Prishtinë, 24 korrik 2020: Në numrin e 3 tetorit të vitit 1998, “Zëri” paraqet opinionet e Bardhyl Mahmutit, atëherë përfaqësues politik dhe zëdhënës i jashtëm i UÇK-së, i cili pasi deklaron se UÇK-ja është institucioni më legjitim në Kosovë, kërkesave të qarqeve të caktuara politike për institucionalizimin e UÇK-së iu përgjigjet me fjalët se “Çdo ushtar i UÇK-së duhet ta dijë se prapa kërkesave për institucionalizimin fshihet synimi për ta instrumentalizuar UÇK-në se çdo përpjekje në këtë drejtim do të dështoj “. Kjo sepse, siç e deklaronte zëdhënësi jashtëm i UÇK-së “Lufta për liri dhe pavarësi, e mishëruar në UÇK-në, është institucion më i shenjtë deri në realizimin e aspiratave tona Kombëtare”. Pra, përgjigja e Bardhyl Mahmutit, një ndër veprimtarët e devotshëm të Ilegales Atdhetare Shqiptare për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin me Shqipëri, në rastin e mësipërm, zëdhënës i UÇK-së në Evropë ishte shumë e qartë për të gjithë ata të cilët, ende nuk e pranonin fuqinë, faktorizimin e UÇK-së.
Për artikullshkruesin e vështrimit me titull, “Kornizat e parapërcaktuara”, botuar në “Zëri”-n e 11 tetorit 1998, nuk kishte dilema për faktin se “I vetmi faktor realisht veprues në hapësirën shqiptare në këto kushte ishte UÇK-ja dhe se në esencë, po të mos ishte UÇK-ja, as që do të vinim në këtë situatë të fillimit të zgjidhjes së krizës me intervenimet e NATO-së dhe krijimin e kushteve kalimtare”.
Në të njëjtin numër, botohet intervista e gjatë me Jakup Krasniqin, i cili në pyetjen për tendencat për anashkalimin e UÇK-së nga subjektet kosovare përgjigjej: “Mendoj se me rezistencën që po bën UÇK-ja, me qëndrimet e saj të qarta për pavarësinë e Kosovës, do ta kryejë punën në atë mënyrë, që ata që dëshirojnë ta anashkalojnë UÇK-në do ta anashkalojnë vetveten”.
“Zëri”, në të njëjtin numër boton po ashtu edhe shkrimin me titull “Po shkoj te Adem Jashari” kushtuar heroit kombëtar Fehmi Lladrovci, ku në fakt, përmes komentit përkatës i jepet nderim kombëtar heroit kombëtar, Fehmi Lladrovci, i cili së bashku me bashkëluftëtaren dhe bashkëshorten e tij, Xheve Lladrovci kishin rënë në luftimet kundër forcave pushtuese ushtarake, para ushtarake dhe policore të Serbisë. Në koment, duke u bërë një paralele historike mes luftës heroike që, dikur e kishte zhvilluar Azem Bejta me Shote Galicën kundër pushtimit serb, bëhej një krahasim i rënies heroike të Fehmi e Xheve Lladrovcit.
Në “Zërin “ e datës 14 nëntor 1998 lexojmë intervistën e realizuar me Shaban Shalën, oficer i lartë i UÇK-së, i cili konstatonte se divergjenca politike shqiptare kanë pasoja të mëdha për ardhmërinë. Më tej, Shala duke shpjeguar faktin pse një pjesë e madhe e eprorëve ushtarak shqiptarë që kishin shërbyer në ish AJ-në, nuk janë përfshirë në UÇK, përkundër ftesës së Shtabit të Përgjithshëm, vlerëson se “Kolegët e mi, oficerë ushtarakë me profesion, kanë rënë pre dhe janë pengje të një politike të gabuar që udhëhiqet nga klasa politike e Kosovës”. Ai shtonte se: “Një pjesë e oficerëve ka lejuar që të manipulohet me ta për interesa personale, grupore të udhëheqësve tanë”.
“Zëri” në numrin e 21 nëntorit 1998, në temë për mundësitë e bashkimit politik të faktorit shqiptar, mes tjerash boton deklaratën me Jakup Krasniqin, zëdhënës i SHP të UÇK-së, i cili shprehet se “Vetëm bashkimi është shpëtim i ynë, se UÇK-ja nuk kërkon të jetë e privilegjuar në këtë kthesë të madhe historike, por nuk do të lejojë që të anashkalohet”.
Ndërsa, në numrin vijues të javores “Zëri”, të datës 24 tetor 1998, Adem Demaçi, përfaqësues i përgjithshëm politikë i UÇK-së shprehimisht vlerësonte, kërkonte se, “ UÇK-ja duhet të ketë rolin kryesor dhe vendimtar në arritjen e marrëveshjes për zgjidhjen e problemit të Kosovës”. Pra, analizuar pozicionet politike të zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe të Përfaqësuesit Politik të Zyrës së UÇK-së me seli në Prishtinë, Adem Demaçi kuptohej një qëndrim i vendosur dhe i unifikuar nga krerët ushtarak dhe politik të UÇK-së në lidhje me rolin kryesor dhe historik të UÇK-së për çlirimin e Kosovës. Krasniqi dhe Demaçi mbronin kauzën e përbashkët dhe të vetme të drejtë të kohës, të luftës titanike të popullit të Kosovës se, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është faktori kryesor dhe i vetëm ushtarak, politik dhe kombëtar i cili në ato çaste të historisë e kishte marrë përsipër barrën e përgjegjësisë kombëtare për çlirimin e Kosovës. Ndaj sipas Krasniqit, UÇK-ja kurrsesi nuk do lejojë të anashkalohet, kurse sipas Demaçit, UÇK-ja duhet ta ketë rolin kryesor në çfarëdo marrëveshje me Serbinë dhe me faktorin ndërkombëtar
Në numrin e 26 dhjetorit të vitit 1998, artikullshkruesi në “Zëri” pasi konstaton se, çdo gjë është bërë e pa durueshme, shkruan se “UÇK-ja bëhet faktor numër një, bëhet faktor edukativ, kategori filozofike dhe pedagogjike, UÇK-ja potencon Kosovën, të drejtën e saj dhe e vazhdon traditën heroike”.
Në të njëjtin numër në vështrimin me titull ,”Ndërrimi i epokës”, autori për Adem Jasharin shkruan si për njeriun që e ndërroi epokën, për Fehmi Lladrovcin, si për heroin i cili i jepet tërësisht lirisë së Atdheut, për Lum Haxhiun si për “Çe Gevaren “ e Junikut , Adem Jashari, si “Shin Fejnin” shqiptar, për Hashim Thaçin, si i ashpër por kooperativ / bashkëpunues /, i vendosur dhe trim, dhe tolerant, e kështu me radhë.
Në numrin e parë të janarit të vitit 1999, “Zëri” mes tjerash boton intervistën me Ramë Bujën, Drejtor i drejtorisë për marrëdhënie publike e administrative civile të UÇK-së, i cili deklaron se “Tani përveç forcës së argumentit, Kosova ka edhe argumente e forcës dalzotës të këtij populli, UÇK-në e pa zhdukshme, UÇK-në e pa mposhtur, UÇK-në tani më faktor numër një për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.
Prandaj, Buja nga fushëbeteja, ku luftohej me jetë a vdekje, dërgonte mesazh se “Të kundërshtosh, të denoncosh e të mos pranosh as e si të bashkëveprosh me UÇK-në në luftë për liri, dihet fare qartë se për cilën adresë je nisur! Ndërsa anëtari i SHP të UÇK-së, Rexhep Selimi, në intervistë për “Zëri”, të datës 23 janar 1999 ishte edhe më i drejtë për drejtë duke deklaruar mes tjerash se “UÇK-ja është një ushtri e re, që i ka hedhur themelet e një perspektive të forcës ushtarake, e cila është garanci për liri, që marshon me hapa të sigurt shtigjeve të lirisë”.
Po më këso deklarata të larta mirënjohje për UÇK-në aso kohe deklarohen edhe personalitete, diplomatë dhe analistë ndërkombëtar, si ishte fjala me analistë e njohur anglez, Timoti Garton, i cili po ashtu në numrin e javores “Zëri” të datës 23 janar 1999 shkruante se: “Është e vërtetë se pjesëtarët e UÇK-së janë heronj për shumicën e shqiptarëve të Kosovës. Të arriturat e tyre tashmë janë legjendë, gati për të hyrë në librat e historisë, pa dyshim, në të njëjtën masa të mitizuar për luftëtarët kryengritës kaçakë kundër serbëve para tetëdhjetë vjetësh dhe se forca politike e UÇK-së është në rritje e sipër”. Ishte, ai një vlerësim realist i një ndër mbështetësve të parë dhe të fuqishëm ndërkombëtar për UÇK-në. Do të ishte me shumë interes që sot, pas luftës çlirimtare të Kosovës dhe çlirimit të vendit tonë nga sundimi serb/sllav, pikërisht kur po atakohen dhe denigrohen vlerat më të shenjta të luftës së popullit të Kosovës me në krye UÇK-në të thirremi në deklarimet e ndërkombëtarëve, siç është rasti me mikun tonë, Timoti Garton.
Me zhvillimet në Kosovë dhe roli i UÇK-së merret edhe analisti amerikan, Pol Uiliams, ekspert për marrëdhënie ndërkombëtare, i cili në “Zëri”-n e datës 30 janar 1999 ishte aq largpamës sa që tërhiqte vërejtjen me vlerësimin sipas të cilit: “Është me rëndësi që sulmet ajrore të NATO-së ta gjejë UÇK-në me duar të pastra, pa vrasje të popullatës civile serbe, pa kërcënim të kufijve të jashtëm dhe në këtë mënyrë udhëheqja e UÇK-së do ta ketë dorën e fortë si moralisht, ashtu edhe strukturalisht për të hyrë në negociata”. Gjithsesi, një sugjerim dashamirës dhe shumë i vlefshëm nga një mik i madh ndërkombëtar.
Artikullshkruesi në “Zëri”-n e datës 6 mars 1999, duke analizuara gatishmërinë e UÇK-së që, krahas bisedimeve për Marrëveshje e Rambujesë, të pranojë që të bëjë qeverinë bashkë me “Pacifistët”, konstaton se “Në udhëheqësinë e UÇK-së është vlerësues se aktualisht në procesin e vendosjes për vazhdimin e luftës ose pranimin e paqes së ofruar duke përfshirë gjithë spektrin politik të Kosovës dhe se me rastin e formimit të Qeverisë, me rëndësi është që ai njeri të përfaqësojë UÇK-në, ata që me luftën e tyre kanë bërë atë që e kanë ëndërruar brezat e tëre shqiptare”.
Në të njëjtin numër të “ Zëri”-t , të datës, 16 mars 1999, duke u përgjigjur në pyetjen rreth transformimit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, nga pozicioni i anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm dhe zëdhënës i UÇK-së shprehimisht thoshte se “Unë mendoj se me transformim, në asnjë mënyrë nuk nënkupton shpërbërjen e UÇK-së, por shndërrimin e UÇK-së në forca të rregullta për mbrojtjen e Kosovës”. Analizuar nga distanca historike, deklarimi i Krasniqit duket se ishte vizionar dhe realist, nga se, sot, 15 vjet pas çlirimit të Kosovës UÇK-ja e transformuar në TMK dhe më pas në FSK, kurse, këtyre ditëve Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendim për shndërrimin e FSK në Forcën e Armatosur të Kosovës. Ndërsa, eksperti amerikan i së drejtës ndërkombëtare, Pol Wiliams, në të njëjtin numër deklaronte se “Çmilitarizimi i UÇK-së nuk nënkupton çarmatosjen e saj”.
Në përfundim të periudhës kalimtare, nuk do të bllokohen mundësitë që UÇK-ja të marrë përgjegjësi për mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës, dhe se UÇK-ja sipas, Pol Wiliams “…mund të shfrytëzojë periudhën kalimtare për tu bërë një forcë sigurie në ardhmërinë e Kosovës”.
Si pasojë e eskalimit të situatë luftë, dhe veçmas pas fillimit të bombardimeve të NATO-së mbi caqet ushtarake, paraushtarake, policore serbe, Javorja Politike Shqiptare “Zëri”, me seli në Prishtinë, nga marsi i vitit 1999 e ndërpreu botimin e saj, për ta vazhduar, botimin në Shkup, deri në përfundimin e luftës së Kosovës.
– FUND –
_______________
PROF.DR.AGIM ZOGAJ: HISTORIK I USHTRISË ÃªLIRIMTARE TË KOSOVËS NË JAVOREN ‘ZËRI’ (DHJETOR 1997 – MARS 1999) (Pjesa III)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10304