MARGARITA SYZIU: NJË BUQETË ME POEZI PËR 7 DHE 8 MARSIN

Toronto (Kanada), 7 mars 2021:
Motive nga “Andra e Jetës”
(Kushtuar motrës time, Antigoni Sota, mësueses së letërsisë, që për 35 vjet e dha këtë lëndë me pasion dhe me një dashuri të veçantë. Si dhe gjithë mësuesve të letërsisë që na ushqyen me vlerat e letërsisë sonë kombëtare.)

Në ëndërr
Ndre Mjedën pashë
S’mu shfaq as si mësues
As si deputet
As si atdhetar i flaktë
Thjesht një famullitar
Me zhgunën e zezë
Deri në grykë mbërthyer
Ulur mbi një gur
Si mbi një varr
Kapuçin mbi kokë shtrëngoi
E “Andrrës së Jetës”
Ia nisi me mall
“Molla t’kputuna nji deget,
Dy qershiza lidhun n’një rrfanë,
Ku fillojnë kufijt’ e Geget,
Rrinë dy çika me nji nanë”.
Sytë nga malet i hodhi
Lugina e bukur përballë
Tek shtegu një Zanë e vogël i doli
Zoga! Thërriti famullitari
E zëri i ëmbël i Zogës e drodhi
“Cice! Del se erdh murgjina,
E mbrapa po vjen Trina,
Me j’qingj të sykës ngrykë”.
Trina…Trina…
Famullitari heshti
Po Zoga nuk rreshti
Te shtegu kish dalë
E nënës i thërriste
“Cice, shka ka sot Trinka,
Qi po priton me u çue,
Zgjoje, të dalë me mue…
Bij’ mos e prek,
Se njomja, tash,
Asht tu folë me Zojën…”
Oh! Trina, Trina…
Famullitari thellë psherëtiu
E lotët i rrodhën ngadalë
S’i fshiu
U zgjova edhe unë në lot
E Trinën nga mendja
S’e nxirrja dot

Pashë…

Një fushë me lule dielli
Pashë
Me Diellin
Kuvendonin
Një tufë me trëndafila
Pashë
Dikujt ia dhuronin
Një kopsht me lule bore
Pashë
Mermereza që ndriçonin
Një rresht të gjatë fëmijësh
Pashë
Me maska mbërthyer
Vetëm sytë dallonin
Kërkova për mimoza
Mungonin

 

Mbas shiut
Pikëzat e ujit mbi degëza qëndrojnë
Perla nuset në gjerdan i venë
S’kisha parë të tillë bukuri
Lotë gati në të rënë

 

Donna
Grua do të thotë
Në njërën nga gjuhët
Më të ëmbla në botë
Donna
Rreze dielli
Donna
Aromë luleje
Donna
Jetë
Ngjyra përtej magjikes
Sa bukur tingëllon
Donna
Në gjuhën e muzikës
Në gjuhën e shenjtë
Dantja i këndoi Beatriçes
Donna
E brishta
E forta
Fisnikja
Përkthehet me germat
E shqipes

 

Jam…
Jam grua
Jam nënë
Jam diell
Jam hënë
Jam mike
Jam motër
Jam vajzë e vogël
Jam bijë
Jam bijë
Jam brenda fëmijë
Jam ajër
Jam ujë
Jam dritë
Errësirë
Jam toka e gërryer
Jam ëndërr e thyer
Jam brengë
Brengë
Jam plagë e mbyllur
Jam plagë që dhemb
Jam ylli që bie
Jam lulja mbi shkëmb

 

Ego
Ti ike
Udhë e mbarë
Kohë e keqe për largim
S’e besoj
Ikur ke qenë edhe më parë
Ikur me egon tënde
E dashura jote plot zjarr
E plotfuqishme
Ajo gjakun ta trazonte
Të ngrinte në krahët e saj
Atje ku Uni triumfonte
Të hidhte në skuta të errëta
Ku drita s’depërtonte
Të mbyllte në vrima të zeza
Torturën ta shijonte
Të linte të lirë
Që prapë t’ia fillonte
I lodhur
Tek pragu t’i shfaqej si përherë
Pendesë e thellë
Drithërimë
Dera e hapur
Mosbesim
Ego
Kjo dashuri e marrë
Torturë e pandalë
Nuk ka shpresë për shërim
E pra
Udhë e mbarë miku im

 

Unë edhe Ti
Dy shina që ndahen
Në një pikë
Me ngarkesën e trenave
Mbi shpinë
Unë edhe Ti
Dy shina të hekurta
Mbi dy lumenj biblikë
Kuq e Zi
Unë edhe Ti
Dy shina të ndara
Në përjetësi

 

Sikur…
Sikur të isha bletë
Nektarin nuk do ta bëja mjaltë
Melhem do ta bëja
Për shpirtrat e vrarë

Sikur flutur të isha
Bukuria mendjen
S’kish për të ma marrë
Virtytit krahët do ia shtrija

Sikur të isha zog
Dallëndyshe
A pëllumb i bardhë
Veç lajme të mira do ju sillja

Sikur burrë të isha
Gruas
Himn do t’i ngrija
_________________________
MARGARITA SYZIU: KOSOVË 2021 (POEMË)
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=10896

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura