MILAIM SHEFKIU: BETEJA E FUNDIT E UÇK’së ME ‘DRËJTESINË’!

Prishtinë, 30. 07. 2014 – Pas tri vjet hetimesh, duke mos lënë gur pa lëvizur në Kosovë, Shqipëri, Serbi e Mal të Zi, prokurori amerikan, Clint Williamson, më në fund e bëri publik raportin e shumëpritur rreth pretendimeve të zviceranit, Dick Marty, për trafikim organesh në Kosovë e Shqipëri gjatë luftës së fundit. Një kapitull i lexuar mijëra herë nga ndërkombëtarët u mbyll dje, duke konfirmuar se në Kosovë nuk ka pasur trafikim organesh, ndërsa UÇK-ja, si strukturë e organizuar guerile, nuk ka pasur program për krime kundër popullsisë serbe dhe joshqiptare. Kështu mund të përshkruhet shkurt raporti i Williamson-it, edhe pse brenda tij ka shumë konfuzione, kontradikta e mospërputhje, që lënë hapësirë për interpretime të ndryshme.
Ajo që është substanciale, është fakti se nuk ka dëshmi të bazuara se ka pasur trafikim organesh në Shtëpinë e Verdhë, një objekt që u apostrofua si “shtëpia e ferrit” nga shkrimtarët, publicistët dhe dramaturgët serbë. Këtë shtëpi në Burrel të Shqipërisë, edhe ndërkombëtarët e zunë në gojë qindra herë, ndërsa banorët e kësaj shtëpie u torturuan me vite si të ishin “të bijtë e Kaimit”.
Sa i përket trafikimit me organe, Williamson heq nga imazhi i Kosovës dhe i UÇK-së, njollën më të madhe të etiketimit ndërkombëtar, ndërsa hap një shteg tjetër, atë për krime të luftës dhe pasluftës nga disa ish-guerilë dhe oficerë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo e dyta (për krime lufte), kushtimisht është më e pranueshme, sepse akuzon individualisht pjesëtarët e UÇK-së, por jo edhe UÇK-në si ushtri guerile çlirimtare, edhe pse kontradiktat shfaqen edhe në këtë segment.
Willimason pranon se hetimet e tij kanë të bëjnë me një periudhë 15 vjet më parë, ku “ekzistojnë shumë pak, ose aspak, prova materiale”, e në anën tjetër thotë se ka fakte të bazuara se ka pasur krime nga individët e UÇK-së.
“Ka dëshmitarë që nuk janë më, kanë ndërruar vendbanimin ose edhe janë të drobitur nga jeta…”, thotë Willimason në raportin e tij. Madje për shumë gjera, ai falënderon hapur kryeprokurorin serb Vukçeviq, i cili thotë se na ka ndihmuar shumë, por ka respektuar pavarësinë e TFHS-së. Pra, këtu lë hapësirë për interpretim ndryshe, sepse kryeprokurori serb dihet se çfarë ndihmi mund të japë kur janë në pyetje ish-guerilët e UÇK-së. Të paktën një herë këtë kryeprokuror e kemi vërtetuar me të ashtuquajturin “Grupin e Gjilanit”, të cilët u dënuan me mbi 100 vjet burg, ndërsa më vonë u shpallën të pafajshëm, vetëm pasi e mbajtën gjysmën e burgut.
E aty ku Williamson flet për disa individë, të cilët kanë shfrytëzuar luftën për t’u pasuruar individualisht, atëherë ia pafshin hairin, sepse pasuria sa çel e mbyll sytë, ka edhe konsekuencat e mëpastajshme.
Megjithatë, aktakuza e mundshme për disa oficerë të UÇK-së mund të konsiderohet edhe një betejë për të pastruar veten dhe luftën. Sado e dhimbshme që është kjo, disa eprorë duhet ta lajnë “lamën”, sepse kështu, siç po shihet, po e lyp procesi, ndoshta edhe për ta përmbyllur kapitullin e “krimeve të luftës” dhe për ta nisur procesin integrues.
Ndoshta deklaratat e Williamson-it se “ka pasur krime kundër popullsisë serbe” është më shumë justifikim për punën trevjeçare të grupit të tij, sidomos pasi nuk u vërtetuan deklaratat e Dick-ut, se ka pasur trafikim me organe.
Si do që të jetë, disa nga eprorët e lartë të UÇK-së do të dëshmojnë edhe një herë, nëse ka pasur, ashtu siç po thotë Williamson, “persekutim, rrëmbim, zhdukje, burgim të paligjshëm, dhunë seksuale, forma të tjera të trajtimit çnjerëzor…etj”, të serbëve në Kosovë e në Shqipëri nga disa individë.
Ndryshe, kjo është beteja e fundit e “individëve” të UÇK-së për të dëshmuar të vërtetën, çfarë do qoftë ajo!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura