PROF.ASOC.DR.JORDAN DACI: STOP VJEDHJES ME LIGJ DHE NË EMËR TË LIGJIT

Tiranë, 25. 11. 2016: Në Republikën e Shqipërisë, ligji, nga një mekanizëm që mbron interesin e përgjithshëm të shoqërisë, është kthyer shpesh herë në një mekanizëm për mbrojtjen e interesave të grupeve, apo edhe individëve të caktuar ose, shkurt, në një mekanizëm për të “lejuar” vjedhjen e pasurisë, apo të interesave të qytetarëve në favor të grupeve klienteliste, lobuese dhe qarqeve të caktuara. Sponsorizimi i ligjeve është një fenomen i urryer dhe tregues i një palo shteti, që nuk i ngjan një demokracie, por një oligarkie të klasës sunduese, që po zë, gjithnjë e më shumë vend në Shqipëri.
Kjo gjë, jo vetëm tregon degradimin institucional dhe shoqëror të vendit tonë, por edhe kapjen e frikshme që i bëhet shtetit nga interesat e ndryshme, të cilat mund të cilësohen në çfarëdolloj emri, por nuk mund të jenë vetëm interesa të përgjithshme të shoqërisë, dhe as në funksion të forcimit të demokracisë në vend. Në serinë e ligjeve të “sponsorizuara”, pa dyshim që duhet të futen edhe ndryshimet e bëra më para dhe përsëri së fundmi në Kodin e Procedurës Civile, të cilat, shkurt dhe thjeshtë, legjitimojnë vjedhjen me ligj të hallexhinjve shqiptarë nëpërmjet procesit të ekzekutimit të detyrueshëm me përmbarues privat e publik që ngjajnë me çakejtë në shërbim të ujqërve, që u sigurojnë punë dhe u japin udhëzimet e rastit.
Të gjithë ndryshimet që janë bërë në vitin 2013 dhe ato që hyjnë në fuqi, më 1 dhjetor 2016, janë tërësisht të padrejta dhe lejojnë vjedhjen me ligj të pasurive të debitorëve që, në të shumtën e rasteve, janë hallexhinj. Këto ndryshime, të bëra në emër të përmirësimin të legjislacionit dhe përmirësimit të procesit të ekzekutimit, janë në thelb jo vetëm klienteliste, por edhe të shkruara në mënyrë krejtësisht joprofesionale.

Në fakt, mungesa e cilësisë, nuk më habit sepse, ato shkruhen nga njerëz që kanë blerë diploma, apo që kanë blerë nota nga paloprofesorët, që e trashëgojnë vendin nga prindërit, ose që i ka trampuluar partia, madje më mirë të themi “Nëna Parti”. Këto, në vend që të bëjnë kodifikim legjislacioni, prej vitesh po ç’kodifikojnë legjislacionin tonë, duke e banalizuar atë dhe duke e bërë edhe të pazbatueshëm nga gjykatat. Kjo edhe për faktin se 3-5 ekspertët klientelistë, në thelb shkruajnë ligje, bëjnë edhe punë të tjera publike, por se kanë parë ndonjëherë derën e gjykatës, e përsëri ata glorifikohen si ajka e këtij vendi, e, në fakt, ata janë thjeshtë pjesë e zullumit të madh që mbizotëron në këtë vend. Për ta lidhur pak me këto ndryshime le të analizojmë pak efektin e tyre. Konkretisht nenin neni 555 parashikon që çmimi fillestar i ankandit të parë është 80 për qind e çmimit të caktuar, sipas nenit 552 të këtij ligji.
Çfarë nënkupton çmimin e vlerësimin që nuk shitet në gjendje të lirë, e zhvleftëson çmimin e sendin me 20 %. Pas kësaj neni 577, sipas ndryshimeve të vitit 2013, në ankandin e dytë e zhvlerëson edhe me 30 % të tjera. Ndryshimet që pritet të hynë në fuqi, më 1 dhjetor 2016, parashikojnë organizimin edhe të një ankandi të tretë, i cili e zhvleftëson çmimin edhe me 10 % të tjera. Pas kësaj parashikohet kalimi në pronësi të kreditorit, nëse ai e pranon sendin. Pra, procedura praktikisht mundëson që një send që kushton 100 lekë të shitet ose të kalojë tek kreditori me vlerën e 40 lekëve.
Sigurisht, kjo gjë është krejtësisht e padrejtë dhe jo kushtetuese pasi cenon rëndë pronën, e cila nuk mund të kuptohet pa ruajtjen e integritetit të saj dhe vlerës së saj. Nga ana tjetër, këto ndryshime në kuadër të pakuptimësisë, që shoqëron cilësinë e hartimit të projektligjeve, parashikon ndryshimin edhe të nenin 577, të cilit i ndryshohet një paragraf dhe, në fakt, dalin 3 të tjerë, por kjo është problem që për hartuesit nuk ka ndonjë rëndësi të madhe para thelbin të çështjes që, sigurisht, praktikisht do të çojë gjykatat në një situatë paqartësie të panevojshme, pasi nuk ka asnjë dispozitë kalimtare (gjë e cila është karakteristikë e “ekspertëve” të kohëve të fundit) në lidhje me ndryshimin nenin 610, ku ka shfuqizuar edhe paragrafin ekzistues nr. 4, i cili parashikonte që, përmbaruesi thirret në cilësinë e palës së paditur dhe nga padi, tashmë, parashikohet si ankim. Kjo kemi, së pari, problemin nëse duhet të zbatohet apo jo edhe për çështjet, tashmë të regjistruara.
Së dyti, ndryshimi nga padi në ankim, praktikisht zhbën lidhjen me ligjin për përmbarimin privat mbi përgjegjësinë e përmbaruesit ndaj debitorit dhe nuk sqaron se në çfarë pozite do të thirrët përmbaruesi në proces, ndërkohë që thirrja e tij jo vetëm është e domosdoshme, por edhe lidhet pikërisht me veprimet dhe mosveprimet e tij. Ndonëse, tashmë, ky nen parashikon se “Ankimi shqyrtohet brenda 20 ditëve nga gjykata e vendit të ekzekutimit, e cila kur e sheh të nevojshme mund të thërrasë palët dhe përmbaruesin gjyqësor”. Pra, mundet që ankimi të shqyrtohet pa palë, kjo gjë e bën krejtësisht joefektiv procesin dhe ngarkon gjykatën me detyra që s’mund t’i realizojë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura