REXHEP KASUMAJ: BESA E KUFIJËVE (ZOTËSIA E LUFTËS ËSHTË PREMISË E PAQES)

Berlin, 04. 10. 2013 – 1. Problemet që janë! – Paria e Tiranës do të shpaloste këtoditshëm, ende në formë xixash të largëta dhe, në dukje, të pavërejtshme në zallahinë e ngjarjeve, linja politike largëvajtëse për zhvillimet shqiptare. Fillimisht, meqë ngjan e pabesueshme, vjen e menjëhershme pyetja: është ky tharmi programatik, i quajtur „rilindësor“, apo revizion e pasndërtim i tij?
Në një intervistë për agjencinë greke të lajmeve (ANA), Premieri i posakurorëzuar Rama, do të deklarojë: „Politika jonë e re është zero probleme me fqinjët“! Kurse në fjalimin inaugural kosovar në Parlamentin e Prishtinës, si përkujtesë të kodit të shenjtë moral, ai do të shpallte me ton solemn: “Kemi dhënë një besë se nuk do ndryshojmë kufinjtë”!
Nëse këto dy poentime skicojnë orientimin politik të Tiranës, aherë nuk ka si t’mos përligjet sërish zhgënjimi, i djeshëm e sotëm, i shoqëruar nga një psherëtimë e moçme: përse kjo ndjesi inferiorale, ky kompleks, gati i testamentuar shqiptar, ndaj kombeve sllavë me veglërinë e tyre perreth?

Ndërkaq e drejta e rezervuar e dyshimit, nuk më shpie assesi në evokimin afirmativ të patriotizmës folklorike, e shpesh të shpërdorur që shpërthente ndonjëherë (momente arnimi të legjitimitetit atdhetar) ndër vite.
Megjithatë, „politika e re fqinjësore“, në formulimin e saj virgjin, është joreale dhe e pamundshme. Ajo dhe mund të pretendojë promovimin e pakushtëzuar – por cili do të ishte çmimi i saj?
Rrjedhimisht, pra, sipas këtij vizioni të ri shtetëror, serbët do të caksynojnë sërish Kosovën, dmth tokën shqiptare – dhe për Tiranën politike ky do të jetë një “zero-problem”!
Belgradi, tutje, do të segregojë gjithnjë shqiptarët e Luginës së sakrifikuar – dhe për Tiranën politike kjo goditje në anët e ndjeshme të qenies, nuk është veçse një “zero-problem”!
Maqedonia do të nëpërkëmbë mëtej, madje dhe atë të shkretin, statusin e rendit të dytë të humbësit për shqiptarët – e për Tiranën politike kjo s’do ishte asgjë fare, një “zero-problem”!
Përpiqemi ta kuptojmë, e mbase ta justifikojmë këtë nismëri me finesën e diplomacisë së hollë, se ndoshta, “politika e zero-problemeve” do të konkludohet e tillë vetëm për aq sa është në varësinë e shqiptarëve.
Athua?
Nëse kjo, natyrisht, nuk varet e gjitha nga shqiptarët – aherë ç’kuptim merr sintagma e “zero-problemeve” me fqinjët që janë barrikaduar në politikat e vjetra? Në fakt politikat nuk i nënshtrohen, gjithaq, ndarjes mashtruese në ataviste e moderne. Qeveritë e përgjegjshme kultivojnë e mbrojnë me to interesat kombëtare, që, poashtu, nuk mund të jenë as të rinj, e as të tejkaluar. Janë, thjeshtë, interesa kombëtarë që ridefinohen idesh e mjetesh në kohë të ndyshme, por ruajnë esencën konstante dhe gjasën e tyre në rrethnajën historike që alternon paprerë. Zotimi i admirueshëm europianist, jo si kallaisje falsore dhe improvizim i errtë – por si prurje e vetë shpirtit të Europës në Shqipëri, nuk arrin investimin e mjaftë gjeopolitik e moral që të jesh mirë me fqinjtë për gjithçka e për gjithmonë! Mirësi me rrethin fqinjësor mund të ndërtosh vetëm nga pozicioni i barazisë ose i mbifuqisë. Ligështia dhe principialiteti absolut, e pra naiv e vetërrnënues, e shumta, nuk do të sigurojë veçse të drejtën e vajtesës si viktimë e përjetshme.
Ndaj, ç’është vallë shtysë e një rrjeshtimi të tillë të qeveritarëve të posafronësuar? Huqje fillimtare apo strategji e mirëmenduar? Mësimnxënje e shtetarisë apo edukatë kombëtare?
2. Besa që s‘është!
Njeriu është një resurs kulture. Ndonëse ky resurs është ende i pakët në Kosovë, banorësia e këtij landi shqiptar, nuk është komunitet kanunor. Është, prandaj, një ofezë hidhtane ti përçosh asaj mesazhe me kategoritë e miljeut të perënduar tradicional.
Sidoqoftë, edhe po ndoqëm këtë lloj diskursi, institucioni moral e juridik i besës në kodin zakonor shqiptar, nuk rregullonte punët politike të shtetit të munguar nacional me shtete të tjerë, aq më pak kodifikonte interesa kombëtarë në marrëdhëniet kontraktuale me botën: me kurthet, ligësitë e prapaskenat e saj mbi kokën e popujve që kishin zënë hapësirë jetësore në kryqëzime udhësh e interesash të huaj.
Traktatet e ralla ku hodhën firmë shqiptarët nuk ishin kurrfarë bese e dhënë. Ishin një farsë e imponuar nga faktorë jashtësorë të udhëkryqit historik. Fundja, edhe kronikat e burgjeve njohin shumë vuajtës që kanë nënshkruar me shtrëngesë dhuntare fajsinë e pabërë. Po kush, pa i pasur hak as hile askujt, e asesi regjimit tiranik a guvernës së huaj, do të “jepte besë”, për të shkuar ditët në qelinë burgëtare? Ndoshta besës ose fjalës së dhënë i atribuohet simbolika e aleancës me vendimmarrësit atllantikë që mentoruan lirinë e Kosovës. Megjithatë figuracioni ishte i paarrirë, kurse aluzioni krejt i panëvojshëm. Fjalëmbajtja në politikën botërore nuk ka askurrë peshën dhe kumtin e fisnikërisë njerëzore. Ajo ka transmetuar përherë premtim tinzar, mashtrim, pusi të ligë, shtirje, hjeksim të pashpresë… Marrëdhëniet ndërkombëtare, që kur dihet për to, shtjellen midis interesit dhe forcës. Mjeshtëria e hollë e përfitimit nga përmbysjet gjeopolitike në skenë të madhe, vigjëlon përherë aty. E popujve të vegjël, veçanërisht!
Mirëpo Rama, me sa duket, flet për çështjen e madhe: bashkimin e demonizuar kombëtar! Ndaj pledonte ai restaurimin e vlerës sublime të besës që paskëshin dhënë shqiptarët për të jetuar lumnisht të ndarë! Pra kush, pse dhe kujt duhej ti jepte këtë besë të bekuar? Kush, vërtetë? Shqiptarët – e kujt? Sllavëve të jugut që kanë në themelet e shteteve dhe lirisë së tyre gjakun shqiptar, qoftë si krim etnocidi, qoftë si flijim solidarësie? Apo kancelerive meskine që bënin sehir mbi gjithçka? E për se? Për të jetuar të tërë, si korpus, nën stemat e urrejtshme të tyre ose për tu dhuruar më të bukurat troje atërore?!
Gjermanët do ribashkoheshin, kurse çekë e sllovakë do ndaheshin dhe askush nuk ua kujtoi të parëve “traktat-besën” për bashkëjetesë të betuar nën skeptrin hegjemon të Pragës, dhe as i shantazhoi, të dytët, për krimin e shëmtuar të naciozofisë. Dhe ishte krejtësisht e drejtë. Nuk kish pse të vuante brezi i ri gjerman tagrin e marrëzisë së etërve, që si thotë Kamy, e përfytyronin Europën si tokë me ushtarë dhe hambarë të mbushur për zotërinjtë arianë.
Kush, prandaj, ç’personalitet e dërgatë në një konferencë të hapur a sallon të fshehtë, nënshkroi „besën“ e statusit të Shqipërisë dhe të prerjes së Kosovës? Në Londër nuk kishte firmatarë shqiptarë, kurse për ironi, në Rambuje ata nënshkruan rikompozimin e Jugosllavisë së tretë të Zhablakut, por, si „besëprerës“ të vërtetë, do ta shkelnin atë shpejt më pas, do të prishnin krijesën e re sllave dhe do të shpallnin pavarësinë. Dhe për këtë akt nuk i leçiti kush, as u dogjën e dëbuan „katundisht“ si çartës të ligjit suprem.
Njëmend, në frymën e konjukturave provizore, shqiptarët do të bënin njëlloj pajtese të kushtëzuar (pikat e famshme të Pesëshit), duke njohur kufinjtë me europianitetin dhe lirshmërinë e tyre për ide, njerëz e kapitale. Por gjithnjë larg „besëdhënjës“ që do të mallkonte ata dhe të tjerët që vijnë pas tyre.
Sado të lëkundshëm e të brishtë, kufijtë janë hakmarrës të vështirë. „S’ka gjë më të urryer se kufijtë, thoshte dhe Herman Hess. Janë, nënvizonte ai, si topat, si gjeneralët: derisa zotërojnë arsyeja e humanizmi, paqja nuk të bie ndërmend dhe tallesh me ta, por posa shpërthen lufta ata bëhën tmerrsisht të shenjtë!“
3. Shtetet që do jenë!
Shqiptarët sikur janë mësuar të mohojnë përherë veten në pragun e sajesave të mëdha. Dhe tani, nga ç’sipërthamë, jo vetëm nuk janë të ngujuar në idilën rustikale, por shpesh venë përtej, duke prekur identifikimin absolut me supranacionalen e pangjyrë. Prania e pushtuesit krijon vetiu magjepsjen identitare (shkruan Ele Blezh) por, anipse ai është ende i ngulitur në zona vitale të hapsirës jetësore të tyre, shqiptarët, për çudi, përjetojnë habitshëm shmagjepsjen kombëtare si sakrificë të epërme për bashkësinë e lirë kontinentale. Askush më shumë se ata nuk ndjen nëvojë për ta idealizuar Europën. Ajo është makthi dhe, njëherësh, ëndrra e tyre e munguar. Mirëpo projekti europian, megjithë qendërzimet e planizuara në Bruksel, nuk imagjinohet dot mbi konceptin e shteteve post-nacionale, por të shteteve post-klasike (si shprehet Heinrich August Winkler). Rrjedhimisht, shtetet kombëtare do të mbahen e lulëzojnë dhe, prandaj, shqiptarët nuk dhanë e s’kishin pse të besatoheshin, vetëm ata, për të jetuar copë-copë, të dobët, të kërcënuar dhe me hir mjegullnaje mbi ardhmërinë e tyre.
Për dallim nga shumë të tjerë, në jetëshkrimin politik kolektiv dhe në vetë shpirtin shqiptar, nuk hijesojnë terri i krimeve e zaptimeve, popullvrasjes dhe rrafshimeve. Ndaj e drejta natyrale e njësisë kombëtare si ndjesi e interes, prodhon aspiratën dhe projektin e ligjshëm për jetësimin e saj.
Zotësia për luftë është fillesë për paqe në Ballkan. E këtë status fuqie mund ta kenë vetëm shqiptarët e bashkuar. Që këtej, Shqipëria unike nuk është ide romantizante. Aq më pak kundëreuropiane. Përkundrazi. Do të ishte një shërbesë për paqen dhe një yll përndritës në qiellin e saj. Zhvillimet rrotulluese nuk mund të bëhen jashtë urdhërave të kohës. Po, së paku, fëmijët e saj të mos bëjnë qejfërisht lojën e humbjes!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura