PROF.DR.NUSRET PLLANA: SHOQATA HUMANITARE – BËMIRËSE

Prishtinë, 05. 09. 2015: (Hyrje) Në jetën e popujve historikë, vetëm lufta për liri është veprim historik. Në rrjedhën e këtij veprimi historik, të gjithë qytetarët e vendit që luftojnë për liri, kanë obligim atdhetar të bëhen pjesë e atij veprimi historik, në mënyrë që të fitohet liria. Në vendet ku ka qeveri, dihet si bëhet dhe dihet cila është rrjedha e organizimit të luftës. Presidenti i vendit është Komandant i Përgjithshëm. Shpallet gjendje e luftës. Caktohen detyrat për secilin qytetar. Bëhet mobilizimi i moshave të caktuara të popullatës. Vendoset logjistika e luftës, e veprime të tjera. Në vendet që janë të pushtuara, siç ishte rasti i Kosovës, andaj edhe i Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga viti 1997 deri në qershor të vitit 1999, që mund të thuhet lirshëm dhe me argumente, se ishte luftë për jetë a vdekje, luftën e kanë organizuar veprimtarët atdhetarë që ishin të gatshëm të japin edhe jetën për lirinë e vendit. Në këto raste, vjen në shprehje vullneti i popullit, i cili nuk do të jetojë më në robëri. Prandaj, lufta e tillë quhet luftë për liri dhe për çlirimin e tokave të pushtuara. Prandaj, edhe pse Lufta e UÇK-së nuk ishte organizuar nga ndonjë qeveri e vendit, në Prishtinë, a në Tiranë, ishte veprim historik, sepse është cilësuar si e tillë, në radhë të parë nga populli shqiptar, pastaj nga bota.
Shoqata ‘‘Nëna Terezë’’ ishte pjesë e luftës për liri
U tha se lufta për liri në Kosovë, në vitet që u përmenden, ishte luftë për jetë a vdekje. Pushtuesi ynë shekullor kishte vendosur të zbatonte të gjitha programet shfarosëse kundër kësaj pjese të popullit shqiptar, sa dukej, për t’i dhënë fund njëherë e mirë, edhe në përmasa evropiane, çështjes së pazgjidhur shqiptare, e cila nuk mund të zgjidhej, as nuk mund të zgjidhet nesër a pasnesër, pa çlirimin dhe lirinë e Kosovës. Rrethanat në të cilat ishte populli shqiptar i Kosovës, vuri në lëvizje të gjithë ata që kishin një mundësi, sa do të vogël, që t’i bëhen krahë ardhjes së lirisë. Pjesë e këtij krahu, ishte edhe pjesëmarrja e Shoqatës humanitare ‘‘ Nëna Terezë’’, me të gjitha mjetet që kishte mundësi t’i shfrytëzonte. Kurse mundësitë e saj, ishin mjaftë të mëdha, qoftë për shkak të mundësive që i krijonte mërgatës shqiptare që ta ndihmonte këtë pjesë të atdheut, me të gjitha mjetet, qoftë për shkak të bashkëpunimit me shoqatat simotra ndërkombëtare, që merreshin me të drejtat e njeriut, si dhe me veprimtari të ngjashme.

Prandaj, nuk është gjë e rastit, se Shoqata ‘‘Nëna Terezë’’, pa pasur nevojë prë dekrete ligjore të shtetit, pa pasur nevojë për mobilizim popullor, me vendim të kryetarit të shtetit, pa pasur nevojë të merrte leje nga jashtë apo nga brenda, kudo që zhvillohej luftë në gjeografinë e Kosovës, ajo ishte atje, herë duke ndihmuar nënat shtatzëna, herë tjetër duke ndihmuar të plagosurit, ushtarë e pjesëtarë të popullit, e duke shpërndarë ndihma në veshmbathje dhe në ushqime, dhe së fundit duke lënë në dispozicion të luftës të gjithë personelin e saj mjekësor, kudo që ishin, në akëcilën zonë të luftës në Kosovë, apo në cilin do vend që duhej të ndihmohej zhvillimi i operacioneve luftarake.
Ata që nuk kanë marrë pjesë në luftime, ata që nuk kanë parë frontet e përballjeve me sy, ata që nuk kanë parë plagët e luftëtarëve të lirisë, mund të flasin çka të duan, sepse nga larg, të gjitha gjërat duken më të lehta. Por, ata veprimtarë që i kanë parë të gjitha këto, mund ta dëshmojnë praninë e Shoqatës ‘‘Nëna Terezë’’, në të gjitha këto rrjedha që ka lufta për liri. Ka shumë veprimtarë, që në një mënyrë, a në një tjetër, kanë pasur rastin të punojnë bashkë me aq shumë veprimtarë të Shoqatës ‘‘Nëna Terezë’’. Këtu nuk ka nevojë të flitet për dobinë e angazhimit të tyre, sepse ishte obligim qytetar e atdhetar i secilit, por këtu mund të flitet, sa e nevojshme dhe, në fund të fundit, sa e domosdoshme ishte ajo mënyrë e përfshirjes në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për çka nuk kishte nevojë Kosova e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? Kishte nevojë për çdo gjë. Por, plagët e luftëtarëve të lirisë ishin më shumë se nevojë për veshmbathje, apo për ushqime. Andaj, sidomos personeli mjekësor i Shoqatës ‘‘Nëna Terezë’’, ishte pjesë e luftës për lirinë tonë, ndërkaq sektori i maternitetit ishte aq i suksesshëm, sa që asnjë foshnje e lindur dhe asnjë nënë nuk ka vdekur derisa është trajtuar në këtë Shoqatë. Ngase i tërë organizimi i Shoqatës, të gjitha nivelet e saj të udhëheqjes, kishin më shumë mundësi të vepronin, sidomos kishin mundësi të siguronin furnizimin me barëra të domosdoshme për popullatën tonë të pambrojtur, para, gjatë dhe pas luftës gjenocidale në Kosovë.
Andaj, Shoqata ‘‘Nëna Terezë’’ ishte pjesë e luftës për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shoqata ‘‘Nëna Terezë’’ dhe liria
Shoqata ‘‘Nëna Terezë’’ është pjesë e lirisë sonë. Nuk dua të flasë për veprimtarinë e saj para luftës, nuk dua t’ia mohoj askujt të drejtën që të rrahë gjoks se kush ishte prijës e kush ndihmës, siç nuk dua të përzihem në punët që ka bërë akëcili subjekt politik, që tashti ta shfrytëzojë si kartëmonedhë për lavde boshe, sepse ata që kanë punuar në këtë Shoqatë i dinë më mirë të gjitha këto. Unë, në mënyrë modeste, mund të sjellë shumë dëshmi për veprimtarinë e Shoqatës ‘Nëna Terezë’’‘, të cilat e kanë bërë hise të lirisë sonë. Prandaj, liria është edhe pjesë e përpjekjeve, sakrificave, plagëve dhe gjakut që kanë derdhur veprimtarët e Shoqatës ‘‘Nëna Terezë’’. Sepse, kur një popull lufton për liri, askujt nuk i ka hije të rrijë anash. Këtë filozofi të jetës së popujve të robëruar që luftojnë të çlirohen, të gjithë veprimtarët e Shoqatës ‘‘Nëna Terezë’’, e kishin jo vetëm pjesë të jetës së tyre, por edhe pjesë të vetëdijes së tyre atdhetare, se pa dhënë çdo gjë për atdheun, nuk fitohet liria.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte forca që u dha motiv të gjithë shqiptarëve, kudo që jetonin të vihen në shërbim të ardhjes së lirisë. Mendoj, nuk ka akt më njerëzor se ky. Prandaj, kur flasim për Shoqatën ‘‘Nëna Terezë’’, duhet të kihet parasysh ky fakt, shqiptarët i kishin besuar ushtrisë së tij, e cila kishte lindur nga gjiri i popullit, siç ka ndodhur zakonisht në historinë tonë që nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e këndej. Kjo mënyrë e mbështetjes së luftës, me të gjitha mjetet e mundshme, por mbi të gjitha me gatishmërinë e vetëdijshme se po i shërbenin çlirimit të vendit dhe ardhjes së lirisë, të gjithë veprimtarët e kësaj Shoqate, në një mënyrë, ose në një tjetër, janë pjesë e luftës për liri, duk e bërë në këtë mënyrë, Shoqatën në të cilën vepronin hise të lirisë së Kosovës.
Nga të dhënat që kanë botuar veprimtarë të ndryshëm, monografitë që janë botuar, si për personalitetin botëror të Nënë Terezës, por edhe për veprimtarinë humanitare të Shoqatës ‘‘Nëna Terezë’’ janë shpaluar disa veçori karakteristike të angazhimit të veprimtarëve të saj në luftën çlirimtare të Kosovës. E para, në zonat ku luftimet zhvilloheshin në mënyrë intensive, Shoqata kishte vënë në dispozicion të luftës gjithçka që kishte, veprimtarët, personelin mjekësor, motra dhe teknikët e saj, laboratorët dhe personelin që kryenin këto punë, barërat si dhe forma të tjera të ndihmës. Tashti ata ishin në shërbim të ushtrisë dhe të popullatës, që kryesisht ishte e zhvendosur nga shtëpitë e tyre. E dyta, veprimtarët e Shoqatës ‘’Nëna Terezë’’(duke rrezikuar gjithnjë jetën e tyre nga barbarët serbë) kishin organizuar bartjen e ndihmave, si dhe furnizimin me gjëra të nevojshme, edhe me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke ruajtur në këtë mënyrë mundësinë për të siguruar mjete të mjaftueshme për luftën. E treta, sidomos shërbimi mjekësor i Shoqatës, kishte ruajtur kontaktet me shoqata dhe organizata të ndryshme humanitare që atë kohë ishin në Kosovë, pa pasur nevojë t’u jepej llogari atyre se ku shkonin ato ndihma. Së katërti, vet akti i rënies në krye të detyrës humanitare të më shumë se 150 dëshmorëve të humanitetit në altarin e lirisë, dhe zhdukja e më shumë se 40 shqiptarëve( veprimtarë humanitarë të kësaj Shoqate), nënkupton mjaftueshëm për rolin historik dhe të pazëvendësueshëm të kësaj Shoqate, sidomos në kohën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që këtë e bën pjesë aktive të lirisë sonë.
Qofshin vetëm këto fakte të vogla, në krahasim me organizimin e madh të Shoqatës ‘Nëna Terezë’’, dëshmojnë mjaftueshëm për ndihmesën e madhe dhënë ardhjes së lirisë, të cilën shqiptarët e kishin pritur më shumë se një shekull.
Përfundim
Kurdo që të jetë e thënë që të shkruhet historia e Shoqatës humanitare ‘‘Nëna Terezë’’, doemos do të rikujtohen, do të analizohen dhe do të argumentohen edhe mbështetja e madhe që veprimtarë të kësaj shoqate i kanë dhënë Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në të vërtetë, do të ishte jashtë logjikës së ekzistencës së njeriut, që një shoqatë, qoftë edhe humanitare, kur atdheu është në rrezik, kur jeta e njeriut vlen më pak se e çdo gjallese tjetër, të mbetej anash, të shihte vetëm punën e vetë, si do të thoshin ata që matin me peshoren e barnatores, secilën sjellje njerëzore, andaj edhe veprimtarinë në ndihmë lirisë nga veprimtarët e Shoqatës humanitare ‘‘Nëna Terezë’’.
Kosova e pas luftës për liri, ka shumë pjesëmarrës që kanë në trup plagët e luftës, por në të njëjtën kohë ata mbajnë mend edhe ndihmën e pakursyer të mjekëve të Shoqatës ‘‘Nëna Terezë’’, te motra që ju kanë lidhur plagët, të infermiereve që u kanë qëndruar te koka, të atyre mjekëve që kanë operuar edhe pa anestezion. Të gjitha këto janë pjesë të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por janë edhe pjesë e hises së madhe të veprimtarëve të Shoqatës humanitare ‘‘Nëna Terezë’’.
Qoftë edhe vetëm për këtë fakt, mund të thuhet, prandaj, se Shoqata humanitare ‘‘Nëna Terezë’’ është pjesë e jetës së Kosovës, rrjedhimisht është pjesë e luftës sonë për liri, andaj edhe është pjesë e jetës sonë.

Prishtinë, më 3. 9. 2015
Prof. dr. Nusret Pllana
Universiteti “Hasan Prishtina” Prishtinë
Fakulteti i edukimit

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura