PSE RAMADAN PLLANA GËNJEN DHE SHPIF PËR LNÇKVSHJ-në DHE UDHËHEQJEN E SAJ (3)

Shkruan: Shefqet Jashari – Strofci

‘’DËSHMITË’’ E KLONUARA TË RAMADAN PLLANËS TË NDËRTUARA ME GJYSMË TË VËRTETA DHE ME PËRPLOT TË PA VËRTETA

Të shikojmë tani se si i shpjegon dhe i falsifikon Ramadan Pllana dy takimet e para që i kemi pasur në tetor të vitit 1977 në Strofc dhe pastaj në Obiliq.

Në intervistën e tij dhënë «Albaniapress»it, më 17 mars 2009, thotë:’’ Unë kisha kontakt me Shefqet Jasharin, i cili, nga gjysma e vitit 1977, më informoi se i kishin intensifikuar radhët e LNÇKVSHJ-së, që ishte vazhdimësi e LRBSH-së, të themeluar në vitet e gjashtëdhjeta nga Adem Demaçi me shokë, dhe, në bazë të vlerësimit të punës të grupit tonë, për të cilën ishin në dijeni, ata, ishin të pajtimit që të “shkriheshim”, në gjirin e Lëvizjes. Ne, si grup, në një konsultim formal, me gëzim të madh e pranuam këtë propozim, kështuqë, nga Nëntori i vitit 1977, ne, si grup u shkrimë në Lëvizje’’.

’’Nepërmjet Shefqet Jasharit, me të cilin kisha kontakt pamfletin ua kisha dhënë për lexim edhe udhëheqjes së Organizatës, LNÇKVSHJ që ishte në fillim të formimit. Plotësishtë i bindun me konstatimin e Metush Krasniqit se’’neve na duhet një Lëvizje gjithëkombëtare, e jo parti’’, pa u luhatur fare, hodha poshtë idenë e krijimit të partisë dhe broshurën e tërhoqa nga leximi dhe propogandimi i mëtejmë.’’

’’Me këshillat dhe sugjerimet e Metush Krasniqi, kishim vendosur që anëtarët, vëllazërit apo djemtë e xhaxhallarëve si dhe djemt e familjeve të ngushta të mos i angazhojmë në udhëheqje…’’

Ramadan Pllana në ’’kujtimet’’ dhe’’dëshmitë’’e tij i ka përzier dhe i ka bërë lëmsh pa fije, të vërtetat me të pa vërtetat. Ai duke u mbështetur në shtrembërimin apo mohimin e argumeneteve dhe fakteve të shumta, që kanë të bëjnë me LNÇKVSHJ, apo duke shpifur të dhëna dhe fakte të pa qena, bëri përpjekje që të vërtetat t’i bëjë të pa vërteta, ndërsa të pa vërtetat t’i bëjë të vërteta. Dhe kështu para lexuesit të shkrimeve të tija na del tepër jo serioz, naiv dhe i padishëm, falsifikator jo i shkathtë, dhe gënjeshtar .

Për hirë të vërtetës jam i detyruar, edhe pse po më vjen shumë keq, por më tepër e dua të vërtetën se sa e dua veten time dhe Ramadan Pllanën, t’i ndriqoj ngjarjet për të cilat ka folur Ramadan Pllana, dhe t’i largoj me fakte dhe argumente shpifjet e shumta që i pjellë fantazija e tij kundër KQ dhe LNÇKVSHJ. Sa për kurreshtje do t’i numroj gënjeshtrat dhe të vërtetat e Ramadan Pllanës në ’’ dëshmitë’’e tija të nënvizuar më lartë:

  • Ramadan Pllana

E vërteta e parë: Është e vërtetë se Ramadan Pllana ‘’ka kontaktuar ‘’me mua.

E vërteta e dytë: Është e vërtetë se e kam lexuar pamfletin e Ramadan Pllanës: ’’Përpara për formimin e Partisë së Punës së Kosovës’’

E vërtete e tretë: Është e vërtetë se në shtator të vitit 1978, pasi më ka informuar për grupin e tij ’’Shkëndiat e kuqe’’, e kam njoftuar edhe unë se egziston një organizatë ilegale në Kosovë (pa ia treguar emrin) e cila bënte përgaditjet e duhura që në momentin kur të na ‘’vinte shteku’’, t’i këpusnim prangat e robërisë.

E vërteta e katërt: Më vonë i kam thënë se ajo Organizatë( LNÇKVSHJ), është vazhdimësi e LRBSH- së të Adem Demaçit.

Rrena e parë: Nuk është e vërtetë se për herë të parë jemi takuar me Ramadan Pllanën ’’nga gjysma e vitit 1977’’ por jemi takuar në tetorin e vitit 1977 në odën e Sahit Jasharit- babai i Demë Jasharit, në Strofc.

Rrena e dytë: Nuk është e vërtetë se e kam informuar R. Pllanën qysh në takimet e para për egzistimin e LNÇKVSHJ. Është e pa logjikshme dhe e pa besueshme, edhe të mendohej, se unë ia kam besuar msheftësitë e Organizatës një njeriu që kurrë nuk e kisha parë më parë. Një njeriu që kurrë nuk kisha dëgjuar për të, dhe as kisha mësuar se ai ka bërë diçka në shërbim të çështjes madhore kombëare, edhe atë vetëm me dy takime që patëm, njërin në Strofc dhe tjetrin në Obiliq, në tetorin e vitit 1977, e jo siç thotë ai nga gjysma e vitit 1977 (dmth. aty nga qershori i atij viti?).

Po ashtu edhe përvoja ime e hidhur që e kisha fituar me rastin e burgosjes së parë gjatë vitit 1964 si anëtar i LRBSH-së, më bënte shumë të kujdesëshëm për t’i ruajtur fshehtësitë e Organizatës. Por mbi të gjitha ishte Rregullorja për pranim në Organizatë, që më ndalonte të flasë me dikend për Organizatën dhe ta pranoj në Organizatë, pa e njohur së paku një kohëzgjatje dyvjeçare.

Rrena e tretë: Edhe pohimi i Ramadan Pllanës se ne i kishim propozuar që grupi i tij ‘’Shkëndiat e kuqe’’ të ’’shkrihej’’në LNÇKVSHJ ‘’gjatë gjysmës së dytë të vitit 1977’’, është një rrenë e pa kuptimtë, një ‘’rrenë për hava’’duke i marë parasysh disa argumente.

Argumenti i parë: Organizata jonë ka kërkuar plotsimin e kushteve për pranimin e kandidatëve për anëtarë të organizatës. Për ta pranuar Ramadan Pllanën në organizatë kam qenë i detyruar ta njoh së paku dy vjet më heret atë personalisht, punën e tij, veprën, karakterin dhe bindjet e tija. Përjashtim nga kjo rregull është paraparë, vetëm në raste të rralla, kur kandidati brenda një viti ka dhënë prova se meriton të pranohet para kohe anëtarë i Organizatës. Unë kam bërë përjashtim nga rregullorja, prandaj në vjeshtën e vitit 1978 i kam propozuar Ramadan Pllanës që ta shkrij grupin e tij’’Shkëndiat e kuqe’’ në LNÇKVSHJ, por jo siç’’dëshmon ‘’ai në nëntorin e vitit 1977.

Argumenti i dytë: Kemi fakte të pa mohueshme se grupi ’’Shkëndiat e kuqe’’ është formuar më 15 mars të vitit 1978 në Qendrën e Studentëve të Univerzitetit të Prishtinës: Barakën nr 3, dhoma 11, dhomë ku zyrtarisht banonte Emin Krasniqi, i cili çelësin dhe shtratin e vet ia linte shumë shpesh Demë Jasharit. Atëherë si ka mundësi të ‘’shkrihet’’ ai grup (Shkëndiat e Kuqe) në LNÇKVSHJ, pa qenë i formuar?!

Shtrohet pyetja se ku e gjeti Ramadan Pllana atë forcë shpirtërore, që të bëjë një falsifikim kaq të shëmtuar të një ngjarje historike, në këtë rast, falsifikon kohën dhe vendin e themelimit të grupit ‘’Shkëndiat e kuqe’’, e më pas për të bërë falsifikimin e qëllimshëm të një ngjarje tjetër

historike, atë të shkrirjes së ‘’Shkëndiave të kuqe ‘’në LNÇKVSHJ?!!! Siç dihet ‘’Albaniapress-i” e pat shpallur Ramadan Pllanën para dy vitesh ‘’Veprimtar të radhëve të para’’. Fatkeqësisht e humbi atë titull simpatik, sepse u zbulua se zotëri Pllana merret me shpifje , gënjeshtra dhe me falsifikimin e të dhënave e ngjarjeve historike. Pra këto argumente dhe argumentet tjera që do t’i vej në dukje, janë të mjaftueshme që Ramadan Pllanës t’i humbin ‘’gradat’’ e ‘‘veprimtarit të radhëve të para’’ dhe në vend të tyre të fitojë gradat tjera: Gënjeshtar i radhëve të para.

Rrena e katërt: Është shumë qesharake, naive dhe shumë e pa logjikshme kur Ramadan Pllana ’’dëshmon’’ se ’’pamfletin ua kisha dhënë për lexim edhe udhëheqjes së Organizatës, LNÇKVSHJ’’. Shtrohet pyetja: Si ka mundësi që Ramadan Pllana t’ia japi ’’pamfletin për ta lexuar udhëheqja e Organizatës’’ kur ai, për kohën për të cilën flet, nuk ka pasur as njohurinë më të vogël për egzistimin e Organizatës dhe as për udhëheqësinë e saj?!

Rrena e pestë: Po ashtu nuk janë të vërteta pohimet e Ramadan Pllanës kur thotë : ’’Me këshillat dhe sugjerimet e Metush Krasniqit, kishim vendosur që anëtarët, vëllezërit apo djemtë e xhaxhallarëve si dhe djemtë e familjeve të ngushta të mos i angazhojmë në udhëheqje…’’. Edhe këtë ‘’këshillë’’-urdhër nuk ia ka dhënë Metush Krasniqi, por ja kam dhënë unë, Ramadan Pllanës pasi është bërë ‘’shkrirja’’ e grupit të tij në LNÇKVSHJ, në vjeshtën e vitit 1978. Por ’’këshilla’’, ’’sygjerimi’’- në fakt urdhëri ka qenë pak më ndryshe. Nuk ndalohej përfshirja e anëtarëve të familjes vetëm në ’’udhëheqje’’ siç thotë Ramadan Pllana, por ndalohej edhe anëtarësimi i tyre në Organizatë.

Rrena e gjashtë: Edhe konstatimi i Ramadan Pllanës se LNÇKVSHJ ishte në ‘’fillim të krijimit’’, ( në kohen kur i kam pasur takimin e parë me të,) është një rrenë e pa kuptimt, ngase, kur jam njohur me të, Organizata jonë e kishte organin e saj udhëheqës që e patëm quajtur Komitet Qendror( KQ), i cili numëronte 11 anëtarë. LNÇKVSHJ e kishte të zgjedhur kryetarin. E kishte miratuar Programin e Statutin. Ishin emëruar kryetarët e 6 komiteteve Qarkore(qyteteve-komunave). Ishte miratuar Rregullorja dhe Betimi për pranimin e anëtarëve në organizatë. Ishin bërë ca përgaditje teknike për nxerrjen e ‘’Zërit të Kosovës’’, organit të LNÇKVSHJ. Ishin shkruar shumë artikuj nga anëtarët e KQ, që do të botoheshin në organin e saj. Kishim dërguar në Shqipëri përfaqësuesin tonë me një letër informimi për formimin e LNÇKVSHJ.

Pra, dokumenti se kur është formuar Organizata egziston në Arkivet e Shqipërisë, prandaj nuk ka nevojë të mërzitet ’’historiani’’ Ramadan Pllana, dhe mos të humbasi kohë për të ‘’hulumtuar’’ se kur është formuar LNÇKVSHJ. Po ashtu, e patëm dërguar në Stamboll shokun tim të ngushtë Sheremet Saraçi, ’’Mësuesin’’ ( anëtarin e KQ që nga dita e formimit të LNÇKVSHJ), për të kontaktuar me veprimtarë të çështjes shqiptare në Turqi. Ishin përcaktuar detyrat momentale, afatmesme dhe afatgjata të LNÇKVSHJ, etj. Pra nuk është e vërtetë se Lëvizja ishte ‘’në fillim të formimit’’.

Rrena e shtatë : Deklarata e Ramadan Pllanës se ai ishte plotësisht i bindur me konstatimin e Metush Krasniqit se’’neve na duhet një Lëvizje gjithëkombëtare, e jo parti’’ dhe se “pa u luhatur fare, hodha poshtë idenë e krijimit të partisë dhe broshurën e tërhoqa nga leximi dhe propogandimi i mëtejmë’’, është një shpifje e ndyrë, është një rrenë e kulluar, sepsr këshillat që ia kam dhënë unë me rastin e kthimit të pamfletit të tij në Obiliq, dy javë pas takimit të parë që e patëm në Strofc, ia mvesh Metush Krasniqit, të cilin nuk e njihte e as nuk dinte se ai ishte i organizuar apo udhëheqës i Lëvizjes.

Trumpetimet e tij përmes këtyre’’argumenteve’’ të pa qena, se gjoja Ramadan Pllana qysh nga fillimi ka qenë në dijeni se Metush Krasniqi ishte në krye të LNÇKVSHJ, se gjoja ai e ‘’ka lexuar ‘’pamfletin dhe se me’’këshillat’’ dhe ‘’sygjerimet’’ e tij ka punuar dhe vepruar, janë shpifje dhe rrena të kulluara. Deklaroj haptazi se unë me asnjë fjalë nuk i kam treguar Ramadan Pllanës dhe as ndokujt tjetër se Metush Krasniqi është i kyqur në Organizatë, apo është në krye të LNÇKVSHJ. Po ashtu deklaroj botërisht se Ramadan Pllana nuk ka qenë i njoftuar prej askujt para se të burgosej, gjatë burgosjes së tij dhe gjatë vuajtjes së dënimit se Metush Krasniqi ka qenë i kyqur apo ka qenë kryetar i LNÇKVSHJ. Ai këtë ka mësuar se Metush Krasniqi ka qenë në krye të Organizatës nga intervista ime e botuar në’’Drita’’ të Shefki Osekut më 1997, e kurrësesi më herët.

Do t’i ceku disa prej argumenteve që hudhin poshtë gënjeshtrat dhe shpifjet e Ramadan Pllanës, dhe vërtetojnë saktësinë e deklaratave të mia.

Argumenti i parë: Ramadan Pllana dëshmon se unë i kam thënë se LNÇKVSHJ është vazhdimësi e organizatës së Adem Demaçit. Dëshmia e tij është e vërtet, por konstatimi im nuk ka qenë i drejt dhe i sinqert. Është më se e vërtetë se LNÇKVSHJ nuk ka qenë vazhdimësi e organizatës së Adem Demaçit, as vazhdimësi e organizatës së Metush Krasniqit, por ka qenë si të gjitha organizatat e mëhershme, vazhdimësi e përpjekjeve të vazhduesme për ta mbajtur të ndezur zjarrin e rrezistences tonë kombëtare, që në momentet e volitshme, kur të na ‘’vie shteku’’ t’i

këpusim prangat e robërisë. Këtë që po e them dëshmon fakti se të gjitha organizatat ilegale që kanë bërë përpjekje për të vepruar kundër robërisë serbo-jugosllave nuk kanë pasur jetë të gjatë veprimi, ngase në radhët e tyre janë infiltruar bashkëpunëtorët e Sigurimit jugosllav (UDB-së), apo është punuar pa një konspiracion të mirëfilltë. Prandaj, me burgosjen e një anëtari të udhëheqjes së organizatës, është zbuluar, jo vetëm udhëheqja e organizatës, por edhe e gjithë anëtarësia, dhe ka përfunduar aktiviteti i organizatës. Mu për këtë nuk është e drejtë të thuhet se LNÇKVSHJ ishte vazhdimësi e njërës apo tjetrës organizatë. Sepse, si njëra – si tjetra, e kanë përfunduar aktivitetin e tyre me burgosjen e udhëheqësive të tyre, së bashku me ideologët-kryetarët e tyre.

Shtrohet pyetja: pse i kam thënë Ramadan Pllanës se LNÇKVSHJ është vazhdimësi e Organizatës së Adem Demaçit, kur kjo nuk ishte e vërtetë? E them sinçerisht se qëllimi im ka qenë, që Ramadan Pllanës t’ia largoj nga mendja se në krye të Organizatës mund të jetë Metush Krasniqi, pasi që kishte qenë i inforuar se atë e kishim mik shtëpie. Deklarata ime ka qenë bindëse për Ramadan Pllanën nga fakti se kur kemi biseduar me të për LNÇKVSHJ në vjeshten e vitit 1978, Adem Demaçi qe dënuar më herët për herë të tretë me burg në bazë të ligjit jugosllav’’për veprimtari armiqësore’’. Fakti tjetër ishte se unë, si anëtarë i Organizatës së Adem Demaçit, i kisha mbajtur tri vjet(3 vjet dhe 28 ditë) burg gjatë vitit 1964–1967. Këto dy fakte e kanë bindur Ramadan Pllanën se edhe këtë radhë kam qenë i kyqur në Organizatën e Adem Demaçit, (edhe pse nuk i kam thëne¨) por kam shpëtuar nga burgosja. Mu për atë edhe me ’’gëzim’’ ka pranuar propozimin tim që grupi i tij të ‘’shkrihej’’ në LNÇKVSHJ. Këtë që po deklaroj na e vërteton vet Ramadan Pllana me deklaraten etij kur thotë: ’’ ne ishëm të bindur se në krye të udhëheqjes (mendon të LNÇKVSHJ -vërejtja ime) kemi Adem Demaçin….’’. Ky është argumenti i parë, që i hudhë poshtë gënjeshtrat dhe shpifjet e Ramadan Pllanës se ai ka ‘’vepruar’’ sipas ‘’udhëzimeve’’ dhe’’këshillave’’ të Metush Krasniqit.

Argumentin e dytë: Citojmë disa fragmente të letres së Ramadan Pllanës dërguar Adem Demaçit: ‘’Baca Adem, nuk po të lodhi me mendimet e mia, po kam një kërkesë të madhe që kishte për të qenë shumë e dobishme për mua! Jam duke i përgatitur edhe unë kujtimet e mia për përpjekjet tona dhe para se t’ i bëj pyetjet direkte po të përshkruaj pak themelimin e LËVIZJES NACIONAL ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS DHE VISEVE TË TJERA SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI, shkurt LNÇKVSHJ: Një nga udhëheqësit e kësaj organizate Sabri Novosella na thoshte se kjo organizatë është vazhdimësi e LRBSH-së së Adem Demaçit dhe me dijeninë tënde; për çka edhe kishim pranuar të jemi anëtarë edhe Jusuf Gërvalla e unë.’’(Siç po shihet vetë Ramadan Pllana pranon se ka pranuar të bëhet anëtarë Lëvizjes, se ka qenë i bindur se në krye të saj është Adem Demaçi e jo Metush Krasniqi. )

Se Ramadan Pllana ka pranuar të bëhet anëtarë i LNÇKVSHJ duke qenë i bindur se ishte vazhdimësi e Organizatës së Adem Demaçit, fare nuk dyshojmë, por si e mur vesh Ramadan Pllana se edhe Jusuf Gërvalla paska pranuar të bëhet anëtarë i LNÇKVSHJ ‘’duke kujtuar se ishte vazhdimësi e Organizates së Adem Demaçit ‘’, kur Ramadan Pllana në intervisten e tij dëshmon se me Jusuf Gërvallen ‘’ kurrë nuk kam pasur një bisedë a ballafaqim të drejpërdrejt me të.?!’’ Edhe një sqarim zotëri Pllanës: Ramadan Pllanës nuk i ka thënë Sabri Novosella se LNÇKVSHJ është vazhdimësi e Organizatës së Adem Demaçit, por i kam thënë unë, në momentin kur e kam njoftuar për egzistimin e saj.

Argumenti i tretë: Për kohën që flet Ramadan Pllana, Metush Krasniqi ka qenë i njohur në opinionin e ish- të burgosurve politikë si nacionalist dhe si ballist. Ai ishte kundërshtar i rrept i Enver Hoxhës, politikës dhe bindjeve ideologjike të tij. Ndërsa Adem Demaqi ishte i njohur si enverist dhe me bindje komuniste. Prandaj bashkimi i këtyre dy personaliteteve në një organizatë ilegale, në kohën dhe rrethanat që po flasim, me dallimet aq të mëdha ideologjike, që kishin në mes veti, ka qenë i pa mundur të realizohej. Prandaj, ’’kujtimet’’ dhe’’dëshmitë’’ e Ramadan Pllanës se ai ishte i ‘’bindur’’se në ‘’udhëheqjen’’ e organizatës e kemi Adem Demaçin, mund të merren si të vërteta. Por, kurrësesi nuk mund të merren si të vërteta’’dëshmitë’’ dhe’’kujtimett’’ e tij në lidhje me Metush Krasniqin. Pra edhe ky argument i hudh poshtë deklaratat e tërthorta të Ramadan Pllanës se ai ka qenë në dijeni për rolin udhëheqës që ka pasur Metush Krasniqi në LNÇKVSHJ.

Argumenti i katërt: A thua kush do t’i besonte Ramadan Pllanës në ’’dëshmitë’’ dhe ‘’kujtimet’’ e tij të pa logjikshme dhe të pa besueshme. Si ka mundësi që unë, pasi që kisha fituar një përvojë organizative gjatë burgosjes dhe vuajtjes së dënimit, t’ia zbuloj fshehtësitë e organizatës një djaloshi anonim, që asgjë nuk dija për biografinë e tij, vetëm me dy-tri takime të mbajtura me të. Por, mbi të gjitha, Rregullorja e Organizatës për pranim të anëtarëve në organizatë, ma ndalonte të flas për organizatën me dikend që nuk e njihja së paku dy vjet më parë. Kush do t’i besonte deklaratave të Ramadan Pllanës, se gjoja unë, edhe pse i kam ditur bindjet e

Metush Krasniqit për komunizmin dhe marksizëm-leninizmin, ia paskam dhënë atij që t’a lexojë pamfletin e tij, pamflet i cili, në fakt, nuk kishte kurrëfarë vlere pos që të përdorej si letër për ta ndezur stufen e ngarkuar me dru. Kush mund t’u besojë përrallave fëminore të Ramadan Pllanës se Metush Krasniqi paska qenë aq naiv, saqë, duke e rrezikuar vetveten dhe shokët, e ka ‘‘këshilluar’’ një djalosh anonim, i cili nuk kishte dhënë kurrëfarë provash më parë se ishte burrë i fjalës dhe i besës, që të heqë dorë nga formimi i ‘’Partisë së Punës së Kosovës’’, dhe të mari pjesë në formimin e ‘’Lëvizjes gjithkombëtare’’për çlirimin e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare.

(VIJON)

© Pashtriku.org

______________________________

PSE RAMADAN PLLANA GËNJEN DHE SHPIF PËR LNÇKVSHJ-në DHE UDHËHEQJEN E SAJ (4)

Shkruan: Shefqet Jashari – Strofci

RRENA E RRENËVE TË RAMADAN PLLANËS

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura