MEHMET HAJRIZI: ÇËSHTJA SHQIPTARE DHE LËVIZJA KOMBËTARE E KOSOVËS (3)

Pashtriku, 19 mars 2019: 1.1 Çështja e Kosovës
Populli shqiptar i Kosovës, është pjesë e kombit të tërësishëm shqiptar dhe jeton në trojet e veta që nga parahistoria. Shqiptarët e Kosovës përbëjnë një popull autokton, të formuar gjatë historisë, me gjuhën, me doket e zakonet, me historinë e kulturën, me traditën e individualitetin e tij kombëtar. Kosova gjatë gjithë historisë së saj është detyruar të luftojë me armiq të shumtë për ruajtjen e identitetit etno-kulturor, për liri dhe mbijetesë.

Dardanisë antike, shteti i së cilës shtrihej deri në Adriatik dhe Jon 2, pas sundimit shekullor romak, pushtimi serb, i cili zgjati gati tre shekuj mesjetarë, kishte arritur t’ia ndërronte emrin ilir në atë sllav, Kosovë, por jo themelin etnik. Po ashtu ajo i rezistoi romanizimit dhe serbizimit të egër. Sundimi pesëshekullor turk (osman – sh.b), jo vetëm nuk e tjetërsoi Kosovën, por i pranoi asaj njëfarë subjektiviteti, duke e quajtur fillimisht Sanxhaku i Kosovës dhe më vonë, Vilajeti i Kosovës.
Kosova, historikisht as etnikisht kurrë nuk ka qenë serbe, por Fuqitë e Mëdha botërore, më 1913 e kanë shkëputur nga tërësia territoriale shqiptare dhe dhunshëm ia aneksuan kreaturave shtetërore serbo-jugosllave. Çështja e Kosovës gjenezën e ka në politikën aneksioniste, pushtuese e ekspansioniste serbomadhe, prandaj ka karakter kolonial. Ajo lindi me Traktatin e Shën Stefanit dhe në Kongresin e Berlinit më 1878, kur fillon copëtimi i tokave shqiptare dhe mori kuptimin e plotë e tragjik në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1912-1913, kur mbi gjysma e territorit dhe popullit shqiptar hyri dhunshëm nën administrimin serb, malazez dhe grek. George Fred Williams 3, me ndjenjë dhembjeje konstatonte se “Ata prenë copa me rëndësi nga toka Shqiptare dhe ia dhanë fqinjëve në Veri, në Jug dhe në Lindje, duke shkaktuar kështu ngatërresa dhe luftëra të përditshme në mes të këtyre shteteve. Copën që mbeti nga gërshëra e tyre e quajtën shteti i pavarur i Shqipërisë”. Më tej, në mënyrë profetike ai parashihte se “Për t’u dhënë fund gjithë padrejtësive mund të përdoret vetëm e drejta”.4

Dardania në zemër të Ilirisë

Synimet aneksuese ndaj Kosovës, Beogradi i ka mbështetur në mitin serb për Betejën e vitit 1389 dhe në monumentet kulturore, historike e fetare, që i kishte ngritur aty gjatë pushtimit mesjetar të kësaj krahine. Por arsyet e vërteta qëndronin në pasuritë e Kosovës dhe në pozitën e saj strategjike në rajon. Duke shkruar për pozitën shumë të favorshme gjeografike të Kosovës, studiuesi bullgar Karastojanov ka theksuar: “Kjo është arsyeja kryesore që Kosova të luajë një rol të rëndësishëm në historinë e Ballkanit, sepse hapësira e saj gjeografike ka vlerë të madhe gjeopolitike. Për këtë, jo pa arsye pushtimi i Kosovës ka qenë qëllim strategjik, si i carëve bullgarë, ashtu edhe i perandorëve bizantinë, mbretërve serbë dhe sulltanëve turq. Ai që kontrollon Kosovën, do të kishte kontroll mbi hyrjet strategjike për në Bosnjë dhe Shqipërinë e Veriut dhe do të kërcënonte lidhjet mes Serbisë dhe rajonit Maqedono-Egje. Kosova gjithashtu ka qenë në qendër të politikës pushtuese të perandorëve austriakë”.5
Me ndarjen e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nga trungu i Shqipërisë, fillon armiqësimi shekullor midis shqiptarëve dhe regjimeve pushtuese sllave. Noel Malcolm ka vërejtur se “… ishte politika e imponuar nga lart prej qeverive të Serbisë dhe Malit të Zi, që nga çasti i parë i pushtimit të Kosovës më 1912, që krijoi armiqësinë sistematike dhe urrejtjen në një shkallë të atillë, çfarë nuk kishte ekzistuar kurrë në këtë rajon”.6
Populli shqiptar kishte rezistuar fuqishëm kundër politikës së ndarjes së atdheut, sidomos në epokën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1883), por raporti i Fuqive të Mëdha të kohës, si atëherë edhe më vonë, ishte në favorin e fqinjëve grabitqarë të tij. Ministri i Jashtëm britanik, Grei, i vetëdijshëm për vendimin e padrejtë ndaj kombit shqiptar dhe trojeve të tij më 1913, e arsyetonte atë me interesat e paqes në Evropë, megjithëse edhe ajo u prish shumë shpejt me Luftën e Parë Botërore.
Në vazhdën e këtyre proceseve antihistorike dhe kundër paqes e drejtësisë, do përmendur Traktatin e Fshehtë midis Fuqive të Mëdha të Bllokut të Antantës në Londër, më 1915, me të cilin sërish rrezikohej seriozisht pavarësia dhe integriteti territorial i shtetit shqiptar dhe Konferencën e Paqes në Paris, më 1919, e cila, përkundër proklamimit me bujë të parimit demokratik të kombësisë dhe të vetëvendosjes së popujve, kombin shqiptar dhe trojet e tij i la të ndarë, kurse Shqipërinë e vuri nën mandat të huaj. Më vonë u verifikuan edhe kufijtë ndërkombëtarë të Shqipërisë me një territor të rrudhur skajshmërisht, me të cilin “…të paktën 500.000 shqiptarë për shkak të caktimit keqdashës dhe të pjesshëm të kufirit shqiptaro-serb, kanë mbetur jashtë…”.7
Shqiptarët kërkonin shpëtim nga Perëndimi, me të cilin historikisht ishin të lidhur, që nga Gjergj Kastrioti e më parë. Sër Eduard Grei thoshte se kombet e Evropës do të jenë të lirë të formojnë sipas dëshirës vetëqeverimin e tyre e t’i prijnë vetë përparimit të vet në liri të plotë; ky ideal yni përfshin pa përjashtim gjithë kombet e Evropës, të vegjël e të mëdhenj.8
Por, ky ideal evropian dhe as pikëpamja e SHBA- së, e thënë nga Presidenti Wilson për të drejtën e vetëvendosjes së popujve në mbarim të Luftës së Parë Botërore, nuk u përfill për shqiptarët, të cilët mbetën një komb i ndarë.
E majta politike, që si reflektim i ideve të Marksit e Engelsit, dhe në shekullin XX edhe të Leninit, po përhapej në Ballkan e Jugosllavi, u bë njëfarë shprese për shqiptarët, sepse me pompë premtonte të drejtën e vetëvendosjes së popujve, deri në shkëputje. Lenini, i cili kishte bërë publik Traktatin e fshehtë të Londrës të vitit 1915, për vetëvendosjen shkruante: “Gjithë kombeve duhet t’u njihet e drejta që të shkëputen lirisht dhe të formojnë një shtet të pavarur. Mohimi i kësaj të drejte dhe mosmarrja e masave që ta garantojnë zbatimin e saj në praktikë, do të thotë përkrahje e politikës së pushtimeve dhe të aneksimeve” 9
Partia Komuniste e Jugosllavisë këtë të drejtë ia njihte popullit shqiptar në Jugosllavi. Në dokumentet e saj më 1928 thuhej se “Partia deklaron solidaritetin e punëtorëve dhe të fshatarëve revolucionarë, të kombeve të tjera të Jugosllavisë në radhë të parë të Serbisë, në Lëvizjen Kombëtare revolucionare të personifikuar në Komitetin e Kosovës dhe i bën thirrje klasës punëtore që ta ndihmojë në të gjitha mënyrat luftën e popullit shqiptar të copëtuar dhe të shtypur për pavarësi dhe për një Shqipëri të bashkuar”10
Dobrica Qosiq, njëri nga intelektualët nacionalistë serbë, në ditarin e tij politik, më vonë ka shënuar: “Shqiptarët aspirojnë bashkimin kombëtar, atë që me shekuj në botë dhe në Evropë është konsideruar qëllim demokratik dhe i natyrshëm, d.m.th. e drejta e bashkimit me amën e vet, bashkimin në një shtet të vetin shqiptar”.11
Gjatë LDB, PKJ, nëpërmjet shefit të saj, J. B. Tito, vazhdonte të mbante premtimin për vetëvendosje. Kjo e drejtë dukej akoma më e besueshme, mbasi sanksionohej fuqishëm edhe në Kartën Atlantike. Populli shqiptar u hodh në luftë krah për krah me partizanët serbë e jugosllavë, duke besuar më në fund në drejtësi dhe shpërblim. Nisur nga këto parime dhe nga fitorja mbi fashizmin, udhëheqja e Lëvizjes Nacionalçlirimtare e Kosovës në Shar, më 6 nëntor 1943 mori vendim që të organizohet Konferenca e Parë e Këshillit Popullor Nacionalçlirimtar të Kosovës dhe Dukagjinit, e cila zhvilloi punimet më 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944, në Bujan të Malësisë së Gjakovës. Në fund të kësaj mbledhjeje të parlamentit të Kosovës, 49 delegatë, përfaqësues të shqiptarëve dhe serbëve nga të gjitha pjesët e Kosovës, miratuan njëzëri Rezolutën, në të cilën veç tjerash shkruante: “Kosova dhe Dukagjini janë vise të populluara kryesisht me popullin shqiptar, i cili si gjithmonë ashtu edhe sot dëshiron të bashkohet me Shqipërinë… Andaj e ndiejmë për obligim të vëmë në pah rrugën e vërtetë që duhet të ndjekë populli shqiptar për të realizuar aspiratat e veta. Rrugë e vetme që shqiptarët e Kosovës dhe Dukagjinit të bashkohen me Shqipërinë është lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorit e shërbëtorëve të tij, sepse kjo rrugë e vetme determinon për fatin e vet me të drejtë për vetëvendosje deri në shkëputje. Garanci për këtë është UNÇJ si dhe UNÇ e Shqipërisë, me të cilën është e lidhur ngushtë. Veç kësaj, për këtë garanci janë aleatët tanë të mëdhenj Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe, Amerika (Karta e Atlantikut 1941, Konferenca e Moskës dhe e Teheranit)“12
Zhvillimet e mëvonshme dëshmojnë falsitetin e komunistëve jugosllavë me Titon në krye për vetëvendosjen, të cilët me ngut i hodhën poshtë vendimet e Konferencës dhe më 10 korrik 1945, nën terror organizuan një mbledhje të Kuvendit në Prizren, në të cilën shpallën aneksimin e Kosovës Serbisë, në kuadër të Jugosllavisë federale. Adem Demaçi, në Programin e Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, ka shkruar: “Aneksionistët jugosllavë, në frymën e politikës së tyne mashtruese dhe dyftyrëshe, për me i dhanë aneksimit të tyne nji formë sidokudo legale, organizuen në Prizren, më 10 korrik 1945, nji mbledhje të t’ashtuquejtunit Këshill nacionalçlirimtar të Kosovë-Metohisë dhe mbas ni llakërdije tragjikomike, të insçenueme jo edhe aq me mjeshtri, që u zhvillue n’ at mbledhje u kumtue se ‘në bazë të shprehjes së vullnetit të popullit’ (Jugosllavët e gjetën edhe nji mënyrë të re se si populli mundet me shprehë vullnetin e vet pa hy në zahmet me organizue referendum ose plebishit, siç e parashikojnë normat ndërkombëtare!) dhe në bazë të vendimit të Këshillit nacionalçlirimtar të Kosovë-Metohisë, Kosovë Metohija shpallet si Krahinë autonome dhe, me vendimin e Kuvendit antifashist nacionalçlirimtar të Serbisë, si e tillë i bashkëngjitet Republikës Popullore të Serbisë, përkatësisht, Kosova mbetet përsëri pjesë e Jugosllavisë federative”. 13
Por Kosova nuk u pajtua me fatin as kësaj radhe, prandaj kundërshtoi me forcën e pakët që i kishte mbetur nga lufta shkatërruese disavjeçare. Regjimi i ri, i stolisur me petkun e demokracisë popullore, për të shuar aspiratat e shqiptarëve nën Jugosllavi dhe për të konsoliduar sundimin në trojet e aneksuara shqiptare, ndërmori masa të egra, duke vrarë, masakruar e dëbuar një popull të tërë. Në veprën e autorit bullgar, Stefan Karastojanov “Kosova”, thuhet: “Që nga momenti i dëbimit të forcave gjermane nga Kosova, filloi një terror i vërtetë mbi popullsinë shqiptare. Ky terror u intensifikua veçanërisht gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit 1944 (Stamova, 2005). Në shkurt të vitit 1945, përleshjet e përgjakshme mes serbëve dhe shqiptarëve, detyruan shpalljen e gjendjes së luftës dhe rajoni u nda në
pesë zona ushtarake-Prishtinë, Prizren, Pejë, Ferizaj dhe Mitrovicë. Jelaviç (2003) konfirmon, se: ‘pushtimi i rajonit nga partizanët jugosllavë, u pasua nga masakrimet e egra të shqiptarëve nga ana e serbëve’. Nga ana e tij, Vichers (1998) shkruan se ‘vetëm brenda gjashtë muajve u vranë 48 mijë shqiptarë’. Sipas Borozanit (1995) ngjarjet e shkurtit të vitit 1945, nuk ishin asgjë tjetër përveçse një ‘kryengritje kundërrevolucionare’ me synimin e vetëm, që Kosova të qëndronte jashtë Jugosllavisë. Kryengritja e shqiptarëve përfshiu Drenicën, Ferizajn, Gjilanin, Deçanin dhe disa pjesë të Maqedonisë, të populluara me shqiptarë. Sipas të njëjtit autor, me ndihmën e ushtrisë jugosllave dhe organeve të sigurimit, kryengritja u shua në mars të vitit 1945”14
Në Kosovë filloi sundimi i ri serb, por edhe vazhdoi Lëvizja për çlirim kombëtar. Çështja e Kosovës, që nga lindja e saj, mund të identifikohet me tre dokumente programatike antishqiptare të qarqeve serbomëdha dhe me tre përfaqësues politikë dhe ushtarakë serbë që e udhëhoqën zbatimin e tyre. “Naçertania” e Ilija Garashaninit, e shkruar më 1844 nuk arriti të zbatohej në shekullin e saj, por Nikolla Pashiq, kryeministër serb ishte personaliteti më i dalluar që u përpoq ta ekzekutonte vizionin e Garashaninit për zhdukjen e shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë, por në tërë Ballkanin. Kriza e Lindjes dhe LPB, qenë dy ngjarje që ngadalësuan ritmet e zbatimit të këtij Plani. Elaboratet e Çubrilloviqit15 (1938, por edhe pas LDB) dhe Ivo Andriqit 16, pasi kishin filluar të zbatoheshin (kujto Marrëveshjen “Xhentëlmene” midis Jugosllavisë dhe Turqisë), u penguan dukshëm nga LDB, por pas saj, ishte Aleksandër Rankoviq, kryeudbashi që mori përsipër ta zbatonte idenë e vjetër serbe kundër shqiptarëve. Proceset liberalizuese në Jugosllavi, të diktuara nga bota perëndimore, në gjysmën e viteve gjashtëdhjetë, ngadalësuan ritmet e zbatimit të saj. Në kohën më të re, jo një politikan apo akademik, por tërë Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë u angazhua për hartimin e një Memorandumi antishqiptar, i cili në tetorin e vitit 1986 u bë projekt i Slobodan Milosheviqit famëkeq në politikën e tij për Serbinë e Madhe dhe për veprimet gjenocidale kundër shqiptarëve. Kjo ndërmarrje u pengua nga rezistenca e lufta e popullit shqiptar dhe nga NATO. Projekti i Milosheviqit, madje u shndërrua në varr të tij. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, jo vetëm e pengoi zbatimin e tij, por arriti t’i japë, bashkë me forcat e NATO-s, goditjen e fundit hordhive serbe dhe ta çlirojë Kosovën një herë e përgjithmonë nga sundimi i gjatë i pushtuesve serbë.
Konflikti shqiptaro-serb, si më i mprehti dhe më i rrezikshmi në tërë rajonin, për shkak të kohëzgjatjes dhe natyrës së tij, është sendimentuar në kujtesën e të dy popujve si një urrejtje afatgjate. Do të duhet kohë që shqiptarët të shërojnë plagët e rënda të trashëguara nga terrori gati njëshekullor i zgjedhës serbe. Por edhe elita serbe që e humbi Kosovën, nuk do ta përballojë shpejt inatin kundër popullit shqiptar, sepse më shumë se çdo popull tjetër në Ballkan ia prishi planet hegjemoniste dhe ekspansioniste. Vetëm me zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare të çështjes shqiptare, mund të fillojë procesi i mirëfilltë i pajtimit dhe bashkëjetesës së kombit shqiptar me kombet fqinje sllave.
VIJON…
___________
Referencat:
2 Aleksandër Stipçeviq “Ilirët, historia, jeta, kultura, simbolet e kultit”,
Toena, Tiranë, 2002, f. 46
3 George Fred Williams (1852-1932), avokat dhe anëtar demokrat i
Kongresit Amerikan, në vitet 1913-1914 ambasador i SHBA në Greqi e Mal të Zi dhe vëzhgues i Komisionit Ndërkombëtar në Durrës.
4 George Fred Williams “Shqiptarët” Dielli, Tiranë, 1934, f. 12 dhe 22
5 Stefan Karastojanov “Kosova (një analizë gjeopolitike)”, Serembe, Shkup, 2007, f.25
6 Noel Malcolm “Kosova, një histori e shkurtër”, Koha, Prishtinë 1998
7 Robert d’Angely Enigma, Toena, Tiranë, 1998, f.310
8 George Fred Williams: “Shqiptarët” Dielli, Tiranë, 1934, f. 23
9 V.I. Lenin: Vepra të zgjedhura, vëll. II, Tiranë, f. 49l
10 “Istorijski arkiv KPJ”, vëll. III, Beograd 1949, f. 163, cituar sipas:
UNIKOMB, Libri i bardhë, Prishtinë, 1992
11 Dobrica Qosiq: Kosovo, Novosti, Beograd 2004
12 Arkivi i KQ të PKJ-së, 1944/22, cituar sipas, UNIKOMB, Libri i bardhë, Prishtinë , 1992, f. 33
13 Dr. Hakif Bajrami: Dosja Demaçi, Brezi 81, Prishtinë, 2003 f. 99
14 Stefan Karastojanov : « Kosova » (një analizë gjeopolitike) Serembe, Shkup, 2007, f.162
15 Vasa Çubrilloviq, konsulent politik në regjimin monarkist, ish ministër i RSFJ dhe akademik jugosllav.
16 Shkrimtar nobelist serb
.

***
(Shkëputur nga libri i Mehmet Hajrizit: HISTORI E NJË ORGANIZATE POLITIKE DHE DEMONSTRATAT E VITIT 1981)
__________________
MEHMET HAJRIZI: HISTORI E NJË ORGANIZATE POLITIKE DHE DEMONSTRATAT E VITIT 1981 – HYRJE (2)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=8574

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura