MONIKA SHOSHORI’STAFA: RRUGA E MUNDIMSHME DREJT PAVARËSISË (II)

(Tiranë, 09. 10. 2012) – Lidhja e Shqiptare e Prizrenit është ngjarja që i dha program veprimi gati një shekulli lëvizjeje kombëtare. Kjo e bën atë ngjarjen më të rëndësishme të gjithë periudhës që përgatiti themelimin e shtetit shqiptar, në kohën kur perandoria teokratike osmane po shembej dhe po rroposte nën vete të gjithë ata që nuk ishin ndarë më herët prej saj. “I sëmuri i Bosforit” i shfrytëzoi energjitë e shqiptarëve deri në çastin e mbramë. Dhe shqiptarët vetë nuk e patën të lehtë të ndaheshin prej otomanizmit. Lidhjes së Prizrenit i mungoi plot njëqind vjet përcaktimi si një “lidhje shqiptare”, sepse ky përcaktim tmerronte perandorinë, provokonte shtetet fqinje dhe kufizonte e censuronte vetë mendimin shqiptar.
IV
Shtetet kanë lindur prej kombeve dhe kombet prej Rilindjes: asaj rilindjeje që ngjall vetëdijen e bashkimit prej mitit të origjinës, mitit të lashtësisë, mitit të “motit të madh”. Por kur filloi Rilindja te shqiptarët? Kjo është një prej pyetjeve më të ndërlikuara për të kuptuar rrugën e vështirë të nacionalizmit shqiptar drejt shtetit të tyre. Një pjesë e studiuesve thonë se gjithçka nis prej vitit 1831, kur Perandoria Osmane urdhëroi “Dekretin e Gjylhanesë”, dekretin e reformave të Tanzimatit. Sami Frashëri pohon një shekull e ca më parë të njëjtën gjë. Kjo është koha e kapedanëve: Zenel Gjoleka, Rrapo Hekali, Zylyftar Poda. Por shumë të tjerë mendojnë se Rilindja nisi me “Enciklikën” e Veqilharxhit dhe “Evëtarin” e tij. Në historitë e letërsisë ka pasur dhe zgjidhje të tjera: pavarësisht se nacionalizmi romantik kombëtar shqiptohet për herë të parë në veprat e Jeronim de Radës, një shmangie e vogël prej kalendarit rregullisht i ka çuar fillimet e saj te Naimi. Por pyetja themelore: çfarë kishte para Rilindjes, thuajse nuk është bërë. “Këte dikcionar oh Shqipëtār i dashun, e shkrova jo për zotinī tande, qi di mā fort se unaj vetë për vetëhe…”, shkruante misionari Francesco Maria da Lecce qysh në vitin 1702 në hyrjen e fjalorit të tij italisht-shqip. Për herë të parë në histori përmendet emri etnik “shqiptar”. Në epokën e Gjergj Kastriotit ata quheshin arbër, arbanë, rabanë, albanë, epirotas, maqedonas. Rilindësit do të shkruanin se ky vend e ky popull gjendeshin këtu kur “Adhami dhé s’kishte lerë/ në botë nuk kish të tjerë”. Ilirë, pellazgë, nuk kishte rëndësi emri, rëndësi kishte që shqiptarët dhe Shqipëria kishin qenë kryevepra e ditës së gjashtë e hyjit. Pastaj erdhën të tjerët.
V.
Afërsisht 80 vjet më parë dijetari Eqrem Çabej pati shkruar se Rilindja shqiptare ishte një lëvizje mendimi në mërgim. Kryeqendrat e saj qenë pikërisht kolegjet dhe seminaret arbëreshe, Bukureshti, gjimnazi “Zosimea”, Aleksandria, Kajro, Sofja, madje dhe kryeqyteti i perandorisë vetë, Kostandinopoja. Nacionalizmi shqiptar lindi si një lëvizje protestante ndaj politikës së perandorisë. Nuk lindi në periferi, sepse në periferi elita osmane e ndiente veten shumë rehat – ishte vegjëlia ajo që protestonte kundër ndryshimit të politikës “dy për një”. Studiuesit, vendës e të huaj, në këtë pikë shpesh ngatërrohen: qenë teqetë bektashiane që shkëndijuan të parat lëvizjen kombëtare; ishte kleri katolik që, nën nxitjen e doktrinës “cultus protectorati” të perandorisë austrohungareze, shenjuan zgjimin e vërtetë; përkundrazi, historiografia neo-otomane pretendon se qenë klerikët myslimanë që udhëhoqën gjithçka. Në këtë arsyetim ka diçka parimore që nuk pajtohet me historinë: Rezultati më i lartë i Rilindjes qe jo dallimi, por konvergjenca; jo theksimi i ishujve, por dalja prej tyre dhe homogjenizimi. Për herë të parë shqiptarët u ndien të tillë pavarësisht nëse ishin të krishterë apo myslimanë, jugorë apo veriorë, në Shqipëri apo në mërgatën e sapo politike dhe kulturore. Pas kolegjeve dhe seminareve arbëreshe, qenë shoqëritë dhe klubet patriotike shqiptare që i dhanë frymë asaj, prej Stambollit në Bruksel, Paris e Vjenë, e më pas edhe në Boston.

Ismail Qemali (16 janar 1844 – 24 janar 1919)

……………………………………..

VI.
Mendimi se shqiptarët e kanë çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë; ideja poetike se shpata dhe bajoneta kanë qenë zgjatim i shtyllës vertebrore të shqiptarëve, megjithëse duket se u ka bërë nder atyre, në fakt ua ka deformuar historinë. Një shekull Rilindje që parapriu pavarësinë, më shumë se një shekull kryengritjesh luftarake, qe kohë e farkimit të mendimit politik të kombit të ri që po lindte. “Me pushkë e me penë për mëmëdheun” duket një përfundim historik i padiskutueshëm. Por shqiptarëve nuk u mungoi zelli kryengritës kur luftonin për lirinë e fqinjëve dhe të popujve të tjerë; për reformimin e vetë perandorisë dhe shpëtimin e saj nga gremisja. Shqiptarëve u mungonte shkrimi, abetarja, shkolla, shtypi, libri, jeta dhe vetëdija në gjuhën amtare. Pikërisht kjo është arsyeja pse protagonistëve të mendimit kombëtar shqiptar u takoi detyra të ishin poetë dhe profetë, Dìschter, siç thoshin gjermanët për Gëten. Pushka apo pena? – kjo do të mbetet një prej pikëpyetjeve për shumë jubilenj të shtetit shqiptar. Dhe kur erdhi koha që ata të formulojnë një ideologji kombëtare në formë trataktive, promovuan një program më utopik se mund të mendohej. Ideologjia nacionaliste kombëtare shqiptare që ideologjia më difensive jo vetëm në Ballkan, por në gjithë perandorinë e tronditur. Shqipëria e ardhshme do të ishte e ëndërrt në të gjitha kuptimet, e parrezikuar nga askush, parajsë e vërtetë për të gjithë, thua se bota mezi e kishte pritur.
VII.
Kur menduan për herë të parë shqiptarët të organizohen kundër Perandorisë Osmane? Përgjigjja është shumë e qartë: vetëm në vitin kur Kongresi i Berlinit vendosi të ndryshonte kufirin midis Perandorisë Osmane dhe shteteve fqinje që kishin dalë ndërkaq të pavarura. Pikërisht pas vendimeve të këtij kongresi, kur “shtatë krajlitë” vendosën një rend të ri në Ballkan, në dëm të Sulltanit e në dëm të shqiptarëve, u thirr Lidhja e Prizrenit. Kuvend apo lidhje, kongres apo konferencë, pavarësiste apo autonomiste, properandorake apo joperandorake, diplomatike a politike, klerikale a laike, në kohën e duhur apo e vonuar, maksimaliste apo minimaliste, me “karar-name” apo me “kanun-name”, e pushkës apo e penës, Lidhja e Shqiptare e Prizrenit është ngjarja që i dha program veprimi gati një shekulli lëvizjeje kombëtare. Kjo e bën atë ngjarjen më të rëndësishme të gjithë periudhës që përgatiti themelimin e shtetit shqiptar, në kohën kur perandoria teokratike osmane po shembej dhe po rroposte nën vete të gjithë ata që nuk ishin ndarë më herët prej saj. “I sëmuri i Bosforit” i shfrytëzoi energjitë e shqiptarëve deri në çastin e mbramë. Dhe shqiptarët vetë nuk e patën të lehtë të ndaheshin prej otomanizmit. Lidhjes së Prizrenit i mungoi plot njëqind vjet përcaktimi si një “lidhje shqiptare”, sepse ky përcaktim tmerronte perandorinë, provokonte shtetet fqinje dhe kufizonte e censuronte vetë mendimin shqiptar. Kur, më 1979, për herë të parë, në fjalorin politik u gjeneralizua emërtimi “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, në vend të “Lidhjes së Prizrenit”, siç quhej më parë në tekstet e historisë, pikërisht si një nocion historik-gjeografik dhe jo kombëtar, shqiptarët si popull dëshmuan se tashmë ishin të përgatitur për të menduar për një të ardhme tjetër. Dhe nuk është e rastit që vetëm dy vjet më vonë në Kosovë shpërthyen demonstratat e rinisë dhe të studentëve, ku për herë të parë u dëgjua thirrja “Bashkim”, kryethirrja e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit: bashkim në një njësi i të katër vilajeteve shqiptare. Po aq sa nuk është e rastit që shpresa e fundme e shqiptarëve në Jugosllavinë e tretë u shua pikërisht kur operacioni “Patkoi” shembi nga themelet dhe shtëpinë muze të kësaj Lidhjeje, tashmë të ringritur. Këtu, në këtë odë të ngushtë, u mblodhën njerëz që mendonin për Shqipërinë, delegatë të hapësirës historike panshqiptare, pavarësisht se pa delegim formal; dhe vendosën, për herë të parë, t’i quanin dytësore të gjitha dallimet: fetare, kulturore, etnozakonore, dhe të konsideronin si kriterin themelor të homogjenitetit shqiptarësinë, etninë, kombin e vet.
VIII.
Midis otomanizmës dhe shqiptarizmës, midis autonomizmit dhe indipendentizmit, mendimi kombëtar shqiptar u luhat gjatë, me dekada të tëra, madje edhe pasi Shqipëria ishte shpallur formalisht shtet i pavarur. Vetë Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me një program e një statut, me një kanun-name dhe një karar-name, shprehu një vullnet mesatar: mjafton që katër vilajetet shqiptare të bashkoheshin në një e të qeveriseshin prej një grand-veziri; mjafton që prej këtij bashkimi tokat shqiptare të mos u jepeshin fqinjëve, dhe paqja me Stambollin mund të rivendosej. Perandoria e cilësoi Lidhjen si një kuvend klerikësh dhe e refuzoi rregullimin administrativ që kërkohej. Dhe atëherë Lidhja kërkoi kryengritjen dhe, sipas burimeve osmane, armatosi jo më pak se 10 mijë luftëtarë vullnetarë. Por zigzaget e mendimit politik shqiptar u shprehën edhe më vonë. Dukuria historike e alterimit vazhdoi deri në shekullin e 20. Ndërsa Naim Frashëri hyjnizonte një Shqipëri idilike të pashoqe në botë, i vëllai, Samiu, projektonte të gjitha reformat e një Turqie republikane të ardhshme: reformën e alfabetit, reformën e shekullarizimit, reformën e ferexhesë, reformën e sistemit politik. Një prej tribunave më të respektuara të Rilindjes, e përkohshmja “Albania” e Faik Konicës, gjithashtu do të ishte më së shumti zëdhënëse e një Shqipërie autonomiste. Ndërsa Kongresi i Manastirit do të merrte vendimin historik për një alfabet të njësuar të shqipes me shkrim latin, siç kishte qenë prej librit të parë, “Mesharit”, Kongresi i Dibrës, po atë vit, do të pranonte të kundërtën, shkrimin shqip me alfabete orientale. Dukuria “Adhamudh” nuk është një shpikje shkrimtarësh. Së fundmi, Ekrem bej Vlora, pikërisht në ditët kur Shqipëria po shpallej e mosvarme, siç shkruan në kujtimet e tij, luftonte për perandorinë në Bregdetin shqiptar dhe i kujtonte kushëririt se po tradhtonte Sulltanin!

AKTI I NGRITJES SË FLAMURIT NË VLORË –

NË FAQEN E PARË TË GAZETËS “LIRIA E SHQIPËRISË”.

………………………………………………

IX.
Por ç’ndodhte nëpër metropolet europiane, ç’mendohej për këtë vend, kur shqiptarët përpëliteshin midis otomanizmit dhe vetëdijes së tyre kombëtare? Zakonisht, midis tre faktorëve: kryengritjes popullore, mendimit politik shqiptar dhe diplomacisë së huaj, kjo e fundmja ka qenë më e nënçmuara, për të mos thënë më e penalizuara: të gjitha të këqijat shqiptarëve u kanë ardhur nga Avropi! Dëshmitë provojnë se projektet nuk kanë munguar. Qysh në vitin 1892, plot dy dekada para se Shqipëria të arrinte pavarësinë, një prej protagonistëve parësorë të botës italo-shqiptare, Francesco Crispi Glaviano, propozoi një projekt për pavarësimin e Shqipërisë, duke u mbështetur në përkrahjen e Italisë dhe duke llogaritur edhe kundërveprimin e perandorisë së Habsburgëve dhe doemos të Stambollit. “Dossier Crispi” ruhet edhe sot në Arkivin Shtetëror të Italisë dhe ka statusin e një koleksioni rreptësisht të rezervuar. Në vitin 1997, kur Shqipëria rrezikoi vetveten deri në shthurje shtetërore, kjo dosje u hap për herë të parë fare pjesërisht për shtypin dhe autori u penalizua. Projekte të përafërta kishin Vjena dhe Parisi, Londra e Moska. Por projekte kishin dhe veprimtarët shqiptarë. Lef Nosi, njëri prej veprimtarëve të brezit të dytë të Rilindjes, në programin e tij me titull “Ana Kombëtare”, hartuar më 1908, parashihte një Shqipëri të pavarur nën suzerenitetin e një fuqie të madhe të huaj, si shtet monarkik me një princ të huaj në krye, së paku deri në daljen prej rrezikut që shoqërojnë mëkëmbjen. Dhe ky princ duhej të ishte europian dhe të trashëgohej në fron. Vetë Ismail Qemali promovoi disa ide për Shqipërinë e ardhshme: kantonalizimin sipas modelit zviceran, krijimin e një federate shqiptaro-greke, proteksionizmin perëndimor dhe tek e fundmja edhe rikthimin e autoritetit të perandorisë si një autoritet që vetëm formalisht mund të kishte vlerë, kur vendi ishte përfshirë në luftërat ballkanike.
X.
Rruga e mundimshme drejt pavarësimit nuk u lehtësua as me fillimin e shekullit të ri. Kur perandoria osmane hyri në krizën e vet të fundme, lëvizja xhonturke, e njohur në popull si Hurrijeti, që shpërtheu në vitin 1908, i shtoi befasisht mirëbesuesit e një Turqie të re, që në njëfarë mënyre do të republikanizohej dhe do të njihte federalizimin e vet, duke e bërë Shqipërinë shtet të pavarur brenda saj. “Klubi i Selanikut”, i stigmatizuar prej Çajupit si kryeqendër e turkomanëve, nuk lindi prej imagjinatës. Një prej lëvizjeve më të mëdha përparimtare osmane, “Itiha ve Teraki”, “Bashkim e përparim”, kryesohej prej dr. Ibrahim Temos dhe arkivat e kësaj lëvizjeje të madhe ruhen tërësisht në Shqipëri. Shpresat për një Turqi liberale tek një pjesë shqiptarësh nuk u shuan madje edhe pas ndarjes së vendit të tyre nga perandoria, kur nisi beteja midis simpatizantëve të festekuqve dhe atyre të princërve perëndimorë. Ndërsa kuvendet shqiptare mblidheshin e rimblidheshin në Pejë e në Deçan; ndërsa kryengritjet e malësorëve në Veri shpeshtoheshin gjithnjë e më shumë, ndërsa në Kurbin shpërthente një prej rebelimeve më të mëdha antiosmane – thuajse asnjëherë e përmendur në histori – vetëdija otomane vazhdonte të peshonte shumë midis shqiptarëve.
XI.
Ta shohësh historinë e shtetit në një mënyrë të tillë, prapavajtëse dhe me një kriticizëm të ashpër realist, do të thotë t’i përgjigjesh dhe pyetjes se çfarë e vonoi nacionalizmin shqiptar, idenë shqiptare, lëvizjen kombëtare, Shqipërinë shtetërore. Dhe përgjigjja nuk është e vështirë: ishte pikërisht otomanizimi i thellë i Shqipërisë që ndërlikoi fatin shtetëror të saj. Armiku më i madh i perandorisë osmane ishte mbiemri dhe mbiemrat patronimikë të Arbërisë paraosmane ose u zhdukën, ose mbijetuan tek arbëreshët, ose u përshtatën sipas mënyrës osmane: Skurajt u bënë Uzgurlinj e Zguraj; Topiajt u bënë Topia-dan e Toptanë, Dukagjinët u bënë Dukagjinzade. Fisnikëria e vjetër arbërore mërgoi në “Felix Italia” bashkë me ikonat, dorëshkrimet, kambanat, kronikat dhe gjenealogjitë. Elita e re që u krijua trashëgoi një titulaturë ushtarake tipike orientale. Në dy shekujt e fundmë, titujt perandorakë u pëlqenin e prijësve të krishterimit roman: tetë medalje do të pranonte Prengë Bibë Dodë pasha nga sulltani, ashtu si vetë Pashko Vasa do të quhej Vaso pashë Shkodrani. Vetëm në vitin 1923 shteti shqiptar vendosi me ligj heqjen e titujve osmanë: bej, aga, pashë; dhe rikthimin e mbiemrit. Shqiptarët e patën më të lehtë të pavarësohen prej perandorisë osmane se prej otomanizmit vetë.

VLORË, 28 NËNTOR 1912: FAKSIMILI I DY FAQEVE

TË AKTIT TË PAVARËSISË.

……………………………………

XII.
Shqipëria erdhi në ditëlindjen e vet shtetërore, kur bota së cilës i takonte kishte shkuar drejt një ideje tjetër: Paneuropës, idesë utopike të Europës së sotme. Ishte shqiptuar ideja e Shteteve të Bashkuara të Europës, ishte shkruar “Odeja e gëzimit”, ishte kompozuar simfonia e nëntë. Kishte lindur eurocentrizmi. Pikërisht atëherë shqiptarët vendosën të bëhen etnocentristë, aq sa mund të ishin etnocentrisë shqiptarët romantikë, që, përkundër asaj që ndodhi, e shihnin Shqipërinë zonjë si një nuse të mezipritur në kontinent e në rajon. Midis eurocentrizmit, etnocentrizmit dhe mbijetojave të otomanizmit Shqipëria navigon edhe sot, pas 100 vjetësh. Por shekulli i 21-të pa dyshim është shekulli i shqiptarëve. Kurrë pozita e tyre në mjedisin ndërkombëtar nuk ka qenë kaq e promovuar sa sot. Sa sot, kur gjithnjë e më shumë vendin eindipendencës po e zë ajo që quhet interdipendencë, kur vendin e pavarësisë po e zëidentiteti.
FUND

……………………………………………………………..

MONIKA SHOSHORI’STAFA: RRUGA E MUNDIMSHME DREJT PAVARËSISË(I)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=779

===============================
(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura