MEHMET HAJRIZI: GRUPI REVOLUCIONAR I KOSOVËS DHE ZËRI KOSOVËS (11)

Pashtriku, 10 korrik 2019:
2.7 “Zëri i Kosovës”
Organizata kishte filluar që në hapat e para të saj të përgatiste një shtyp klandestin të mirëfilltë, nëpërmjet trakteve që shpërndaheshin gjithandej Kosovës, të artikujve studiues e demaskues që qarkullonin brenda radhëve dhe po hidhte themelet e një organi të rregullt të shtypit. Duke pasur parasysh rrethanat historike në të cilat vepronin radhët ilegale dhe mungesën e përvojës së shtypit të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës së pas LDB, ndërmarrja për një shtyp të tillë ishte sa e vështirë aq edhe e guximshme. Shtypi kërkonte jo vetëm veprimtarë të penës, të përgatitur profesionalisht dhe të qartë në dijet teorike, por edhe teknikë të shtypjes e bazë për ta strehuar e përdorur sigurt.

Në hapat fillestarë, ndonëse me pak veprimtarë dhe pa përvojë, shkrimet e para dhe tekstet e trakteve, kishin një nivel të kënaqshëm intelektual dhe përmbajtje të qartë e luftarake. Teknika e viteve të para blihej nga kontributet e vetë veprimtarëve, ose kur nuk mund të sigurohej ndryshe, rrëmbehej nga institucionet zyrtare. 1
Me zgjedhjen e udhëheqjes së GRK, një ndër punët më të rëndësishme që nisi Organizata ishte pa dyshim fillimi i botimit të organit të tij të shtypit. Gjatë LDB, partizanët kosovarë kishin botuar organin “Liria”, kurse fill pas saj, ilegalja e atëhershme nxori dy numra të revistës “Drita”, por nuk dihet për ndonjë tjetër gazetë a revistë të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës deri më 1973. Pas diskutimit të disa propozimeve për emrin, u vendos që organi të quhej “Zëri i Kosovës”. Përgatitjet për botimin e organit “Zëri i Kosovës” kishin filluar në verë të vitit 1973, por numri i parë i tij u botua më 1 shkurt 1974. 2
Për qëllimin e botimit të “Zërit të Kosovës, në faqet e para të tij shkruante: “Të nisur nga pikësynimi për të kryer sa më me nder detyrën tonë prej revolucionarësh ndaj atdheut, kemi vendosur për botimin e këtij organi. Përmes tij jemi përpjekur dhe do të përpiqemi t’i përgjigjemi flakë për flakë edhe përmes shtypit luftës sonë të shenjtë për çlirimin tonë kombëtar dhe bashkimin me atdheun tonë të dashur… Lexuesi ynë kërkon të shkruhet qartë dhe me guxim për çdo gjë, të shkruhet me vërtetësi në mënyrë të gjallë, të shkruhet duke qëlluar në shenjë, pa balancim frazash, pa ujë, pa fjalë boshe e frazeologji të thatë. Shtypi revizionist jugosllav i shtrembëron faktet historike, mohon traditat kombëtare të popullit tonë… Të gjithë ne, t’i mobilizojmë forcat mendore e fizike për të realizuar detyrat ndaj atdheut, duke kaluar vështirësitë dhe pengesat e gjithëllojshme, të çojmë në vend idealet e atyre që dhanë jetën për atdhe”.3 Kurse në numrin vijues shkruante: “Organi do të bëjë përpjekje që të sqarojë sa më shumë çështje, që të ndihmojë pjesëtarët e radhëve tona në pajisjen e tyre me një kulturë të gjithanshme dhe në edukimin ideopolitik. Organi do të sqarojë gjithashtu edhe shumë çështje organizative… sepse nevoja e propagandimit të parimeve dhe metodave të organizimit, të disiplinës dhe të teknikës konspirative del në plan të parë kur organet policore vihen me gjithë forcat e tyre për të na ndjekur dhe persekutuar”.4
“Zëri i Kosovës” botonte artikuj, komente e analiza politike, shkrime hulumtuese ekonomike e shoqërore, materiale propaganduese të ideve të lirisë si dhe hartime artistike, tregime, skica, poezi etj. Aty pasqyrohej gjendja e rëndë e Kosovës dhe tregoheshin rrugët e çlirimit nga pushtuesi. Duke qenë zëdhënës i Organizatës, por fillimisht vetëm për radhët e organizuara, “Zëri i Kosovës” përhapte programin politik e kombëtar të saj dhe propagandonte mjetet e rrugët për realizimin e tij. Detyra e parë e “Zëri i Kosovës” ishte ta sqaronte popullin shqiptar për statusin e tij prej skllavi, ta bindte se për t’i këputur prangat e robërisë duheshin forma dhe mjete të luftës që kërkonin sakrifica vetëmohuese. Liria nuk mund të kërkohej me të butë dhe me lutje, po vendosmërisht dhe me forcën e popullit të organizuar, sepse, siç thuhet ekstremizmi në kërkim të lirisë nuk është ves, sikur që moderizmi në kërkim të drejtësisë nuk është virtyt. Popullit shqiptar, ashtu siç ishte i vogël dhe pa armë, nuk i konvenonte lufta, por vetëm duke qenë i gatshëm për të ndoshta mund ta evitonte.

Përmbajtja e organit “Zëri i Kosovës” nr. 1, shkurt 1974

Pseudonim Autori Titulli Punimi
Drini Gani Sylaj
Ballina Grafikë
Gjin Dukagjini Binak Ulaj
Fjala Hyrëse Artikull
Selman Karadaku Xhafer Shatri Heronjtë e Qelisë Poezi
Selman Karadaku Xhafer Shatri Për Letrën e Titos (Mungon titulli) Artikull
Lekë Kraja Mehmet Hajrizi
Puna në celulat revolucionare dhe zgjerimi i radhëve Artikull
Bashkim Gollaku Kadri Osmani
Festa e kuqe Poezi
Bashkim Gollaku Kadri Osmani
Shqipëria dhe Jugosllavia Artikull
Fitim Drenica Feriz Seferaj
Betimi Poezi
Lekë Kraja Mehmet Hajrizi
Papunësia dhe kurbeti, plagë të rënda në Kosovë Artikull
Bashkim Gollaku Kadri Osmani
Fitorja jonë Poezi

Përmbajtja e organit “Zëri i Kosovës” nr. 2, prill 1974

Pseudonim Autori Titulli Punimi
Drini Gani Sylaj
Ballina Grafikë
Hysë Derveni Hydajet Hyseni
Kushtrimi i Kosovës Poezi
Selman Karadaku Xhafer Shatri Kushtetuta dhe realiteti Artikull
Lekë Kraja Mehmet Hajrizi
Çështje agjitacioni dhe propagande Artikull
Bashkim Gollaku Kadri Osmani
Politika revolucionare shqiptare-po e çanë si me shpatë propagandën revizioniste jugosllave Artikull
Gjin Dukagjini Binak Ulaj
Josif Visarianoviç Stalin Artikull
Çlirim Bardhi Mustafa Ademi
Arsimi në Kosovë Artikull
Bashkim Gollaku Kadri Osmani
Gjumi vigjilent Poezi
Bashkim Gollaku Kadri Osmani
Qëndro Gollak Poezi
Lekë Kraja Mehmet Hajrizi
Bashkimi i shokëve Tregim
Hysë Derveni Hydajet Hyseni
Simbol i lirisë dhe bashkimit kombëtar Poezi
? ? 5 Letra e një mërgimtari Letër
Hysë Derveni Hydajet Hyseni
Përpjekjet e reaksionarëve jugosllavë për degjenerimin e rinisë së Kosovës do të dështojnë me turp Artikull
Bashkim Gollaku Kadri Osmani
Banesa për punëtorë Skicë
P. Shkreli Udhëtimi i Titos në Indonezi Satirë

2.8 Teknika
Falë prakticitetit të veprimtarit Mustafa Ademi, në hapat e parë të organizimit përdoreshin disa makina të vjetra shkrimi, të funksionalizuara prej tij dhe disa gështetnerë që i bënte vetë. Ata i punonte me cilindra të papërdorshëm të këtyre makinave, me një xham dhe copë beze të vendosur në kornizë, e cila kur lyhej me ngjyrë të zezë, nëpërmjet një amze të shtypur nxirrte shkronjat dhe tekstet në qindra kopje… Kjo ishte vepra e parë e prodhimit artizanal vendor të shaptilografëve në Kosovë! Por, shumë shpejt u nxorën jashtë përdorimit këto mjete primitive, sepse ritmi i zhvillimeve kërkonte makina më të sofistikuara.
Për traktet dhe shtypin klandestin në përgjithësi duhej siguruar mjete teknike, siç ishin në atë kohë: shaptilografët e mëdhenj elektrikë, gështetnerët mekanikë, ngjyra, makina shkrimi, letër, amza etj. Meqenëse disa nga këto mjete nuk mund të bliheshin pa leje speciale dhe blerja eventuale e tyre do të dekonspironte veprimtarinë ilegale, aktivistët pasi bënin planin e detajuar i rrëmbenin ato fshehurazi në institucionet apo ndërmarrjet e pakta që i posedonin. Ata, me armë në dorë, futeshin tinëz natën në ndonjë institucion shtetëror ose ndërmarrje, kërcënonin rojën, (nëse kishte qenë vigjilent) që të rrinte urtë dhe merrnin në qetësi shaptilografin, e ngarkonin në krah (kanë qenë mjaft të rëndë) dhe iknin të sigurt drejt bazës ku do të vendosej. Kjo teknikë vendosej në vende të sigurta dhe në atë mënyrë, që edhe po të zbulohej rastësisht të mos rrezikonte asnjë nga veprimtarët. Përjashtim ishte bërë në shtëpinë e Kadri Osmanit, ku u ndërtua një bunker brenda në dhomën e fjetjes. Nën shtratin e fjetjes, Kadri Osmani dhe Mehmet Hajrizi, në konspiracion të thellë kishin ndërtuar bunkerin në formë kubi prej dy metrash, të izoluar mirë dhe të maskuar me dysheme. Një “testim” të suksesshëm ky bunker e pati më 6 maj 1974, kur policia e bastisi imtësisht tërë shtëpinë, por atë nuk e gjeti, edhe pse brenda kishte dy shaptilografë, një makinë shkrimi dhe mjete të tjera më të imëta teknike.
Aksione rrëmbimi janë bërë nga shumë veprimtarë, prej të cilëve do veçuar Rexhep Malajn e Ilmi Ramadanin, të cilët më 1973 rrëmbyen një shaptilograf në Shkollën e Mesme Ekonomike në Gjilan, kurse një vit më vonë, bashkë me Kadri Zekën e Hydajet Hysenin, një tjetër në zyrat e Elektrokosovës në Prishtinë. Xhafer Shatri e Jashar Alia më 1972 bashkë me Feriz Seferajn marrin një makinë shkrimi në Lidhjen Krahinore të Kulturës afër Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, dhe një vit me vonë në Lidhjen Krahinore të Kulturës (te “Slloveniasport”) rrëmbejnë një shaptilograf dhe një makinë shkrimi. Aksione të tilla kishin kryer edhe veprimtarë të tjerë, si Sami Dërmaku etj.
2.9 Ngritja teorike dhe edukimi politik
Udhëheqja e Organizatës e kishte shumë të qartë që rruga e çlirimit të një populli të robëruar nuk mund të jetë as e shkurtër as e lehtë, prandaj merrte masat për përgatitje të të gjithë anëtarëve për t’u ngritur në pikëpamje teorike, për të zgjeruar dijet dhe për të formuar personalitetin politik, të denjë për proceset çlirimtare që kishte përpara Kosova. Në pamundësi që formimi i plotë i këtij personaliteti të bëhej në institucione përkatëse, sigurohej literaturë e zgjedhur dhe studiohej individualisht e kolektivisht. “Zëri i Kosovës” në prill të vitit 1974 shkruante: “Forma më e përshtatshme për ne (dhe thuaja e vetmja) është studimi individual. Të angazhohemi të gjithë në sigurimin e teksteve të nevojshme, t’ua shpërndajmë shokëve ato bashkë me materialet e literaturën tjetër konspirative dhe të punojmë seriozisht në përvetësimin e tyre. Të përcjellim situatën politike e ekonomike në vend e në mënyrë të veçantë, ta njohim thellë shtypjen e egër që i bëhet popullit tonë në çdo fushë nga revizionistët jugosllavë”.6
Studimet intensive të kësaj natyre kërkonin mund, kohë, shpesh edhe sakrifikim të studimeve cilësore në Universitet. Për to duhej dhe guxim, sepse sikur aksionet praktike, edhe kjo veprimtari ishte plot rreziqe.
2.10 Arrestimet dhe vazhdimi i veprimtarisë në kushte të vështirësuara
Numri i anëtarëve të rinj të GRK po shtohej me shpejtësi, aktiviteti po rritej dhe bashkë me të edhe rreziku i zbulimit të Organizatës.
Në pranverë të vitit 1974, derisa po përgatitej një nga numrat e “Zëri i Kosovës”, policia zbuloi dhe kapi pothuajse gjithë udhëheqjen e Grupit dhe bashkë me të edhe materialet e revistës me teknikën. U arrestuan Kadri Osmani e Binak Ulaj në shtëpinë e Kadriut dhe Xhafer Shatri, Jashar Alia e Metë Shatri, pasi kishin mbaruar mbledhjen e radhës.
Nga udhëheqja kishte mbetur vetëm, sekretari organizativ i GRK, Mehmet Hajrizi, edhe ky rastësisht i shpëtuar, sepse vetëm pak çaste pasi i kishin arrestuar Binakun dhe Kadriun, ai kishte shkuar në shtëpinë e këtij të fundit për të punuar në përgatitjen e numrit të ri të “Zëri i Kosovës”.
Lëvizja Kombëtare e Kosovës po kalonte sërish kohë të rënda të përndjekjes dhe të goditjeve policore. Grupi u dëmtua rëndë, por jo për vdekje. Pas disa muaj hetimesh këta veprimtarë u nxorën në gjyq dhe u dënuan me burg të rëndë (Kadri Osmani, nëntë vjet, Xhafer Shatri, tetë, Binak Ulaj, pesë, Jashar Alia, pesë dhe Metë Shatri, tre vite burg).
Në situatën e krijuar menjëherë pas arrestimeve duheshin hapa të ngutshëm veprimi për riorganizimin e radhëve. Mehmet Hajrizi, fillimisht vuri kontakte me Gani Sylajn nga Komiteti i Studentëve, rezervën e artë dhe me Hidajete Osmanin, bijën e Kadri Osmanit, veprimtare e GRK, së pari, për të konsoliduar udhëheqjen e për të siguruar mbijetesën e Grupit dhe së dyti, për t’u informuar për të arrestuarit, për të shpëtuar teknikën e fshehur dhe për të përcjellë ndihmat modeste që ndanin nga rrogat disa veprimtarë për familjet e bashkëveprimtarëve të arrestuar ose të dënuar. Gani Sylaj dhe Mehmet Hajrizi përgatitën bashkë, në kushte tepër të rënda, numrin vijues të “Zëri i Kosovës”, duke shkruar shpejt e shpejt dhe me nga disa pseudonime, me qëllim që radhët e organizuara të mos hetonin shumë dëmin e madh që kishte pësuar Organizata. Materialet e “Zëri i Kosovës” në dorëshkrim, Ganiu i kishte shtypur në makinë shkrimi në një gëmushë, diku në bjeshkët e Berishës. Njëri nga anëtarët e Komitetit të Studentëve, Hydajet Hyseni, më vonë do të thoshte se kur i kishte rënë në dorë numri i ri i “Zëri i Kosovës”, ishte lehtësuar, sepse përmbajtja e tij nuk shënonte ulje të nivelit, që rezultonte se Organizata nuk ishte goditur ashtu siç kishte menduar në fillim.
Hidajete Osmani ishte atëherë gjimnaziste shumë e pjekur dhe sypatrembur. Ajo, pas arrestimeve dëshironte të ishte aktive, e përkushtuar dhe e gatshme për sakrificë në çdo kohë e në çdo çast si anëtare e denjë e Organizatës. Takimet me të, për shkak të survejimit policor të sforcuar, paraqisnin rrezik jo vetëm për të, por edhe për krejt Organizatën, prandaj mbaheshin të organizuara në konspiracion të thellë dhe të kamufluara mirë. E ngutshme paraqitej detyra për largimin e materialeve dhe teknikës, e cila ndodhej në shtëpinë e saj.
Në vazhdim të luftës kundër Lëvizjes që nuk po shuhej as dorëzohej, por duke mos pasur njohuri konkrete për të as pista gjurmimi, regjimi policor në tetor të vitit 1975 ndërmori një aksion të gjerë arrestimesh, për t’i izoluar disa veprimtarë të mirënjohur të çështjes kombëtare, në krye me Adem Demaçin, i cili sapo ishte liruar nga burgu i tij i dytë. Në librin e tij “Kosova 75”, Selatin Novosella ka shkruar: “Edhe pas burgosjes së anëtarëve të Grupit Revolucionar më 1974: Kadri Osmani, Xhafer Shatri, Binak Ulaj, Jashar Alia dhe Metë Shatri, veprimtaria atdhetare ilegale nuk ndalet, që ishte një shtytje e pushtuesit për burgosjen e sa më shumë veprimtarëve shqiptarë, duke synuar kështu likuidimin e tyre”.7
U zgjodhën disa nga emrat e dosjeve të hapura policore, duke menduar se shumë prej tyre mund të ishin aktivisht të organizuar. Policia kishte të drejtë, sepse disa nga ta, si Rexhep Malaj, Ilmi Ramadani, Sami Dërmaku, Irfan Shaqiri, Xhavit Dërmaku, Sherif Masurica, Isa Kastrati e Fazli Abdullahu, ishin anëtarë të GRK dhe shumë të tjerë, si ndihmës të tij, ose kandidatë për t’u anëtarësuar shpejt, por asnjëri prej tyre nuk u identifikua gjatë hetimeve si pjesëtar i GRK. Rexhep Malaj kishte rënë në sy të policisë, që në demonstratat e vitit 1968 dhe në vitet vijues, për veprimet shpeshherë të hapura, për vajtjet në Ambasadën e Shqipërisë në Beograd, pastaj udhëtimin në Shqipëri, takimet e shumta me veprimtarin patriot, Adem Demaçi etj. Këto arrestime ishin si gjuajtje kuturu në errësirë, por më shumë një proces i montuar politik, preventiv e hakmarrës dhe balancues për arrestimin e dënimin e udhëheqjes së të ashtuquajturës Parti e re Komuniste e Jugosllavisë. Se procesi ishte i shpifur e i montuar, e dëshmon edhe aktakuza që i ngarkonte të arrestuarit me vepra të GRK, të cilat, për ironi të policisë i kishin pranuar nën shtrëngim dhe tortura disa që nuk dinin gjë për to, por jo Rexhep Malaj, Ilmi Ramadani etj., që e kishin kryer ndonjërën prej tyre.
Më 7 shkurt 1976, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë u dënuan: Adem Demaçi me pesëmbëdhjetë vjet burg të rëndë, Skënder Kastrati me dymbëdhjetë, Hasan Dërmaku me dhjetë, Rexhep Malaj me nëntë, Xhavit Dërmaku me nëntë, Osman Dumoshi me shtatë, Selatin Novosella me shtatë, Irfan Shaqiri me shtatë, Hetem Bajrami me shtatë, Ilaz Pireva me shtatë, Fatmir Salihu me shtatë, Sherif Masurica me shtatë, Isa Kastrati me gjashtë, Sami Dërmaku me gjashtë, Ahmet Hoti me gjashtë, Njazi Korça me gjashtë, Ilmi Ramadani me pesë, Zijadin Spahiu me pesë, dhe Nazim Shurdhani me katër vjet burg të rëndë. Në një proces tjetër në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, më 22 shkurt 1976 dënohet edhe një grup tjetër veprimtarësh, në krye me Adem Rukiqin. Adem Rukiqi u dënua me nëntë vjet burg, Bektesh Rudhani me gjashtë, Tafë Rukiqi me gjashtë, Bislim Bajraktari me katër, Ajet Rukiqi me katër, Zydi Bilalli me tre, Ymer Rukuqi me dy e gjysmë, Xhevdet Nasufi me dy e gjysme, Sadullah Zeqiri me dy e gjysmë, Adem Pavataj me dy e gjysmë, Idriz Mehmeti me një e gjysmë dhe Arif Rukiqi me një e gjysmë. Më 17 mars 1976 Gjyqi i Qarkut i Vrajës dënoi Jetullah Arifin me dymbëdhjetë dhe Fazli Abdullahun me gjashtë vjet burg, kurse më 19 mars, Qamil Nuhiun me katër vjet dhe Selajdin Nuhiun me një vit e gjysmë burg.
Radiotelevizioni i Prishtinës, pas lajmit për dënimet dha një koment të shkruar nga Fahredin Gunga, i cili nëpërmjet ekranit, ndër të tjera tha: ”Siç u pa nga aktgjykimi i Gjyqit të Qarkut të Prishtinës, grupit irredentist, i vërtetuar si armik i popullit dhe i rendit tonë kushtetutor, iu shqiptuan dënime të merituara. Opinioni ynë, klasa punëtore dhe të gjitha kombet dhe kombësitë e Kosovës, e posaçërisht kombësia shqiptare, i dha këtij aktgjykimi përkrahje të plotë, i dënoi dhe do t’i dënojë vazhdimisht, duke shprehur indinjatën dhe urrejtjen, ashtu siç i ka gjykuar, dënuar dhe mposhtur të gjitha llojet e tjera të veprimtarisë armiqësore dhe bartësit e tyre. Pas shqiptimit të dënimeve të merituara, ky grup as që meriton të merret në gojë, sepse u pa haptas se e përbën një grup nacionalistësh dhe shovinistësh, të cilët popullit të vet deshën t’ia çelin humnerën e re të mashtrimit historik. (…) Petku i tij dogmatiko-stalinist, frazat në emër të gjoja marksizëm-leninizmit, aspak nuk i vuri perde esencës dhe qëllimit të tij thellësisht reaksionar antimarksist, antisocialist dhe antishqiptar… Prandaj, çdo tentativë e armikut, sikurse edhe e këtij irredentist, do ta luftojnë si thellësisht reaksionare imperialiste dhe hegjemoniste, të ngarkuara me orekse për thyerjen e unitetit, integritetit dhe pavarësisë së Jugosllavisë socialiste”.8
VIJON …
_____________
Referenca:

1. Më vonë, organi “Liria”, “Këngët e lirisë”etj., shtypeshin në teknikë moderne, nën përkujdesjen e Kadri Zekës në Zvicër. Një pjesë e kësaj teknike, me shumë vështirësi u soll në Kosovë, nga fundi i veprimtarisë së Organizatës. Më 2007, nën përkujdesjen e veprimtarit, Hasan Malaj, janë sjellë në Kosovë edhe mjete të tjera teknike dhe dokumentacion i shumtë, që përbëjnë vlerë të rëndësishme arkivore dhe muzeale.
2. Një natë vonë në janar të vitit 1974, derisa po kryheshin punët përfundimtare të botimit të numrit të parë të “Zëri i Kosovës”, nga zhurma e makinave dhe rrapëllimat, dukej që po rrethohej shtëpia ku ishte themeluar GRK, në të cilën ishin shpërndarë gjithandej materialet e organit të shtypit. Për të mos lënë numrin e parë në dorë të armikut, u mor shpejt vendim që Kadri Osmani dhe Mehmet Hajrizi të rezistonin me armë përjashta, derisa Xhafer Shatri dhe Binak Ulaj t’u hidhnin benzinën dhe t’u vinin flakën materialeve! Për fat, përfundoi mirë.
3. Fjala hyrëse, “Zëri i Kosovës” nr 1, shkurt 1974
4. Çështje agjitacioni dhe propagande, “Zëri i Kosovës”nr.2. prill 1974
5. Autor i panjohur
6. Çështje agjitacioni dhe propagande, “Zëri i Kosovës” nr.2, prill 1974
7. Selatin Novosella: Kosova 75, Prishtinë 1995 f. 25
8. Sheradin Berisha: Veprimtaria e organizatave politike ilegale në Kosovë 1945-1999, forumishqiptar,com.
_____________
MEHMET HAJRIZI: GRUPI REVOLUCIONAR I KOSOVËS – KOMITETI I STUDENTËVE (10)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=8935

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura