REXHEP KASUMAJ: ARRATIAKËT E HUMBJES

Berlin, 14. 06. 2014 – * Po për çfarë kulture demokratike flasin ata? Vetëm pse s’kishte dhunë e gjak? Dhe vetëm pse shumica u struk në abstinencën arratiake, duke akomoduar e përligjur gënjeshtrën, mashtrimin dhe industrinë rentabile të krimit e hajnisë?
1.

Populli i Republikës krenare sërish votoi. Votoi e zgjodhi ata që do t’përfaqësojnë interesin e tij. Por vota e tij ishte e përçudshme. Nuk ishte votë aktive. Ajo, në fakt, ishte e paktë. Minoritare. Kurse tjetra, reale e shumtë, ishte tërhequr. Ishte mbyllur në votër, si votë e pazot dhe vullnet i vrarë nga “vulgu i demokracisë” (Aristoteli)! Kjo mazhorancë e abstenimit dhe hijes nuk i doli përballë dhimbjes, por ndoqi demobilizimin vetëpërjashtues. Në fakt, i mohoi mirëbesimin grupimeve politike a koalitive, porse, si ndodh me deshpërimtarët e fatpajtuar, ata nuk i dhanë atyre as votën e hapur aktive të refuzimit. Në shoqëritë e mirorganizuara të Europës, ka poashtu ndonjëherë demobilizim asimetrik. Veçse ai vjen e motivohet nga mirëqenja e baraspeshuar që zanafillon tek egalitarizmi dhe njëjtësia e së drejtës për lumturinë. Ekuilibrat janë delikat e të brishtë në shkallën që asnjë parti a ideologji nuk mund ti lëvizë lëkundshëm dhe, që këtej, bindja se pothuajse një grimë ose asgjë nuk do ndryshojë. Aq më pak për keq. Ato, prandaj, nuk rezultojnë asnjëherë spektakulare, riorientimore a përmbystare…

Maska(renjtë) dhe hum(b)nerësit e Kosovës në Veprim! (sh.b)

A cilësohet edhe në Kosovë gjëndja e tillë që alternanca të mos jetë aq rëndësore? Ashtu si ndodh (qysh posa thamë), kur ndërrohen Demokratë e Republikanë në Amerikë, apo Socialdemokratë a Demiokristianë, në Gjermani? Fundja ata vetë, arratiakët, ankohen me vaj e zë të shuar për keqjetesë: skamje e tkurrje lirishë! Çdo ankesë është një akuzë, po ndër ajo ta pushon të jetë e tillë, nuk arrin dot të shndërrohet në votë rrëzimtare ose rebelim popullor…Formacionet politike: banda ordinare ose neojugosllavistë në hjekësim, kanë pjesën fillestare të fajit për instalimin e kësaj krusme. Po faji nuk prezumohet i gjithi prej tyre. Janë me faj dhe vetë ankestarët që pranojnë bujarisht statusin e strucit të papërgjegjshëm e të pashpresë…Madje, të papërgjegjshëm rezultojnë të gjithë: edhe të strukurit e dëshpërimit edhe pushtetarët a caksynuesit e fronit. Ndërsa papërgjegjshmëria e strucëve të pasy, është spontane, indiferente dhe e shpërndarë, papërgjegjësia e të dytëve është egër, e ftohtë dhe e organizuar. Pastaj, po në këtë shtjellë vrojtimi, të dyja palët (nëse mund të përcaktohen kësisoji) kultivojnë njëlloj pandjeshmërie të ndërsjellë. Por linja që i humneron është e gjembosur. Pandjeshmëria e të parëve buron nga vuajtja e dorëzimi para këmbësh të arbitraritetit pushtetar, kurse e të dytëve është brutale, kalkulative dhe gjithë mburrje të pafshehur për katandisjen e të tjerëve. Prihen nga logjika e niçeanizmit primitiv, se janë vetë të rënët që meritojnë rrokullisjen dhe, jashtë këtij principi primordial, s’kish si të ndodhte as ngjitja e tyre. Lidhja kauzale që ata ngrejnë midi fatlumnisë së vet dhe dramës tragjike të “arratiakëve” të braktisur, del të jetë disi e paracaktuar dhe fatale. Pikërisht kështu e vështruar, ajo është njëkohësisht e pasaktë dhe e poshtër. E askundprekshme në Europë.
Në tokën e shqiptarëve, pra, abstenimi demobilizues ngjizet e përnxitet nga një shkakësi thellësisht e kundërt: nga apatia kolektive e thadruar ideje se pavarësisht kush do bëj legjislaturën, sërish gjithçka do mbetet e ngrirë ose, madje, do marrë teposhtëzen. Mirëpo a ishte ky reflektim pasiv mënyra e mjeti i duhur për të dalë nga rrethi i mbyllur i fatit të keq? Assesi! Që mospjesëmarrja në sistem, fluksi në zonën gri të jetës, të vente deri në mallkim, votimi, përveç pasiv do t’ishte dhe total. Të gjithë aspirantët e legjislaturës së re përceptoheshin njësoj. Ata, shumica syresh dhe janë të tillë: pa profil, pa moral, pa sakrificë dedikimi, pa vizion dhe pa intuitë krijuese. Megjithatë mes tyre, si lule e gjysmëçelur mes një therrnaje të egër, kishte një shpresë. Nuk pasionohem kollajshëm. Nuk jam i pasionuar as tash, veçse kishte një dritëz, një fanar në furtunë që s’kish pse të paragjykohej negativisht. Porse, me gjasë, syri i mësuar gjatë, gati i verbuar në terr, nuk e shihte dot.
2.
Të kënaqur si derrnia, legjislaturistët e fituar (që do t’kremtonin pashembëllsisht me traktorë duke shfaqur, ashtu, simbolikën e botës së tyre) dhe pretendentët e djegur (që, të bashkuar, shpejtuan drejt shkallaresh pushtetore), për tu dukur realistë, mondanë e populldashës, do tu thurnin elozhe lavdie zgjedhësve të bekuar për, si pohojnë, kulturën e demonstruar demokratike. Ngadhnjyesit, gjithësesi, do ti kenë pasur më tepër në mendje elektorët mungestarë, këta heshtakë të ekziluar në strehën e alienëve socialë, që do t’thurnin kurorën e triumfit të tyre.
Po për çfarë kulture demokratike flasin ata? Vetëm pse s’kishte dhunë e gjak? Dhe vetëm pse shumica u mbyll, u ostracizua vullnetarisht, duke akomoduar e përligjur gënjeshtrën, mashtrimin dhe industrinë rentabile të krimit e hajnisë? Jo, jo! Nuk ishte kjo kurrëfarë kulture demokratike! A nuk do të thotë etimologjikisht termi demokraci – sundim populli, pra i sovranit që delegon përfaqësimin në Kullën e parisë!? Nëse është kështu, aherë a do të dëshmonte ai këtë kulturë vetëdrejtimi të jetës së tij?! Jo, mjerisht, jo! As ata që votuan aktivisht, duke provuar, madje, se lëngojnë ende syndromin e Stokholmit, kur viktima solidarizohet me dhunëtarët dhe as ata që iu qasen pasivisht momentit elektoral për të mos votuar fare, duke çuar dorë qoftë dhe nga mbrojtja e fëmijëve të tyre. Fëmijëve, të cilëve jetesa e bashkëmoshatarëve në Europën që largohet vazhdimisht, iu ngjan ende një shkëlqim prrallash!
Mirëpo shqiptarët, ata që vegjetojnë margjinave të jetës, ngushëllohen lehtë. Janë modestë dhe mjaftohen me gjëra të vocërra. Nuk lakmojnë mirësitë provizore të “banorësisë së pluhurit”!..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura