PROF.AGIM ZOGAJ: AKADEMIKËT SERBË DHE PËRGATITJA E LUFTËS NË KOSOVË (III)

Prishtinë, 4 gusht 2020: Ushtria dhe Kisha Ortodokse serbe në mbështetje të Millosheviqit
Fillimi i vitit 1987 shënon ngritjen euforike dhe të pandalshme të Millosheviqit, i cili, duke ia zënë pozitën e Ivan Stamboliqit, po bëhej lideri i ri serb. Përkrahja për te vazhdonte nga të gjitha shtresat dhe të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe vet kreun e Kishës Ortodokse Serbe. Ngadalë, por sigurt po krijohej fronti, përkatësisht lëvizja nacionale në Serbi në ballë të së cilës ishte lideri i ri, Slobodan Millosheviqi. Ai e krijoi liderizmin autoritar, dhe, në atë periudhë nuk e kishte në fokus vetëm Kosovën, por kishte arritur me sukses ta problematizonte edhe pozitën e serbëve në Kroaci dhe në Bosnje, si çështje me interes shtetëror dhe nacional për Serbinë. Nga ana tjetër, gjithnjë e më fuqishëm e kishte përkrahjen e Dobrica Qosiqit, i cili, po ashtu këmbëngulte për suprimimin e autonomisë së Kosovës dhe të Vojvodinës, si kusht që, Serbia të bëhej e barabartë me republikat jugosllave. Qosiqi, aso kohe, pasi kishte dalë me propozimin për ndryshimet kushtetuese, në fakt, i kishte hapur vetes dhe tjerëve rrugë për projektin e shkatërrimit të ish Jugosllavisë. ( Shih: Dobrica Qosiqi, Piscevi zapisi /1981 – 1991/ Projekti për shkatërrimin e ish Jugosllavisë, të cilin e drejtonin elita nacionaliste serbe dhe politikanët serbë,,… në fakt nënkuptonte krijimin e shtetit serb i cili do të bashkonte të gjithë serbët. Kështu, Qosiqi,i cili sipas kujtimeve të veta e kishte refuzuar ftesën e kancelarit të atëhershëm gjerman, Vili Brant dhe idenë që, Qosiqi ta formonte Partinë Socialdemokrate në ish Jugosllavi, atyre viteve po punonte në formimin e Partisë Demokratike serbe në Bosnje dhe në Kroaci (në 1991). Mbante kontakte të vazhdueshme me nacionalistin serb nga Kroacia, Jovan Rashkoviq, si dhe me psikiatrin, nacionalistin serb, nga Bosnaj, Radovan Karagjiqin.( Shih: Dushan Reljiç, Daleko je sunce – skica za portret – Dobrica Qosiq, “NIN”, 19.06. 1992.) Qosiqi, që, njihej si ideologu i elitës intelektuale serbe,” babai i kombit”, por, edhe frymëzuesi dhe ideatori kryesor i shovinizmit, fashizmit modern serb, deklaronte hapur idetë, ideologjinë e tij: ”Dy shekuj ne e kemi një të njëjtin qëllim, dhe ai është, lufta për çlirim dhe për bashkimin e popullit serb. Kjo është lufta e shtatë e cila zhvillohet për realizimin këtij qëllimi”( Dragoljub Todoroviq, Daleko je sunce, në revistën, “ Panbosnjak”, nr. 2, Sarajevë, prill, 2012, f. 71.)
Arroganca dhe kërcënimet e Millosheviqit
Lidhur me kontaktet e tij me Millosheviqin, Qosiqi tregon se, për herë të parë janë takuar në qershor të vitit 1990. Qosiqi flet me shumë admirim për Millosheviqin, madje e cilëson si person i cili “ ndihmoi liritë intelektuale”, se “e përkrah në tërësi programin e tij shtetëror”. Jovan Rashkoviqi, shkruante se Qosiqi “…u bë baba shpirtëror i Millosheviqit”. (Dushan Reljiq, Daleko je sunce- skica za portret – Dobrica Qosiq, “NIN”, 19.06. 1992.) Me kalimin e kohës, duke e konsoliduar, gjithnjë e më fuqishëm pushtetin e tij në Serbi, por edhe në nivel jugosllav, Millosheviqi kishte marrë guxim që të ishte arrogant dhe të bënte kërcënime. Në mbledhjen e mbyllur me kryetarët e komunave të Serbisë, mbajtur më 16 mars 1991, ai kishte thënë se, “…të fortit, gjithnjë i diktojnë kufijtë, dhe asnjëherë të dobëtit. Ne thjesht, mendojmë se, është e drejtë legjitime dhe është interes i popullit serb të jetojë në një shtet…Nëse, ka nevojë të rrihemi, grushtohemi,për zotin edhe do të grushtohemi”. ( Revista e përjavshme serbe, “ NIN”, 17 mars 1991, Beograd).

Patriarh Pavle së bashku me S.Millosheviçin dhe D.Òªosiçin

Duke e kuptuar se, mund të manipulojë me masat, duke u mbështetur me shumë sukses në popullizëm, duke e shfrytëzuar me përpikëri mitin e rrejshëm serb për Kosovën, Millosheviqi në fund të vitit 1988, e kishte bërë hapin tjetër, ndoshta vendimtar për fuqizimin e tij si lider, afrimin me pjesën e intelektualëve serbë, pra, me inteligjencën serbe. Pikërisht në vorbullën e atyre ngjarjeve të fund viteve të 80-ta, Programi Nacional Serb ishte bërë publik kishte filluar fuqishëm të përqafohej, jo vetëm nga inteligjencia serbe dhe udhëheqësit nacionalistë serbë, por, po përkrahej edhe nga masat e gjëra. Natyrisht, ideologu i Programit Nacional Serb ishte Dobrica Qosiqi me akademikët tjerë, kurse, atmosfera nacionaliste në Serbi e kishte gjetur, krijuar liderin e ri nacional, politik, Slobodan Millosheviqin. Nga njëra anë, ishte Dobrica Qosiqi, babai i nacional shovinizmit modern serb, kurse nga ana tjetër, Slobodan Millosheviqi, për të cilin, pikërisht Qosiqi thoshte:”…pas Nikolla Pashiqit në Luftën e Parë Botërore, asnjë politikan nuk i ka pasur kushtet më të vështira dhe më shumë probleme se Slobodan Millosheviqi. Ai me guxim iu përkushtua ri përtrirjës së shtetit serb dhe shpëtimit të popullit serb nga shkatërrimi dhe sundimi i ri…Sipas mendimit tim, Slobodan Millosheviqi, nga të gjithë politikanët serbë në pesë deceniet, ka bërë më së shumi për popullin serb”. ( “ Politika”, 26 korrik 1991.) Në rrethanat e tilla, pushteti në Serbi ishte nën kontrollin dhe nën drejtimin e Millosheviqit, kurse Qosiqi ishte ideologu shpirtëror, ideatori i Programit Nacional serb, në shtëpinë e të cilit po definoheshin, vizatoheshin hartat e Serbisë së Madhe, e ardhmja e popullit serb.
Djepi i mitologjitë politike serbe
Shekulli i XX-të, njeh tri ” Memorandume” të akademikëve, elitave intelektuale serbe, të cilat kishin pasur ndikime të fuqishme në përhapjen e mitit të rrejshëm serb për Kosovën. Fjala është për “Memorandumin”, autorë i të cilit kishte qenë Vasa Çubrilloviqi ( 1937) i ripërsëritur më 1944 , “Memorandumi” i Ivo Andriqit, nobelist serb dhe, “Memorandumi” i vitit 1986 i ASSHA. Të tria këto memorandume, në epiqendër të tyre kanë, paraqitjen e shqiptarëve si popull armik i popullit serb populli i cili gjoja e ka rrezikuar dhe në vazhdimësi e rrezikon popullin serb. Madje, në thelb të filozofisë antishqiptare, të tria Memorandumet serbe, sikur edhe shumë Programe tjera serbe e vënë theksin e sulmit ndaj popullit, qenies, racës sonë shqiptare, duke na akuzuar edhe për një lloj “ gjenocidi biologjik”. ( Dimitrije , Knjiga o Kosovu, ASSHA, Beograd, 1985). Në këtë sens, të prodhimit, fabrikimit spekulativ, imagjinativ, por me objektiva tepër të rrezikshme për popullin shqiptar, ideatorët e elitave serbe, gjithnjë duke përhapur imazhin e shqiptarëve si “armik” ?! i popullit serb, krijuan mitologjinë politik, raciste kundër popullit tonë.
Pikërisht,” Memorandumi” i ASSHA i vitit 1986, mitologjinë politike, antishqiptare e ngrit deri në projekt shtetëror të shtetit dhe popullit serb, duke nxitur ndenjen dhe euforinë e luftës kundër Kosovës dhe shqiptarëve mbarë në trojet e tyre etnike në ish Jugosllavi.” Memorandumi” serb i vitit 1986 kishte prodhuar ideologjinë më të rrezikshme e cila u bë pjesë e Programit qeveritar të shtetit serb dhe i hapi rrugë luftës, gjenocidit kundër popullit të Kosovës dhe popullit mysliman në Bosnje. Realisht, siç u be, gjenocidi serb mbi popullin e Kosovës dhe popullin mysliman në Bosnjë, “Memorandumi” i ASSHA, i ngritur në projekt shtetëror, qeveritar të Serbisë, projekt nacional serb i gjenocidit ndaj këtyre dy etniteteve që, në ato vite jetonin në kuadër të ish Jugosllavisë.” Memorandumi” i ASSHA, i dha fuqi të jashtëzakonshme shtetit serb, udhëheqjes së saj me në krye Slobodan Millosheviqin që, me luftë ta realizonte projektin e asgjësimit masiv fizik të popullit shqiptar! Në këtë kontekst, vlen t’i referohemi një qëndrimi me të ri politik të ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiçit, dikur bashkëpunëtorë i ngushtë dhe besnik i Millosheviqit i cili, në lidhje me propozimin e tij për ndarjen e Kosovës thekson:” Serbia gjithmonë, gjithçka ka humbur përmes një politike jorealiste dhe utopike që ka arritur me gjak”. / ”Novosti”, 14.08. 2017, Beograd /. Daçiçi, në të njëjtin prononcim, pra, dy dekada pas përfundimit të luftës së Kosovës dhe, në kohën e bisedimeve Kosovë – Serbi në Bruksel merr guximin të propozoje: ”Ndarjen e Kosovës dhe bashkimin de jure te Veriut të Kosovës me Serbin”. Kjo sipas tij është marrëveshja historike dhe kompromisi i Serbisë. Ky projekt serb, pra edhe sot, në fillimin e dekadës së tretë të shek. XXI është oferta e Serbisë, për “ kompromisin” me Kosovën!
Historia, jo vetëm ajo shqiptare, mendimi politik shqiptar, duhet ta thonë qartë se, në luftën e përgjakshme për asgjësimi masiv të shqiptarëve, nuk morën pjesë vetëm strukturat shtetërore serbe, vetëm, armata, policia, formacionet paramilitare, por, edhe vetë qytetarët e rëndomtë serbë, pra, edhe elitat intelektuale, akademike serbe! Propagandimi i ideologjisë vrastare, raciste i “Memorandumit” të ASSHA, kundër popullit shqiptar, ishte aq i sofistikuar, aq i përpunuar, sa që, arriti që, edhe qytetarët e rëndomtë serbë, në Serbi, në ish republikat jugosllave dhe veçmas në Kosovë t’i bind se, qytetarët shqiptarë, si grup i veçantë etnik në ish Jugosllavi duhet asgjësuar, dëbuar me dhunë, me gjenocid. Realisht, akademikët serbë e përcaktuan kornizën ideologjike, akademike për projektet shfarosëse serbe ndaj shqiptarëve, projekte të cila më pas u përkrahen, u bën politika legale të shtetit serb. Roli i shtetit serb, i strukturave shtetërore, i akademikëve, elitave intelektuale serbe, i mitologjisë serbe për Kosovën për zbatimin e politikës së gjenocidit ndaj shqiptarëve është i llojit të veçantë. Kjo, sepse, ajo politikë serbe, ai Program nacional serb, veçmas, që nga shekulli i XIX-të – XX-të, XXI u sajua, u ideua nga elitat intelektuale, akademike serbe, në bashkëveprim të vazhdueshëm me strukturat shtetërore serbe.
– FUND –
_______________

PROF.AGIM ZOGAJ: AKADEMIKËT SERBË DHE PËRGATITJA E LUFTËS NË KOSOVË (I)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10333

***

PROF.AGIM ZOGAJ: AKADEMIKËT SERBË DHE PËRGATITJA E LUFTËS NË KOSOVË (II)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10338

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura