PROF.DR.VANGJEL KICI: NAFTA SHQIPTARE DHE POLITIKANËT E KORRUPTUAR

Pashtriku.org, 03. 07. 2013 – Prof. Dr. Vangjel Kici është një gjeolog rebel në mendimet e tij të pa lëvizshme. Ai pret që studimet e tij të vihen në provë sa më parë, prandaj qëndron i sertë dhe individual si plumbi. Për më shumë, ai edhe në jetën e tij private pranon të vuajë, por jo “të pijë në dy apo tri dele”, siç kanë bërë dhe bëjnë mjaftë gjeologë dhe intelektualë të sotëm shqiptarë. Prof.Vangjeli është njeri shpërthyes. Veç studimeve të tij shkencore, ai reagon konkretisht me shkrime në shtypin shqiptar për keq manazhimin e Shqipërisë në drejtimin social-shoqëror dhe ekonomik. Shkrimet e tij kanë si objekt naftën dhe pasuritë e tjera të Shqipërisë. Ai kërkon që të çlirohet populli ynë i mbytur nga kjo gjoja demokraci. Unë dhe Prof. Vangjeli nuk kemi dëgjuar deri më sot që drejtësitë të instalohen duke mbajtur në duar tufa me lule… Vangjeli është trup vogël, sepse është rritur në Shqipërinë e vuajtjeve. I sertë dhe korrekt ai reflekton kulturën dhe edukimin e Pragës së artë, ku kreu studimet e larta, në atë universitet themeluar plotë 100 vjet para betejave të Skënderbeut. Siç ka shumë opozitarë, ai ka edhe shumë punime dhe studime gjeologjike, të cilat do t’ua lërë brezave të ardhshëm. Vërtetësinë e tyre le t’a provojnë ata, pasardhësit tanë. Po qeveritarët tanë çfarë do t’u lënë brezave të ardhshëm? Vetëm turp dhe mallkim. Këto do t’i ndjekin ata nga pas, si hije të zeza, gjatë, deri në shuarjen fizike dhe morale, të gjithë pa përjashtim.

PROF.DR.VANGJEL KICI – 

Dy partitë kryesore (PD dhe PS) janë dy gjysmat e “nënës parti”.
1- Prof. Vangjeli, personalisht ju admiroj për energjinë dhe valencat opozitare në mbrojtje të naftës tonë, të cilën na e vjedh ashiqare një grup sharlatanësh vendas dhe të huaj. Ata na poshtrojnë moralisht dhe ekonomikisht, si kurrë ndonjë herë tjetër. Përse ndodh kjo?
PROF.DR.V.KICI:
Një nga porositë e Gorbaçovit në Katovicë të Polonisë (1989) ishte që komunistët, pas rënies së sistemit të diktaturës, të rrëmbenin në duart e tyre ekonominë, pasurinë shtetrore. Porositë e tij u zbatuan me përpikmëri vetëm në Shqipëri. Në vitet 1990-1992 komunistët shqiptarë, të shndërruar brenda natës në “demokratë”, vet e rrëzuan sistemin e diktaturës komuniste dhe qëndruan prap po ata në pushtet. Dy partitë kryesore (PD dhe PS) janë dy gjysmat e “nënës parti”. Këto parti, herë njëra dhe herë tjetra, kanë udhëhequr vendin gjatë këtyre 22 vjetve, dhe po rrëmbejnë kapitalin e grumbulluar gjatë 45 vjetve të kaluar (po zbatojnë porosinë e Gorbaçovit!). Këtë po e bëjnë“ me forcat e veta”, por edhe në bashkëpunim me të huajtë. Kjo grabitje e madhe bëhet, sepse kështu duan qeveritë neokomuniste dhe pseudodemokratike shqiptare. Kjo grabitje realizohet me lehtësi, sepse populli ynë nuk di t’a mbrojë pasurinë e tij. Ai mendon se kjo pasuri është e shtetit dhe jo e tij, prandaj me ‘të le të bëjnë çfarë të duan qeveritarët. Popullit i mungon vetorganizimi dhe guximi. Sharlatanët vendas dhe të huaj na poshtrojnë moralisht dhe ekonomikisht, sepse ne vet i votojmë këto parti, që formojnë qeveritë e tyre, të cilat e organizojnë këtë grabitje.
Milosheviçi i dëboj shqiptarët nga Kosova me forcën e armëve, kurse qeveritë pseudodemokratike të Shqipërisë londineze po e dëbojnë popullin me mjete paqësore!
2 – Sipas mendimit tuaj, si specialist i lartë, cili është qëllimi final i gjithë qeverive dhe partive që e trajtojnë kështu naftën shqiptare?
Ku duan të dalin me këtë strategji anti kombëtare?
PROF.DR.V.KICI:
Qëllimi final i udhëheqjeve të partive kryesore, dhe qeverive të dala prej tyre, deri tani ka qënë shkatërrimi i ekonomisë së Shqipërisë. Fillimisht ata shkatërruan uzinat, fabrikat … Tani bazat kryesore të ekonomisë tonë janë nafta, minierat dhe bujqësia. Prandaj, pikërisht këto degë janë goditur për vdekje. Qëllimi është që pasuria kombëtare të shitet (“privatizohet”) dhe të grabitet nëpërmjet “privatizimeve”, populli të varfërohet sa më shumë, frontet e punës të mbyllen dhe njerzit të ikin nga Shqipëria, të ikin nga sytë këmbët… Milosheviçi i dëboj shqiptarët nga Kosova me forcën e armëve, kurse qeveritë pseudodemokratike të Shqipërisë londineze po e dëbojnë popullin me mjete paqësore. Metodat janë të ndryshme, por qëllimi është i njëjtë: Të bëhet pastrimi etnik i trojeve shqiptare. Deri tani nga Shqipëria janë dëbuar rreth 1 milion e gjysëm shqiptarë, dhe po punohet intensivisht që të largohen edhe sa më shumë të tjerë. Shqipëria të jetë shumë e dobët ekonomikisht dhe ushtarakisht. Ajo të mos jetë bazë e fuqishme në mbështetje të Kosovës. Ajo të jetë e varur nga shtetet fqinje. Pak të reagojë Shqipëria kundër interesave të Greqisë, kjo e fundit e kërcënon me kthimin në Shqipëri të rreth 600 mijë emigrantëve. Prandaj Shqipëria është e gjunjëzuar para Greqisë. Qëllimi i deritanishëm i politikanve tanë është që Shqipëria të jetë e nëpërkëmbur dhe e përbuzur nga shtetet shoviniste fqinje dhe jo një shtet i fuqishëm amë, në mbrojtje të të gjithë shqiptarve, kudo që janë, me synimin për bashkimin kombëtar në të ardhëshmen. Pra, ky është qëllimi final antikombëtar i deritanishëm i partive kryesore shqiptare dhe qeverive të dala prej tyre.
Kurorëzimi i lidhjes së Ramës me Metën do të jetë shitja dhe grabitja e plotë e ekonomisë.
3- Si e paramendoni kurorëzimin e lidhjes së Ramës me Metën, në kontekst me naftën tonë? Më shkurt, si mendoni se do i dalë tymi kësaj lidhje? Edhe kjo është një farsë alla-shqiptare si gjithë të tjerat, apo një komedi e përgatitur nga të huajtë për të vjedhur naftën shqiptare?
PROF.DR.V.KICI:
Kujtoni të gjitha marrëveshjet për naftën bërë nga përfaqësuesit e LSI-së së Metës. Kisha shpresë tek z. Rama, por populli thotë: Më thuaj me cilin rri, të të them se cili je. Kurorëzimi i lidhjes së Ramës me Metën do të jetë shitja dhe grabitja e plotë e ekonomisë. LSI sytë i ka tek METE (Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës). META i ka sytë tek METE, sepse atje është pasuria kombëtare, që ka mbetur pa shitur. Ata kanë eksperiencë të madhe për grabitje.
4 – Në parlamentin shqiptar asnjë krah nuk flet për naftën tonë. A nuk të çon kjo në konkluzionin se të dy partitë kryesore, gjoja të kundërta në program dhe moral, janë në një marrëveshje të fshehtë për të dënuar naftën tonë?
PROF.DR.V.KICI:
Të dyja partitë kryesore kanë të njëjtin qëndrim për naftën shqiptare. Ato kanë rënë dakord që nafta shqiptare të shitet tek të huajtë dhe të grabitet në bashëpunim me ‘ta. Deputetët në parlament heshtin. Ata mbrojnë interesat dhe privilegjet e tyre dhe të partive të tyre, por nuk mbrojnë aspak interesat e popullit.

 Berisha – Meta – Rama

Fuqia e naftës është fuqia e popullit.
5 – Konkretisht naftës të gjithë i shmangen, nuk flitet në asnjë tavolinë, sikur të ishte një sekt komunist. Nuk e njohin apo kanë frikë fuqinë e saj të tmerrshme?
PROF.DR.V.KICI:
Njerëzit mendojnë se për çështjen e naftës, por dhe për çështjet e tjera “I di partia dhe qeveria”. Ata me këtë mendësi janë mësuar qysh në kohën e Enverit. Njerëzit kanë problemet e shumta të jetës së përditëshme familjare, papunësinë, varfërinë, ushqimin, rendin… dhe për këto arsye nuk u shkon aspak mendja tek nafta. Në fund të fundit, çfarë të mire direkte ka parë populli ynë nga nafta? Të ardhurat nga nafta, në të kaluarën u përdorën për të ndërtuar bunkera dhe jo për mirëqënien e tij, megjithëse në atë kohë u bënë shumë ndërtime (uzina, fabrika, hidroçentrale, bujqësia moderne etj…). Naftën e njohin vetëm naftëtarët tanë. Me punën në naftë ata kanë mbajtur familjet e tyre. Tani ata janë pa punë, janë të hedhur në rrugë. Këtë “të mirë” ua dha “privatizimi”. Pse heshtin? Sepse ne jemi popull i urtë, popull i nënshtruar, dhe kërkojmë që të keqen të na e heqin të tjerët, të na e heqi bota, Amerika, Europa. Fuqinë e naftës tonë e dinë mirë politikanët tanë, prandaj kanë vendosur t’a shfarosin. Fuqia e naftës është fuqia e popullit. Ajo është fuqi ekonomike, politike, ushtarake, strategjike, por këto fuqi nuk i duan armiqtë tanë shekullorë, të cilëve u shërbejnë me servilizëm politikanët tanë. Vet qeveritarët dhe politikanët tanë të korruptuar nuk mund të flasin për naftën tonë, sepse nuk duan që të zgjohet populli nga gjumi, nuk duan të zbulohet krimi i tyre. Krimet mbulohen me heshtje.
Rama tek naftëtarët në Patos deklaroi se nafta po grabitet, por nuk tregoj sa dollarë na grabiten në vit. Pse nuk i tha këto shifra? Sepse po t’i thoshte këto shifra do të tronditej tërë populli shqiptar!
6 – Ka 20 e ca vite që nafta vidhet dhe shkatërrohet, ku të huajtë bëjnë sikur punojnë, por deri tani nuk kanë zbuluar asnjë vendburim nafte. Çfarë do të thotë kjo?
PROF.DR.V.KICI:
Po, ka 20 e ca vite që nafta vidhet dhe shkatërrohet. Populli ynë është indiferent, dhe arsyet pse ndodh kjo i thash më sipër. Kjo ndodh edhe për faktin se tek ne nuk ka opozitë të vërtetë. Vajti z. Rama tek naftëtarët në Patos, për fushatë zgjedhore. Ai deklaroi atje se nafta e Patos-Marinzës po grabitet, dhe se Shqipëria, nga marrëveshja me kompaninë Bankers, përfiton shumë pak. Ai nuk foli me shifra, sa dollarë na grabiten në vit dhe sa dollarë fiton Shqipëria në vit. Pse nuk i tha këto shifra? Sepse po t’i thoshte këto shifra do të tronditej tërë populli shqiptar, kaq e madhe është grabitja dhe kaq i vogël është i ashtuquajturi fitimi ynë. Pse nuk pyetën naftëtarët: Çfarë keni bërë ju si opozitë gjatë këtyre 8 vjetve që grabitet nafta e Patos-Marinzës? Pse e lejoni grabitjen? Pse vini këtu vetëm në kohë fushate zgjedhore? Përkundrazi, naftëtarët e mbledhur në Patos nuk i bënë këto pyetje të rëndësishme. Ata u mahnitën nga fjalët e bukura të kryetarit të opozitës dhe e duartrokitën!! Pra, e kanë hallall vuajtjen dhe mjerimin.
Kompanitë e huaja të naftës kanë kërkuar gjatë këtyre 25 vjetve në vendin tonë, por nuk kanë zbuluar pothuajse asgjë. Kjo tregon se nafta nuk është e lehtë të zbulohet. Atë mund t’a zbulojnë më lehtë vet shqiptarët, sepse e njohin më mirë gjeologjinë e Shqipërisë. Unë them, shyqyr që nuk kanë zbuluar, sepse me këtë ligj nafte që kemi sot, i cili lejon haptas korrupsionin, do na e merrnin naftën badihava. Si shembull: Sa do të marrim nga nafta e zbuluar në Shpirag? Vetëm 30%!! Të mos harrojmë se gjatë 8 vjetve të fundit Shqipëria u deklarua padrejtësisht para botës gjoja si e zënë nga kompani nafte jo ekzistuese, kompani fantazmë, si p. sh. kompania Sky Petroleum. Kështu u bë qëllimisht bllokimi i kërkimit të naftës. Pse u bë ky bllokim? Ky u bë që të mos zbuloheshin vendburime të reja nafte dhe gazi, të mos kishte të ardhura ekonomia jonë, të mos hapeshin fronte pune në mënyrë masive dhe të përhershme. Vendi të varfërohej më tej dhe njerzit të iknin nga Shqipëria. Kështu bëhet pastrimi etnik, dhe pastaj, në Shqipërinë e boshatisur, mund të vijnë popuj të tjerë, jo shqiptarë…
“Nafta dhe Politika”…
7 – Nafta është Thembra e Akilit për kryeqeveritarin tonë Berisha. E quani të moralshme që asnjë specialist nafte, i thjeshtë apo me grada shkencore, grupuar nëpër parti apo shoqata, nuk del në mbrojtje të naftës tonë? Kanë ata moral civil dhe profesional?
PROF.DR.V.KICI:
Nafta është si Thembra e Akilit, sepse dihet rëndësia e saj. Nafta nuk ka vlerën e kripës. Çmimi i naftës ka vajtur në kupë të qiellit. Pasanikët arabë u bënë sheik vetëm nga nafta. Ata dallohen, sepse kanë një shirit të zi rreth kokës. Berisha, Meta etj., kërkojnë të bëhen sheik me dy shirita të zinj, t’ua kalojnë edhe sheikve arabë!! Specialistët shqiptarë të naftës janë të braktisur, të papunë, të varfër. Të tjerët jetojnë me një pension minimal. Ata kanë hallet e tyre dhe nuk mendojnë fare për naftën. Çfarë u dha nafta që zbuluan? Asgjë, u dha vetëm varfërinë. Naftën e zbuluar prej tyre, me shumë mundime, tani po e grabitin me lehtësi mafiozat qeveritarë, në bashkëpunim me të huajtë. Specialistët tanë të naftës, të thjeshtë apo me grada shkencore, dje kanë brohoritur për partinë dhe shokun Enver, kurse sot duartrokasin Berishën dhe të tjerë. Fatkeqësisht, ky është morali ynë, prandaj jemi në këtë gjendje mjerimi.
8 – Specialisti i naftës, Prof. Dr. Maksim Shuli, ish deputet në parlamentin shqiptar dhe President i Kompanisë Albpetrol, ka botuar librin “Nafta dhe Politika” ku na bind me dokumenta dhe fakte për rënien katastrofike të naftës shqiptare… Ky është një denoncim i hapët. Si e shpjegoni heshtjen e qeverisë shqiptare?
PROF.DR.V.KICI:
Prof. Dr. Maksim Shuli ka qenë kreu i naftës shqiptare. Të dhënat e tij për rënien katastrofike të naftës shqiptare nuk kanë asnjë dyshim. Ai libër është një akuzë e hapët për ata që e shkaktuan këtë katastrofë, por populli ynë, opozita, parlamenti… janë në gjum. Të presim, mbase vjen ora dhe zgjohen. Heshtja e qeverisë shqiptare është e kuptueshme. Qeveritë shqiptare vet dhe qellimisht e shkaktuan këtë katastrofë në naftë. Çfarë të bëjnë tani, të dënojnë vet veten? Populli duhet t’i dënojë ata fillimisht me votë. Votën populli e ka në dorën e tij.
Brezi i Shqipërisë lindore, që vazhdon pothuajse në të gjithë Kosovën, ka perspektivë shumë të madhe për naftë dhe gaz.
9 – Ju vet tani afër keni shkruar dhe botuar një libër. A mund të na thoni, çfarë përmbajtje ka ai libër, dhe a ka ndonjë mesazh që i përcillet popullit shqiptar?
PROF.DR.V.KICI:
Po, kam shkruar dhe botuar kohët e fundit një libër për naftën shqiptare. Aty kam argumentuar, me fakte gjeologjike, se disa interpretime të gabuara, pa dashje, errësojnë perspektivën e madhe naftëgazmbajtëse të Shqipërisë. Dikur, por edhe sot në popull flitet: “Thonë se nëpër Shqipëri, nën tokë kalon një lum i madh nafte, që lidhet me Rumaninë. Ky mendim optimist tregon shpresën e popullit mbi perspektivën e madhe të vendit tonë për naftë, ngjashëm me Rumanin, që është pak a shumë e pasur me naftë, por që nuk renditet fare në vendet e botës, të pasura me naftë dhe gaz. Përkundrazi, mua më rezulton një ngjashmëri gjeologjike jo me Rumanin, por me Azerbajxhanin, që është vërtet shumë i pasur me naftë dhe gaz, dhe për këtë shquhet në botë. Brezi i Shqipërisë lindore, që vazhdon pothuajse në të gjithë Kosovën, ka perspektivë shumë të madhe për naftë dhe gaz. Bëhet fjalë për mundësinë e ekzistencës së shumë fushave gjigante të naftës dhe të gazit (të rangut botror!). Pikërisht këtë brez donte t’a shiste Berisha (lista C) bashkë me Albpetrolin. Ai donte t’a shiste dhe po vet t’a blinte në bashkëpunim me të huajtë, por fatmirësisht nuk arriti. Pra, ka shumë mundësi që Shqipëria (Shqipëri-Kosova) të bëhet një vend shumë i pasur me naftë dhe gaz. Shqipëri-Kosova (trojet etnike shqiptare) mund të bëhet vërtet një vend shumë i fuqishëm energjitik (shumë i pasur me qymyre linjit, shumë i pasur me naftë dhe gaz, shumë i pasur me ujra për prodhimin e energjisë elektrike). Prandaj, nuk duhen shitur as fushat ekzistuese të naftës dhe as rezervat nëntoksore të saj, sepse ato janë e ardhmja e afërt dhe e ndritur e kombit tonë. Kombi ynë do të jetojë i lumtur në trojet e veta etnike, por kjo kërkon qeveri të ndershme dhe jo qeveri hajdutësh, kjo kërkon popull trim dhe jo të nënshtruar. Mesazhi im, me anë të këtij libri, është: Në Shqipëri të ndryshojë rrënjësisht politika në drejtim të naftës dhe të gazit. Të ringrihet Instituti i Kërkimeve të Naftës dhe të Gazit dhe të krijohet kompania shtetrore e naftës shqiptare me kapital të përbashkët me Kosovën. Si model të kemi Norvegjinë, që ka popullsi sa Shqipëri-Kosova. Të kopjojmë saktësisht ligjin e naftës që ka Norvegjia, i cili nuk hap shtigje për korrupsion. Ajo naftën e ka pasuri shtetrore (zotron 80% të saj dhe kontrollon rreptësisht të gjithë naftën dhe gazin). Norvegjia ka kompaninë e saj shtetrore të naftës, Statoil. Në Norvegji është zbatuar kapitalizmi shtetror, i cili ka bërë shumë çudira (mrekullira). Norvegjia ka nivelin më të lartë në botë të mirëqënies së popullit. 52% të të ardhurave për frymë të popullsisë së Norvegjisë vijnë nga pasuria publike (shtetrore) dhe jo nga “privatizimet”. Dua që edhe në Shqipëri të zbatohet kapitalizmi shtetror model norvegjez. Kush e kundërshton këtë ide, me justifikime të ndryshme, nuk i do të mirën popullit tonë.
– FALEMINNDERIT
– Intervistoi Ing. Ahmet Çollaku

*   *   *

VANGJEL KICI, GJEOLOG I GUXIMSHËM DHE OPOZITAR I PËRHERSHËM

Ai lindi në Bubullimë të Lushnjes, aty mes luleve ku kreu edhe shkollën 7 vjeçare, kurse shkollën e mesme, Teknikumin e Naftës, e bëri në Kuçovë. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Pragës, në vitet 1956-1961, në Fakultetin e Shkencave të Natyres. Kur krisi kampi socialist, ai u kthye në Shqipëri, në Universitetin e Tiranës u diplomua në degën gjeologji-paleontologji. Në mars të vitit 1963 emërohet gjeolog në Kombinatin e Naftës në Kuçovë. Më vonë punoi si stratigraf-mikropaleontolog, në Institutin e Kërkimeve të Naftës dhe të Gazit, në Kuçovë dhe më pas në Fier.
Bashkë me kolegët e grupit, kreu studimin e stratigrafisë së depozitimeve të Paleogenit në zonat Jonike dhe Kruja. Punon në terren dhe në laborator, kryen analiza paleontologjike. Përveç analizave të temave, bën edhe analiza të kampioneve të puseve të kërkimit. Gjatë punës në Institut, si bashkëautor dhe si autor, përpilon studime shkencore dhe shkruan shumë artikuj shkencorë, udhëhoqi punime me vlera kapitale për ndarjen zonale të depozitimeve të Paleogenit, që mbulojnë gëlqerorët. Kjo punë i dha mundësinë të parashikojë thellësitë e pritshme të gëlqerorëve qysh gjatë shpimit. Të mos harrojmë, këto punë duhet të kuptohen si vlera ekonomike të mëdha, sepse u ndalën mjaft shpime. Nga ana tjetër, u paralajmërua takimi i gëlqerorëve më parë sa parashikohej në projekt, kjo rriti vigjilencën e brigadave të shpimit për të shmangur fontana. Për shembull, shpëtoi nga fontanimi vendburimin e naftës në Gorisht – Kocul etj.
Në këtë kohë këtij gjeologu rebel, iu dha grada “Kandidat i Shkencave Gjeologjike”. Për shkak të shfaqjeve antikomuniste, vazhdimisht në Institut ka qenë i papreferuar, i nëpërkëmbur dhe i survejuar. Vangjel Kici ishte antikonformist, novator, gjithnjë kundër turmës, prandaj ai hasi shumë pengesa. Sa shumë energji dhe vlera karakteri përcëlloi monizmi?! Atëherë ky virus komunist përcëlloi dhjetëra, kurse tani kolera gjoja demokraci po djeg një popull të tërë. Këtu klasifikohet gjeologu Vangjel Kici, shkencëtari-opzitar i përjetshëm.
Rezultatet e punës së tij ngjallën cmir dhe ambicje profesionale tek specialistët cinik, me dhe pa parti. Kjo shkrepi fortë në vitin 1975, me bumin politik, “zbulimin e veprimtarisë armiqësore në naftë”. Vangjelin e dëbojnë nga Instituti duke i rrasur në xhep një karakteristikë të zezë, si i dyshimt për sabotim në naftë. E hodhën pesë vite punëtor në Ndërmarrjen e Nxjerrjes së Naftës në Kuçovë. Ky ishte stazhi i tij për një demokraci, por jo si kjo e sotshmja që shtiret, gënjen, mashtron, shet pasuritë e dhuruara nga Zoti, vret popullin e vet, vretë ata të cilët e votuan dhe e sollën në poltron. Qeveri që i shkon proverbi, fiton ai që shtiret si budalla!
Qeveritarët tanë gjithmonë kanë qenë mafiozë, cinikë, meskinë, të pa skrupullt. Kur atyre u pikon çatia, të thërrasin, lypin. Kështu, në vitin 1980, me rastin e përgatitjes së Hartës Gjeologjike të Shqipërisë, Vangjelin e tërheq Instituti i Kërkimeve Gjeologjike i Tiranës. Edhe në këtë institut nëpërkëmbet, spostohet dhe survejohet. Radioaktivitet shoqëror dhe profesional.
Prof. Vangjel Kici ka udhëhequr disa studime shkencore, mjaft pikante, sidomos ato të Shqipërisë lindore dhe veriore. Kjo i dha atij mundësinë të kompletojë njohjen stratigrafike pothuajse për gjithë Shqipërinë, fat që asnjë tjetër nuk e ka patur. Kjo njohje stratigrafike e përpiktë i dha mundësi të ndërtojë paleogjeografinë e Shqipërisë në kohën e mesjetës gjeologjike (në kohën e dinosaurëve), të bëjë ndërtim gjeologjik me pikpamje krejt të reja, të kundërta me ato tradicionale të trashëguara. Nga këto rindërtime gjeologjike i rezultojnë dy kritere të rinj kërkimi për bakër-arin etj. Në zonën e Mirditës. Kjo paleogjeografi dhe ky përfytyrim i ri gjeologjik hap perspektivë të jashtëzakonshme për naftë dhe gaz në gjithë Shqipërinë lindore dhe në Kosovë, atje ku është dhembja jonë e vjetër dhe e re. Kjo perspektivë naftëgazmbajtëse është e përafërt me atë të Azerbajxhanit, i famshëm në botë.
Në Institutin e Tiranës, si autor dhe si bashkëautor, Vangjeli ka shkruar dhe botuar shumë studime dhe artikuj shkencore mbi gjeologjinë e Shqipërisë. Edhe këtu, për shkak të qëndrimit antikonformist dhe novator në gjeologji ndeshi në shumë pengesa dhe vështirësi sajuar nga shefat që mbronin pikëpamjet e vjetra gjeologjike. Këto pengesa qenë aq të mëdha, sa ata e panë të pamundur ta mbanin pranë, prandaj gjetën rastin dhe në vitin 1998, e nxorën në pension, në moshën 63 vjeçare, megjithëse ai ishte (dhe është) shkencëtar dhe kishte (dhe ka ) ide shumë të rëndësishme dhe novatore në gjeologjinë e Shqipërisë. Demokracia Shqiptare, e zhveshi Shqipërinë, gjithë popullin e nxori në krijim të lirë, kurse qevitarët morën në oborr gjithë pasuritë e popullit. Dhe gjithë kohën merren me punë të madhe, vetëm citojnë Enver Hoxhën.
Edhe tani, gjatë kohës si pensionist, ai vazhdon të shkruajë mbi gjeologjinë e Shqipërisë, sidomos për problemet ekonomike. Ai e bën këtë, sepse gjeologjinë e ka pasion, ai dëshiron t’i hap Shqipërisë perspektivë të jashtëzakonshme për naftë dhe gaz, me qëllim që të përmbyset një herë përgjithmonë varfëria e popullit. Por shteti po e shet gjithë naftën dhe Shqipërinë bashkë, se dihet aforizmi, kaput nafta, kaput Shqipëria. Pra, naftën dhe gazin do e marrin të huajt në bashkëpunim me mafiozët tanë qeveritarë. Për më shumë, ai do që këto studime me premisa të medha të ua lërë trashëgim brezave të ardhshëm, Shqipërisë.
Myzeqeja ka lule të bukura, aty lindi edhe gjeolog Vangjel Kici, ky gjeolog futurist gati rebel në mendimet e tij të pa dyshuara. I sertë dhe individual si plumbi, ai pranon të vuaj, por jo të pijë në dy apo tri dele, siç kanë bërë dhe bëjnë mjaftë gjeologë dhe intelektual të sotçëm shqiptarë. Dreqi e mori, për besë, si nuk shfaqet dikush sot kur kjo Shqipëri ka nevojë për eksperiencën dhe ndiesitë e tyre kombëtare, patriotike!? Apo të gjithë ia kanë mbethur diku, si puna e ish-drejtorit tim që ka siguruar një pension të mirë në Greqi, ngaqë ka një emër filogrek dhe është anëtarësuar në partinë Vorio Epiriote kundër Shqipërisë! Vangjeli shkruan edhe në shtypin e ditës. Shkrimet e tij i adresohen naftës dhe thërrasin violencën ekstreme për të çliruar popullin e mbytur nga kjo gjoja demokraci. Unë dhe Prof. Vangjeli, nuk kemi dëgjuar deri më sot, që revoluconet, apo drejtësitë të instalohen duke mbajtur në duar tufa me lule… Je ti popull që humbet, thotë Brehti.
Me atë fytyrë të bardhë, ai të bën të mendosh, sikur soji i tij ka zbritur nga vendet nordike, ai është trup vogël sepse është rritur në Shqipërinë e vuajtjeve. I sertë dhe korrekt Vangjeli reflekton kulturën dhe edukimin e Pragës së artë, të atij universiteti të themeluar plotë 100 vjet para betejave të Skënderbeut. Këto studime gjeologjike ai do t’ ia lërë brezave të ardhshëm. Po qeveritarët tanë çfarë do t’u lënë brezave të ardhshëm? Vetëm turp dhe mallkim, këto do t’i ndjekin ata pas si hije, gjatë deri në shuarjen fizike dhe morale, të gjithë pa përjashtim. (Nga Ing. Ahmet Çollaku)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura