PROF. ASOC. DR. VANGJEL KICI: VEPRIMET E QEVERISË KUNDËR INTERESAVE TË SHTETIT SHQIPTAR!

Kanada (Toronto), 3 prill 2018: Disa nga veprimet kundër interesave të shtetit shqiptar janë:
1. Shpronësimi i plotë i shtetit, nëpërmjet privatizimit ekstrem.
2. Nxitja e popullit kundër shtetit, nëpërmjet grabitjes së firmave të fajdeve.
3. Privatizimi dhe dhënia me konçesion e të gjithë naftës dhe minierave.
4. Ndalimi i bërjes së kërkimeve gjeologjike nga shqiptarë
t.
Në një paradite të bukur pranverore, të vitit 1993, kalova para godinës së Institutit të Minierave në Tiranë. Në trotuar, para portës së Institutit, qëndronte një grup prej 4 vetash. Kolegia ime e punës, Afërdita, po bisedonte me 3 burra. Kur unë kalimthi i përshëndeta, ajo më tha: “Të lutem, a mund të më ndihmosh? Këta janë turistë anglezë, dhe duan të shkojnë në Fakultetin Gjeologji-Miniera, por unë nuk mund t’i shoqërojë”. Unë pranova, dhe u afrova tek grupi, por pyeta: Si do të merrem vesh? Ajo më tha se njëri prej tyre flet rusisht. Turisti, që fliste rusisht, bëri prezantimin: “Jemi dy shokë pensionistë, ish zjarrfikës nga qyteti i Mançesterit (Angli), kurse ky është djali im student. Duam të shkojmë në Fakultetin e Gjeologjisë për një vizitë”. Pastaj folësi më tregoi një thes plastik me disa rroba të përdorura. Ai më tha: “Kemi dëgjuar se keni mungesë rrobash. Mos kini merak, sepse janë të këtij djali”. Studenti dukej i shëndetshëm dhe shtatlartë. I falenderova për dhuratën….Pastaj u nisëm në këmbë për në Fakultet, sepse autobusët e vjetër Saviem, të linjës urbane të Tiranës së Re, ishin shumë të shkatërruar dhe të pistë. Gjatë rrugës, ata më treguan se kishin qenë në Rusi, deri në Malet Ural. Në kthim kishin kaluar nga Rumania, Bullgaria…Në bisedë e sipër, unë u thash se ne i qëndruam besnikë marksizëm-leninizmit. Ata më thanë se besnikëria ka kufi. “Edhe në Angli, pas Luftës së Dytë Botërore, shumë anglezë u futën në Partinë Komuniste. Por disa e vizituan Bashkimin Sovjetik. Kur u kthyen, ata treguan shumë gjëra të papranueshme për ne. Prandaj, shumë komunistë anglezë, përfshirë edhe ne të dy, i dorëzuan teserat”.

Ata kishin dëgjuar se tek ne do të privatizohej gjithçka, dhe më thanë se këtu duhet pasur kujdes. Nuk duhet kaluar në ekstrem. “Tek ne ekzistojnë të dy format e pronës, edhe prona shtetërore, edhe prona private. Ato janë në konkurencë (garë) me njëra tjetrën. Për shembull: Kemi spitale shtetërore dhe spitale private, linja urbane shtetërore dhe linja urbane private, pyje shtetërore dhe pyje private, ferma bujqësore shtetërore dhe ferma bujqësore private. Kemi centrale elektrike shtetërore dhe centrale elektrike private. Kemi lumenj shtetërorë dhe lumenj privatë etj.”.
Unë e pyeta: Si ta kuptojë këtë?
Ai më tha: “Ajo pjesë e lumit, që kalon tek ferma private, i përket pronarit të fermës…” Në Britani subjekte për shtetëzim janë: Transporti, komunikacioni, energjia (nafta etj.), burimet natyrore (mineralet etj.), bankat… Tek ne, në atë kohë, qeveriste Partia Demokratike. Ajo kishte lëshuar direktivën për privatizimin e pothuajse të gjithë pasurisë shtetëror!!
Pra, do të shpronësohej shteti pothuajse tërësisht. Qëllimi i këtij shpronësimi ekstrem ishte që të dobësohej shteti, që ai të mos kishte fuqi. Këtë direktivë, të privatizimit ekstrem, më vonë e vazhdoi edhe qeveria socialiste. Ky privatizim i tejskajshëm vazhdon edhe sot. Tani shteti ka mbetur pothuajse pa pasuri dhe pa prona. Shteti nuk prodhon asgjë për eksport, dhe prandaj ai nuk ka të ardhura. Ai mbahet vetëm me taksa të shumta dhe borxhe nga bankat e huaja! Populli është varfëruar shumë. Ky shtet i dobët është katandisur qellimisht në këtë gjëndje mjerane, sepse dikujt nga jashtë i intereson, që shteti shqiptar të jetë sa më i dobët.
Arsyeja tjetër, e privatizimit të çdo gjëje, është grabitja e pasurisë shtetërore (kombëtare) nga pushtetarët e korruptuar, sepse në një shtet si Shqipëria, ku ligji nuk sundon aspak, privatizimet shoqërohen me grabitje dhe korrupsion. Pra, interesat e dikujt nga jashtë puqen me interesat e pushtetarve vendas.
Edhe gjatë regjimit komunist tek ne u kalua në ekstrem, duke shtetëzuar gjithçka. Ne jemi shtet i ekstremeve!
Gjatë Lëvizjes së Dhjetorit 1990, udhëheqësit e Partisë Demokratike deklaruan në mitingje publike, se regjimi komunist në Shqipëri e shfrytëzoi popullin, duke mos e paguar sa duhet punën e tij. Kjo ishte e vërtetë, sepse ai regjim, në fakt ishte kapitalizëm shtetëror, ku popullin nuk e shfrytëzonin klasat e pasura në pushtet, por shteti. Ramiz Alia deklaroi: “Shqipëria nuk është as lindje as perëndim”, d.m.th. as socialiste, as kapitaliste, por çfarë ishte? Më vonë, në vitet e para të demokracisë, ai pranoi në shkrimet e tij, se kishim qënë në kapitalizëm shtetëror! Prandaj, në fillim të viteve 1990, njerëzit filluan grabitjen e pasurisë shtetërore. Aty-këtu grabiteshin magazina shtetërore, dyqane, nafta nga tubacionet e transportit etj. Shteti nuk i dënonte këto veprime. Njerëzit po merrnin nga shteti “punën e djeshme të papaguar”! Ky ishte fillimi i një lufte kundër pasurisë së shtetit, domethënë fillimi i një lufte kundër shtetit! Pra, udhëheqësit e Partisë Demokratike ishin shkaktarët e fillimit të kësaj lufte.
Në mesin e viteve 1990, me nxitjen e kryeministrit Sali Berisha, u krijuan shumë firma të fajdeve (huadhënieve me interesa). Qeveria jo vetëm i nxiti, por edhe e lejoi krijimin e tyre. Persona të ndryshëm krijuan firma të fajdeve, që grumbulluan paratë e popullit me dhënie interesi të lartë (mujor,…). Berisha dilte në televizion, duke pasur pranë vetes një pronar firme të fajdeve, dhe deklaronte: “Biznesmenët tanë janë të ndershëm…”. Pra, ai i nxiste shqiptarët, që të linin paratë e tyre tek firmat e fajdeve. Në fillim këto firma u paguan njerzve interesa të larta, për të tërhequr sa më shumë huadhënës (fajdexhinj). Njerzit futën në këto firma jo vetëm kursimet e tyre, por shitën lopën etj., bilé edhe shtëpitë e tyre. Berisha, pas 2-3 vjetësh, befas vendosi t’i mbyllte këto firma, duke thënë se firmat falimentuan. Ai herë thoshte se firmat falimentuan, sepse ishin piramidale, dhe herë të tjera thoshte se ishte ai, që i mbylli. Paratë e depozituara të popullit u grabitën. Kjo ndodhi në vitin1997. Kjo ishte një katastrofë kombëtare, e shkaktuar jo nga natyra, por nga Berisha. U grabitën paratë, u rrahën, u burgosën dhe u vranë njerzit. Populli shpërtheu urrejtjen e tij jo kundër Berishës dhe qeverisë së tij, por kundër pasurisë së shtetit (kundër pasurisë së vet popullit). Njerëzit e thjeshtë, bijtë e popullit, gabimisht dhe padashur nuk dalluan qeverinë nga shteti. Qeveria përfaqëson një grup njerzish, funksioni i të cilëve është të sigurojë të ardhmen e një shoqërie politike, pra, të ardhmen e një vendi. Ajo përfaqëson shtetin, por nuk është shteti. Shteti është një organizim me pushtet politik. Ai ka funksione tradicionale (rendin, drejtësinë, mbrojtjen dhe marrëdhëniet me jashtë). Shteti ka edhe funksione social-ekonomike (buxheti, financat, zhvillimi ekonomik dhe administrimi territorial, puna, shëndetësia). Pra, në vend që të luftonin kundër qeverisë, që i mashtroi dhe nuk siguroi të ardhmen e shoqërisë, ata luftuan kundër ekonomisë së Shqipërisë (kundër vetes), kundër shtetit, që gjoja i mashtroi dhe i grabiti. Berisha nuk u prek aspak. Ai, pas kësaj katastrofe, vazhdoi dhe vazhdon deri sot, të fryhet si kaposh dhe të “japë direktiva”, të japë mend, në parlament dhe kudo. Ambasadorët e Europës dhe të Amerikës, për çdo problem në Shqipëri, patjetër do të takohen dhe të pyesin Berishën, të marrin mendimin e tij, “t’i marrin dorën”!
Pra, pas mbylljes së firmave të fajdeve (firmave piramidale), populli zhvilloi një luftë të brendëshme të rreptë, kundër pasurisë shtetërore (kundër pasurisë së vet), pra, luftë kundër shtetit! Ai sulmoi gjithçka i përkiste shtetit: Magazina, dyqane, depo, uzina, fabrika, kombinate, hotele turizmi, kooperativa bujqësore, ferma shtetërore, shkolla, spitale, depo armësh etj. Kush mund të grabiste dhe të shkatërronte sa më shumë! Metalet e uzinave të shkatërruara etj., u shitën për skrap. Njerzit kërkonin të zëvendësonin, sadopak, paratë e humbura. Populli u armatos, dhe njerzit vranë njëri tjetrin, për arsye banale, ose krejt pa faj, por jo qeveritarët. U vranë rreth 3 mijë njerëz të pafajshëm, kryesisht të rinj. Populli zbrazi armët drejt qiellit, ditë dhe natë, gjatë dy vjetve rresht (1997-1998)! Kjo nuk kishte bërë vaki ndonjë herë në botë. Çudira shqiptare! Berisha ishte shkaktar i shkatërrimit të vendit. U shkatërrua gjithçka, që ishte ndërtuar me shumë sakrifica në Shqipëri, gjatë 45 vjetve të regjimit komunist.
Pasi shkatërroi gjithçka, populli u qetësua, por mbeti pa punë. Prandaj, ai mori rrugët e botës, duke kërkuar punë dhe azil. Kjo vazhdon edhe sot, pas 20 vjetësh. Shqipëria, për shumë shqiptarë, po bëhet e pamundur për të jetuar. Ajo po zbrazet nga popullsia.
Lufta e brendshme, kundër shtetit shqiptar, nuk ka mbaruar akoma. Këtë luftë po e zhvillojnë qeveritë tona të njëpasnjëshme antishqiptare, qeveritë kukulla, që u shërbejnë vetëm të huajve keqdashës dhe vetes, por jo popullit. Ato shtete të huaja, që janë armike të vendit tonë, nuk kanë nevojë ta pushtojnë ushtarakisht Shqipërinë. Ato kanë organizuar luftën e brendëshme, një luftë kanibale, ku shqiptarët hanë njëri tjetrin. Kjo luftë vepron në të gjitha drejtimet, por drejtimi kryesor është privatizimi ekstrem, që të falimentojë shteti, sepse me një shtet të falimentuar (borxhli) armiqtë sillen si ta kenë qejfin. Qeveritë e njëpasnjëshme shkaktuan shkatërrimin e industrisë (uzinat, fabrikat..), shkatërrimin e bujqësisë, ndalimin e bërjes së kërkimeve gjeologjike nga shqiptarët, dhënien me konçesion të minierave dhe fushave të naftës dhe të gazit, të cilat po grabiten plotësisht nga të huajt. Edhe pse po grabitemi në maksimum, qeveria “Rama” e ka nxjerr në ankand tek kompanitë e huaja të gjithë Shqipërinë, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi. Në fakt, kjo është kërkesa e të huajve, kurse qeveria vetëm se e plotëson kërkesën e tyre. Ajo u shërben të huajve. Kryeministri Rama, kudo që shkon, u bënë thirrje kompanive të huaja: “Hajdeni në Shqipëri, se kemi shumë naftë dhe gaz”. Ky qëndrim i tij është plotësisht në shërbim të të huajve, dhe kundër interesave të popullit shqiptar. Pra, të gjithë naftën dhe gazin tonë t’i marrin të huajt, kurse ne të marrim vetëm një pjesëz prej tyre! Brezave të ardhshëm u hiqet krejt perspektiva e zhvillimit ekonomik. E gjithë Shqipëria po u jepet të huajve me konçesione afatgjata, që ta marrin të gjithë naftën. Po firmosen kontratat konçesionare. Pa dyshim, nesër nafta do të rishtetëzohet, sikurse ka ndodhur në të gjithë botën, por prishja e këtyre kontratave, të firmosura sot, do të na kushtojë shumë miliarda dollarë gjobë. Kështu e kanë pësuar edhe shtetet e tjera të botës, që kanë shtetëzuar naftën.
Sot nafta është e jona. Për këtë naftë nuk i kemi borxh askujt, kurse qeveria ua jep të huajve me kontrata, që ta shfrytëzojnë në dëmin tonë, ose nesër të na hedhin në gjyqe, për prishjen e kontratës nga ana jonë, dhe të na marrin gjoba shumë miliarda dollarë. Pra, ose të pranojmë shfrytëzimin, ose të paguajmë gjoba prej shumë miliarda dollarë! Kësaj i thonë: Pa i pasur kujt borxh për naftën, qeveria na fut në borxhe shumë të mëdha! Kjo është grabitje e pasurisë së popullit me anë të kontratave. Prandaj, për këto konçesione duhet menduar mirë qysh tani. Shoqëria (kompania) shtetërore e naftës, Albpetrol sh.a., do të privatizohet, d.m.th. do të shiten dhe grabiten nga pushtetarët tanë fushat e naftës dhe të gazit të Albpetrol-it, në bashkëpunim me të huajt. Prandaj, të anulohet sa më parë vendimi për privatizimin e Albpetrol-it. Të anulohet edhe vendimi tjetër, për nxjerrjen e të gjithë Shqipërisë në ankand tek kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi. Mosanulimi i tyre do të çojë pa dyshim në falimentimin e plotë të Shqipërisë. Qeveria nuk mendon aspak për shtetëzimin e naftës, si pasuri strategjike kombëtare, siç e kanë shumë shtete të Europës dhe të botës. Nafta dhe gazi janë pasuria e vetme, që mund ta zhvillojë ekonominë e Shqipërisë, dhe të rritë mirëqënien e popullit. Por ky zhvillim ekonomik i Shqipërisë nuk u pëlqen aspak të huajve keqdashës. Duke i hequr edhe naftën, shtetit dhe popullit shqiptar nuk i mbetet asnjë pasuri tjetër. Shteti pa pasuri është shumë i dobët. Ai është i pafuqishëm. Kjo u shërben vetëm armiqve tanë. Popullit nuk i ka mbetur asnjë burim tjetër jetese. Prandaj, Shqipëria po zbrazet. Njerzit po largohen. Këtë po e shkaktojnë qeveritë tona kukulla dhe antishqiptare, kurse populli rri dhe bën sehir! Shteti shqiptar është shtëpia e madhe e të gjithë shqiptarve. Prandaj, ta mbrojmë shtetin tonë nga qeveritë tona antishqiptare!
________________________
Shtojcë e pashtriku.org

Blloqet e lira me gaz dhe naftë në Shqipëri
a. Blloku A: shtrihet në veri-perëndim të vendit, me sipërfaqe 1090 km2. poroziteti luhatet nga 2–5% Studimet gjeologo-gjeofizike të kryera në këtë rajon e vlerësojnë atë me interes për kërkimin e naftës dhe gazit, veçanërisht në strukturat karbonatike të zonave tektonike Jonike dhe Kruja, që ndodhen nën mbihypje, si dhe në shtresat ranore brënda depozitimeve të Miocenit.
Në këtë bllok, edhe pse pusi Juban-1 i shpuar nga Petromanas nuk vërtetoi naftëmbajtje, ekzistojnë një sërë strukturash dhe mundësish më në perëndim për gjetjen e naftës dhe gazit. Për kërkimin e mëtejshëm në këtë bllok është e nevojshme kryerja e punimeve sizmike me zgjidhshmëri të lartë për evidentimin dhe përgatitjen e strukturave me interes për naftëgazmbajtje.
b. Blloku B: shtrihet në pjesën perëndimore të vendit tonë. Ka një sipërfaqe prej 776 km2. Nisur nga punimet sizmike të kryera, puset e shpuar dhe stili tektonik i vërtetuar më në jug, në këtë bllok prognozohet struktura e Gjuricës Perëndimore, si dhe ngritjet e Gjuricës dhe Rinasit.
c. Blloku C: shtrihet në pjesën veriore të ultësirës pranë Adriatikut. Ka një sipërfaqe rreth 900 km2. Pusi i kërkimit Peza 1, u ndal në thellësinë 5200 m, pasi nuk arriti objektin karbonatik. Në këtë pus janë evidentuar shenja gazi gjatë shpimit.
Blloqet e lira në tokë nga raundi i dytë evidentuan edhe 8 blloqe të tjera të pasura me naftë apo gaz. (MEI)

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura