MEHMET HAJRIZI: HISTORI E NJË ORGANIZATE POLITIKE DHE DEMONSTRATAT E VITIT 1981 (1)

Pashtriku, 13 mars 2019: “Ligji i parë i historisë është të mos thuash kurrë asgjë të rreme dhe të mos kesh frikë të pohosh tërë të vërtetën” – Ciceroni 106 – 43 p.e.s,)
***
Në vitin 2008 SHB “Toena” në Tiranë ka botuar librin e veterantit të Lëvizje sonë Kombëtare, Mehmet Hajrizi: HISTORI E NJË ORGANIZATE POLITIKE DHE DEMONSTRATAT E VITIT 1981 (i plotësuar dhe përmirësuar pas botimit të parë). Recensues të librit janë: Dr. Jakup Krasniqi dhe Prof. Dr. Emin Kabashi, botues: Fatmir Toçi, korrektore letrare: Dorina Talo, përkujdesja grafike u bë nga: Elida Stafa, ndërsa Kopertinën e punoi Lavdie Cenmurati. Libri i ka 701 faqe. Në 38 vjetorin e demonstratave të pranverës 1981, portali “Pashtriku.org” boton pjesë të këtij libri me vlera të veçanta historike:

Në vijim lexoni parathënien e librit:
PARATHËNIE
Grupi Revolucionar i Kosovës, i quajtur më vonë Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës, si pjesë e Lëvizjes moderne Kombëtare Shqiptare, ka një përvojë veprimi të pashkëputur mbi 12-vjeçare. Bashkë me rezultatet shumëdimensionale, me qëndrueshmërinë organizative përballë represionit të egër dhe me ndikimin që pati te brezat vijues të Lëvizjes, e bëjnë atë të veçantë dhe me interes studimi shkencor.
Lëvizja Kombëtare e Kosovës, dhe sidomos ajo e kohës më të re, është studiuar pak, prandaj mbetet shumë punë për ndriçimin dhe vlerësimin shkencor të saj. Kosova nuk duhet ta heshtë historinë e vet, sepse e ka të pastër dhe të bujshme.
Lëvizja e saj çlirimtare është frymëzuar, edukuar dhe organizuar nga idetë më përparimtare të kohës, nga qëllime humane e demokratike dhe nga veprimtarët e saj më të ndërgjegjshëm.
Për këtë Organizatë është shkruar edhe nga autorë të tjerë, por në mungesë të informacionit të plotë dhe burimor, janë vërejtur pasaktësi dhe shtrembërime. Shkenca e historiografisë duhet ta zbulojë të vërtetën e plotë për të dhe për Lëvizjen e re Kombëtare të Kosovës, sepse siç do të thoshte Lord Acton, e vërteta është e vetmja meritë që i jep dinjitet dhe vlerë historisë.
I nxitur nga shumë bashkëveprimtarë dhe personalitete shkencore, por mbi të gjitha nga detyra morale e dëshmitarit që e ka përcjellë së afërmi këtë Organizatë që nga themelimi e deri në shuarje, i kam hyrë kësaj ndërmarrjeje, duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm për kompleksitetin dhe vështirësitë e saj.
Në libër paraqiten me fakte dhe burime informacioni të dorës së parë, përpjekjet dhe lufta e kësaj Organizate të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, duke u fokusuar në disa nga aspektet më të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë së saj, pa hyrë në detaje, të cilat do ta bënin lëndën shumë voluminoze. Lindja dhe zhvillimi i kësaj Organizate janë të lidhura ngushtë dhe në mënyrë dialektike me zhvillimet e përgjithshme në Kosovën e viteve ’70, prandaj ka qenë e Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981 pashmangshme ndjekja paralele në libër e të dy këtyre aspekteve historike. Ndërkaq, kryengritja e vitit 1981, si kurorëzim i një faze të rëndësishme historike të Lëvizjes Kombëtare dhe i veprimtarisë së bujshme të GRK-OMLK, hyri në këtë libër, jo vetëm si një kapitull tepër i rëndësishëm, por edhe si një kapak floriri i domosdoshëm. Zhvillimet e paraqitura janë trajtuar në kontekst të kohës dhe në mbështetje të materialeve e dokumenteve autentike të Organizatës, të cilave u referohem shpesh e nganjëherë gjerësisht, me qëllim që lexuesi të komunikojë me kohën dhe me dokumentet origjinale të saj, ashtu siç ishin, zëri autentik i Lëvizjes. Janë shmangur, sa ka qenë e mundur interpretimi, komentimi, vlerësimi, qortimi a lavdërimi i dokumenteve e materialeve, sepse ato i mbeten shkencës dhe lexuesit.
Pa dashur të polemizohet me zgjatimet propaganduese të regjimit pushtues dhe me interpretuesit qëllimkëqij të Lëvizjes, janë paraqitur fakte të verifikueshme dhe ngjarje, në pamjen e tyre reale, me vërtetësinë e pacenuar, të cilat mund të kuptohen edhe si përgjigje ndaj çdo tendence të shtrembërimit të tyre.
Qëllimi i këtij libri është të shënohet dhe të sillet para brezave të sotëm e të nesërm një pjesë e përvojës së Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, një tufë vlerash të traditës së saj, të krijuara me mundin, me djersën e me gjakun e pjesëtarëve të saj. Në qoftë se lexuesit e interesuar për to, e ndjekin me kureshtje deri në fund këtë paraqitje, atëherë mund të thuhet se libri e ka përmbushur misionin e vet.
Autori Mehmet Hajrizi /
VIJON…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura