PROF.AGIM ZOGAJ: DËSHMI PËR HISTORINË E LIRISË – MEHMET HAJRIZI, VEPRIMTAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE (X)

Pashtriku, 12 qershor 2020: Sipas dëshmisë së ish shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, Shqipëria kishte hartuar Planin ushtarak “Shpërthimi” për ndërhyrje në Kosovë, me qëllim të çlirimit të saj. Për këtë qëllim, fill pas kryengritjes shqiptare të vitit 1981, Shqipëria kishte bërë ristrukturimin e Forcave të Armatosura duke u dhënë funksionin shtesë të mësymjes, në rast se kryengritja në Kosovë merrte karakter të armatosur. (…) Shkaktari i parë dhe i përbashkët i të gjitha përçarjeve politike brendashqiptare është protagonizmi politik, ose thënë ndryshe bajraktarizmi shqiptar. Ismail Kadare e ka trajtuar kapardisjen ballkanike e veçanërisht atë shqiptare, që është derivat i bajraktarizmit.
***
Shqipëria ishte zëdhënësja e kryengritjes së Kosovës
Tirana e kishte gati planin ushtarak, “Shpërthimi”

Pashtriku: Shteti shqiptar, zyrtarisht doli në përkrahje dhe në mbrojtje të popullit të Kosovës, të demonstratave, u angazhua për Kosovën Republikë, për çka, më pastaj, propaganda e shtetit jugosllav, kundër Shqipërisë ishte e rreptë dhe brutale…?
Hajrizi:
Shqipëria e mbështeti dhe u bë zëdhënëse e kryengritjes kudo nëpër botë dhe në institucionet ndërkombëtare. E gjithë diplomacia shqiptare ishte në funksion të këtij qëllimi. Sipas dëshmisë së ish shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, Shqipëria kishte hartuar Planin ushtarak “Shpërthimi” për ndërhyrje në Kosovë, me qëllim të çlirimit të saj. Për këtë qëllim, fill pas kryengritjes shqiptare të vitit 1981, Shqipëria kishte bërë ristrukturimin e Forcave të Armatosura duke u dhënë funksionin shtesë të mësymjes, në rast se kryengritja në Kosovë merrte karakter të armatosur.

Në organizatën tonë shumë më me interes ndiqeshin emisione të Radio Tiranës për luftën e popujve për çlirim dhe heroizmin e popullit tonë në shekuj, se sa ai për rritjen dhe forcimin e lëvizjes marksiste-leniniste në botë, pavarësisht se edhe ne e mbanim këtë epitet. Më shumë lexohej literaturë që fliste për gjendjen në Kosovë dhe të drejtën e saj historike, se sa për demaskimin e revizionizmit titist, si kalë troje në lëvizjen proletare. Më 1981 primatin dominues në Tiranë e zuri çështja e Kosovës.
Studiues të ndryshëm kanë vlerësuar se më 1981 Shqipëria bëri kapërcimin e madh cilësor nga përparësia e ideologjisë në atë të interesit kombëtar. Në librin e tij, “Kosova në gjeopolitikë” (1998), studiuesi i mirënjohur, Shaban Sinani ka shkruar: „Kur ndodhi saktësisht kapërcimi cilësor i klasës politike shqiptare prej përparësisë së ideologjisë në atë të interesit kombëtar? Mendimet e studiuesve seriozë, që e kanë ndjekur me profesionalizëm politikën, ndahen vetëm për punë vitesh. Sipas njërit prej figurave protagoniste të ngjarjeve të vitit 1981, Mr. U. Hotit, ky kapërcim ndodh me fjalimin e Ramiz Alisë në sesionin plenar të OKB-së më 1988, ku për herë të parë një auditor politik i nivelit më të lartë duartrokiti interesimin e Shqipërisë për fatin e gjysmës së vet, mbetur jashtë kufijve zyrtarë qysh prej themelimit të shtetit. Ndërsa disa vëzhgues politikë seriozë të Perëndimit mendojnë se kapërcimi ndodhi qysh në momentin e marrjes së vendimit për të mbështetur demonstratat e studentëve dhe të popullit të Kosovës, domethënë në vitin 1981. Në të dyja rastet shpallja publike e përparësisë së interesave kombëtare ndaj atyre ideologjike, i cilësuar prej një grupi tjetër analistësh si ‘kalim në nacional-komunizëm’, lidhet me veprimin atdhetar të shqiptarëve në Kosovë. Këtu shprehet edhe një vlerë tjetër e papërmendur e këtij veprimi, shtytja që i dha ai mendimit politik shqiptar drejt emancipimit.” Ndërkaq Jens Reuter mendon se intensifikimi i mbështetjes ndaj çështjes së Kosovës ndodh nga Kongresi i Tetë i PPSH në nëntor të vitit 1981.
Mendoj që komunisti nacionalist, Enver Hoxha në formimin e tij, ndjenjën kombëtare dhe ideologjinë e majtë i kishte tipare paralele të personalitetit që nga betimi para varreve të vëllezërve Çerçiz dhe Bajo Topulli, pastaj në Luftën Nacionalçlirimtare, në kërkesën që i bën Titos për t’ia kthyer Kosovën Shqipërisë, në mbrojtjen e shqiptarëve nga terrori dhe dëbimi rankoviqist, në mbështetjen e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në përgatitjen më 1981 për intervenim ushtarak në Kosovë, në përkrahjen e kryengritjes së atij viti dhe deri në fund të jetës. Sidoqoftë, varësisht nga koniunkturat historike, kjo mbështetje kishte intensitet herë më të madh e herë më të vogël dhe kurrë nuk ishte e mjaftueshme, por edhe ai ishte i ndërgjegjshëm për këtë, kur e tha para vdekjes se i vinte keq që nuk kishte bërë më shumë për Kosovën.
Drejt bashkimit, në një front të përbashkët kombëtar
Pashtriku: Në janar, 1985 u bë bashkimi i grupeve, i organizatave ilegale atdhetare…Cilat kishin qenë, kontradiktat e mëparshme, të cilat kishin penguar bashkimin e Lëvizjes Kombëtare në një front të përbashkët, përkatësisht në një të vetme organizatë atdhetare?
Hajrizi:
Bashkimi i parë u arrit më 1982. Përpjekjet e bashkimit të gjerë kanë vazhduar edhe në vitet vijuese, sepse po lindnin organizata të reja dhe nevoja e unitetit organizativ e veprues nuk hiqej nga rendi i ditës. Proceset përbashkuese nuk zhvilloheshin gjithmonë në drejtimin e duhur; ndonjëherë arriheshin marrëveshje, por ndodhnin edhe grindje e përçarje, të cilat gjenin hapësirë më shumë në mërgatë, mbase ku kishte më shumë komoditet për to, se sa brenda ku ndjekjet dhe represioni ishin në vazhdimësi. Qendra e vendosjes kalonte herë brenda herë në mërgatë.
Sido që të jetë, fundi i viteve tetëdhjetë, kur në rajonin tonë po ndodhnin transformime historike dhe kur jeta politike pluraliste po liberalizohej, Lëvizjen tonë Kombëtare nuk e gjeti në krye të detyrës më së miri, prandaj nuk u kap ky momentum favorizues, jo vetëm për të, por edhe për fatin e çështjes së Kosovës e të gjithë kombit shqiptar. Me virusin e grindjeve dhe të përçarjes u moleps pothuajse e tërë politika shqiptare pa përjashtim, nga e cila edhe sot vuan.
Pashtriku: Jeni i pari personalitet i çmuar i Lëvizjes Kombëtare që e thoni hapur se, Lëvizja Kombëtare nuk u gjet si do të duhej në fillimet e shembjes së komunizmit, në pluralizmin politik shqiptar… Ju lutemi, e jepni analizën tuaj rreth cila çështjeve kishte kundërthënie në Lëvizje, a kishte faktorë të jashtëm që do të kishin mundur të ndikonin në ato mospajtime…?
Hajrizi:
Mendoj se shkaktari i parë dhe i përbashkët i të gjitha përçarjeve politike brendashqiptare është protagonizmi politik, ose thënë ndryshe bajraktarizmi shqiptar. Ismail Kadare e ka trajtuar kapardisjen ballkanike e veçanërisht atë shqiptare, që është derivat i bajraktarizmit.
Në atë nyje dhe kthesë të fortë historike të fundit të viteve tetëdhjetë dhe fillimit të dekadës së re, të gjithë në rajonin tonë po ndryshonin dhe i përshtateshin transformimeve të thella, përmbysjes së sistemit komunist dhe hapjes së një epoke të re. Lëvizja jonë klandestine pothuajse nuk ndryshoi gjë. Ajo duhej të ndryshonte, ose të kombinonte më mirë format e organizimit dhe të veprimit, duke shfrytëzuar mundësitë që ofronte pluralizmi politik, për të vepruar hapur dhe legalisht, sepse ashtu mund të veprohej gjerësisht ndër qytetarët. Formimi i një subjekti legal, me anëtarësi shumëfish më të gjerë, nuk do të thotë të mos ruhej bërthama klandestine, e cila do të qëndronte prapa tij. Nuk u kap shansi i çastit historik, mendoj unë, prandaj Lëvizja mbeti në ekskluzivitetin e saj. Sindromi i përçarjes në politikën shqiptare është produkt i faktorëve të brendshëm dhe jo aq i faktorëve të jashtëm.
Pashtriku: Madje, në Shqipëri dhe në Kosovë, spektri i partive politike të djathta, erdhi në pushtet dhe sidomos në Kosovë, Lëvizja Atdhetare u la në plan të dytë. A mendoni se padrejtësisht, nga e djathta shqiptare, në radhë të parë në Kosovë, u cilësua, u anatemua si Lëvizje ideologjike, pro enveriste e çka tjetër?
Hajriz
i: Nuk ishte punë ideologjie, të paktën në Kosovë, sepse nuk dallohej shumë kufiri midis të djathtës e të majtës atëherë, madje as sot do të thosha. Ishte më shumë frika nga konkurrenca demokratike e vlerave, e përvojës dhe e kredibilitetit. Shumë energji është harxhuar për ta neutralizuar këtë konkurrencë, madje edhe duke shkelur rregulla e norma demokratike. Për fat të keq edhe sot pjesë e kulturës politike shqiptare në përgjithësi, sidomos në komunikim, janë denigrimi, etiketimet, bizantizmi, shpifjet, goditjet e ulëta dhe trajtimi i opozitarit si armik.
– VIJON –
_____________________
PROF.AGIM ZOGAJ: DËSHMI PËR HISTORINË E LIRISË – MEHMET HAJRIZI, VEPRIMTAR I ÒªËSHTJES KOMBËTARE (IX)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10137

***
Shtojcë:
ENVER HOXHA ISHTE PËRGATITUR PËR OPERACION USHTARAK KUNDËR JUGOSLLAVISË PAS VDEKJES SË JOSIP BROZ TITOS?!

Historiani rus, Artjom Ulunjam, në tekstin e tij “Operacioni i fshehtë Shpërthimi”, ka shkruar se udhëheqësi komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha ishte përgatitur për operacion ushtarak kundër Jugosllavisë pas vdekjes së Josip Broz Titos, transmetojnë gazeta kroate Jutarnji list dhe portali Telegrafi. Enver Hoxha kishte menduar se pas vdekjes së Titos në Jugosllavi do të zhvillohej një luftë e përgjakshme në mes të forcave politike proamerikane dhe proruse.
Në fund të viteve ’70-ta dhe në fillim të viteve ‘80-ta të shekullit të kaluar, në takime sekrete të liderëve komunistë shqiptarë ishte planifikuar operacioni ushtarak “Shpërthimi”, përmes së cilës planifikohej marrja e Kosovës, pjesëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë në të cilat shqiptarët përbëjnë shumicën, shkruan historiani rus.Udhëheqësit komunistë shqiptarë, sipas tij, kanë shpresuar në një skenar, sipas të cilit pas vdekjes së kryetarit të Jugosllavisë së atëhershme do të shkaktohej luftë për pushtet në mes të liderëve të ish republikave të Jugosllavisë.
Ulunjam, i njohur si ekspert për lëvizjen komuniste të shekullit XX në Ballkan, informacionet e përmendura i kishte marrë në bazë të memoareve të ministrit të atëhershëm të mbrojtjes së Shqipërisë, Veli Lakaj.Sipas fjalëve të tij, Enver Hoxha ishte përgatitur për “Kaos pas Titos”.
Ndonëse edhe më herët ishte spekuluar se ekzistonte një operacion i tillë i fshehtë, është vërtetuar se udhëheqësi komunist shqiptar kishte menduar se në Jugosllavi do të shpërthente një luftë e përgjakshme në mes të forcave politike pro amerikane dhe pro ruse.Përveç problemeve të brendshme dhe luftës së ashpër për mbajtje të pushtetit në fund të viteve ’70-ta, Hoxha kishte menduar se si nga situata potenciale të nxjerrë përfitime maksimale. Prandaj, planin e tij ia kishte prezantuar rrethit të tij të ngushtë të bashkëpunëtorëve në vitin 1977.
Prej atëherë kishin filluar përgatitjet serioze të udhëheqësve shqiptarë për çastin e vdekjes së Titos.Në bazë të arkivave shqiptare dhe ruse, ekzistojnë prova se Enver Hoxha ka qenë i preokupuar me atë se çfarë do të ndodhë në Jugosllavi pas vdekjes së Titos. I frikësuar për regjimin e tij diktatorial, Hoxha kishte planifikuar të marrë Kosovën, gjë që vërtetohet edhe në Samitin e Helsinkit, në vitin 1975, në të cilin Shqipëria refuzoi të nënshkruajë dokumentin në bazë të të cilit definoheshin kufijtë e Evropës së pasluftës.
Hoxha kishte thënë se nuk duhet kursyer mjetet për Kosovën, sepse në të ardhmen do të shpaguhen. Ndonëse marrëdhëniet shqiptaro-kineze ishin gjithnjë e më të këqija, Hoxha gjithnjë e më shumë kishte frikë dhe ishte në panik nga sulmi në vendin e tij. Mirëpo, në të njëjtën kohë bënte plane luftarake, duke iu thënë gjeneralëve të tij: “Ne jemi në prag të luftës”.
Pavarësisht se Hoxha i frikësohej në mos forcat kineze do t’i organizonin grusht shteti, kjo nuk e ka penguar që në vitin 1978 të formojë “Zyrën për Kosovën.
“Për aq sa na kanë lejuar rrethanat, ne me të gjitha mjetet i kemi përkrahur kosovarët. Dhe ne jemi për atë që ata të bashkohen me Shqipërinë, sepse kjo do të siguronte një unitet nacional”, i kishte shkruar Hoxha ministrit të Punëve të Brendshme Kadri Hazbiut.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura