MIRSAD ZEKA: EUROPË, PUNO TI SE NE PUSHOJMË PËR TY!

Pashtriku.org, 09. 05. 2013 – Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që është më së largu Evropës sa i përket integrimit. Por, kjo nuk i pengon kosovarët të kremtojnë 9 Majin – Ditën e Europës duke pushuar për dallim prej vendeve të BE-së, të cilat këtë ditë e festojnë duke punuar.
Ndërkohë, sot në Kosovë është ditë pushimi ku kremtohet dita e themelimit të Bashkimit Europian, Organizatës e cila nuk na njeh si Shtet, ndërsa Qeveria e Republikës së Kosovës këtë ditë e ka me Ligj në Festat Zyrtare!
Kjo është ajo Europa që ndau Trojet Shqiptare, vetëm e vetëm për t’i përmbushur apetitet e shteteve fqinje (sllave). Këtë avaz është duke vazhduar edhe sot me veriun e Mitrovicës.
Për Bashkimin Europian (Europën Plakë), problemi i Luginës së Preshevës (Kosovës Lindore) është çështje e brendshme e Serbisë, ndërsa për veriun e Kosovës duhet negociuar me Serbinë. Kjo i bie se Lugina është e Serbisë e Veriu i Kosovës është në pazar.

Nuk ka faj Europa, por politikanët tanë servilë, pranojnë gjithçka vetëm për të mos i humbur karriget e pozitat e tyre. Vlen të përmendet marrëveshja mes Edita Tahirit dhe Borko Stefanoviç. Pala kosovare pranoi heqjen e fjalës Republikë dhe në vend të saj të vihet Fusnota (*), dhe në shkëmbim të saj nuk mori asgjë.
Merrni shembull Maqedoninë, ka ca vite “refuzon” anëtarësimin në BE e NATO, sepse nuk pranon ndryshimin e emrit, ndërsa ne pa një pa dy e hoqëm fjalën Republikë edhe pse për të luftuan breza të tërë.
Më ironike ishte fakti kur dje Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi në mënyrë unanime një propozim-vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, që vendi ynë shtetasve të shteteve të BE-së t’iu lejohet hyrja në Kosovë vetëm me letërnjoftim, përderisa kosovarët nuk mund të lëvizin pa viza drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Kosova është vendi i vetëm në hartën gjeografike të Europës ndaj të cilës BE-ja aplikon regjim të vizave, gjë që i detyron, kosovarët që të shpenzojnë me miliona euro për të aplikuar për viza.
Një studim i bërë nga Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politika. Gjatë tri vjetëve të fundit mbi 217 mijë kosovarë kanë shpenzuar rreth 15 milionë euro për pagesa për viza në ambasadat të ndryshme, të akredituara në Kosovë.
Po çka nëse atë ditë që ne Shqiptarët hyjmë në Bashkimin Europian shpërbëhet kjo Organizatë edhe ashtu e dështuar…?!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura