PROF.DR.DAVID LUKA: Z.RAMA, MOS I SHPALLNI INTELEKTUALËT ARMIQ!

Tiranë, 05. 10. 2016: (Letër e hapur e profesor David Lukës për kryeministrin Edi Rama) – Zoti Rama! Po e dërgoj të hapur se “e mbyllura” nuk do t’ju binte kurrë në dorë. Ajo do të shkonte së pari në dorën e Drejtorisë së Marrëdhënieve me Qytetarët, e prej andej do të niste Odisenë ndër rreziqe të pafund. E unë, një plak 80 vjeç, edhe po të arrija në fundin e këtij udhëtimi të gjatë, ose do ta gjeja të martuar Penelopen, ose nuk do të isha më i zoti të tërhiqja harkun. Gjithsesi do të dilja i mundur. E në këtë çast të dhimbshëm po më kujtohen vargjet e vjetra të një kënge të qytetit tim: Due t’i qahem / s’kam kujt t’i qahem / do t’i qahem …!
* * *
Gjatë tri viteve të sundimit tuaj të hekurt, dy pasazhe të rëndësishme më kanë mbetur në mendje.
I pari, kur morët detyrën e kryeministrit dhe deklaruat botërisht se do të ishit jo kryeministër i Shqipërisë, po “kryeministër i shqiptarëve”.
I dyti, kur iu drejtuat (tash së voni) Akademisë së Shkencave duke i thënë se “Nuk dinin se ku i kishin profesorët?!”
Për të parën, ka vite që unë nuk e ndjej më veten si shqiptar (në kuptimin e patër Gjergjit). Sepse gjithnjë jam munduar të zbatoj një më një detyrat e mia si qytetar i këtij vendi, mirëpo gjithnjë, kryeministrat tonë të nderuar nuk kanë dashur të njohin detyrat e tyre ndaj meje.
Dhe ja shembulli i fundit. Në maj të vitit 2014, unë i pata dërguar një letër (po të hapur), paraardhësit tuaj, Z. Berisha, ku ndërmjet të tjerash shkruaja:
“Jam qytetar i këtij vendi që i njoh dhe i zbatoj një më një detyrimet e mia, bile më shumë nga ç’duhet. Si i tillë kërkoj që edhe Kryeministri të njohë të vetat dhe të urdhërojë “memurët” e tij, që i sillen rrotull, të më kthejnë atë përgjigje të thatë institucionale, për të cilën paguhen. Sepse kjo është demokracia për të cilën kemi ëndërruar të gjithë.

Duke mos e pasur këtë përgjigje, unë tani jam i detyruar të hamendësoj e të shoh ëndrra, duke sendërtuar me vete e duke thënë çdo ditë: Përse nuk më përgjigjet Kryeministri?
Dhe para se të nis sendërtimet, më duhet t’ju kujtoj një nen të kanunit: “Çdo njeri në kandar të vet peshon katërqind derhem! I miri dhe i keqi shkojnë nja për nja!”. Tani, i miri ju dhe i keqi unë, të dy jemi përfshirë në Fjalorin enciklopedik shqiptar, së bashku me Skënderbeun e Enver Hoxhën!”
Z.Berisha pati harruar pikërisht fjalën “qytetar”, atë e pati zëvendësuar me “shërbëtor” e “pushtetar”. Bash për këtë në atë letër të hapur i pata shkruar:
“Së fundi, në qoftë se do të humbisni përkrahjen e atyre që ju kanë mbështetur pa interes, që jo vetëm nuk kanë përfituar asgjë (as pasuritë e grabitura të baballarëve të tyre), mbajeni mend prej meje, vitin e ardhshëm keni për të humbur!”
Dhe ai humbi! E kjo nuk ishte vetëm profecí, po përfundim logjik. Letra ime përmbyllej:
“Tani në daç më kthe, në daç mos më kthe përgjigje!”
Kambana bie për t’u dëgjuar!
* * *
Kalojmë te e dyta, te profesorët, tetë prej të cilëve, megjithëse të vjetër, u kanë ndalur pensionin. Gjithçka këtu është për të qeshur e për të qarë. Sepse nuk funksionon administrata. Mbanje mend prej meje, pikërisht nga ky “mosfunksionim” do t’i vijë fundi sistemit që ju keni ngritur. Zyrtarët tanë, tani në rolin e bejlerëve, e dinë mirë që aty ku janë i ka vendosur partia e jo aftësia. Prandaj mundohen të zhvatin sa munden sa kohë janë benjaminë të partisë që i ka emëruar, duke i shërbyer asaj e vetëm asaj. Këta zyrtarë, jo vetëm janë të paarsyeshëm e arrogantë, por edhe krejt të paaftë për të zbatuar ligjet e shtetit. Po përligj sa thashë më lart me një barsoletë kuptimplote që qarkullon në qytetin e Shkodrës.
Nikolla (prej Malësie), me një letër në xhep, shkon e paraqitet te këshilli i xhamisë (së një fshati), dhe u thotë se e kanë caktuar hoxhë në këtë katund. Këshilli, i trumhasur, e pyet për emrin, për t’i dhënë të kuptojë se një katolik nuk mund të bëhet hoxhë. Nikolla (prej Malësie), i sigurt në vetvete, nxjerr një letër nga xhepi dhe u thotë: “Më ka caktuar LSI-ja!?” Kishte mbetur vetëm xhamia, vendet e tjera ishin zënë nga besnikët e partisë.
Kthehemi te profesorët, të gjithë të nderuar, të gjithë me tituj e grada shkencore, me libra të botuar (si puna e “Kurbanit” tuaj) etj. etj. Ndër to edhe unë.
Një ditë të bukur vjeshte Universiteti i Shkodrës kishte hapur masterin. Mirëpo për të zhvilluar lëndët përkatëse, duheshin doemos njerëz të kualifikuar e me titullin “profesor”. Për këtë na ftuan për të dhënë mësim sipas një norme dhe programi të caktuar. E përsëris: na ftuan, nuk shkuam vetë e as nuk bëmë lutje a kërkesë.
Pranuam, sepse përsëri do të ishim në mes studentësh; gjithashtu sepse ishte hera e parë që aplikohej ky sistem edhe në Universitetin e Shkodrës. Secili nga ne do të jepte aty lëndën ku ishte i specializuar (vetëm për një semestër).
Mirëpo, në korrik të këtij vitit, pa asnjë paralajmërim, na ndalin pensionet. Pas tre muajsh, gjithnjë pa asnjë paralajmërim, na ndalin gjysmën e pensionit, gjithnjë pa asnjë sqarim, as me gojë e as me shkrim, ngjan si shpërblim për punën e madhe që kishim bërë në atë universitet vite me radhë. I shkruajmë një letër pesë institucioneve përkatëse për të na sqaruar. Asnjëri prej tyre nuk e mori mundimin të na kthejë përgjigje. Nuk po flas këtu për bazën ligjore, të cilën institucionet përkatëse e kanë zbatuar gabim, sepse duhet të jesh jurist për t’i marrë vesh ato ligje e ato vendime të këshillit ku ju jeni kryetar, të cilat veç shqip nuk janë. Jo! Po flas për logjikën e tyre të ngatërruar dhe për zbatimin e tyre në mënyrë të papërgjegjshme.
Dhe ja se çfarë mësuam pas tre muajsh. Universiteti i Shkodrës, vetëm në vitin akademik 2014-2015 na paskëshe punësuar, natyrisht jo vetëm pa na pyetur, por edhe pa na njoftuar. E natyrisht pa bërë as kontratë pune, as ndonjë dokument tjetër. Dhe për të treguar se ky punësim qe krejtësisht fiktiv, mua më kishin quajtur të punësuar në ato muaj të semestrit, ku unë nuk kisha shkelur fare në universitet, qoftë edhe një ditë të vetme. Pra ja kishin futur në tym. Për këtë punësim Universiteti me shkresë të posaçme kishte lajmëruar edhe Sigurimet Shoqërore, të cilat, meqë profesorët na dilnin edhe kontribues edhe përfitues, kishin vendosur që, për sa kohë kishim punuar në Universitet, të na ndalej gjysma e pensionit. E keqja këtu paraqitej shumëplanëshe. Na, profesorët, dilnim së pari budallenj, së dyti, hajdutë. Budallenj, sepse nuk ka ligj në botë që t’i thotë atij tjetri, hajde punësoju ti në Universitet, e pasi të kesh punuar pesë muaj, do të marrësh vetëm gjysmën e pensionit, që ti e përfiton pa punuar. Tri herë ia kam shpjeguar një miku tim këtë skemë, e ai tri herë nuk e ka kuptuar! Së dyti, dilnim edhe hajdutë, meqë paskemi dashur të hamë me dy lugë, të merrnim edhe pensionin, edhe honoraret e orëve të universitetit. Këtu tanimë nuk bëhej fjalë vetëm për dy lekët e universitetit, por për dinjitetin e integritetin e profesorëve tanë të nderuar, që po nëpërkëmbej nga “memurët” e administratës së Universitetit, dhe jo vetëm. Është vendi të përmend këtu një thënie të Remarkut: “Asgjë nuk e prish njeriun më shumë se pushteti!”
Ata që kanë vepruar në këtë mënyrë kanë harruar se pensionin ne e kemi për të jetuar. Bile, edhe aq sa e kemi nuk na del. Tani, meqë kemi punuar një semestër në Universitet (veç një ditë në javë e me honorare), do të marrim gjysmën e tij! Vërtet nuk ka patur faj miku im që nuk e ka kuptuar këtë aritmetikë. Po mbase, zyrtarët e Universitetit kanë dashur të shtojnë numrin e të punësuarve (tani edhe me pensionistë 80-vjeçarë) dhe me dylekëshat e tyre të kontribuojnë në ndërtimin e rrugës së Arbërit! Në qoftë kështu, duhen lavdëruar!
Na thonë përse nuk i padisni në gjyq. E para, po të ulin hundën zyrtarët tanë të administratës së Universitetit të Shkodrës e të interpretojnë si duhet ligjet, kjo punë zgjidhet për një orë, sepse baza ligjore është krejt e qartë. Së dyti, me gjyq duhet pritur radha me vite. E ne jemi të gjithë të vjetër! Mandej, kush do të na siguronte që gjyqi do të mbante parasysh thënien proverbiale të Aristotelit: “Amicus Plato, sed magis amica veritas (= Platonin e kam mik, por më tepër kam mik të vërtetën).”
Së fundi lash sistemin. Po hyre në sistem (kompjuterik), gjithnjë kur ke punë me shtetin e me nëpunësit e tij, zakonisht humbet edhe po të kesh të drejtë. Sepse në krye të sistemit është vendosur Cerberi, që, për ta zbutur duhet t’i japësh “pite me mjaltë”. Mirëpo unë nuk kam as pite me mjaltë dhe as fuqinë e Herakliut për ta nxjerrë nga Hadi.
Unë nuk jam profet, megjithëse profecia me zotin Berisha më doli. Ju, zoti Rama, do të qëndroni gjatë në pushtet, sepse nuk keni opozitë përballë. Mirëpo, po nisët t’u fusni dorën në xhep edhe intelektualëve, t’i poshtëroni (nëpërmjet kësaj administrate të papërgjegjshme), mësojeni prej meje, do të krijoni një opozitë tjetër, e cila do të luftojë për dinjitetin e saj. Mos harroni, intelektualët rrezatojnë kulturë, duke e zgjeruar rrethin e ndikimit të tyre.
E, përsëri mos harroni, vitin tjetër kemi zgjedhje!? Nuk ka pasë thënë kot dikur partia: “Armiku më i rrezikshëm është ai që harrohet!”
* * *
Dikur një burrë i vjetër më pati dhënë një këshillë të vlefshme: “E drejta të nxjerr në shesh, por të shkatërron b…”
Unë, besoj, nuk dëmtohem nga kjo thënie, sepse “lejen e varrimit” besoj do të ma japë Nikolla (prej Malësie), megjithëse nuk di as arabisht e as latinisht. As shoku Enver nuk i ka ditur këto dy gjuhë! E as Ju, zoti Rama!
*/ Autori është gjuhëtar

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura