudhën kur Maqedonia ndodhej në kuadër të federatës jugosllave – Sofja kërkon rehabilitim për të gjithë bullgarët të vrarë nga qëndresa komuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore, e pastaj nga regjimi komunist pas ardhjes së tij në pushtet dhe shpalljes së Maqedonisë si republikë në kuadër të Jugosllavisë. Sipas Sofjes, regjimi jugosllav ka ushtruar terror të madh ndaj qytetarëve me vetëdije bullgare. Kjo gjendje është rënduar sidomos pas ndërprerjes së marrëdhënieve midis BRSS-së dhe Josip Broz Titos (1892-1980), në vitin 1948. Pas mbarimit të Luftës II Botërore, në rajon u vendosën regjime komuniste. Marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Jugosllavisë u zbutën. Në vitin 1946 Sofja i dërgoi në Shkup mbetjet mortore të Goce Delçevit (Kukush, Maqedoni e Egjeut, sot në Greqi, 1872 – Banicë, Maqedoni e Egjeut, sot në Greqi, 1903), të vrarë në vitin 1903 në fshatin Banicë, Maqedoni e Egjeut, sot në Greqi, gjatë përplasjeve me ushtarët turq. Goce Delçevi nderohet si hero kombëtar, si në Maqedoni, ashtu edhe në Bullgari. Me fjalë të tjera, të dy shtetet e konsiderojnë hero kombëtar të vet.    

Por, pas viti 1948, kur Jugosllavia i prishi marrëdhëniet me Stalinin, raportet me Sofjen u përkeqësuan dhe kjo zgjati me dekada. Në Maqedoni, sipas Sofjes, pason përndjekja e bullgarëve etnikë, burgosja e tyre, dërgimi nëpër kampet e përqendrimit, nënshtrimi torturave, madje edhe vrasja e tyre në rrethana të paqarta. Kjo është bërë në përputhje me synimin e Beogradit për debullgarizimin e zonave. Sigurimi shtetëror i Jugosllavisë, i njohur si Sektori i Mbrojtjes së Popullit (OZNA) i ka përndjekur bullgarët si armiq të federatës jugosllave. Në vitin 2008 Maqedonia miratoi Ligjin për lustrim me të cilin do të mund të zbuloheshin edhe pjesëtarët e policisë sekrete të implikuar në përndjekjen e bullgarëve. Duhet shtuar se pothuajse të gjithë arkivat e dikurshëm të policisë sekrete ruhen në Serbi. 

5. Vazhdimi i punës së Komisionit dypalësh për historinë e dy vendeve – Ky komision ishte segmenti kryesor i Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë të vitit 2017. Në vitin e parë të punës ky komision bëri një përparim të caktuar lidhur me historinë mesjetare. Puna e tij u ndal kur u shtruan çështjet që kishin të bënin me fundin e shekullit XIX dhe me fillimin e qindvjeçarit XX. Pati mosmarrëveshje lidhur me faktin në ka qenë Goce Delçevi bullgar apo maqedonas. Sipas palës bullgare, historianët maqedonas refuzojnë ta vazhdojnë punën bashkërisht. Në anën tjetër, historianët maqedonas thonë se ndaj tyre ushtrohet trysni politike. Pasoi vetoja bullgare për fillimin e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut për integrim në BE. Sofja e fajëson Maqedoninë e Veriut se nuk dëshiron t’i njohë faktet historike, ndërsa Shkupi kërkon që për çështjet historike të vendosin ekspertët, pa trysni nga lartë.

Shumë figura historike, si të kohës së mesjetës, ashtu edhe të fundit të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX, përvetësohen nga të dyja palët. Car Samoilin e përvetësojnë, si Shkupi, ashtu edhe Sofja. Përvetësohen prej të dyja palëve edhe personalitete të lëmit politik, letrar, kulturor, publicistik. Car Samoili apo Car Samuili ka lindur në Sofje të Bullgarisë në vitin 958, ndërsa ka vdekur në Prespë të Maqedonisë, në vitin 1014. Për historianët maqedonas, Samoili ka qenë sundimtar maqedonas i mesjetës. 

Një prej çështjeve kryesore të pazgjidhura ka të bëjë me identitetin maqedonas dhe me gjuhën maqedonase. Bullgaria nuk e njeh dhe nuk e pranon gjuhën maqedonase. Për të hyrë RMV-ja në Be, kjo çështje patjetër të zgjidhet. Sipas Sofjes, maqedonishtja është në të vërtetë dialekt i gjuhës bullgare. Kjo është diçka të cilën nuk do ta kishte pranuar asnjë maqedonas.

Sa i përket identitetit maqedonas, pala bullgare thotë se kjo çështje është fryt i propagandës jugosllave. Apo identiteti maqedonas është formuar natyrshëm dhe paralel me atë bullgar!?

Sipas Shkupit, kërkesat e Sofjes nuk janë veçse reflektim i politikave asimiluese bullgare nga e kaluara deri më sot dhe se Bullgaria, gjatë Luftës II Botërore e ka pushtuar një pjesë të madhe të Maqedonisë së sotme. Në anën tjetër, Bullgaria nuk e sheh veten si fuqi pushtuese. Përveç kësaj, Sofja në asnjë mënyrë nuk pajtohet me formulimet e sotme në tekstet shkollore të historisë në RMV, siç janë: “forcat pushtuese fashiste bullgare”, duke pohuar se ajo vetëm ka administruar një territor gjatë kohës së luftës.  

6. Parandalimi i gjuhës së urrejtjes ndaj Bullgarisë dhe bullgarëve – Kjo është një prej kërkesave kryesore që i ka paraqitur Bullgaria në dy vitet e fundit. Sofja e fajëson Maqedoninë e Veriut se lejon dhe nuk ndërmerr asgjë për ta parandaluar gjuhën e urrejtjes ndaj Bullgarisë dhe bullgarëve etnikë. Sipas Sofjes, kjo gjuhë e urrejtjes është përhapur në shoqërinë maqedonase që nga koha e Jugosllavisë, ndërsa me rastin e formimit të shtetit të Maqedonisë në vitin 1991, pasqyra e armiqve bullgarë është përdorur për forcimin e identitetit kombëtar maqedonas. Sintagma “forcat pushtuese fashiste bullgare” nuk është asgjë tjetër, përveç se gjuhë e urrejtjes. Shkupi pajtohet që termin “forcat pushtuese fashiste bullgare” ta zëvendësojë me termin “forcë pushtuese fashiste”, por Sofja nuk pajtohet me kaq. Ajo kërkon që ky term të zëvendësohet me një përkufizim më të butë: “administrimi bullgar”. Për historianët maqedonas, termi “forcë pushtuese fashiste” është përkufizim relevant për arsye se atëherë Bullgaria ka qenë aleate e Gjermanisë naziste dhe se gjatë “administrimit” bullgar qenkëshin vrarë mijëra njerëz. Përveç kësaj, Sofja thotë se në RMV janë dëmtuar një numër i madh përmendoresh bullgare, përfshi edhe rastin e fundit të shkatërrimit të varrezave të ushtarëve bullgarë të Luftë së Parë Botërore në qytetin e Kavadarit. 

Për t’u zgjidhur këto çështje, të dyja palët duhet të bëjnë kompromise

*   *   *

Kontesti midis Shkupit dhe Sofjes, është më kompleks se ai që ishte midis Shkupit dhe Athinës. Këtu kemi të bëjmë drejtpërsëdrejti me mohimin e gjuhës maqedonase dhe të  historisë maqedonase. Kur mohohen këto dy vlera, atëherë vihet në dyshim identiteti një populli.

Gjatë zgjidhjes së kontestit midis Athinës dhe Shkupit, shqiptarët u treguan të matur dhe vepruan në mënyrë konstruktive. Edhe në mosmarrëveshjen e përtashme të Sofjes dhe të Shkupit, shqiptarët duhet të jenë të matur dhe duhet të marrin qëndrim konstruktiv. Mosmarrëveshjen midis sllavo-maqedonasve dhe grekëve, shqiptarët e konsideronin si çështje e këtyre dy popujve. Po kështu duhet ta konsiderojnë edhe kontestin midis Sofjes dhe Shkupit. Pra, si çështje ndërmjet sllavo-maqedonasve dhe bullgarëve. Faktori shqiptar e mbështet zgjidhjen e problemit të sipërthënë, si  mundësi e vetme që Maqedonia e Veriut të përfshihet në BE. Bujar Osmani është i përfshirë në procesin e zgjidhjes së kontestit ndërmjet Shkupit  dhe Sofjes, jo vetëm si shqiptar, por edhe si funksionar i shtetit apo si ministër i Punëve të Jashtme. Me fjalë të tjera, ai vepron kryesisht, d.m.th. sipas detyrës zyrtare. Zgjidhjen e kontestit ndërmjet Sofjes dhe Shkupit, shqiptarët e mbështesin në shkallë kombi. Pikërisht për këtë, shqiptarët në gadishull gëzojnë aureolën e popullit paqeruajtës, paqedashës dhe stabilizues.

Zgjidhja e kontestit të sipërthënë e rrit qëndrueshmërinë e RMV-së dhe të rajonit, si dhe parandalon ndikimin apo penetrimin e Moskës në këtë vend dhe në gadishull.

Propozimi francez në asnjë mënyrë nuk e vë në dyshim, as gjuhën maqedonase, as edhe identitetin e popullit maqedonas. Protestat që i organizon para Kuvendit të RMV-së dhe para Ministrisë së Jashtme, VMRO-ja opozitare, nuk janë hap i drejtë, as i arsyeshëm. Në protestat e mbrëmjes së 5 korrikut u lënduan 47 policë, dy prej të cilëve – rëndë, ndërsa 11 protestues u arrestuan. Kjo është parti konservatore, nacionaliste dhe antishqiptare. Kjo parti s’e ka mendjen te organizmat euroatlantikë. Aq i bëhet për NATO-n dhe për BE-në. Mirëpo 700.000 mijë shqiptarë në RMV nuk mund të jenë peng i një partie retrograde dhe anakronike, siç është ajo. Kjo farë VMRO-je ishte kundër Marrëveshjes së Ohrit, të nënshkruar më 13.08.2001, kundër Marrëveshjes së Prespës, të nënshkruar më 17.06.2018, kundër zyrtarizimit të Universitetit të Tetovës, që u realizua në vitin 2004, kundër riorganizimit territorial të Maqedonisë, të realizuar në vitin 2004, kundër të drejtës së përdorimit të flamurit shqiptar, që u arrit më 27.07.2005, kundër zyrtarizimit të gjuhës shqipe, që u arrit më 14.01.2019. Gjithmonë kundër dhe vetëm kundër. Ithtarët kësaj partie të pareformuar kanë brohoritur “vdekje shqiptarëve”, “shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”, “dhoma gazi për shqiptarët”, “Avioimpex” – aludim për aeroplanin “JAK 42” që u rrëzua në afërsi të Ohrit më 20.11.1993, me ç’rast humbën jetën 116 vetë, pothuajse të gjithë shqiptarë. Për do ish-ministra të kësaj partie, shqiptarët nuk ishin veçse “indianë”.

Për Marrëveshjen e Prespës, kjo parti e fajësoi LSDM-në për tradhti të lartë. Si pasojë, në zgjedhjet vendore të mbajtura më 17.10.2021, LSDM-ja mezi ia doli të fitojë në jo më shumë se gjashtë bashki të vogla. Edhe sot, VMRO-ja e fajëson LSDM-në për tradhti kombëtar, duke shpresuar se do ta mposhtë edhe në zgjedhjet parlamentare. Por, VMRO-ja duhet ta dijë se zgjidhja e kontestit midis RMV-së dhe Bullgarisë nuk është çështje partiake apo çështje grumbullimi votash dhe rrëmbimi pushteti. Maqedonia e Veriut, njëherë e mirë duhet t’i zgjidhë çështjet e hapura, si brenda, ashtu edhe me fqinjët e saj. Si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, RMV-ja dhe rajoni ndodhen në krizë të thellë – ekonomike, sociale dhe morale. I pret një dimër i acartë. Prandaj, veprimet e VMRO-së nuk janë veçse akt destruktiv dhe irracional. Politika bëhet në kuvend dhe jo në rrugë. Nga politika populiste përfiton vetëm Vladimir Putini. Vandalizmin në sheshin e Shkupit e mbështet vetëm Moska dhe askush tjetër.

Athina e zgjidhi problemin me Shkupin. Kisha Ortodokse Serbe, përkatësisht Beogradi, për t’i dalë në ndihmë Shkupit përballë Sofjes, më 24.05.2022 e njohu autoqefalinë e Kishës Ortodokse Maqedonase. Tani Shkupin e kushtëzon Bullgaria. Po shqiptarët!? Çështja shqiptare në Ballkan është komplekse. Përveç kësaj, faktori shqiptar në Maqedoni, nuk ka poseduar determinatë historikë. dhe sociologjikë të mjaftueshëm për të imponuar kërkesa politike. Popujt socialë nuk arrijnë lehtë të mira politike.

Edhe autoritetet e BE-së sigurojnë se me propozimin francez, gjuha maqedonase dhe identiteti i popullit maqedonas, assesi nuk vihen në dyshim. Është mirë që në zgjidhjen e kontestit ndërmjet Sofjes dhe Shkupit, në rolin e tertium interveniens të angazhohet Uashingtoni.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura