PROF.SABIT ABDYLI: ETHET E ZGJEDHJEVE DHE…I DASHUNI BABUQ!

Aucklan (Zelandë e Re), 22. 05. 2014 – Babuq, në Maqedoni sllavo-maqedonët kan hap kurse të gjuhës maqedone për nuset nga Shqipnia të martueme për maqedon se po dashkan edhe me i punësue. Ishalla babuq ju gjejnë punë nuseve në ato vendbanime të tyne se në rajonet ku jetojnë shqiptarët nuk ka as fabrika as vende pune. Shqiptarët babuq në Maqedoni janë në punë të shtetit veç paria e partisë, që janë në koalicion me partinë maqedone në pushtet, ashtu veç sa për marketing se kush për kurgja nuk i pyet. Këto ditë partitë janë në vrap me gjet mënyra, qoftë edhe të kundërligjshme, me fitue patjetër zgjedhjet. Baci Vebi, tuj udhëtue me kalë përditë me ble vota për Carin nëpër katunde ku nuk shkojnë xhipat, prej udhëtimeve nëpër terrene të vështira kali i ka cof. Ti marrtë të ligat, i kish thanë Ramadushi, ta blej tjetrin. Njimend babuq ja blejti. Liderët po bajnë përurime të rrugëve, shkollave, objekteve nga disa herë. Nëpër tubime po premtojnë çka nuk ta merr mendja hiç, vende pune, rrugë, rritje rrogash e pensionesh, bursa për student, dalja pa viza në Evropë, helikopter për ujitje e plehnimin e arave falas, mëzet e lopë racash holandeze për fermerë, të mira pafund, bile edhe tambël vremqi, po premtojnë.

Babuq, Ramadushi dhe liderët tjerë janë maska!(sh.b)

Teta Ale, i kish thanë Sadberës, ishalla fiton për deputete në këto zgjedhje Ruzha, se e nxjerr Shacin prej burgut. Njimend babuq fiton, minoritarin mjafton familja e tij me votue dhe hop bahet deputet e ministër, merr rrogë nga fondet e Republikës së Kosovës dhe punon me krejt forcat haptas e fshehtas kundër Kosovës.
***
Në Shqipni nji aeroplan deng me miell të bardh ka ra në Divjakë. Partitë tash po akuzojnë njana tjetren i kujt asht avioni dhe kush po ban kontrabandë me drogë. Shtyhen qashtu babuq mes veti se me nji çanak hanë.
***
Zafina ka dal prej spitalit. Banën zhurmë këta të ambasadës ku ishte tuj punue, jo po e suspendojmë, jo po e largojmë nga puna, po në fund e kishin fajsue shoferin pse ja ka dhanë kerrin me vozit Zafinës. I fortë babuq Besforti, gjithkund i ka njerëzit e vet!
***
Çikën e Katastrofës babuq e kanë fut në listë për deputete. Kanë marrë fotograf, kameraman e modelist në Shkup me ba foto e incizime gjatë fushatës. S’di gja Sara (Sahdete e ka emnin), po asht e bukur dhe e marrin me veti këta të mëdhajt.
Mbramë pati nji tubim Dega e Partisë, shkova babuq edhe unë me ymyt mos po i gjejnë punë Leutrimin se sytë nuk due me jav pa. Ramadush Cari e kish kallajit fytyrën, ngjyros flokët, me Sarën, me buzë e sene tjera të fryme ballon, kandidate edhe ajo për deputete, në krahun e djathtë dhe truprojat rreth tij. Nji sahat e ma shumë na çajti kryet me premtime e rrena qysh po duhet me punue shumë, qysh e ka harrue vetën, qysh gjumin nuk e ban gjumë prej merakut për popullin, qysh ai e partia po investojnë për të mirën tonë, qysh ka me hap vende të reja të punës, qysh këta të partisë rivale janë hajna, tradhtarë, grykës, maskarenj etj. U dashke babuq edhe me rreh shuplakë veç hajt se … Në fund Cari ja çoi nalt Sarës dorën, ajo e bukur babuq, salla ushtonte nga thirrjet: Sara, Sara!
***
Tung babuq, se po shkojmë me përcjell Zafinën, kanë me ardh këta të ministrisë së punëve të jashtme me çue 15 ditë me nji banjë të njoftun në Turqi për relaksim.

´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´

 KUSH ËSHTË SABIT ABDYLI

Sabit Abdyli u lind në vitin 1946 në Kabash të Vitisë. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Viti. Studimet i bëri në Shkup e Prishtinë. Shkruan poezi e prozë. Artikujt për migrimet e shqiptarëve në Zelandë të Re janë përmbledhur në librin “Bijtë e shqipes në tokën e reve të bardha, Auckland, 2010”. Ka botuar edhe librin dokumentar “Ankthi i Pranverës ‘99”, për ngjarjet gjatë luftës së vitit 1999 në katundet e Vitisë (Prishtinë 2004). Poashtu ka botuar edhe monografinë “Kabashi i Anamoravës, Prishtinë, 1997”, pastaj “Kohë e lumtur Prishtinë 2005 (Përmbledhje me poezi), “Na Kabashi jem t´ndam një zjarrmi”, “Letra, anektdota, aforizma” Gjilanë, 2013. Në vitet 1991-1999 ka punuar si përgjegjës dhe mësimdhënës në paralelet e gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” në Kabash. Sabit Abdyli nga viti 1999 jeton dhe vepron në qytetin e Aucklandit të Zelandë së Re. Atje vazhdon të shkruaj poezi, anekdoda, aforizma e letra, dhe është shumë aktiv në organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe dhe në aktivitete kulturore etj.

__________________________________

(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura