MR.ELIFE PODVORICA: TINGUJT E MUZIKËS SHQIPTARE PËR HERË TË PARË KUMBUAN NË KONCERTIN E FAMSHËM TË VJENËS

Prishtinë, 09. 01. 2015 -• Që nga viti 1941, Koncerti festiv i Vjenës është tradicional. Në qendër të tij janë veprat e katër kompozitorëve të njohur të familjes Strauss: Johan-i ati, Johan i riu, Jozef dhe Eduard. Përveç veprave të familjes Strauss, në këtë koncert luhen (ekzekutohen) edhe vepra të kompozitorëve tjerë, duke e bërë edhe më të larmishëm dhe më tërheqës për audiencën në sallë dhe për miliona adhurues jashtë saj. I transmetuar drejtpërdrejt nga mëse 90 shtete të ndryshme dhe i shikuar nga 90 milionë njerëz ai është Koncerti më i shikuar-dëgjuar në botë.
• Siç është tanimë në traditën e këtij Koncerti edhe sivjet mbizotëruan veprat e Familjes Strauss. Por, sivjet ishte nje risi. Sallat e Koncertit në Vjenë u mbushën me tingujt e bukur të Muzikës Shqiptare. Ishte performanca e shkëlqyer e Zhkëlzen Dolit, violinistit shqiptar nga Gjakova, i cili me një vepër shqiptare, të quajtur “albanian soul” të gërshetuar me motivet e muzikës së Jugut Shqiptar dhe me një mozaik të motiveve muzikore të të gjitha trevave shqiptare, arriti që me virtuozitetin e tij si violinist i shkëlqyer, veprën shqiptare t’ia prezantojë gjithë botës, dhe jo vetëm kaq. Ajo mori shpirtin e çdo shqiptari, mori adhurimin e gjithë atyre që i duan dhe i çmojnë vlerat e bukura të muzikës. Mori adhurimin e atyre që dijnë të çmojnë e vlerësojnë vlerat e mirëfillta e autoktone të një populli, i cili në historinë e njerëzimit, njihet si populli më i vjetër në Europë.

• Ashtu, siç u mbushën sallat me tingujt e muzikës shqiptare në Vjenë edhe performanca e Shkëlzen Dolit dhe ansamblit të tij të përbërë prej violençelistit, Edison Pashko, në klarinetë, Hekuran Xhambali, ndërsa koreografia shqiptare e përfaqësuar nga balerini Eno Peçi, ne shqiptarëve na i mbushi zemrat me gëzim dhe krenari, na e ngrohu shpirtin.
• Shkëlzen Doli është i lindur më 9 gusht 1971 në Elbasan dhe i rritur në Gjakovë. Mësimet e para të violinës i mori nga pedagogja hungareze në Novi Sad, Ewgenia Tschugueva gjatë viteve 1987-1989. Në vitin 1989, ai fiton vendin e parë në garat e violinistëve të rinj në Sarajevë! Në vitin 1992, fillon studimet muzikore në Fakultetin e Muzikës në Vjenë, ndërsa në vitin 1995 ai bëhet anëtar i Filharmonisë së Vjenës, prej nga edhe performoi sot. Si violinist solist, por edhe në ansamble të ndryshme, ai performoi nëpër vende të ndryshme europiane, në Amerikën e Veriut, Japoni, Israel…
Gjithë kësaj atmosfere të bukur, iu bashkua edhe reagimi i menjëhershëm i Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili disa minuta më vonë, shprehu kënaqësinë dhe krenarinë e tij për tingujt e muzikës shqiptare, që artistët tanë po na i dërgonin nga Vjena.
Si lexues dhe si shqiptar u ndiem dy herë krenarë. Artisti nga Vjena dhe Kryeministri nga Tirana po çonin mesazhe kulture e civilizimi. Një kryeministër që i çmon vlerat fisnike të artit, i çmon artistët, i përcjell ata siç i kishte dëgjuar nga afër, pra aty në sallën e Operas dhe Baletit vienez, ai është jo vetëm përfaqësues politik i një shteti, por edhe përfaqësues shpirtëror i tij. Sa kënaqësi! Kultura është një urë ndërlidhëse midis popujve të ndryshëm. Artistët janë ambasadorë të saj mu sikur edhe ambasadorët e shtetit, që përfaqësojnë shtetin dhe që duhet të jenë afër rrjedhave dhe ngjarjeve kulturore, të kenë njohuri mbi artin në të gjitha fushat e tij dhe, sidomos të jenë njohës të kulturave të atyre popujve që në këto dekadat e fundit na ndihmuan si miq në pavarësimin dhe zhvillimin tonë si popull. Është nderim shumë i madh për njeriun dhe për Kryeministrin. Kur nderohet puna dhe mundi i artistit, nderohet shpirti i një populli, sepse artisti është edhe bartës i çdo halli e brenge, krenarie e fitoreje të një populli. Respekt zoti Kryeministër! Respekt zoti Edi Rama, që i përcillni artistët shqiptarë edhe jashtë vendit. Por edhe kur s‘keni mundësi të jeni në sallë, i uroni, i lavdëroni ata. Ju gjeni kohë gjithmonë për përfaqësuesit e kulturës dhe të artit. Ndërsa kolegët tuaj në Prishtinë janë akoma shumë larg një kulture të këtillë!
Në Prishtinë, në koncertin festiv të fundvitit, që e mbajti Filharmonia e Kosovës, ku ishin me shumë se 1000 njerëz në sallë, s’ishte i pranishëm as Ministri i Kultrës, as Kryeministri i vendit! Ҫfarë t‘u thuhet këtyre politikanëve? S‘e kanë afinitetin e as respektin ndaj vlerave kulmore të artit të vendit, drejtues të të cilit janë. Sa mëkat për ta! Çfarë drejtuesish?! Pavarësishtë kësaj, artistët, sportistët e vendit tonë po shënojnë suksese në botë. Edhe suksesi i Majlinda Kelmendit gjatë vitit 2014, pastaj performanca e Ermonela Jahos, Sajmir Pirgut në rolin kryesor të operës, “La Traviata”, të kompozitorit italian të periudhës së romantizmit, G.Verdit, na bën të ndjehemi mirë dhe krenarë! Të jesh në rolin kryesor të margaritarëve të opusit operistik, siç është“La Traviata”, e Verdit dhe të performosh midis Vjenës, do të thotë të jeshë në majat botërore të artit ndërkombëtar.
Skena e Operas dhe Baletit në Vjenë këtë vit, siç duket, qenka rezervuar dhe bërë nikoqire e gjerë për gjithë këta artistë shqiptarë me përmasa botërore! Ndërsa salla “Art” e pallatit ku u mbajtë koncerti i Filharmonisë së Vjenës, kësaj here vërtet shkëlqeu porsi ar nën tingujt herë vajtues të kabasë çame, herë shpresëdhënës, e herë të gëzuar të violinistit Zhkëlzen! Djaloshi shqiptar kështu ua uroi gjithë botës çastet e para të vitit të ri, duke e konfirmuar edhe njëherë se Çamëria po ua përkujton dhe po u troketë edhe njëherë në ndërgjegjjen historike për fajin e pashembulltë që historia e Ilirisë (Ballkanit), por edhe ajo europiane ka bërë me popullin shqiptar të Ҫamërisë, me pasardhësit e Marko Boçarit! A nuk është kjo krenari që regjeneron të gjitha qelizat shqiptare dhe ndihmon që të shkundim pluhurin e ndjenjës së inferioritetit që na e kanë imponuar çdoherë, sidomos fqinji ynë ziliçar,-serbi-, i cili u mundua që të na vesh me atë petk iritues trashë e më trashë, që të mos mund ta shkundim jo për vite, por për shumë kohë! Por, jo! Le që është befasuar ai, por edhe shumë të tjerë, e në mesin e tyre edhe ne, vetë shqiptarët! Sepse, u pa dhe u dëshmua se rinia shqiptare është shumë e pastër. Në gjenin e saj ka vetëm energji pozitive e liridashëse. Sepse, në historinë e kombit të saj asnjëherë nuk ka pasur tjetër, përveç bujarisë, zakonit të mikëpritjes, zëmërgjërësisë dhe ndjenjës së mirë për Liri! Dhe këtë liri, edhe një pjesë e popullit shqiptar arriti ta shoh në këtë fillim të këtij mileniumi të tretë. Populli shqiptar kishte luftëtarë e trima ndër shekuj, që kontribuan edhe për popujt tjerë dhe u ndihmuan atyre jo vetëm në fitoren e Lirisë, por edhe të shtetformimit të tyre. Shembull historik e kemi Revolucionin grek të vitit 1821, të cilin e udhëhoqi biri çam, Marko Boçari dhe shumë kapedanë tjerë shqiptarë-arvanitasë, që i vun themelet e shtetit grek! Më vonë, pas tij, vjen Mustafa Qemali-Ataturku-siç e pagëzuan pastaj nga dashuria dhe respekti që ka në shiprtin e çdo shqiptari e turku të vjetër e bashkëkohor, për figurën e këtij përsonaliteti, i cili me pjekurinë e tij diplomatike dhe me startegjinë e tij luftarake e guximin e pashembulltë arriti t’i vë themelet dhe ta ndërtonte Turqinë moderne (1923)! Dhe kush ishte Mustafa Qemalie dimë të gjithë ne shqiptarët, por sa kemi arritur që këto figura t’i “promovojmë” si shqiparë para popujve tjerë, le të mbetet punë shkencore e historianëve tanë! Pastaj, populli shqiptar kishte kontribuar edhe në edukimin dhe në tempujt e dijes, siç ishte Universiteti i parë i Stambollit(1870), ku rektor i parë i tij ishte Hoxhë HasanTahsini-intelektual nga Çamëria, i cili zotëronte 11 gjuhë dhe ishte zot i shumë fushave të shkencës së psikologjisë, astronomisë, filozofisë dhe gjuhësisë!
Më në fund, dalëngadalë janë hapur dyert dhe kultura europiane po i pranon në gjirin e saj artin dhe traditën shqiptare bashkë me krijuesit e saj, artistët tanë. Rrugëtimit të këtyre artistëve të sotëm u kanë paraprirë shumë më herët personalitete të artit dhe shkencave tjera të njohur nëpër botë, si i madhi, aktori i famshëm botëror, Aleksandër Moisiu, i cili la gjurmë të arta në kulturën e artit dramatik europian! Pastaj, sa jemi tek arti, vlenë të përmendet patjetër emri i sopranos se viteve’30-ta,Tefta Tashko, ku skenat e metropoleve europiane absorbonin zërin më të bukur që kishin dëgjuar ndonjëherë! Pastaj kemi piktorin e famshëm Ibrahim Kodrën, sopranon bashkëkohore Inva Mulën, e sa e sa artistë tjerë…. Andaj, meqë jemi në ditën e parë të Vitit të Ri, populli im, do të doja shumë që të ndiçnim rrugën e këtyre figurave të artit dhe historisë, që të punojmë ndërgjegjshëm dhe suksesshëm të arrijmë të promovojmë vlerat e kombit tonë para botës, jo vetëm në fushën e artit. Më në fund, shpresoj se e kemi kuptuar që roli ynë si popull, nuk është vetëm rajonal. Kemi dhënë shumë dhe kontribuar edhe në mirëqenien e popujve të tjerë, andaj të bëhemi të zotët që frutat e kësaj pune të arrijmë t’i shijojmë edhe ne, e jo të tjerët në vend nesh, ashtu siç kanë bërë gjer tani! Historikisht jemi ballëhapur para gjithë fqinjëve e popujve të tjerë, sepse asnjë moment nuk kemi qenë as pushtues e gllabërues, as hileçar historik, por vetëm popull liridashës… Ajo që na duhet tani, është bashkëpunimi i ndërsjellë midis shqiptarëve në të gjitha fushat, zelli dhe dëshira, puna e angazhimi serioz, që të ngrihemi në këmbë dhe të ecim paralel me të gjithë popujt tjerë të civilizuar, të cilët shtetforminin e tyre e kanë më shumë se para 700 vjetëve, siç është shembulli i Zvicrës. Të vetdijësohemi se i kemi të gjitha predispozitat si popull e si pozitë gjeografike me të gjitha resurset e begatitë natyrore, që të zhvillojmë ekonominë, industrinë e turizmin më shpejt e më profesionalisht! Andaj ta duam çdo pëllëmbë shqiptare, ashtu siç e deshën stërgjyshërit tanë, gjyshërit e etërit tanë, secili në mënyrën e tij, ashtu siç e diktonte koha dhe rrethanat. Prandaj, ta duam, ta ndërtojmë, ta bashkojmë, zhvillojmë dhe ta promovojmë atdheun tonë të përbashkët, Shqipërinë, edhe me “armët” e artit e të kulturës….

…………………………………………………………

ALBANIAN SOUL ~ Shkelzen Doli • DER BOULEVARD ~ Die Wiener Ringstraße 1865-2015

………………………………………….

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura