MUHAMET D. ROGOVA: KOSOVA-DHEMBJE E SHPIRTIT PËR ATDHETARËT

Gjakovë, 18 maj 2019: Shkrimtari, publicisti, dramaturgu, historiani, hulumtuesi shkencor dhe atdhetari i devotshëm, Brahim Avdyli, kësaj radhe na paraqitet me një libër shumë interesant si rezultat i hulumtimeve të thella për të kaluarën e popullit tonë dhe të sotmën e nëpërkëmbur nga pushtetarët tanë. Në këtë libër që mban titullin “Sondazhe për Kosovën dhe kufirin e saj”, të ndarë në 26 kapituj, autori, Brahim Avdyli, përpiqet të na paraqesë gjendjen e rëndë dhe shumë të mjegulluar të popullit shqiptar të Kosovës dhe paqartësinë e të ardhmes së saj. Në artikullin hyrës me titull “Gjendja reale e shqiptarëve dhe kuptimi i sondazheve” paraqet thelbin e tërë përmbajtjes dhe qëllimit të këtij libri, ku shprehet: “Në këtë libër kam përmbledhur disa artikuj e analiza dokumentuese, me pikëpamjet e mia midis bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, pa ia falur Serbisë tokat më të mira të Kosovës”. Kjo është brenga më e madhe e autorit se, ndonëse Kosova e shpallur shtet sovran, i lirë dhe i pavarur, me kushtetutë që garanton tërësinë e territorit të saj, kohë pas kohe po i shkëputen disa pjesë të këtij territori sovran dhe po i jepen shteteve fqinjë si në lindje e në perëndim dhe tani edhe në veri, ku sipas këtyre planeve rreth 30 përqind e territoreve të kësaj Kosove sovrane po përpiqen t’i tjetërsojnë. Autori ngre zërin kundër këtyre padrejtësive që po i bëhen Kosovës, kur dihet se Serbia ende i mban të pushtuara viset shqiptare, si Kosovën Lindore, të quajtur “Lugina e Preshevës” si dhe Sanxhakun që janë thjeshtë toka shqiptare dhe i takojnë territoreve të hershme të Dardanisë.
Kurse në artikullin “Parafjalë shkencore për Dardaninë e vjetër dhe Kosovën” paraqet historikun e Dardanisë së hershme. Autori ëshë marrë gjatë me hulumtime shkencore, sidomos për lashtësinë e popullit shqiptar dhe ka një njohuri të thellë rreth periudhës së antikitetit. Ai shpjegon edhe etimologjinë e fjalës “Dardan”, sipas hulumtimeve të derisotme, që do të thotë “Shigjetë”, pra shigjeta hyjnore apo rrezja e diellit, që për dardanët ishte Zoti i parë. Sipas hulumtimeve të bëra, Dardania është me një organizim shtetëror dhe me kulturë autoktone iliro-pellazge. Autori shpjegon se iliro-pellazgët kanë qenë tharmi i krijimit të popujve dhe të shteteve evropiane, meqë shqiptarët ishin populli i parë evropian të lindur nga hyjnitë.
Në artikujt e mëposhtëm, autori përshkruan gjendjen e rëndë që po kalon populli shqiptar dhe Kosova në tërësi të udhëhequr nga pseudopolitikanët, të cilëve iu mungon njohja e zhvillimeve të diplomacisë botërore në shkallë të duhur dhe “qeveria e dalë nga lufta” merrej me ndarjen e pushtetit sipas klaneve. Nëse ushtarët e UÇK-së që rrokën armët për ta luftuar armikun, dhe shumë prej tyre edhe u vranë nëpër ato luftra të përgjakshme, kishin si platformë çlirimin nga pushtuesit serbosllavë dhe bashkimin kombëtar dhe sot u krijua një realitet i ri. Jo vetëm që nuk flasin më politikanët tanë për bashkimin kombëtar, por i qesin në pazar edhe pjesë nga territoret e ngushta të Kosovës për ta zvogëluar edhe më tepër. Prandaj në qeveri janë ftuar për t’u bërë pjesë e saj persona të dëgjueshëm, kompromisaxhinj dhe pa parime morale që janë të etshëm për pushtet e për para dhe që janë të gatshëm për të vepruar ashtu si iu thuhet. Kurse autori, Brahim Avdyli, shpreh indinjatën e tij të ligjshme për mospërfilljen që i është bërë, kur dihet kontributi shumë i madh i tij për çështjen kombëtare, që nga viti 1992 në formimin e strukturave të LNÇK-së; të LPK-së apo LPKR-së, dhe në organizimin e UÇK-së, si dhe në organizimin dhe mbajtjen e sa e sa tubimeve nëpër mërgatë (zyrtarisht i thonë diasporë) për afrimin e popullit dhe vetëdijesimin e tyre për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut, duke vrapuar nga një shtet në tjetrin, por edhe në Shqipëri e Kosovë, dhe është përpjekur për realizimin e çlirimit kombëtar nga pushtuesit serbosllavë. Brahim Avdyli, që në fillim të viteve 1990, është angazhuar me tërë qenien e tij në shtetet perëndimore, ku jetonte dhe punonte në mbajtjen e dhjetra tubimeve kombëtare dhe iu bënte thirrje popullit, sidomos rinisë shqiptare, për t’iu përgjegjur thirrjes së atdheut për luftë të armatosur dhe për ta ndihmuar edhe financiarisht këtë luftë që kishte mbetur e vetmja rrugë për të dalë nga ajo robëri shekullore. Në shkrimet e këtij libri paraqitet preokupimi dhe angazhimi i jashtëzakonshëm i autorit për ta vetëdijesuar popullin se nuk kishte mbetur rrugë tjetër përveç luftës së armatosur për ta shporrë një herë e përgjithmonë pushtuesin nga tokat tona shekullore. “Kam bërë çmos që të krijohet mundësia për krijimin e radiostacionit “Kosova e lirë” në kohën kur Kosovën e kishtte mbuluar terri informativ nga okupatori serb”. Gjatë gjithë viteve të nëntëdhjeta Brahim Avdyli, siç del edhe nga shkrimet e këtij libri, është angazhuar me tërë qenien e tij në organizim të tubimeve kombëtare si dhe të demonstratave në të gjitha anët e Evropës Perëndimore për ngritjen e moralit të popullit për t’u angazhuar sa më shumë të popullit tonë për t’i dalë ndihmë atdheut, të shtypur dhe për t’u ngritur në luftë të armatosur, që ishte e vetmja rrugë që me luftë të armatosur për të dalë nga robëria shekullore serbosllave dhe për të jetuar të lirë si të gjithë popujt e lirë nëpër botë. Brahim Avdyli kishte marrë pjesë edhe në Kuvendin e Intelektualëve Shqiptarë, të mbajtur në Stamboll, në vitin 1995, ku përmes kumtesës së tij të lexuar aty, paraqet platformën që duhet ndjekur nga shqiptarët për realizimin e aspiratave tona kombëtare e në mënyrë të veçantë shtron edhe kërkesën e tij dhe të tjerëve që e pasonin për Bashkim Kombëtar, ku sipas tij do të ishte e vetmja rrugë e drejtë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare. Por edhe pas përfundimit të luftës dhe formimit të Qeverisë shqiptare në Kosovë, angazhimet e tij në favor të çështjes shqiptare, nuk pushojnë. Në maj të vitit 2002 merr pjesë në një simpozium të mbajtur në Prishtinë, të organizuar nga LKÇK-ja, ku në kumtesën e tij paraqet platformën për rrugën politike që duhet ta ndjekë qeveria e Kosvës për ta pasur një qeveri sa më solide kombëtare në të gjitha aspektet e zhvillimit dhe shton kërkesat e tij në disa pika orientuese që duhet t’i realizojë qeveria dhe poplli shqiptar.

Autori i këtij libri nuk është aspak i kënaqur me rrjedhat politike që po zhvillohen në Kosovën tonë të lirë, sovrane dhe të pavarur. Në një seri artikujsh që i boton në vazhdim të këtij libri, e të cilat i ka lexuar nëpër tubime të ndryshme apo edhe që i ka botuar, shpreh indinjatën e tij kundër strukturave të ndryshme politike, që po e udhëheqin politikën e Kosovës e që sipas autorit, nuk janë aspak të favorshme e të drejta për vendin dhe për popullin e këtij regjioni. Në vend se të vinin në pushtet njerëz të virtytshëm, intelektualë të mirëfilltë që ia duan të mirën popullit dhe këtij vendi, i cili është larë me gjak, në pushtet erdhën figura destruktive që synim parësor i tyre ishte zhvatja dhe pasurimi personal e familjar apo klanor, duke e lënë popullin e sidomos rininë në papunësi dhe varfëri ku tërë rinia i mbajnë sytë e drejtuar nga Perëndimi për të siguruar një ekzistencë apo një jetë më të mirë për vete dhe për familjet e tyre. Një hall tjetër që e preokupon autorin e këtij libri, është ruajtja e tërësisë teritoriale e Kosovës, nëse bëheshin plane dhe hartoheshin platforma për realitimin e bashkimit kombëtar, e që ishte ëndërr e përhershme e popullit tonë, sot edhe kjo Kosovë e vogël po rrezikohet për t’u ndarë pjesë-pjesë, si nga Lindja e Perëndimi, e tash së voni bëhen plane edhe për shkëputjen e veriut të Kosovës dhe dhënien e saj Serbisë. Autori akuzon kastën politike të Kosovës e cila përpiqet të hyjë në pazare për tjetërsimin e pjesëve më vitale dhe më të pasura të Kosovës për t’ia dhënë fqinjve veriorë. Serbia, jo vetëm që mban të pushtuara toka të territorit shqiptar, që nga Nishi e deri në Merdare, por ia ka vënë syrin edhe veriut të Kosovës dhe këtë duke qenë e ndihmuar edhe prej politikanëve të Kosovës, kështu që autori në këtë libër përpiqet të argumentojë me një sërë faktesh historike, duke nisur që nga antikiteti i lashtë e deri sot, sepse këto toka kanë qenë të banuara prej iliro-dardano-shqiptarëve dhe që vazhdojnë të jenë të banuara edhe sot dhe askush nuk ka të drejtë të vejë dorë në këto toka tona, të cilat i kemi të trashëguara që nga të parët tanë. Kohëve të fundit është bërë zhurmë e madhe për korrigjimin e kufinjve në dëm të Kosovës dhe të popullit shqiptar. Prandaj autori ngre alarmin kundër këtyre pazarllëqeve të turpshme, kundër ndarjes së Kosovës dhe zvogëlimin gjithnjë e më të madh të territorit të Kosovës, edhe ashtu mjaft e zvogluar, se sa territore tona kanë mbetur jashtë hapësirave territoriale shqiptare. Duke e përjetuar shumë rëndë këtë gjendje alarmante që po kalon populli shqiptar i Kosovës të udhëhequr nga politika destruktive e vendit, për të cilën shprehet autori që nuk janë legjitimë se në zgjedhjet e fundit kanë dalë për të votuar vetëm 45 për qind e popullsisë së vendit, pra më pak se gjyma e votuesve me të drejtë vote. Këta politikanë nuk e kanë të drejtën legjitime për të marrë vendime që shkojnë në disfavor të çështjes kombëtare, sidomos për ndërrime kufinjësh dhe për dhënien rreth 30 për qind të territoreve shqiptare armiqve tanë shekullorë. I indinjuar dhe thellësisht i brengosur për fatet e atdheut tonë, me inisiativën e tij tuboi një grup intelektualësh në Prishtinë, dhe ky grup intelektualësh më 7 nëntor të vitit 2018 e mbajti një tubim në Prishtinë, ku u debatua për këtë brengë të madhe kombëtare dhe pas analizave të gjata që iu bënë situatës politike të Kosovës dhe rrezikut që po i kanosej vendit tonë nga shkëputja e territoreve të tëra në dëm të Kosovës për t’ia lëshuar Serbisë hegjemoniste, morëm vendim për shkruarjen e një Memorandumi të hartuar prej intelektualëve shqiptarë, përmes të cilit shprehej brenga e këtij populli kundër ndarjes dhe tjetërsimit të veriut të Kosovës. Gjoja si kompenzim për këtë, Kosovës t’ia jepnin një pjesë të Luginës së Preshevës, atë pjesë territoriale të banuar me shqiptarë në jug të Serbisë, të quajtur Kosova Lindore. Për Luginën e Preshevës duhet të kërkohet një autonomi substanciale, duke ia njohur të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton në trojet e tyre autoktone, me të drejtë për vetëvendosje; kurse për kufinjtë e Kosovës, të njohur ndërkombëtarisht prej instancave më të larta ndërkombëtare nuk duhet të lejohet që të bëhen pazare me të, sepse bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës, sipas së cilës kufinjtë e Kosovës janë të paprekshëm dhe të patjetërsueshëm. Ky memorandum, i shkruar në shtatë faqe përmes së cilit i është bërë një analizë e gjatë në aspektet më të ndryshme, historike dhe etnologjike, si dhe demografike. Përmes këtij memorandumi, duhej t’i bëhej e njohur botës për padrejtësitë që po përgatiteshin t’i bëhen këtij vendi dhe këtij populli nga kasta destruktive politike e vendit. Askush prej politikanëve të këtij vendi nuk ka të drejtë të vendosë në emrin e tij për dhënien e asnjë pëllëmbe të tokës së Kosovës kujtdoqoftë. Kjo tokë është e larë me gjakun e mijëra luftëtarëve të lirisë dhe çdo lojë me kufinjtë e tokës së Kosovës mund të quhet tradhti kombëtare.
Ky Memorandum, i hartuar nga një grup i Intelektualëve dhe i drejtuar nga Brahim Avdyli, i përkthyer në gjuhën angleze, i është drejtuar të gjitha instancave ndërkombëtare, si Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, BE-së dhe të gjitha instancave të saja, SHBA-së, NATO-s dhe OSBE-së, Presidentëve e Kancelarëve të shteteve Perëndimore dhe të gjitha instancave ndërkombëtare dhe kombëtare, në lidhje me këtë, edhe opinionit publik shqiptar e ndërkombëtar, duke ia paraqitur brengën tonë të madhe për rrezikimin e tërësisë së territorit të Kosovës.
Në këtë libër përshkruhet angazhimi i jashtëzakonshëm dhe përpjekja e tij e pandërprerë për çështjen kombëtare. Në këtë libër autori fillon me përshkrimin e të kaluarës së popullit tonë që nga lashtësia më e thellë e deri në ditët e sotme, dhe mandej vazhdon me përshkrimin e realitetit politik që po e përcjellin popullin tonë, duke e shprehur brengën e tij të thellë për gjendjen jo të mirë të popullit tonë në aspektin politik, shoqëror e social, që sipas tij shkaktarë për këtë gjendje janë politikanët tanë që po e mbajnë peng këtë vend e këtë popull. Ky libër do t’i shërbejë opinionit të gjerë dhe lexuesve për ta kuptuar më mirë situatën nëpër të cilën po kalon populli i ynë dhe do t’i begatojë njohuritë e tyre.
Ky libër ka një vlerë të veçantë për kohën kur po botohet dhe t’iu ipet në dorë lexuesve të shumtë, të cilët janë të interesuar për t’i thelluar njohuritë e tyre në shumë aspekte për çështjen tonë kombëtare.
Lexojni këtë libër, për dhembjen tonë, të autorit dhe të të gjithë atdhetarëve, për të pasur mundësi të gjykoni…

Gjakovë, 5-6 maj 2019

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura