‘PEN’ DHE LËVIZJA ‘SHKENCA PËR NDRYSHIM’ PROTESTON KUNDËR NDOTJES SË AJRIT NË PRISHTINË (FOTO+VIDEO)

Prishtinë, 09 Dhjetor 2016: Sot në mëngjes, aktivistët e organizatës PEN dhe Lëvizjes ‘Shkenca për Ndryshim’ organizuan aksionin e parë, si pjesë e kampanjës “Mbroni fëmijët tuaj nga vrasësi i padukshëm”, në hyrje të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor. Aksioni i organizuar para Ministrisë tenton që ta thyej heshtjen e këtij institucioni ndaj problemit të ndotjes së ajrit në Prishtinë si dhe të kërkojë më shumë transparencë dhe përgjegjësi nga ky institucion. Gjithashtu, gjatë gjithë ditës, aktivistët e PEN dhe Lëvizjes do të jenë në sheshin Nënë Tereza duke bërë matje të ndotjes së ajrit në kohë reale dhe duke i informuar qytetarët.
Në Kosovë shpesh politikanët përdorin shprehjen “fëmijët dhe rinia janë e ardhmja e këtij vendi…” – shprehje e cila tashmë ka humbur çdo kuptim që ka patur. Sepse janë pikërisht fëmijët dhe të rinjtë (sigurisht, së bashku me grupet tjera) që po helmohen nga ajri në Prishtinë; janë ata që po i vuajn pasojat nga neglizhanca e institucioneve.
Duke qenë se ajri është një e mirë e përbashkët dhe duke parë që qytetarët janë lënë në terr informativ mbi kualitetin e ajrit që ata e marrin, aktivistët e PEN dhe Lëvizja Shkenca gjithashtu do të qendrojnë gjatë tërë ditës në sheshin Nënë Tereza në Prishtinë duke bërë matje të kualitetit të ajrit dhe duke ju ofruar qytetarëve një alternativë tjetër për t’u informuar mbi nivelin ndotjes së ajrit.

Kampanja “Mbroni fëmijët tuaj nga vrasësi i padukshëm” ka për qëllim që të ngrisë vetëdijen tek prindërit, mësuesit, gjyshërit, dhe grupet tjera të qytetarëve mbi rrezikun që i kanoset fëmijëve nga ndotja e ajrit. Fokusi kryesorë është vënë tek fëmijët për shkak të punës sistematike që organizatës PEN dhe Lëvizjes Shkenca për Ndryshim e kanë bërë në matjen e ndotjes së ajrit në shkollën fillore Faik Konica në Prishtinë. (Matjet që aktivistët e lëvizjes i bëjnë që nga viti 2014, kanë treguar një trend të ndotjes së lartë pikërisht në zonën ku gjendet shkolla.).
Në mungesë të transparencës nga institucionet, PEN dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim synojnë që – përmes hulumtimit të ndotjes së ajrit në terren dhe aksioneve mobilizuese – ta “demokratizojnë ajrin”. PEN dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim mendojnë se ajri aktualisht në Kosovë është i “korruptuar”, sepse sot qytetari i Kosovës nuk ka ide se çfarë ajri merr; nuk e ka informacion si ndikon në shëndet dhe si të mbrohet nga ndotja; dhe nuk ka ndonjë mbështetje nga institucionet përkatëse. Çuditërisht ajri, kjo e mirë e përbashkët, që shpesh përdoret si simbol i lirisë (liria është një tjetër e mirë e përbashkët që të gjithë e gëzojnë), sot është kthyer në simbol të helmit vrastarë. Liria nuk mund të jetë e plotë pa demokraci, dhe demokracia sot është në krizë – krizë e cila reflekton në gjendjen politike, sociale, ekonomike, por ne mendojmë se reflekton edhe në gjendjen e ambientit që ekziston sot në Kosovë. Prandaj, “demokratizimi i ajrit” është jo më pak i rëndësishëm sesa demokratizimi i politikës, ekonomisë, e kështu me rradhë.
Organizata PEN dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim do të vazhdojnë që të hulumtojnë ndotjen e ajrit në Prishtinë. Nëse situata nuk përmirësohet dhe institucionet vazhdojnë të heshtin para kësaj gjendje alarmante duke mos marrë masa konkrete dhe të menjëhershme, aktivistët e lëvizjes do të ndërmarrin aksione tjera protestuese edhe gjatë javëve në vijim.

Aksioni kundër ndotjen e ajrit para Ministrisë së Ambientit – #VrasesiiPadukshem

______________
Policia largon kukullat e vendosura te ministria e mjedisit
Kukullat të cilat u vendosen sot para Ministrisë së Mjedisit gjatë aksionit rreth kampanjës, “Mbroni fëmijët tuaj nga vrasësi i padukshëm”, janë larguar nga policia e Kosovës. Flora Ahmeti ka thënë se ato u larguan pasi që nuk kanë pasur leje që të vendosen aty. “Ata kanë marr leje për t`i vendosur ato kukulla dikund tjetër e jo para ministrisë”, ka thënë Ahmeti. Ndërsa organizatori i kësaj kampanje, Trim Ilazi ka thënë për Insajderin se nuk e din ende pse policia i kargoi ato.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura