MEHMET HAJRIZI: POZITA KUSHTETUESE DHE ASPEKTE TË GJENDJES NË KOSOVË (7)

Pashtriku, 3 prill 2019:
2.1.2 Aspekte të gjendjes në Kosovë
Pas rënies së Rankoviqit dhe klikës së tij, pas demonstratave historike të vitit 1968 dhe Lëvizjes kroate më 1971, udhëheqja jugosllave, në fillim të viteve shtatëdhjetë, u detyrua të bënte ca ndryshime pozitive në politikën ndaj shqiptarëve në Jugosllavi. Udhëheqja kosovare nuk i shfrytëzoi sa duhet këto rrethana të favorshme. Autoritetet jugosllave kombinonin me mjeshtëri atëherë dy metodat e njohura të sundimit: metodën e dhunës dhe të mashtrimit, të represionit dhe të demagogjisë, politikën e kërbaçit dhe të kulaçit.
Në kuadër të ndryshimeve kushtetuese, Beogradi po trajtonte çështjen e Kosovës, duke pasur në tavolinë kërkesën e shqiptarëve për Republikë dhe të Serbisë për ta mbajtur atë si krahinë të sunduar prej saj. Kompromisi qe një zgjidhje gjysmake, në dëm të Kosovës. Mahmut Bakalli, atëherë shef i komunistëve të Kosovës dhe anëtar i Kryesisë së KQ të LKJ, i cili në përfundim të bisedimeve për kushtetutën, më 1974 në një bisedë , siç e quan vetë “nonshalante” me Titon në Brione i kishte shtruar kërkesën e Kosovës që të shkëputej nga Serbia, dëshmon: “I thashë neve na nevojitet të udhëhiqemi vetë! Na nevojitet t‟i udhëheqim vetë financat, bankat, ekonominë, arsimin, shëndetësinë, kulturën, shërbimin sekret…dhe të bëhemi sikur republikat e tjera të Jugosllavisë, pra duam të vetëqeverisemi. A e di çfarë më thotë ai?! Mirë bre, shkruaj të gjitha këto si propozim për kushtetutën e re. Unë i thashë: Po, por po qe se unë i shkruaj këto që t‟i thashë, atëherë del pikërisht ajo për të cilën ti po thua se je kundër – del se Kosova është Republikë, e unë s‟po dua të hyj në konflikt me ty. E tash përgjigjja e tij është kjo: A mund të gjejmë një kompromis?! Ta lëmë në preambulë se formalisht jeni në përbërjen e Serbisë, por jo pjesë përbërëse, por në përbërje të Serbisë. Preambula është pjesë hyrëse e kushtetutës, por jo pjesa normative. Në pjesën normative shkruaj të gjitha këto që m‟i the tani! Unë thashë: Mirë, këtë do ta bëj! Ai më tha se më shumë nuk mund të bëjmë, sepse tash për tash raporti i forcave është i tillë që mund të ma prishin Jugosllavinë forcat shoviniste serbe. Unë është dashur t‟i besoja Titos! Kam besuar se Tito nuk po më mashtron, nuk po më nënçmon dhe është e vërtetë kjo që po më thotë…”.34

Udhëheqja komuniste e Kosovës në takime me Josip B.Titon!

Për të qenë ironia edhe më e madhe, ky proces i reformave të kufizuara, apo ndryshimesh kozmetike, të sanksionuara në Kushtetutën e re të vitit 1974, po shoqërohej nga një propagandë e filistinëve politikë dhe “shkencorë” shqiptarë, për ta bindur, apo më mirë, mashtruar në mënyrë butaforike popullin shqiptar, duke i thënë se kjo ishte Republika ose gati-Republika, zgjidhja historike dhe më e mira, sepse ai paskësh fituar tashmë të gjitha të drejtat kombëtare, politike, historike e shtetërore. Mesazhi dhe qëllimi i kësaj fushate propagandistike ishte formimi i bindjes se gjoja kishin pushuar arsyet për të cilat organizohej Lëvizja, sepse aspiratat historike, në mos ishin arritur në tërësi, do të arriheshin lehtë, në rrugë legale dhe institucionale. Përkrah ndjekjeve policore që po vazhdonin kundër veprimtarëve patriotë, ky opinion që po përhapej shpejt si paragjykim iluzionist, përbënte kërcënim imediat për jetën e Lëvizjes Kombëtare të kohës. Xhafer Shatri, veprimtar i kësaj kohe i Lëvizjes Kombëtare, kishte vërejtur drejt se “Pikërisht kur aprovohej Kushtetuta e vitit 1974, pikërisht në kohën kur pritej nga forcat revolucionare e demokratike që të dalin me kërkesën që Kosovës t‟i njihet statusi i Republikës, pushtuesit dhe hyzmeqarët e tyre shpejtojnë ta qetësojnë përkohësisht situatën duke ia dhënë Krahinës një autonomi relativisht të gjerë, por kjo nuk ishte autonomi e mirëfilltë juridike e politike”. 35
Sanksionimi i statusit të ri të Kosovës në Kushtetutën e RSF të Jugosllavisë në vitin 1974, nuk e zgjidhte problemin madhor të Kosovës. Autonomia, jo vetëm nuk përmbushte kërkesat legjitime të demonstratave të 1968-ës për Republikë, por duke qenë një zgjidhje ekuivoke, kishte në vete edhe pasigurinë e së ardhmes.
Pozita e re kushtetuese e Kosovës ishte megjithatë bazë e përpjekjeve për avancimin e saj, por edhe mundësi potenciale për nacional-shovinistët serbë që në çastin e dhënë ta spostonin atë, sepse ky është fati historik i zgjidhjeve ambiguene për popujt e vegjël e të pambrojtur.
Qarqet shoviniste serbe, pas goditjeve që kishin pësuar disa herë me radhë nga klanet politike të federatës, në aparencë paraqiteshin relativisht të heshtura, por nën rrogoz përgatiteshin ethshëm për një kundërsulm, në rastin e parë që do t‟u jepej, jo vetëm kundër Kosovës, por siç e vërtetuan zhvillimet pas vdekjes së Titos, edhe kundër të gjitha njësive të tjera federative të ish-Jugosllavisë. Vetëm dy vite pas reformave kushtetuese, plani serbomadh kundër Kosovës u përvijua shumë qartë në të ashtuquajturin “Libër i Kaltër”. Mahmut Bakalli, lidhur me dokumentin e quajtur “Libër i Kaltër” ka deklaruar se “ky libër është krijuar nga intelektualët serbë nën ndikimin e Drazha Markoviqit, i cili ka qenë kryetar i Parlamentit kur është aprovuar kushtetuta e vitit 1974. Libri quhet i kaltër se i ka pasur kopertinat të kaltra -me titull „Pozita e serbëve në Jugosllavi në bazë të Kushtetutës së vitit 1974‟ dhe del se Kushtetuta e vitit 1974 i paska dëmtuar serbët. Është dëmtuar Serbia sepse paska mbetur „Pashallëk i Beogradit‟, sipas tyre. Ata kanë dalë me propozimin se ajo Kushtetutë duhet të revidohet. Pra, në vitin 1976 ka dalë ky Libri i kaltër por jo publikisht. Ne kishim informata për këtë. Kur e mora vesh punën e Librit të kaltër, unë e hapa këtë në Kryesi se çfarë do të thotë kjo… E kemi marrë Librin e kaltër për ta lexuar dhe të gjithë ne në Serbi kemi qenë kundër. Shoku im i ngushtë, Ivan Stamboliq, sekretar i KQ-së atëherë, është bashkuar me Drazha Markoviqin për këtë Librin e kaltër…”.36 Në një rast tjetër ai ka sqaruar : “Lidhur me „Librin e kaltër‟ kemi mbajtur shumë mbledhje të mbyllura të udhëheqjeve të Serbisë, të Kosovës dhe të Vojvodinës… në anën tonë atëherë ishin edhe Miniqi, Doronjski dhe dy të tjerë nga Serbia… Drazha Markoviqi përdori taktikën që ta luste Kardelin të vizitojë Novi Sadin dhe Prishtinën dhe të na bindë me presion që të pranonim diskutimin për propozimet e Serbisë… Kardeli parimisht, në një mënyrë u kishte dhënë përkrahje… Pasi që konfliktet interne në udhëheqjen e Serbisë u ashpërsuan së tepërmi, Tito na ftoi në bisedë në Brione, Vllashkaliqin, Alimpiqin dhe mua…Tito aprovoi arsyetimet e mia dhe kërkoi që Kryesia e LK të Serbisë të hedhë poshtë „Librin e kaltër‟.
Pas disa ditësh kështu edhe bëmë, duke konkluduar se „Libri i kaltër‟ thua se fare as që ka ekzistuar!”37
Udhëheqja shqiptare e Kosovës, pra i kishte të njohura këto tendenca serbe fill pas 1974-ës, por nuk i shfrytëzoi mundësitë e rrënimit të tyre e të çimentimit të fitoreve. Ajo nuk mund ta avanconte pozitën e Kosovës në Republikë legalisht dhe institucionalisht, siç kishte premtuar ngase s‟ishte e gatshme as e zonja, sepse s‟ishte unike në këtë çështje, sepse në radhët e saj kishte elementë shërbëtorë të interesave shoviniste serbe, sepse nuk i shfrytëzonte rezultatet e veprimtarisë ilegale, po e shtypte atë më shumë nga urdhrat që merrte.
Dështimi i Kosovës në frontin politik, që rezultoi me statusin e autonomisë, pati konsekuenca të shumta dhe të rënda në zhvillimin vijues të saj, në të gjitha fushat e jetës.
Në plan ekonomik, pas ndryshimeve kushtetuese, Kosova vazhdoi të mbetet e shfrytëzuar si koloni dhe e diskriminuar në raport me mesataren jugosllave. Ndonëse me pasuri të shumta natyrore dhe resurse njerëzore, ajo kishte standardin më të ulët të jetesës në rajon. Kosova shquhej jo vetëm në ish-Jugosllavi, por edhe në tërë botën me pasuritë nëntokësore, si plumbi e argjendi (50 % e rezervave jugosllave), zinku, magnezi (35. 8 % e rezervave në Jugosllavi), kromi (100% e rezervave jugosllave), nikeli, boksiti, kaolini, linjiti me rreth 10 miliardë tonë (53% e rezervave jugosllave) etj.,.38 Studiuesi, Marenglen Verli, mbi bazë të fakteve bën këtë përfundim interesant për pasuritë e Kosovës në raport me të Jugosllavisë: “Ndonëse me vetëm 4.2 për qind të sipërfaqes dhe 7.1 për qind të popullsisë, ajo përmbante mbi 10 % të të gjitha pasurive natyrore të Jugosllavisë” 39 Ai ka identifikuar si rrugë kryesore të shfrytëzimit jugosllav të ekonomisë së Kosovës, politikën e investimeve, politikën diskriminuese të çmimeve në shkëmbimin e brendshëm tregtar, ngarkimin e krahinës me borxhe sipas një strukture të papërshtatshme etj.40
Për të ilustruar shfrytëzimin kolonial të Kosovës, le të sjellim një shembull nga Kombinati “Trepça” i viteve 1972- 1973, i cili lëndën e vet të parë detyrohej ta shiste në tregun e brendshëm, (ku çmimi për një ton plumb ishte 197 dhe për zink 445 funta sterlina) dhe jo drejtpërdrejt në atë të jashtëm (ku çmimet përkatëse ishin 280 dhe 623 funta sterlina). Në shtypin klandestin shkruante: “Nga ky ndryshim çmimesh (në mes të tregut të brendshëm e të jashtëm), përpunuesit jugosllavë, të cilët i blinin lëndët e para nga Trepça, nxirrnin përfitime kolosale në kurriz të Kombinatit. Ata edhe pa i përpunuar fare, por duke i shitur në tregun e jashtëm ashtu si i blinin, fitonin mjaft (83 funta sterlina në çdo tonelatë plumb dhe 178 funta sterlina në çdo tonelatë zink)”41
Propaganda zyrtare e kohës i shpallte vitet „70 si periudhën më të suksesshme të ekonomisë së Kosovës, por me gjithë njëfarë rritje në disa sektorë, ajo në të vërtetë pikërisht gjatë kësaj periudhe shënoi rënie dhe prapambetje të përgjithshme, sidomos krahasuar me ekonominë jugosllave, për t‟u zhytur thellë në krizë nga fundi i dekadës. Kështu, p.sh. prodhimi industrial i Kosovës më 1970 përbënte 2% të atij jugosllav, por më 1980 bie në 1.88 %, ose ta marrim bujqësinë, e cila në vitet krahasuese, në strukturën e të ardhurave kombëtare, zbritej nga 29.2 % në 22.2 %. Rënie në këtë strukturë pati edhe transporti, tregtia, zejtaria, ekonomia pyjore, veprimtaritë komunale etj.
Gjatë kësaj periudhe, pavarësisht ndryshimeve statusore, Jugosllavia dhe Serbia vazhdonin shfrytëzimin kolonial të Kosovës, duke i marrë asaj me çmime qesharake, fuqinë punëtore të lirë, energjinë elektrike, metalet me ngjyra, lëndën e parë të tekstileve, të duhanit, të pijeve, të drithërave etj. Kosova ishte burim i lëndës së parë për republikat jugosllave. Të papunët, që në vitin 1970, vetëm të regjistruar ishin 25.373, më 1980 u shtuan në 67.548, kurse norma e zënies në punë ishte deri në katër herë më e vogël se në republikat tjera të Federatës.
Të ardhurat kombëtare në krahasim me mesataren jugosllave, në Kosovë ishin më të vogla 2.6 herë më 1970 dhe 3.7 herë më 1980. Më 1971 rreth 45 % e popullsisë shqiptare mbi 10 vjeç ishte analfabete. Gjendja e rëndë ekonomike, shoqërore dhe politike, diskriminimi i shqiptarëve në bashkësinë jugosllave, pasiguria aktuale dhe perspektive e tyre, humbja e besimit në udhëheqjen politike, por edhe zgjerimi i veprimtarisë patriotike e ngritja e ndërgjegjes kombëtare, ishin tiparet që e karakterizonin Kosovën e asaj kohe.
VIJON…
_______
Referencat:
34 Intervistë e Mahmut Bakallit, botuar në gazetën “Koha Ditore”, Prishtinë, të datës 17 prill 2007, f.5 Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981
35 Xhafer Shatri: “Pse dergjet në burg Adem Demaçi?”, Komiteti i Kosovës për Informimin e Opinionit Botëror, Bernë, 1990. F.89-90
36 Mahmut Bakalli: Intervisë, Koha ditore, 18 prill 2007, f. 5
37 Mahmut Bakalli: Intervistë, “Zëri”, 29 prill 2006, f. 4
38 “Fakte për Kosovën”, Botim i Komitetit Krahinor të Informatave, Prishtinë, 1983
39 Marenglen Verli: “Shfrytëzimi ekonomik i Kosovës 1970-1990. “Dituria” Tiranë, 1994 f. 6
40 Po aty, f. 16
41 Xehetarët e Trepçës, Materiale të GMLK, 1978

____________
MEHMET HAJRIZI: GRUPI REVOLUCIONAR I KOSOVËS (GRK) (6)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=8625

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura