BLEDAR KOMINI: KRIMI NDAJ MORALIT

Tiranë, 23. 06. 2016: Krimi dhe statistika kanë diçka të përbashkët. Janë të ftohtë! Krimi, që mund të jetë vrasje, dhunim, përdhunim, intimidim, korrupsion, shkatërrim i pronës publike dhe private, vjedhje e saj, apo çdo vepër e dënuar penalisht sipas kodit në fuqi, nuk njeh as formë, e as përmbajtje (nëse i referohemi numrave). Por, ai njeh vetëm shtrirje dhe ndikim. Statistika e cila nxjerr përfundime se sa krime janë kryer, ku dhe prej cilës kategori, është një shkencë e ftohtë e cila na e servir krimin vetëm përmes shifrave. Pra duke e përkthyer krimin në numra, ne arrijmë të kuptojmë me gjakftohtësi se sa i rrezikshëm është ai, ku shtrihet dhe sa ndikon.
Në fakt duke qenë se e nisa me këtë krahasim, që dikujt mund t’i duket i pavend, dua të argumentoj se në një shoqëri si kjo e jona, ku krimi kthehet në statistikë, është e pamundur të krijohen ndjeshmëri për të gjetur ilaçin apo antivirusin e duhur, përmes të cilit të ndalet përhapja e tij. Shikimi i krimit si një statistikë tumorale që vazhdon të shtrihet e të përhapet, në fakt nuk krijon pritshmërinë e duhur, atë të reagimit, por sjell, fjala vjen, që në vend “të vlimit të gjakut” kur shikon një padrejtësi, gjaku të shkojë “në fund të këmbëve”. Të dy këto forma alegorike të përdorura gjerësisht në vulgun tonë, shprehin thellësisht mënyrën se si ne reagojmë ndaj një ngjarjeje që kutërbon era krim.

Populli shqiptar duke jetuar në një sistem sistematik kriminel, si ai i disa dekadave më parë, e pati të vështirë që pas viteve ‘90 të ndërtojë koncepte të drejta në lidhje me atë se çfarë është ose nuk është krim. Pavarësisht se sistemi ynë i drejtësisë është munduar të reformohet e të përshtatet me atë të sistemeve juridike që aplikohen në vende demokratike, sërish më i pareformuari në këtë rast ka mbetur njeriu! I paedukuar, i keqtrajtuar prej të gjitha sistemeve, i shkatërruar ekonomikisht në vitet 1996-1997, i rënë në një luftë civile të padrejtë po në të njëjtën periudhë, i degraduar moralisht pas rënies së vlerave të sistemit monist, si dhe në fund i pa orientuar përballë Perëndimit, ai e gjeti veten pa besim fetar, të goditur moralisht dhe të boshatisur prej ëndrrave dhe idealeve kombëtare.
E duke dashur që fajin t’ia hedhim gjithnjë sistemeve apo dhe institucioneve si gardianë të tyre, ne dashje pa dashje biem në një gabim të dytë, anashkalojmë faktorin human. Pra, për ne gjithnjë e ka fajin sistemi, sepse ishte sistemi komunist që na la pas, sepse sistemi nuk na edukoi me vlera të tjera, se ai na shkatërroi vlerat, apo se s’kemi pasur sistem politik efektiv gjatë këtyre 3 dekadave të fundit. Të gjitha këto qendrojnë. Por nuk duhet harruar për asnjë çast ai që e ndërton dhe mbikëqyr sistemin, njeriu.
Dita-ditës duke qenë të pafuqishëm për të edukuar njeriun, si vlerë integrale, unike dhe jo si vlerë e shtuar në sistem, kemi prodhuar një ngrehinë interesash materiale, të cilët nisin me botoksin e përfundojnë tek droga, pasurimi i shpejtë dhe i padrejtë, jeta e shfrenuar dhe pa asnjë model, etj.
Studiuesit përveç botimeve serioze në lidhje me krimin dhe konceptet tradicionale të tij, janë munduar të sjellin edhe një dimension tjetër krejtësisht modern dhe serioz mbi këndvështrimin se si duhet parë krimi e sidomos ai ndaj moralit (referuar “The Oxford Handbook of Crime and Public Policy” 2011). Nisur prej fakteve të përmendura pak më lart, se kategori të caktuara individësh pasurohen në një kohë të shkurtër, zhvillojnë një jetë të shfrenuar, si dhe rivalizojnë tradicionalen, shtysa që kanë marrë studiuesit për t’i parë këto fenomene si vorbulla krimi, i ka shpënë ata drejt të ashtuquajturit “krim ndaj moralit”.
Studiues të njohur si Robert J. Maccoun and Karin D. Martin, kanë hetuar efektet e ndryshme që sjell përdorimi i drogës në jetën e përditshme, gjë e cila sipas tyre rrit dozën e krimeve si vjedhjet, dhuna apo pastrimit të parave tek një grup të rinjsh që bëhen pjesë e këtyre rrjeteve. Në anën tjetër Valerie Jenness ka argumentuar se krimet e kryera nën efektin e urrejtjes janë shtuar edhe më shumë se më parë dhe një rol të madh në kurbën rritese vazhdojnë të kenë dallimet sociale që janë bërë gjithnjë e më të theksuara, jetesa e shfrenuar e të pasurve dhe varfëria ekstreme e pjesës tjetër. Prostitucioni si dhe sjelljet e pahijshme në publik janë pjesë e të ashtuquajturit “krim ndaj moralit”, duke qenë se sjellin denigrim të humanes dhe trajtim kafshëror ndaj gjinisë femërore.
Ekzistenca e krimit ndaj moralit, nuk përbën ndonjë fenomen tërësisht të ri, pasi ai në periudha kohore të ndryshme është trajtuar sipas botëkuptimeve të secilës kohë, por sot përhapja e drogërave tek të rinjtë, shtimi i urrejtjes dhe zilisë ndaj pasurimit të shpejtë të një kategorie të caktuar, përhapja e kumarit (ligjor ose jo), abortimi (diku i lejuar e diku i ndaluar), përçudnimi i jetës së tjetrit, apo ngacmimi seksual, janë vetëm një seri prej krimeve që i shtohen listës së statistikave në çdo vend të Ballkanit dhe Evropës.
Shqipëria që vijon të mbetët një vend me një sistem edukimi shumë të dobët, me një popullsi dukshëm të shkolluar por aspak të edukuar, me modele kriminale në politikë dhe jetën publike, do e këtë të vështirë të parandalojë dhe ulë ndjeshëm krimin si fenomen por dhe si botëkuptim tek ajo pjesë e shoqërisë që është margjinalizuar dhe tashmë kërkon të shfaqet ose të marrë atë që “pretendon” se i takon.
– Autori është pedagog – shkenca sociale.

…………………………………………

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura