NGA VIZITA E KFHDK NË PREKAZIN LEGJENDAR (FAMILJA JASHARI I JEP MBËSHTETJE TË FUQISHME THEMELIMIT TË SHOQATËS)

Prishtinë, 27. 10. 2015: (Në Prekaz vendoset për themelimin e Shoqatës së Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit (SHFHDK) dhe për protestë në Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor) – Në vazhdën e veprimtarisë për të kërkuar mbështetje, Komisioni i Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit (KFHDK) qëndroi në Prekazin legjendar, me ç’rast vizitoi familjen emblematike të heroit kombëtar, komandantit legjendar Adem Jashari, familje e cila është shembulli më i mirë dhe më kuptimplotë dhe me konotacion shumëdimensional, duke i dhënë atdheut mbi 50 heronj dhe dëshmorë të kombit për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar. Baca Rifat Jashari u dëshiroi mirëseardhje anëtarëve të Komisionit. Gjatë një bisede shumë të ngrohtë dhe tejet vëllazërore, kryetari Naim Zhitia, në emër të Komisionit e falënderoi Bacën Rifat për mikpritjen, të cilin e njoftoi me aktivitetin dhe kërkesat e Komisionit, të cilat kanë të bëjnë me dëshmorët e rënë në fushën e nderit të paraluftës çlirimtare për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar, në mënyrë që me ligj t’u njihet statusi i dëshmorëve të kombit, ashtu si edhe të gjithë dëshmorëve tjerë.
Baca Rifat Jashari me këtë rast iu dha mbështetje anëtarëve të Komisionit për aktivitetin në drejtim të zyrtarizimit edhe të plejadës së dëshmorëve të paraluftës çlirimtare për dëshmorë të kombit.
Duke kërkuar mendimin edhe të familjes Jashari, Naim Zhitia dhe anëtarët tjerë të Komisionit, Bacën Rifat e njoftuan edhe me iniciativën për themelimin e Shoqatës, e cila do t’i trajtojë në mënyrë të barabartë të gjithë dëshmorët e kombit pa dallim periudhe kohore.
Rifat Jashari me këtë rast i dha mbështetje të plotë Komisionit, duke theksuar se edhe të rënët e paraluftës çlirimtare për liri dhe pavarësi janë dëshmorë të kombit, për çka institucionet e Kosovës duhet t’i njohin ashtu si edhe dëshmorëve të tjerë. Prandaj, me këtë rast Baca Rifat i dëshiroi punë të mbarë dhe suksese Shoqatës në rrugëtimin e saj për të mbrojtur gjakun e derdhur të të gjithë dëshmorëve të kombit në të gjitha periudhat e rezistencës ndaj pushtuesit serb.
Po ashtu Komisioni në fjalë gjatë ditës vizitoi edhe familjen e Tahir dhe Nebih Mehës në po këtë fshat, me ç’rast nipi i Tahir Mehës, Ilir Meha, i priti anëtarët e komisionit në kullën e dëshmorëve të kombit dhe në familjen e tij.
Pasi falënderuan për mikpritjen, Komisioni në Kullën e Tahir dhe Nebih Mehës mbajti një mbledhje, në të cilën u diskutua për hapat e ardhshëm që do bëhen me qëllim të arritjes së kërkesave të drejta të Komisionit për dëshmorët e paraluftës çlirimtare. Në këtë Kullë, në truallin e të cilës Tahir e Nebih Meha, duke luftuar kundër njësive speciale të ish-Jugosllavisë 23-milionëshe, ia dridhen themelet krijesës artificiale jugosllave, apo burgut të popullit shqiptar, duke bërë jehonë të madhe për heroizmin dhe luftën e pabarabartë që u zhvillua më 13 maj 1981, u vendos që të themelohet Shoqata e Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit.
Ndërsa, me qëllim të sensibilizimit edhe më të madh dhe për të bërë presion në institucionet qeveritare të Kosovës, u vendos që më 28 Nëntor, Ditën e Flamurit Kombëtar dhe Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, të organizohet një protestë, me kërkesë të vetme që dëshmorët e paraluftës të njihen dëshmorë të kombit sipas Ligjit aktual, i cili faktikisht i njeh dëshmorë edhe të gjithë të rënët në periudha dhe forma të ndryshme për lirinë dhe pavarësinë e vendit, por Komisioni Qeveritar për Verifikim ende nuk i ka futur emrat e dëshmorëve në listën zyrtare të dëshmorëve të kombit. Prandaj edhe me këtë rast u kërkua nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komisioni Qeveritar për Verifikim që të aprovojë kërkesën për njohjen zyrtare të statusit të dëshmorëve të kombit edhe atyre të rënëve para luftës çlirimtare në Kosovë, thuhet në kumtesën e Komisionit të Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit (KFHDK). b.k.

Në familjen e komandantit legjendar, në pritje të Bacë Rifat Jasharit.

Komisioni merr vendim për themelimin e SHFHDK në kullën e Tahir Mehës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura