MONOGRAFIA “GAZMEND ZAJMI – NJË JETË PËR KOSOVËN” VEPËR MONUMENTALE PËR NJË INTELEKTUAL TË JASHTËZAKONSHËM

Nga Nuhi Bytyçi

MONOGRAFIA “GAZMEND ZAJMI – NJË JETË PËR KOSOVËN” VEPËR MONUMENTALE PËR NJË INTELEKTUAL TË JASHTËZAKONSHËM

Shkruan: Akademik Arsim BAJRAMI

Konsideroj se kjo monografi është rezultat i punës intensive dhe me përkushtim të veçantë të publicistit tonë të njohur Nuhi Bytyçit. Ai përmes kësaj monografie ka prezantuar jetën dhe veprën e jashtëzakonshme të Akademik Gazmend Zajmit në shërbim të plotë të rinisë studentore dhe të tërë popullit shqiptar, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Kjo është prezantuar përmes shumë materialeve, dokumenteve, dorëshkrimeve dhe fotografive, një pjesë e madhe e të cilave për herë të parë janë para lexuesve.

Meqë kam pasur nderin që të jem student dhe asiststent i Profesor Gazmend Zajmit, mund të them se ai për mua ishte një idol i një pedagogu, mësimdhënësi të shkëlqyer. Duke qenë një prej doktorëve më të ri të shkencave në nivel jugosllav, ka qenë i paarritshëm. Nuk mund të gjesh 3-4 politikologë tjerë, sidomos kroatë, që kanë mundur të krahasohen me të.

Fati deshi që pas diplomimit të punoj për shumë vite me të si asistent i Profesor Gazmend Zajmit dhe nga ai të mësoj “zejen” – profesionin e mësimdhënësit, që do të thoja nuk është vetëm profesion akademik, por është edhe diçka më tepër, pra rutinë dhe profesion pedagogjik. Profesor Zajmi ishte një figurë komplete, një profesor universitar i shkëlqyer, një pedagog, humanist, por edhe një figurë poliedrike.

Duke qenë se ai krahas mësimdhënies, punës në Universitet, ishte edhe njeri i letrave, shkrimtar, kompozitor. Pra, në radhë të parë ishte humanist i madh. Profesor Zajmi ka qenë parasëgjithash një njeri shumë i dashur, një intelektual i mirëfilltë, ka qenë idol për shumë studentë, por edhe për shumë studiues të tjerë. Ai ju ka qasë studentëve në mënyrë shumë pedagogjike, duke i edukuar ata dhe duke e ngritur tek ata vetëdijen juridike në favor të mbrojtjes së kombit.

Autorit i kam sygjeruar dhe ofruar një varg materialesh konkrete dhe shumë të rëndësishme përmes të cilave është dokumentuar jeta dhe veprimtaria e begatshme pedagogjike dhe shkencore e Akademik Zajmit. Me këtë rast, autori me mjaft profesionalizëm e ka paraqitur Gazmend Zajmin si jurist, profesor, prorektor, rektor i Universitetit të Prishtinës, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, parasëgjithash si intelektual përmasash ndërkombëtare dhe atdhetar i shquar. Askush në Kosovë më mirë se profesor Zajmi nuk e ka argumentuar të drejtën e Kosovës për vetëvendosje dhe pavarësi. Në të vërtetë, ai shquhet me një argumentim të shkëlqyer kushtetues dhe juridik tezën se Kosova asnjëherë nuk ka qenë pjesë e Serbisë, se ajo është aneksuar dhunshëm. Këtë aspekt, autori i monografisë Nuhi Bytyçi e ka prezantuar me pedantëri në mënyrë të dokumentuar me materiale, dokumente e dorëshkrime konkrete.

Akademik Gazmend Zajmi i ka vënë bazat e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut edhe në Akademinë e Shkencave, ku ai kishte përgatitur Deklaratën për pozitën kushtetuese të Kosovës, duke ia dhënë bazat e Deklaratës kushtetuese, ku ai ka autorësinë kryesore. Kam pasë nderin që si asistent të asistoj në redaktimin final të kësaj deklarate dhe mund të them se ajo ka vënë bazat e shtetit të Kosovës.

Në monografi është përfshirë me mjaft profesionalizëm kontributi i Profesor Zajmit në konferenca e simpoziume shkencore, brenda dhe jashtë ish-Jugosllavisë, ku ai ka fascionuar me elekuencën dhe me elegancën e tij, me nivelin akademik dhe largpamësinë që kishte. Si i tillë, ai ishte profesori, akademiku i parë shqiptar nga Kosova anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, me seli në Salzburg të Austrisë. Ai me këtë rast dha kontribut të jashtëzakonshëm në këtë akademi në prezantimin e Kosovës. Unë si anëtar i kësaj akademie, kolegët e gjeneratës së Akademik Gazmend Zajmit, ende e kujtojnë rolin dhe diskutimet e tij në favor të Kosovës, në mbrojtjen e të drejtave juridike dhe politike të shqiptarëve të Kosovës. Presidenti i parë shumëvjeçar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, Akademik Felix Unger më ka rrëfyer për përkushtimin e jashtëzakonshëm të Akademik Gazmend Zajmit në prezentimin e denjë të çështjes së Kosovës, më saktë, përmes kumtesave të tij me qëllim të argumentimit shkencor të së drejtës së popullit të Kosovës për vetëvendosje, për shtet të pavarur e sovran.

Autori i monografisë në mënyrë profesionale e paraqet rolin e madh të Akademik Gazmend Zajmit në kuadër të veprtimtarisë së tij si anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve me seli në Salzburg të Austrisë, duke gjetur mbështetje edhe të kolegëve të tij evropianë për sensibilizimin e çështjes së pazgjidhur të Kosovës në fillim të viteve 90-të.

Mund të them lirisht se mendimi politik i profesor Zajmit për të drejtën e vetëvendosjes së popullit shqiptarë të Kosovës ishte vizionar, sepse ai këtë e ka shprehur dhe argumentuar guximshëm publikisht, atëherë kur Kosova ishte nën një regjim të hekurt serb. Profesor Zajmi ka dalë në mbrojtje të Konferencës së BUJAN-it, përcaktimit të kësaj konference se Kosova pas luftës do të vendosë vet, duke përfshirë edhe të drejtën e bashkimit me shtetin amë-Shqipërinë, dhe ka treguar se vendimi në Prizren i vitit 1945, ishte vendim i dhunshëm, që Serbia e ka marrë me ndihmën e ushtrisë, vendim jolegjitim. Kështu ai ka hyrë në thellësi të argumentimit kushtetues, duke ardhë në konstatimin se me shkatërrimin e Jugosllavisë në fillim të viteve 90-ta, riaktivizohet plotësisht e drejta e Kosovës për të vetëvendosur dhe anulohet çfarëdo pëlqimi formal dhe i dhunshëm për të hyrë Kosova brenda Serbisë dhe Jugosllavisë. Pra, nuk kishte asnjë politikolog serb që mund t’i dilte përpara, sepse thellësia e mendimit të tij politik ishte shumë e shprehur.

Praktikisht ai dominonte komplet në skenën e shkencës politike dhe nuk mund të revalizohej me hulumtuesit dhe studiuesit e tjerë.

Mendimet e tij vizionare, kudo që ai fliste, ishin një argumentim i shkëlqyer se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur, se Kosova nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Serbisë, ajo është aneksuar dhunshëm. Në Kosovë në momentin kur shpërbëhet Jugosllavia, të cilën ai e parashikonte, Kosova duhet të ketë të drejtën e vetëvendosjes, pra të përcaktohet shtet i pavarur.

Autori i monografisë kushtuar Akademik Gazmend Zajmit, Nuhi Bytyçi, pasi thekson se shteti i Kosovës është shpallur më 17 shkurt 2008, dëshmon se nuk do të kishte pavarësi atëherë, nëse profesor Zajmi me kohë nuk do të vendoste një momentum historik, pra të përcaktonte një momentum të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut, e cila pastaj u miratua nga Kuvendi i Kosovës. Ajo teori dhe doktrinë e tij, është akceptuar plotësisht nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë më 22 korrik të vitit 2010, kur e ka vlerësuar legjitimitetin e Deklaratës së pavarësisë së Kosovës. Sepse edhe ai aktgjykim, e ka mbrojtur argumentimin e profesor Zajmit se Kosova gjithmonë është marrë dhunshëm nga Serbia dhe asnjëherë nuk ka qenë vullneti që ti bashkohet Jugosllavisë e Serbisë, por kjo është bërë me dhunë dhe ka qenë e natyrshme që në momentin që u shkatërrua ky shtet, edhe shqiptarët sikurse kombet e tjera kanë ushtruar parimin e vetëvendosjes.

Në këtë monografi me një sens kuptimplotë konstatohet se vepra e akademik Gazmend Zajmit dhe e akademikëve tjerë, është një thesar i shtetit të Kosovës, që duhet të ruhen si trashëgimi e këtyre figurave të ndritura, që duhet të mbesin gjithmonë si një thesar që duhet të respektohen dhe vlerësohen nga shteti i Kosovës dhe të mos harrohen nga gjeneratat e reja, sidomos nga shkencëtarët e rinj.

– Akademik Arsim BAJRAMI, Redaktor i Monografisë

………………………………

DOLI NGA SHTYPI MONOGRAFIA “GAZMEND ZAJMI – NJË JETË PËR KOSOVËN” ME AUTOR NUHI BYTYÇIN (VIDEO)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura