MIT’HAT FRASHËRI: TË METAT E SHQIPTARËVE

(Pashtriku.org, 26. 10. 2012) – Është virtyt që njeriu të shohë dhe të njohë të metat e tij. Kur e shohim fajin, e ndjejmë që lajthitëm, jemi të penduar. Kjo siguri zgjon ndër ne dëshirën dhe vullnetin që të veprojmë, të ndreqim shtrembësinë, të hyjmë në të drejtë. Ne shqiptarët, ti miku im që këndon këto radhë, dhe unë që po i shkruaj, jemi plot faje, plot të meta.
Kemi karaktere të liq, të trashëguar nga kohët e shkuara, nga stërgjyshë, nga paranikët. Duhet t’i zhdukim ne, të mos i trashëgojmë te djemtë tanë, të mos i bëjmë të na japim mallkim. Ne sot nuk ngarkojmë me nëmë gjyshët tanë: ata nuk qenë të përgjegjshëm, se nuk i shihnin fajet. Po ne i prekim me dorë të ligat tona; prandaj duhet të mos i hedhim mbi kurriz t’atyreve që na pasojnë.
Vendi ynë i coptuar, i gërxhosur, plot shkëmbinj dhe gryka, na ka bërë t’ashpër, pak të keq, egoistë, plot kotësi, të pabashkuar, të pashoqëruar. Altruizmi dhe solidariteti i ka munguar këtij populli të mjerë. Jeta e njeriut s’ka pasur ndonjë vlerë, pushka kërcet vetë vetiu, dhe ai që “vdes në një ferrë” nuk quhet fatkeq; ai që shuan jetën e tjetrit, që mbyll një shtëpi, nuk e sheh të turpëruar veten e tij; mburret, hiqet krenar.
Dheu i varfër, malet e shkretë, pjellori e pakët e tokës, e kanë shtyrë shumë herë në rrezik që të mbetet pa bukë, të kënaqet me një ushqim mizerabël. Prandaj edhe kujdesi i tij ka qenë të sigurojë sa të mundë me tepër ushqim për veten e tij, të lakmojë gjënë e tjetrit, të përpiqet t’ja grabitë plaçkën, drithin ose kafshën.
Gjeografi i vendit e ka bërë të ketë një kotësi qesharake, një egoizëm të ngurtë, të vërë veten e tij, unin, përpara çdo sendi. Gurrët dhe shkëmbenjtë e kanë bërë lakmitar, grabitës, të vrast një njeri për një hudhër, për një grusht bar, për një pëllëmbë arë.

…………………………………………………..

Po s’ka qenë vetëm varfëri dhe shterpëri e vendit që ka pjellë këto veti; ky dhe ka qenë i begatë dhe pjellor, kur ka dashur që të punojë shqiptari. Se, shqiptari s’ka dashur kurdoherë ta punojë tokën; punën e ka shikuar si një turp, një mëkat, një mallkim, një përbuzje. (Shqiptarit i pëlqen më tepër të vejë me dhën: berrat i ruan qeni dhe ai lot kartrat ose rri shtritur në shullë, i vë synë diellit).
Sundimi pesë herë shekullor i Turqisë, një sundim nga më të zezët që kanë njohur historitë e botës, na ka shtuar të metat e vjetra, duke na pakësuar virtytet: Turku na mësoi edhe një herë akoma më përtacë, më të harbuar; me anadollakun, si jeniçer ose bashibuzuk, kemi vajtur të grabitim gjer në Hungari, jemi vrarë në Bagdat dhe në Jemen; më vonë jemi shkruar zaptie për një mexhitkë në muaj, dhe kemi vdekur në Gjirit, na janë zbardhur eshtrat në rërë të Fizanit.
Kjo jetë bashibuzuke dhe kondotiere, një rrojtje ku shisnim jetën tonë për një kacidhe dhe i merrnim shpirtin e tjetrit për më pak akoma, na mësoi që të mos e duam ligjin, që mos e njohim, të mos i bindemi. Na stërviti edhe një herë më tepër që të rrojmë me rrëmbim dhe jo me djersën e ballit tonë.
Kur qeverimi turk zgjuante dhe ushqente arrogancën në zemrat e të fortëve, tërë n’atë kohë ngjallte do vese jo më pak të dëmshme në krahëror të atyre që ishin të dobët, vese që shkrimtari grek s’ka mënuar t’i quajë të meta skllavore, për të rrëfyer se lindin ndër ata njerëz q’i janë poshtëvënë një synimi të keq dhe të padrejtë. Arroganti me të dobtin bëheshin armiq një smirë e fshehtë lindte dhe rritesh në gji të tyre; dy mise të një trupi largoheshin njëri prej tjetrit, mirrnin tendenca të tjera, për të shkatërruar edhe më tepër akoma këtë Shqipëri të mjeruar, duke çelur një gropë.
Me këtë mënyrë shumica e Shqiptarëve duke pasur mendjen në aventura në Misir dhe në Konie, në Rusçuk dhe në More, vendin tonë e lamë fare të shkretë: lumenjtë buçitnë, fushat u mbytën, malet u zhveshën. Edukata që morëm në oxhakët e jeniçerëve na bëri të jemi të këqij dhe të padrejtë kundra¬ vëllezërve tanë më të dobët, të humbasim çdo ndjenjë dhe virtyt kombi, të gjendemi si fis i egër, armik dhe i përçarë me njëri-tjetrin, pa asnjë farë bashkimi, indiferent në përparim, të mërguar prej çdo lumturie materiale, meqënëse të larguar nga bashkimi, pa bashkëpunim dhe pa solidaritet.
Dhe kështu, shekulli i nëntëmbëdhjetë, kjo kohë e dritës, e qytetërimit dhe e zgjimit të ndjenjave kombtare, na gjen, neve shqiptarët, krejt në gjumë, pa njësi, pa bashkim, pa literaturë, sa dhe pa alfabet.
Na u desh një forcim i madh që të zgjohemi prej afionit që na kishte dhënë sundimi i osmanxhikut. E urrejtur qoftë për jetë ajo administratë, e mallkuar qoftë ajo orë që solli këmbën e aziatikut në Shqipëri, që na bëri të rrimë pesë shekuj më pas nga shokët. Pesë shekuj shkuan mbi ne si një hije e zezë, një gur i rëndë mbi mendjen dhe vetëdijen tonë, një kohë errësire që mend e shoi çdo ndjenjë njerëzie, çdo cilësi njeriu të ndershëm.
Në qoftë se kujtojmë këto të këqija, e bëjmë që të bindemi mirë për shëmtimin e tyre, të ndjejmë thellë në zemër fajin tonë, qoftë dhe një faj i pjellë prej konditave fatale të jetës dhe të rrethanave. Duke parë në këtë mënyrë thellësinë e greminës ku kemi jetuar, do të kuptojmë dhe më mirë detyrën që na bie mbi supe që të lëkundemi fare nga influenca e zezë, që të shpëtojmë nga pushtimi i një jete gjysmë barbare.
Synimi i huaj u ka dhënë të meta edhe më të mëdha akoma se nga tonat, popujve të tjerë. Po një vullnet i fortë i ka shkundur, dhe kanë shpëtuar veten e tyre.
Kur e shikon njeriu në sy të metën, mund që edhe ta shpjegojë, se e kupton që influencat historike janë sende fatale. Inati dhe zemërimi nuk hyjnë me punë se dëftojnë karakter të dobët. Ajo që na duhet është durimi, puna e qetë, e palodhur, me vazhdim metodik, pa u rrëmbyer, pa menuar, pa u zvertitur.
Inatin dhe zemërimin mund ta kemi për veten tonë, se vetëm ne do të jemi të përgjegjshëm, vetëm ne do të pësojmë prej dëmit që do të na vijë. Po, kur është fjala për dobin e përgjithshme, kur kemi të bëjmë me interesin e kombit, atëherë na duhet sjellje e matur, prudencë perseverente, që të ecim mengadalë dhe me siguri. Vetëm kështu, duke ecur dhe jo duke rënë me hundë, mund që të bëjmë të zhduken të metat e mbledhura dhe të grumbulluara gjer më sot, të sjellim ato cilësi që e bëjnë njerin e egër një komb të butë, që e bëjnë fisin barbar një popull të qytetëruar, të fitojmë virtytet që bien bashkimin, bashkëpunimin, solidaritetin ndërmjet miseve të një trupi, të njohim ligjin, t’i bindemi vullnetarisht nomit, t’i shtrohemi një farë robërie të ëmbël që na shpëton nga jeta e ashpër.
Vajtimi nuk hyn më punë, se sjell dëshpërimin e fatalizmit. Kundër një të lige, përpara një mynxyre, duhet vepruar, do prurë një reaksion, që të vijë zgjimi pas gjumit, larg dehjes, një zgjim veprimtar, me vullnet të vërtetë, me punë të fortë, motra dhe mëma e shpresës pjellore.
Një veri e bën detin që të buçasë. Një frymë e re e bën një komb të marrë një shpirt të ri. Një të tillë frymë krijonjëse duhet të kemi.
Botuar më 1924

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura