Pashtriku.org, 24. 06. 2012 – Idajet Beqiri është arrestuar më 24 maj 2012 (ditë e enjte) në pikën kufitare të Vërmicës. Prokurori i Gjykatës së Qarkut në Prizren, Agron Matjani, pas arrestimit të Idajet Beqirit, më datën 25 maj 2012, ka kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj tij prej 40 ditësh, me arsyetim se ai është i kërkuar nga Zyra e Interpolit. Gjykatësja e Gjykatës së Qarkut në Prizren, Ajser Skënderi, me shpejtësi, brenda disa minutash, ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 40 ditësh.
Mbrojtësi i Idajet Beqirit, avokati Gjuran Demaj, në afat brenda 24 orësh, ka ushtruar ankesën me shkrim kundër këtij vendimi të gjyqtares Skënderi, duke e kundërshtuar në tërësi vendimin për arrestimin dhe paraburgimin e tij. Në ankesën e tij, mbrojtësi Demaj e ka quajtur vendimin si shkelje thelbësore të procedurave penale të parashikuara me nenin 403, paragrafi 2, pika 12 e KPPK-së.“Një ndër kushtet themelore për caktimin e paraburgimit të personit, ndaj të cilit është bërë kërkesa për transferim, është parashikuar me nenin 517, paragrafi 1, pika 7 e KPPK-së dhe është fakti se duhet të ketë prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar se shtetasi i huaj, transferimi i të cilit kërkohet, ka kryer vepër konkrete penale, për të cilin ekziston vendimi i formës së prerë”, thuhet në ankesën e Demajt.
Idajet Beqiri…
__________________________________
Mbrojtësi i Beqirit në ankesë thotë se fletarrestimi ndërkombëtar, i lëshuar nga Zyra e Prokurorisë Federale Publike në Belgjikë, në të cilën gjen mbështetje aktvendimi i ankimuar, nuk provon ekzistimin e vendimit të formës së prerë, me të cilin do të vërtetohej se Beqiri paska kryer vepër penale, ashtu siç është parashikuar në dispozitën e lartcekur. Më tutje, në shkresë Demaj shkruan se edhe po të ekzistonte vendimi i formës së prerë, në të cilin do të vërtetohej se shtetasi i huaj paska kryer vepër penale, në shkresat e lëndës ekziston dokumentacioni, në bazë të të cilit shihet se për të njëjtin rast, për të cilin është urdhëruar nga organet e Belgjikës, me vendim të plotfuqishëm të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, z. Beqiraj është shpallur i pafajshëm, për shkak se është akuzuar për mendim të shprehur politik, i cili nuk paraqet vepër penale jo vetëm me Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë, por as me konventat ndërkombëtare. “E gjithë procedura e deritanishme e zhvilluar në Belgjikë dhe në Republikën e Shqipërisë ndaj të mbrojturit tim ka të bëjë me simpatinë dhe mendimet politike të tij, ndaj UÇK-së (Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare), pa mos-vlerësuar faktin se pjesëmarrësit e kësaj ushtrie me Marrëveshjen e Ohrit janë rehabilituar dhe sot janë pjesëmarrës aktivë në organet kryesore të këtij shteti”, thuhet në shkresën e mbrojtësit të Beqirit. Më tutje, në shkresë avokati Demaj thotë se z. Beqiri është gjykuar për çështjen për të cilën është lëshuar fletarrestim ndërkombëtar me vendim të formës së prerë, nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë.
Idajet Beqiri, kryetar i Unitetit Kombëtar Shqiptar.
___________________________
* * *
Koordinatori i KMLDNJ-së në Prizren, Bashkim Kajdomçaj, e ka vizituar Qendrën e Paraburgimit në Prizren dhe është takuar me kryetarin e Unitetit Kombëtar Shqiptar, Idajet Beqiri, i cili po mbahet padrejtësisht në paraburgim, në pritje për t’u ekstraduar në Belgjikë. Kajdomçaj ka zhvilluar takim edhe me drejtorin e kësaj qendre, Miftar Ziba. Kryetari i Unitetit Kombëtar Shqiptar, Idajet Beqiri, shtetas i Shqipërisë, ka thënë se partia që ai e drejton është legale.’Ne kemi përfaqësues në Parlament dhe në pushtetin lokal dhe ne mbrojmë programin për bashkimin e trojeve etnike, e drejtë kjo e garantuar edhe me Kushtetutën e vendit’, ka thënë fillimisht Idajet Beqiri. Ai lidhur me arrestimin e tij ka thënë se është tërësisht politik. Paraburgimi prej 40 ditësh i është caktuar nga Gjykata e Qarkut në Prizren, pas arrestimit më 24 maj 2012 në Vërmicë. Ai është arrestuar në bazë të fletarrestimit ndërkombëtar të lëshuar nga Belgjika më 8.05.2012. Beqiri thotë se ka pasur një herë një gjykim nga të gjithë shkallët, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë në Tiranë, me vendim të formës së prerë, që e ka shpallur Idajet Beqirin të pafajshëm. Beqiri kishte qenë azilant në Belgjikë kur autoritetet e këtij shteti e akuzuan se prej vitit 2001 deri 2003, duke qenë udhëheqësi i politik i FBKSH-së dhe ka bërë përpjekje të shumta për bashkimin e trojeve Kosovës e Maqedonisë me Shqipërinë, në mënyrë paqësore.
Bashkim Kajdomçaj, Koordinatori i KMLDNJ-së në Prizren.
_______________________________
Po më mbajnë padrejtësisht në paraburgim
Pas marrjes së pafajësisë nga ana e drejtësisë shqiptare, Belgjika sërish kishte dërguar fletarrestim të ri, në vitin 2004. Atëherë Prokuroria e shtetit shqiptar dhe Ministria e Drejtësisë i ishin përgjigjur se kjo çështje është gjykuar një herë dhe s’mund të ketë gjykim të dytë për një çështje që ka pasur një gjykim. Institucionet shqiptare kanë dërguar gjithë lëndën e Idajet Beqirit në Belgjikë për gjykimet e bëra të të gjitha instancave, përfshirë edhe atë të Gjykatës së Lartë, me vendim të prerë. ‘Unë po mbahem padrejtësisht në paraburgim, pa asnjë bazë ligjore, sepse fletarrestimi i ri i Belgjikës, i bërë më 8.05.2012, është i njëjtë me akuzat e viteve 2001-2003, për çka ka vendime gjyqësore nga të gjithë instancat”, është shprehur Beqiri. Ai ka shtuar se vendimi është tërësisht politik dhe i pakuptimtë nga ana juridike.“Mbajtja ime këtu është e pajustifikueshme. Gjatë vitit 2011 e deri kur u arrestova në Vërmicë më 24 maj kam qenë në Kosovë 39 herë’, ka thënë Idajet Beqiri. Sa i përket trajtimit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Idajet Beqiri thotë: “S’kam asnjë vërejtje. Janë shumë të edukuar dhe sillen shumë mirë”. Beqiri ka thënë se dy ditë më parë ai është vizituar edhe nga një delegacion i lartë i shtetit shqiptar, deputetë dhe figura të tjera, përfshirë ish-kryetarin e Shqipërisë, Rexhep Mejdani. Mësohet se dosja e Idajet Beqirit shpejt do të përcillet te Ministria e Drejtësisë së Kosovës nga ana e autoriteteve shqiptare dhe më pas pritet edhe vendimi rreth këtij rasti. “KMDLNJ-ja kërkon që urgjentisht institucionet të zgjidhin këtë rast dhe konsideron se mbajtja në paraburgim e Idajet Beqiri nuk ka asnjë bazë ligjore, përfshirë edhe ato ndërkombëtare”, pohon Kajdomçaj.
_____________________________
Shikoni një material lidhur me arrestimin e z.Idajet Beqiri…
……………………………………………..