Shkruan: Shefqet Jashari – Strofci
KUSH ISHTE KRYETAR I LNÇKVSHJ – METUSH KRASNIQI APO RAMADAN PLLANA
Ramadan Pllanës, në intervistën e tij të publikuar në Albaniapress dhe në shumë web-faqe tjera, askund dhe asnjëherë nuk ia thotë goja se Metush Krasniqi ishte kryetar i LNÇKVSHJ. Jam i bindur që këtë mohim nuk e bëri se kishte urrejtje kundër Metush Krasniqit, për shkak të bindjeve të tij ideologjike. Por, po t’a pranonte Ramadan Pllana Metush Krasniqin për kryetar të LNÇKVSHJ, ai do të binte në kundërshtim me ‘’studimet’’ e tia ‘’shkencore’’: ‘’të kuptuarit e normave organizative’’ dhe ‘’ të pasqiruarit historik’’ të ngjarjeve.
Siç kam sqaruar në këtë reagim, Ramadan Pllana, në bazë të ‘’kritereve’’ të tij, i shpalli ‘’fiktive apo të imagjinuar’’ dhe të ‘’trilluara’’ të gjitha organet udhëheqëse të LNÇKVSHJ siç ishin: Komiteti Qendror, Komitetet Qarkore, Komitetet Vendore dhe Komitetet e Degëve të LNÇKVSHJ. Po ashtu, në bazë të po atyre ‘’kriterev shkencore’’, Ramadan Pllana i shlyu me gjuhë të gjithë anëtarët e KQ-së të cilët nuk u zbuluan nga Sigurimi jugosllav dhe nuk u dënuan me burg nga gjyqet jugosllave për ‘’veprimtari armiqësore’’. Edhe ata burra të fortë të shqiptarisë të cilët nuk pranuan në hetuesi se i takonin LNÇKVSHJ, siç ishte rasti i dënimit me grupin tonë të Isa Demajt, e që u dënua për ‘’propogandë armiqësore’’, Ramadan Pllana nuk e pranon për anëtar të LNÇKVSHJ për të vetmin shkak se nuk e fitoi ‘’diplomat e shkaut’’ se ishte anëtar i LNÇKVSHJ.
Pasi që Ramadan Pllana po tregohet së është shumë ’’parimor’’, si ta pranonte Metush Krasniqin kryetar të LNÇKVSHJ, kur atij i mungonin ‘’faktet historike’’, i mungonin pra ‘’diplomat e shkaut’’ të lëshuara nga gjykatat jugosllave se ai ishte kryetar i LNÇKVSHJ?!.
Por, Ramadan Pllana nuk është krejt i pa rahmet. E falënderoj nga zemra ‘’veprimtarin e radhëve të para’’ që së paku ndaj Metush Krasniqit u tregua i ‘’kujdesshëm’’ dhe ‘’rahmetxhi’’, sepse e la mundësinë që ai – ose të ketë qenë ‘’anëtarë’’ i organizatës, ose të ketë pasur ‘’lidhje me ne’’, d.m.th. me Lëvizjen.
Lidhur me këtë le të citojmë sihariqin e ‘’historianit’’ të rrahagjoksave të Kosovës:
‘’Pra për mungesë faktesh nuk po mundem të konstatojë se ky grup a këta të gjykuar ishin pjesë të Organizatës sonë, por po i ceku edhe këta persona që u denuan ose u mbajtën në burg (në hetuesi e të izoluar), shumë herë, nga viti 1979, e sidomos, pas demonstratave të ’81-it, që ishin anëtarë, ose, kishin lidhje me ne, këta ishin: Metush Krasniqi, Ahmet Haxhiu, Ismail Gashi, Mustafë Shyti, Fadil Shyti, Fevzi Beqiri, Ismet Beka, Xhemajl Pllana, Ferki Morina, Asllan Muharremi, Rexhep Ahmeti, Nisret Ahmeti (vëllai i Rexhepit), Azem Musliu, Ali Zejnullahu, Qemajl Aliu, Burim Zagërxha, Idriz Gërvalla, Nasim Haradinaj, Sheremet Saraçi, Ismat Saraçi, Sabit Kadriu, Demë Jashari, Abdullah Hoxha, Musë Neziri, Latif Pllana, Fadil Beqiri, Behxhet Krasniqi, Ismail Krasniqi, e shumë tjerë të cilët nuk më kujtohen.’’
Deri sa Ramadan Pllana, kur kishte të bënte me ’’pranimin’’ apo ‘’mospranimin’’ e mundësisë të ketë qenë ‘’anëtar ’’ apo të ketë ‘’pasur lidhje me ne Metush Krasniqi,’’ u tregua ‘’rahmetxhi’’, pse atëherë u tregua i pa ‘’rahmet’’ ndaj ‘’disa celulave në formim’’dhe ‘’disa simpatizuesëve’’, që i kishin formuar grupet e veta, të mos i pranoj si anëtarë të Lëveizjes sonë.
Por na habit fakti se Ramadan Pllana në cilësinë e ‘’prokurorit’’ apo të kryetarit të Organizatës, punën dhe veprimtarinë e të gjitha ‘’grupeve’’ e hudhi në baltë, me përjashtim të ‘’Grupit të Deçanit ‘’. Citojmë sihariçin e Ramadan Pllanës, nga intervista e tij ’’Dëshmi kohe’’:
‘’- Dua të shtoj se, pas rënjes sonë në burg dhe pas daljes së Jusuf Gërvallës dhe Sabri Novosellës në mërgatë, disa celula në formim dhe disa simpatizues, duke i humbur lidhjet me ne, ishin anëtarësuar në organizata tjera, ose, kishin formuar grupet e veta dhe për këtë arsye nuk po i konsideroj si anëtarë të Lëvizjes sonë. Vetëm Grupi i Deçanit, bënte përpjekje për bashkimin e radhëve në nivel kombëtar, sepse, kishte lidhje të ngushta me udhëheqësin e LNÇKVSHJ-së, me Jusuf Gërvallën.’’
Po, sikur të kishte qenë Ramadan Pllana kryetar i Lëvizjes, patjetër ‘’dëshmia’’e tij do të pranohej si e vërtetë, sepse vetëm kryetari i organizates i ka ditur të gjitha fshehtësitë e LNÇKVSHJ. Pra ka qenë i informuar për punën dhe veprimtarinë e të gjithë anëtarëve të KQ-së dhe, nëpërmjet tyre, për veprimtarinë e Komiteteve Qarkore dhe Komiteteve të Degëve të LNÇKVSHJ.
‘’Dëshmia’’e ‘’historianit’’ të rrahagjoksave të Kosovës, Ramadan Pllanës, ështe një gënjeshtër me bisht, është një shpifje skandaloze. A thua se, me largimin e Jusuf Gërvallës dhe Sabri Novosellës dhe, me burgosjen e Ramadan Pllanës dhe Sh. Jasharit, në Kosovë përfundoi veprimtaria e LNÇKVSHJ?
Sipas shpjegimeve të Ramadan Pllanës, këtij ‘’historiani’’ sharllatan të rrahagjoksave të Kosovës, “vetëm Grupi i Deçanit’’ paska bërë përpjekje ‘’për bashkimin e radhëve në nivel kombëtar’’(?!).
Shtrohet pyetja:
– Çka u bë me 10 anëtarët tjerë të KQ të LNÇKVSHJ, të cilët nuk u zbuluan nga Sigurimi Jugosllav?
– Çka ndodhi me kryetarin e Organizates – Metush Krasniqin?
– A thua burgosja dhe dënimi i Ramadan Pllanës dhe Sh. Jasharit, ua futi frikën në palcë, sa që ata u detyruan t’i shtijnë ‘’veshët në lesh’’ e të mos bëzajnë për asgjë???!!!…
Se nuk është ashtu siç shpifë dhe gënjen ‘’historiani’’ sharllatan i Kosovës, tregojnë faktet e shumta që gjenden në librin e veprimtarit të shquar të lëvizjes sonë kombëtare Selatin Novosella: “METUSH KRASNIQI Personalitet Unifikues i Lëvizjes Kombëtare.’’ (Prishtinë 20011). Citojmë faktet nga libri i lartpërmendur:
a). ‘’Nuk më kujtohet saktë koha, vazhdon më tutje Hydajet Hyseni, por diku gjatë verës së vitit 1981, kur unë po vazhdoja jetën dhe veprimtarinë time nga ilegaliteti, kishim përgaditur me kujdes maksimal dhe fshehtësi të plotë takimin me Metush Krasniqin, ose siç e quanim, Bacën Metush. Nëpërmjet shokëve, pas përgaditjeve të duhura, kishim vendosur kontakte me dajen Sejdë, përndryshe një nga miqtë më të ngushtë të Metush Krasniqit, dhe nëpërmjet tij edhe me Metush Krsniqin. (…) Ndonjëherë takimet mbahesin në ndonjë banesë, bazë, por ndodhte që i mbanim edhe në natyrë, në periferi të Prishtinës. Që në takimin e parë dhe në vazhdim, në të gjitha takimet, kishim pajtim të plotë me Bacën Metush, madje edhe përtej asaj që prisnim, në të gjitha çështjet e biseduara. (…) Baca nuk fshihte faktin se ishte në lidhje me radhë të organizuara nga rrethi i tij dhe ndonjë rreth veprimtarësh nga Ferizaji e qytete tjera si dhe në mërgatë. Përmendte, madje, edhe emra jo vetëm nga radhët e veprimtarëve të njohur të Lëvizjes Kombëtare me të cilët ishte në lidhje, por edhe emra intelektualësh e emra të njohur edhe nga strukturat pushtetore, të cilët ai i konsideronte si ‘’të tanët’’.
b). ’’Kapitull i veçant i angazhimeve të Metush Krasniqit ishte bashkëpunimi me atdhetarin dhe poetin e mirënjohur Zeqir Gërvalla. Këta dy atdhetarë kishin miqësi të ngusht dhe të gjatë. (…) Prandaj, Zeqir Gërvalla ishte njoftuar nga Metush Krasniqi edhe për idenë e themelimit të organizates LNÇKVSHJ-së, edhe për veprimet e saja, edhe për largimin e Sabri Novoselles në Turqi dhe të Jusuf Gërvallës në Gjermani, edhe për përpjekjet që po bëheshin, në fillim të viteve të ’80-ta, për bashkimin e forcave atdhetare në një Lëvizje apo Front të përbashkët. Lirisht mund të konstatohet se, thënë figurativisht, Metush Krasniqi e kishte pasur Zeqir Gërvallën dorë të djathtë gjatë tërë kohës.’’
A nuk janë këto fakte të mjaftueshme, edhe pse ka edhe shumë fakte tjera, për ta hudhur edhe këtë shpifje të Ramadn Pllanës në ujra të zeza?
T’a shikojmë tani shpifjen tjetër të ‘’historianit’’ sharllatan të rrahagjoksave të Kosovës, Ramadan Pllanës, kundër LNÇKVSHJ dhe kryetarit të saj Metush Krasniqit:
‘’Unë kisha formuar Komitetin Vendor të Lypjanit me Avdi Kelmendin si kryetar, ndërsa, kisha paraparë edhe formimin e Komitetit të Drenasit, me Bajram Gashin, në krye, Komitet të cilin ai do ta formojë pas burgosjes tonë. Po ashtu, do të formohet edhe Komiteti Vendor i Deçanit, të cilin e kishte formuar Jusuf Gërvalla me Ismail Haradinajn, si kryetar. Komitete të tjera nuk do të formohen, sepse, Shefqet Jashari dhe unë, Ramadan Pllana si anëtarë të «Komitetit Qendror», do të arrestoheshim nga Sigurimi jugosllav, Jusuf Gërvalla e Sabri Novosella do të arratiseshin jashtë, kurse, Metush Krasniqit do t’i kufizoheshin mundësitë e veprimtarisë ilegale pas rënies sonë në burg në Nëntorin e vitit 1979.’’
Siç dihet ‘’veprimtari i radhëve të para’’ të gjitha organet udhëheqëse të LNÇKVSHJ (Komitetin Qendror, Kmitetet Qarkore, dy Komitetet e Degëve të Organizatës, (në Turqi i themeluar nga Sabri Novosella dhe në Gjermani nga Jusuf Gërvalla) i ka shpallur ‘’fiktiv apo të imagjinuar’’ dhe ‘’të trilluar’’. Por prap se prapë, ‘’historiani’’ rrahagjoks i Kosovës, u ba ‘’rahmetxhi’’, si duket ‘’ju zbut zemra’’, pasi që ‘’Komitetin Vendor’’ të Lipjanit dhe ‘’Komitetin Vendor’’ të Deçanit, na i shpëtoi pa i shpallur ‘’të imagjinuar’’ dhe të ‘’trilluar’’.
Askush deri më tash, nuk i ka bërë nënçmim e çvlerësim aq të shëmtuar dhe shpifje më të ligë Metush Krasniqit se sa që i ka bërë ‘’historiani’’ sharllatan i Kosovës Ramadan Pllana. A thua aq ‘’frigacak’’ dhe aq i ‘’pa organizuar’’paska qenë Metush Krasniqi sa që me burgosjen e Ramadan Pllanës dhe Sh. Jasharit, dhe largimin nga vendi të Jusuf Gërvallës dhe Sabri Novosellës, veprimtaria e tij kombëtare paska ‘’vdekur’’ – ende pa vkeur ai fizikisht. Sipas ‘’historianit’’ të rrahagjoksave te Kosovës, edhe veprimtaria e Lëvizjes paska marrë ‘’fund’’ me burgosjen e tij, sepse sipas ‘’dëshmisë ‘’së tij ‘’tjera Komitete nuk do të formohen.’’
Edhe këtë shpifje të ligë do ta hudhi në ujra të zeza, në bazë të fakteve të pamohueshme që gjenden në librin e lartëshënuar të veprimtarit të dalluar të Lëvizjes sonë Selatin Novosellës.
Citojmë:
c). ‘’Metush Krasniqi e kishte angazhuar si avokat të tij Fehmi Baftiun, një jurist i njohur në Prishtinë, mik i ngushtë i Ismail Dumoshit, ideatorit të demostratave të vitit 1968, si dhe mik shumë i afërt i Metush Krasniqit. Metushi dhe Fehmiu njiheshin që nga viti 1971. Fundja edhe Fehmi Baftiu kishte qenë anëtarë i LNÇKVSHJ. Ai, si anëtar i kësaj organizate kishte shkuar në Tetovë me porosinë e Metush Krasniqit me qëllim formimin e Komitetit të Qarkut në Tetovë. Atje kishte kontaktuar me atdhetarin Mustafë Reçi. Pas marrëveshtjes së përbashkët në mes Fehmi Baftiut dhe Mustafë Reçit për formimin e Degës së Lëvizjes në Tetovë, Fehmiu i kishte përcjellur vlerësimin e tij përkitazi me Mustafë Reçin, se ai ishte një veprimtar i përkushtuar për çështje kombëtare, por ai ishte në rrethin e tij tepër i dekonspiruar. Më vonë, me ndërmjetësimin e Fehmi Baftiut, takohen Metush Krasniqi dhe Mustafë Reçi. Për nivelin e njohjes dhe veprimeve të përbashkëta në mes Metush Krasniqit dhe Fehmi Baftiut, flet edhe një takim i mbajtur në Prishtinë në vitin 1978, ku marrin pjesë: Metush Krasniqi, Jusuf Gërvalla, Azem Beqiri dhe Fehmi Baftiu. Në atë takim, përveç tjerash, është konstatuar se do të ishte shumë mirë që në gazetën ‘’Rilindja’’, që dilte në Prishtinë, të ishin si gazetarë njerëz të besuar dhe kombëtarisht të formuar. Aty janë përmendur emrat e Jusuf Gërvallës dhe të Nehat Islamit, si dy prej gazetarëve të mundshëm për angazhimin e tyre në këtë gazetë.’’
Duke qenë i bindur në qëndrimet e deritashme shumë ‘’parimore’’ të Ramadan Pllanës, i cili tregoi me ‘’fakte’’ se nuk është për dikend ’’nënë ‘’ dhe për dikend ’’njerkë’’, ai, edhe këto fakte dhe argumente që gjenden në librin e Selatin Novosellës, (dëshmitë e Hydajet Hysenit, Fehmi Baftiut dhe Selatin Novosellës) do t’i ‘’hudhi poshtë’’, ‘’do t’i shkeli me këmbë ’’, pra nuk do t’i pranojë për ‘’fakte historike’’, siç nuk i pranoi për ‘’fakte’’ historike shumicën e dëshmive të mia, shumicën e dëshmive të Sabri Novosellës dhe një pjesë të dëshmive të Xhafer Durmishit dhe të Jusuf Gërvallës, jo se na e ka marrë inati Ramadan Pllana, se asgjë të keqe nuk i kemi bërë, por për shkak se na ‘’përlau’’ ‘’lima shkencore’’ e ‘’studimeve’’ të tia mbi ‘’të pasqyriarit historik’’ të ngjarjeve, dhe ‘’të kuptuarit e normave organizative’’ të organizimit ilegal. (organizatave ilegale).
Po qe se Ramadan Pllana i pranon për të vërteta dëshmitë e Hydajet Hysenit, Selatin Novosellës dhe Fehmi Baftiut (të cituara më lart), që dëshmojnë për veprimtarinë e Metush Krasniqit, atëherë, Ramadan Pllanës nuk i mbetet asgjë tjetër përpos të dali para opinionit të gjërë për ta shprehur sinqerisht pendimin e tij për të gjtha gënjeshtrat dhe shpifjet që i bëri ndaj LNÇKVSHJ, Komitetit Qendror, Metush Krasniqit, Jusuf Gërvallës, Sabri Novosellës, Shefqet Jasharit, Xhafer Durmishit, Sheremet Saraçit, Asllan Muharremit dhe anëtarëve tjerë të KQ të LNÇKVSHJ.
Deri sa në Intervistën e tij Ramadan Pllana arrijti të bëhet ‘’i pesti’’ në hierarkinë udhëheqëse të LNÇKVSHJ, në saje të ‘’kritereve’’ të tia të njohura të ‘’të pasqyruarit historik’’të ngjarjeve dhe të ‘’të kuptuarit e normave organizative’’ (të organizatave ilegale), ishte një ‘’fitore’’ e shkëlqyeshme e tij, për të mos mbetur mbrapa ish -shokëve të LPK-së, në karrierën ‘’udhëheqëse’’ të organizatave që bënin pjesë.
Si duket, më vonë u kujtua ‘’historiani’’ rrahagjoks i Kosovës, se ka mbetur mbrapa në ‘’karrierën ushtarake’’ karshi ish shokëve të tij të ‘’idealit’’, që i përkisnin LPK-së.
Se kush ia zbuloi faktin Ramadan Pllanës se Metush Krasniqi ka pasur kontakte me përfaqësues të subjekteve shtetërore të Shqipërisë, ai nuk tregon, siç nuk i ka treguar burimet e të dhënave tjera për veprimtarinë e LNÇKVSHJ dhe personaliteteve që e drejtonin atë. Siç duket, ky fakt, ia çeli horizantin Ramadan Pllanës për t’u ‘’ngritur’’ në ‘’grada ushtarake’’, për të mos mbetur ‘’përfundi’’ shokve të tij të ish-LPK-së, të cilët e ‘’graduan’’ vetveten me grada ushtarake ‘’komandantësh’’ e ‘’gjeneralësh’’ (e përtej gjeneralësh), që ushtarakët e karrierës të shpallen të ’’pa nevojshëm’’, të ‘’pa përshtatshëm’’ dhe të ‘’pa besueshëm’’ për UÇK-në.
Ramadan Pllana në shkrimin e tij: Metush Krasniqi-Hero yni kombëtar’’ të publikuar këto kohët e fundit, lëshon rrenë – shpifjen më skandaloze dhe njërën ndër ‘’dëshmitë’’ e tia më skizofrene:
‘’Metush Krasniqi edhe si udhëheqës i organizatës së Re, LNÇKVSHJ-së, i kishte projektuar formacionet ushtarake, një ushtri çlirimtare, si paraardhëse e UÇK-së. Ai, kishte lidhje konspirative edhe me disa udhëheqës shtetëror të shtetit shqiptar, konkretisht ishte i lidhur me atdhetarin me origjinë nga Vaganica e Mitrovicës, me Ajet Haxhiun. Në marrëveshje me te kishte filluar të bëjë skicën për formacionet ushtarake, të ndara në bazë të qarqeve apo rretheve sipas administrimit të Kosovës. Nëpërmes Shefqet Jasharit, si ndërlidhës në mes meje e Metush Krasniqit, jam informuar se mua më kanë caktuar në Shtabin e Qarkut të Mitrovicës, si zëvendës i Ajet Haxhiut, në Ushtrinë e ardhshme që do të formohej. Për qarqet tjera nuk kam qenë i informuar. Por me burgosjen e grupit tonë, prej tetë vetash, në nëntorin e vitit 1979, dhe me daljen jashtë vendit të Jusuf Gërvallës e Sabri Novosellës, LNÇKVSHJ-ja u dëmtua shumë’’.
Nuk e kam të qartë pse Ramadan Pllana në Intervistën e tij, e la anash, pa e publikuar këtë ‘’dëshmi ’’ që atë do ta ‘’bënte’’njërin nga ‘’anëtarët më të priviligjuar‘’ të KQ-së, me ‘’faktin’’e shpifur se Metush Krasniqi e ‘’paska ngarkuar’’ atë me një ‘’detyrë’’ dhe ‘’përgjegjësi’’ shumë të rëndësishme, në saje të ‘’aftësive’’ të tia ‘’ushtarake’’ dhe ‘’komanduese’’ që i ‘’paska pasur’’ Ramadan Pllana, e që unë dhe as shokët e tij të ngushtë nuk i kemi ditur.
Si duket ‘’aftësitë’’ e tia ‘’ushtarake’’dhe ‘’komanduese’’ Ramadan Pllana, ia paska treguar ‘’në besë ‘’ vetëm Metush Krasniqit gjatë ‘’shkëmbimt të mendimeve’’ dhe ‘’këshillave’’ në mes ‘’njëri tjetrit’’ nëpërmjet ‘’selamxhijve ‘’(simpatizuesve) të tyre, sa punonte Metushi në Drejtorinë e Hekurudhës në Fushë Kosovë. Prandaj Metush Krasniqi, edhe pse e kishte autorizuar bashkëveprimtarin e tij të ngusht Ahmet Krasniqin që të merrej me çështjet ushtarake në kuadër të LNÇKVSHJ, ‘’ia paska përzier dorëzat’’, dhe ‘’pa një, pa dy’’e paska caktuar Ramadan Pllanën ‘’në Shtabin e Qarkut të Mitrovicës, si zëvendës i Ajet Haxhiut, në Ushtrinë e ardhshme që do të formohej…’’
Do ta shkoklojmë këtë rrenë-shpifje skizofrene të ‘’komandant’’ Ramadan Pllanës, për t’a bindur ‘’veprimtarin e radhëve të para‘’ se e ka mbytur vetveten në ‘’Pusin e Bullit’’, (që nuk është shumë larg nga ‘’Pusi i Hamzës’’). Prandaj mos të ankohet se i ka faj ‘’filani’’ dhe ‘’shejtani’’, se ‘’faji është jetim’’. Por qysh tash le ta fajson vetveten, për këtë avanturë mediatike të pa arsyeshme dhe shumë qesharake, e cila atij do t’i sjelli pendim dhe kokëqarje, po sa ta kuptoi se nuk e kishte menduar dhe as ‘’zier’’ mirë, rrenë-shpifjen, që kishte për qëllim për t’i manipuluar dhe bindur njerëzit që nuk e njohin, se ai paska qenë njeriu më i ‘’besueshëm’’ i Metush Krasniqit, në saje të ‘’aftësive’’ të tia ‘’ushtarake’’, ‘’politike’’dhe ‘’komanduese’’.
Me përgjegjësinë më lartë dëshmoj se, për kohën që fletë Ramadan Pllana, KQ i LNÇKVSHJ dhe as udhëheqja e ngushtë, asnjëherë nuk ka biseduar për ‘’skicimin e formacioneve ushtarake’’ se a do të bëhen në bazë të ‘’qarqeve’’ apo ‘’rretheve’’ dhe as për atë se kush do të jetë ‘’komandant’’ apo ’’zv. komandant’’i ‘’Shtabeve’’ apo ‘njësive’’ që do të formohen. Për objektivat që i ka pasur LNÇKVSHJ i kam shpjeguar shkurtimisht në Intervistën që ia kam dhënë gazetës DRITA. Prandaj, kjo rrenë-shpifje e Ramadan Pllanës, jo vetëm që është e pa logjikshme, debile, skandaloze dhe skizofrene, por është edhe rrenë-shpifje me prapavijë politike.
Metush Krasniqi nuk ka qenë personalitet i ëndërrave dhe fantazive fëmijërore, siç e konsideron Ramadan Pllana, duke ia mveshur shpifjen se gjoja ai e paska caktuar R. Pllanën’’ zëvendës të Ajet Haxhiut, në Shtabin e Qarkut të Mitrovicës në Ushtrinë e ardhshme që do të formohej’’. Shih logjikën e ‘’veprimtarit të orëve të para’’se çfar shpifje debile ia mvesh Metush Krasniqit. A thua aq i ‘’pa logjikshëm’’, aq ‘’kokëkrisur’’, aq i ‘’padijshëm’’ paska qenë Metush Krasniqi, sa që ende pa i formuar njësitë ushtarake, (‘’fërterja në zjarrë e peshqit në det’’) e paska caktuar ‘’komandantin’’ dhe ‘’zëvendës komandantin’’, për Qarkun e Mitrovicës, territor ky më i rëndësishmi strategjik dhe ekonomik i Kosoves. Dhe kend paska ‘’zgjedhur’’ se, dy analfabetë ushtarakë. ‘’Komandant’’, Ajet Haxhiun, shkrimtar, dhe ‘’zëvendës komandant ‘’Ramadan Pllanën, student. Dhe çka do të ndodhte pas ndeshjes së parë në mes ‘’njësive ushtarake’’ të komanduara nga ‘’strategu ushtarak’’- analfabet Ramadan Pllana, dhe gjeneralëve serbë që do t’i komandonin njësitë elite të ushtrisë serbe?! Kërkojmë të na përgjigjet në këtë pyetje ‘’komandant’’ Ramadan Pllana.
A thua nuk i ka pasur të qarta Metush Krasniqi këto gjëra të thjeshta ushtarake, që i përmenda. Kush do ta arsyetonte R. Pllanën se kjo shpifje e tij nuk ka pasur edhe prapavijë politike?! A nuk tregon kjo shpifje dhe shumë shpifje tjera se Ramadan Pllana ka qenë ‘’mish i egër’’ në KQ të LNÇKVSHJ.
Jam i bindur se po të hapte konkurs Drejtoria e ‘’Librit të Genisit’’ për ‘’shpifjen më debile’’, me siguri, po të merrte pjesë Ramadan Pllana me këtë shpifje, ky do t’a zinte vendin e parë.
Po të kishte qenë ashtu Metush Kraniqi, siç po mundohet ta paraqes Ramadan Pllana, emri dhe puna e tij nuk do të përmendej më larg se sa në fshatin e tij të lindjes. Kjo shpifje skizofrene e Ramadan Pllanës do të më detyronte ta bëjë publike ditën kur do të shkoj te varri i Metush Krasniqit, për t’i kërkuar falje për shpifjet e rënda dhe të liga që i bëri Ramadan Pllana ndaj tij, bashkëpunëtorëve të tij dhe Organizatës që ai e drejoi, sepse me propozimin-gabimin tim, ia bëra të mundshme të futet në mesin e personaliteteve, që në asnjë mënyrë nuk e ka pasur vendin aty.
Këtë vlersim që e bëra për R. Pllanën tash, ma ka thënë i ndjeri Metush Krasniqi, ditën që unë e propozova anëtarë të KQ-së, me arsyetimin se i njeh disa persona ‘’me mbiemër Pllana, që janë spiuj me damkë’’. ‘’Kam parandjenjën’’- më tha Metush Krasniqi- ‘’se nuk do të kemi kurrëfar dobie prej këtij studenti me mbiemër Pllana, që po na e propozon anëtarë të KQ-së.’’
Kemi fakte të pamohueshme se Metush Krasniqi dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, çështjen e kuadrit ushtarak, e kanë trajtuar me kujdesin dhe rëndësinë më të madhe. Është kërkuar nga anëtarët e Organizatës të ndikojnë në rrethin e tyre familjar dhe gjetiu, për të dërguar sa më shumë të rinj në akademitë ushtarake, që kur të na ‘’vie shteku’’ për t’i pre prangat e robërisë, t’i kemi oficerët tanë të gatshëm t’i dalin zot vendit, me aftësitë e tyre profesionale dhe gadishmërinë për sakrifica së bashku me popullësinë e parapërgaditur, për ta fituar Lirinë e shumëpritur.
Do ta ceku vetëm një fakt nga shumë fakte tjera, i cili edhe e hudhë poshtë rrenë-shpifjen skizofrene të rrrahaxhoksit të vonuar të Vushtrrisë- Kosovës, se gjoja Metush Krasniqi paska planifikuar të krijonte kuadrin ushtarak të ushtrisë së ardhshme të Kosovës me analfabetë- ushtarakë, e jo me oficerë të shkolluar, tamam ashtu siç vepruan shokët e tij të LPK-së: Trojka: I. Kelmendi, A. Syla, Xh. Haliti me Shtabin e tij & nën mbikqyerjen e SHIK-ut të LPK-së-PDK-së.
Po të ishte ashtu siç gënjen dhe shpif Ramadan Pllana, Metush Krasniqi nuk do të jepte kontributin e tij së bashku me djemtë e Aziz Zhilivodës për t’a bindur dhe për t’a përgaditur në shumë aspekte Ahmet Krasniqin, nipin e Aziz Zhilivodës, për t’i kryer dy akademi ushtarake në akademitë e njohura ushtarake të Jugosllavisë, që në momentin e duhur ‘’kur të na vie shteku’’ t’i ndërtonte dhe komandonte Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës. Ky fakt dhe shumë fakte tjera të përmendura, apo të pa përmendura, dëshmojnë se Metush Krasniqi edhe çështjen ushtarake e ka trajtuar dhe shqyrtuar mirë dhe drejt.
Sa i përket ‘’dëshmisë’’ së Ramadan Pllanës se gjoja unë e paskam informuar (thënë ndryshe, i paskam marrë ‘’myzhde’’), se atë e kanë ‘’caktuar në Shtabin e Qarkut të Mitrovicës, si zëvendës i Ajet Haxhiut në Ushtrinë e ardhshme që do të formohej…’’mund të them me bindje të plotë se Ramadan Pllana ka parë ëndërr, e pastaj, ‘’pa vetëdije’’ ju kanë përzier ëndërrat me zhgandrra. Dhe kështu, ëndrrën e ka marrë për zhgandërr. Kjo është mundësia e parë.
Mundësia e dytë mund të jetë se ai është manipuluar nga ndonjë dosje falso e Sigurimit serbo-jugosllav, që gjambazët politik i kanë qitur në treg, për t’i çvoshur dhe për t’i mashtruar shqiptarët e gjorë, të cilët donë të kenë ‘’dëshmi’’ të ‘’veprimtarisë’’ së tyre nga Sigurimi serbo-jugosllav. Pra duan të kenë ‘’diploma të shkaut’’se kanë qenë ‘’armiq të rrezikshëm të vëllazrim-bashkimit jugosllav’’ e gjëra të ngjajshme, duke shpresuar se ato ‘’fakte’’ të sigurimit jugosllav, do t’i detyrojnë ‘‘miqtë’’ dhe anëtarët e familjeve të tyre t’i ‘’respektojnë’’ dhe ‘’nderojnë’’ për të bamat dhe të pa bëmat e tyre.
(VIJON)
© Pashtriku.org
_____________________
Reagim me shkas ndaj rrenë – shpifjeve të Ramadan Pllanës
PSE RAMADAN PLLANA GËNJEN DHE SHPIF PËR LNÇKVSHJ-në DHE UDHËHEQJEN E SAJ (11)
Shkruan: Shefqet Jashari – Strofci
RAMADAN PLLANA SPEKULON ME KQ TË LNÇKVSHJ, DUKE MOHUAR DHE FALSIFIKUAR SHUMË TË DHËNA DHE ARGUMENTE QË KANË TË BËJNË ME FUNKSIONIMIN E TIJ