Prishtinë, 3 mars 2020:
Washingtoni në përkrahje të Ushtrisë së Republikës së Kosovës
Nëse shkrimi i historisë, nuk është vetëm një regjistrim i thjeshtë i datave, i fakteve, dëshmive, por, analizë shumëdimensionale, me qasje kritike, objektive e ngjarjeve, e zhvillimeve historike të qytetërimeve, e vendimeve për histori, për fatin e popujve të robëruar, atëherë, lirisht mund t’i kujtojmë edhe Marrëveshjen e Shën Stefanit, Kongresin e Berlinit /1878/, Konferencën e Londrës /1913/. Ky rikthim në histori, na jep mundësinë që, gjithnjë në temën, Amerika në Kosovë, përkatësisht, diplomacia amerikane dhe çështja shqiptare ta shtrojmë pyetjen: Si do të ishte rrjedha e historisë sonë kombëtare, në rast se, në Marrëveshjen e Shën Stefanit, Kongresin e Berlinit dhe në Konferencën e Londrës të ishin aktor diplomatik edhe SHBA-të? Në ato vite, edhe fatin tonë, jo të mirë, nëpër ato konferenca dhe kancelari diplomatike, e përcaktuan, baballarët, gjyshërit, stërgjyshërit e evropianëve të sotëm, dhe në radhë të parë, paraardhësit e diplomatëve të sotëm rusë e serbë. Madje, pa ekzagjerim dhe pa patetikë politike, kushdo, mund ta ri analizojë, ta ri shqyrtojë pyetjen: Si do të ishte zgjidhja e çështjes së Kosovës, në rast se, në Konferencën e Rambujesë, SHBA-të, të mos ishin protagonisti kryesor dhe, së bashku me ne shqiptarët, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, fitimtarë të asaj arene të ballafaqimit për histori të diplomacisë? Por, kjo temë, le tu ngel për hulumtim, në radhë të parë, studiuesve bashkëkohorë shqiptarë, historianë, politologë etj.
Prandaj, duke ngelur në përplasjet e historisë së diplomacisë, me konsideratë e kujtojmë angazhimin vendimtar të Presidentit Willson në Konferencën e Paqes në Paris, 1918/1919, në mbrojtje të drejtë të çështjes shqiptare. Dhe, duke bërë këtë paralele historike, shohim rolin vendimtar të SHBA-së në mbjelljen e demokracisë shqiptare në Shqipëri, në fillimet post komuniste, veçmas, rolin e jashtëzakonshëm të diplomacisë amerikane në vitet e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, 1998/ 1999 dhe, më 2008, shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës! Në të njëjtin pikëvështrim, kemi parasysh, rolin vendimtar të SHBA-ve për shndërrimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, përkatësisht, në këtë kontekst, vizitën historike në SHBA, të ish Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Kadri Veseli, veçmas, takimet e tij, me zyrtarë dhe drejtues të lartë të ushtrisë amerikane.
Pra, Amerika ishte, dhe do jetë, siç dëshmojnë edhe iniciativat, veprimet, vendimet më të reja të Presidentit Trump dhe të bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, fuqia kryesore dhe më e besuar e përkrahjes së rrugëtimit të shtetit të Kosovës drejt konsolidimit të brendshëm dhe afirmimit tonë në arenën ndërkombëtare, deri në anëtarësimin në NATO dhe në OKB. Është diplomacia amerikane, ajo e cila, përkundër veprimeve, të Aleancës Rusi – Kinë, kundër Globalizmit, kundër Rendit të Ri Botëror, e ka autoritetin ndërkombëtar, për tu dhënë udhë, zgjidhje, shumë proceseve të sotme, konflikteve, mosmarrëveshjeve anën e mbanë Globit. Është Amerika, aleati ynë më i fuqishëm, më vendimtar, më besnik i cili, është dhe do të jetë në mbrojtje të objektivave të shtetit të Kosovës, gjithandej, popullit shqiptar.
Besëlidhja me popullin mik amerikan
Demokracia amerikane, vazhdon të jetë udhërrëfyes për shpërndarjen e sistemit të vlerave, të qytetërimit të ri, në shumë vende të botës bashkëkohore. Vlerat më sublime, të shtet ndërtimit, ku themel është shteti ligjor, shteti i së drejtës, të drejtat e njeriut dhe të të gjitha etnive, pa dallim race gjuhe dhe besimi, janë simbol i politikës amerikane. Shqiptarët gjithandej, populli i Kosovës i përvetëson me vendosmëri, ato vlera, si emblemën e qytetërimit të sotëm, të cilës kulturë mbarënjerëzore, shpirt e guxim i jep sistemi amerikan i qeverisjes, i demokracisë, politika e jashtme amerikane, e cila rrezaton në Globin mbarë.
Kosova, populli i saj, e di fare mirë, se, çfarë privilegje është, që në këto përplasje të qytetërimeve, të betejave për mbizotërim me ambiciet, veçmas, pretendimet, vërsuljet imperialiste të Federatës Ruse, të Serbisë dhe të Kinës, ta kesh përkrahjen, mbështetjen, bekimin e SHBA-ve, ta kesh, në truallin shqiptar, Bondstilin amerikan! Është çështje e gjeopolitikave, është betejë e vazhdueshme për zgjerim, fuqizim të sferave, zonave të interesit, por, mbi të gjitha, po zhvillohet betejë për afirmimin e sistemit të vlerave, të qytetërimit perëndimor, amerikan, shpresë e njerëzimit. Xhon F.Kenedi thoshte se, një ndër qëllimet themelore të SHBA-ve është: “Jo thjesht paqe për amerikanët, por, paqe për të gjithë njerëzit – jo thjesht paqe për kohën tonë, por, paqe në të gjithë kohën”!
Populli i Kosovës, gjithandej populli shqiptar, institucionet shtetërore, elitat akademike, politike, më shumë se kurrë njëherë, janë të përcaktuara për reflektim të vendosur, në forcimin e aleancës shumëdimensionale me SHBA-të, flamurtaren e ideologjisë së lirisë dhe të progresit njerëzor, me Amerikën fuqinë mbizotëruese në shek. e XXI. Është koha, është çasti i historisë që, si komb shqiptar, si Kosovë, ballëhapur, guximshëm ta jetësojmë, besëlidhjen me popullin, shtetin mik amerikan! Rrugëtimi ynë, me Amerikën, drejt qytetërimit Perëndimor, edhe me identitetin tonë kombëtar, do të jetë më i sigurt, më kuptimplotë, më shpresë ndjellës për ne dhe brezat e ardhshëm. Për shtetin e Kosovës, popullin shqiptar, adresa më e fuqishme, më e besueshme e aleancës, bashkëpunimit, e mirëbesimit, mbështetjes është dhe do të jetë, Washingtoni zyrtar!
Prandaj, sërish, në këtë 12 vjetor të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në këtë marsin e krenarisë dhe guximit shqiptar, në këto zhvillime dramatike për rajonin, themi: Amerikë, prore, mirë ardhsh, nga qielli, nga toka, nga deti në Kosovë, në Shqipëri!