PASHTRIKU: ARTA RAMADANI, FITON ҪMIMIN E PARË GJERMAN PËR GAZETARI TELEVIZIVE ‘KAUSA 2012’

(Pashtriku.org, 06. 12. 2012) – Gazetarja shqiptare-gjermane Arta Ramadani është vlerësuar me çmimin e parë “Kausa 2012” për gazetari, në kategorinë e gazetarisë televizive. Këtë çmim prestigjioz e ndan qeveria e Gjermanisë për kontributet më të mira në lëmin e gazetarisë kushtuar migracionit, dhe Arta Ramadani e mori në një ceremoni solemne të organizuar më 5 dhjetor 2012 në Berlin.
Vendin e dytë në kategorinë e gazetarisë televizive e mori Anorte Linsmayer, ndërsa çmimin e tretë e mori Suana Meckeller, të cilat po ashtu kishin hyrë në rrethin e ngushtë për këtë shpërblim prestigjioz.
Ky çmim është dhënë edhe për dy kategoritë tjera të gazetarisë:
– për gazetarinë e shkruar (gazeta dhe internet) dhe
– për gazetarinë radiofonike.

Për të tri kategoritë janë ndarë çmimet e para, të dyta dhe të treta.

Arta Ramadanim fituese e çmimit të parë “Kausa 2012”

– në kategorinë e gazetarisë televizive.

…………………………………

Për çmimin “Kausa 2012” kanë mundur të konkurrojnë të gjithë gazetarët në Gjermani që janë më të rinj se 35 vjeç. Çmimi ka edhe vlerën e tij monetare, gjegjësisht 30 mijë euro që ndahen për 9 fituesit e kategorive të ndryshme.
Rrëfimi televiziv për të cilin ajo mori çmimin e parë mban titullin „Schlau und trotzdem ‘nur’ Hauptschule“ ose në shqipe: “Inteligjent dhe prapë `vetëm`në shkollën e përgjithshme” (të zanateve). Në këtë rrëfim ajo merret me problemin e diskriminimit të nxënësve me prejardhje të huaj në shkollat gjermane.
Si protagonist merr një nxënës turk, të cilin, me gjithë notat e shkëlqyera, mësuesit e orientojnë në shkollën e përgjithshme dhe jo në gjimnaz ose në “realschule” ku ai e kishte vendin. Vetëm pas angazhimit të vendosur të nënës së tij, teknike medicinale, vogëlushit i njihet niveli dhe kthehet në shkollën reale.

Të gjithë fituesit e kategorive të gazetarisë.

…………………………………………………

Arta Ramadani punon si reportere dhe redaktore në magazinën e njohur “Nano” të televizionit gjerman 3sat.
E lindur në Prishtinë para 31 vitesh, bashkë me babanë e përndjekur politik (Tefik Ramadani) dhe me familjarët tjerë Arta ka ardhur në Gjermani që në fëmijërinë e saj të hershme. Ajo ka studiuar për etnologji, politikë, medie dhe shkenca të komunikimit në Boston (SHBA) dhe Heidelberg e Mannheim të Gjermanisë.
Karrierën si gazetare e ka filluar në transmetuesin televiziv për të rinj “Sunshine Live” dhe ka kryer një numër praktikash dhe trajnimesh në televizionet si SWR dhe HR. Pastaj ka mbaruar një voluntariat (praktikë) një vjeçare në ZDF.
Ndërsa, para se të kalonte në 3sat, Arta ka punuar si redaktore në emisionin e ZDF-së “Hallo Deutschland”. Në televizionet ku punon, ajo ka realizuar edhe emisione speciale për aktualitetin në Kosovë.

……………………………………..

Arta Ramadani në mesin e fituesve…

Më tepër lexoni këtu: http://www.bmbf.de/de/2321.php

Më tepër lexoni këtu:

http://www.kausa-medienpreis.de/gewinner2012_fernsehen.html

===============================

(Përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura